top of page

BOTIMET E SHKRIMTARËVE NGA KOSOVA NË SHQIPËRI 1968-1990


BOTIMET E SHKRIMTARËVE NGA KOSOVA NË SHQIPËRI 1968-1990

Shkruajnë: Myrvete & Begzad Baliu

I. Rinjohja!

Viteve të fundit, vazhdon të përsëritet diskutimi mbi mosbotimin e disa prej autorëve të Kosovës në Shqipëri. Fjala është për një diskutim të filluar menjëherë pas vitit 1989-90, kur gazetarë dhe krijues të caktuar nga Kosova filluan ta vizitojnë Shqipërinë dhe të kontaktojnë me bartës të kulturës e të shkencës në institucionet e mëparshme, me bartës të zhgënjyer dhe me disidentë të vjetër të tyre, me ata që vazhdonin të mbronin konceptet e mundësisë së botimit të letërsisë së Kosovës dhe me ata që bënin vërejtje për kriteret e botimit të saj etj.

Vizitorët e asaj kohe patën zbuluar me bujë mosnjohejn tonë në shumë fusha të jetës, për të cilat mund të kishim mirëkuptim, por ishte vështirë të kuptoje sesi, ne që lexonim çdo ditë letërsinë e shkruar dhe të botuar në Shqipëri, vetë nuk ishim të pranishëm atje, ose ishim të pranishëm vetëm për një periudhë të caktuar, vitet ’70-‘90, dhe për më keq, letërsia që krijohej në Kosovë, jo vetëm nuk përceptohej si tërësi e saj, por vazhdonte të mos vlerësohej as si pjesë e saj.

II. Përpjekja për ndarje

Nga këto shkrime, kishim mësuar se në Shqipëri letërsia shqipe kishte filluar të botohej vetëm në vitin 1970, në kolanën Letërsi e autorëve nga Kosova ( e kjo nënkuptonte letërsinë e autorëve që krijonin brenda kufijve të Jugosllavisë, nga Struga (Agim Vinca) deri në Zarë (Josip Rela). Ky koncept ishte krijuar jo vetëm në botimet e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, por edhe në ligjërimin e saj në Universitetin e Tiranës. Shtypi i atëhershëm qe marrë shumë me problemin e këtij identifikimi të domosdoshëm “letërsi e Kosovës”. Në të vërtetë, përpjekje për ndarjen e letësisë së Kosovës nga ajo e Shqipërisë, në dekadën e shtatë, ka pasur edhe në qarqet jugosllave, por ajo qe kundërshtuar nga studiues dhe institucione të Kosovës. Vështirësi për mbrojtjen e saj, pra të tërësisë sonë letrare, kishte sidomos gjatë përpjekjes së përfaqësimit të saj në librat shkollorë, në emër të “Planeve unike”, sipas të cilave letërsia e Kosovës duhej të fillonte me Pjetër Bogdanin dhe të mbaronte me krijuesit më të ri të letërsisë që krijohej brenda kufijve shtetërorë. Mbrojtja që iu bë atëherë trashëgimisë dhe tërësisë së letërsisë shqipe ka qenë e jashtëzakonshme dhe me pasoja për individë e institucione. Nëse ndarja e saj në librat shkollorë në Tiranë ishte përligjur me gjysmën e dytë të shekullit XX (koha e socrealizimit në letërsi), politika e Beogradit këtë ndarje përpiqej ta përligjte me vetë fillimet e saj.



Kopertina e romanit të Rexhep Qosjes

Nga shtypi i Prishtinës, gjithashtu patëm mësuar dy përgjigje të kundërta, për ndarjen e letërsisë së Kosovës nga botimet shqipe në shtëpitë botuese në Shqipëri dhe për ndarjen e ligjërimit të saj në Universitetin e Tiranës, dhe kjo përgjigje pati ardhur pothuajse nga i njëjti burim:

- e para, që kishte konotacion politik: letërsia e Kosovës ishte ndarë si lëndë në Universitetin e Tiranës, me qëllim të përligjjes së ndarjes sonë jo vetëm kulturore por edhe politike, dhe

- e dyta, se kjo kishte ndodhur madje krejt rastësisht: me qëllimin më të mirë, që letërsia e Kosovës të njihej dhe të mësohej sa më gjerësisht.

Pa dashur që të merremi me komente të gjera, këtu po e sjellim bibliografinë, e botimeve të Letërsisë së autorëve kosovarë nga fillimi (viti 1970) deri në vitin 1990.

I. Antologjitë: Poezi, prozë, studime

1. Për ty, poezi nga Kosova, përmblodhi dhe redaktoi Pandeli Koçi, 1970, f. 124.

2. Rrëfimi i njeriut me samarë, tregime nga Kosova, 1970.

3. E di një fjalë prej guri, poezi nga Kosova. Redaktuar nga Pandeli Koçi, 1972, f. 264.

4. Toka e përgjakur, shkrimtarë nga Kosova, tregime 1972.

5. Letrat dhe gjethet, tregime nga shkrimtarë të Kosovës, 1976.

6. Heshtja e një kohe, poezi nga Kosova, 1976,

7. Vendlindja ime, vjersha të poetëve nga Kosova, 1980, f. 135.

8. Qëndresa e emrit, poezi nga Kosova, 1981, f. 190 .

9. Djepi i lashtë, tregime nga Kosova, 1981, f. 390.

10. Reja e zezë mbi kullën e bardhë, tregime nga Kosova, 1981, f. 126.

11. Me xhaketën kuq e zi, vjersha për fëmijë, 1982, f. 154.

12. Djaloshi trim, vjersha e tregime nga Kosova, 1983, f. 166.

13. Përmendore, tregime nga Kosova, 1984, f. 353

14. Kur buzëqeshë nëna ime, poezi nga Kosova, 1984, f. 155.

15. Studime dhe kritikë letrare (Nga autorë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë e të Malit të Zi). Mblodhi dhe përgatiti për shtyp Ramadan Vozga), 1983, f. 500.

II. Poezia

1. Ali Podrimja, Thirrje, 1972 dhe Poezi, 1986, f. 287.

2. Din Mehmeti, Mallkimi i gjakut”, 1972; Poezi, 1985, f. 222.

3. Azem Shkreli, Poezi, 1972; Poezi, 1982, f. 215.

4. Rrahman Dedaj, Nuk e kam thirrur shiun, 1975, f. 94; Poezi, 1989, f. 282.

5. Agim Vinca, Në vend të biografisë, 1977, 95 f; Poezi, 1984, f. 71.

6. Enver Gjerqeku, Gjurmëve të jetës, 1972, Poezi, 1986, f. 202.

7. Fahredin Gunga, Flaka e fjalës, 1976; Poezi, 1986.

8. Rexhep Hoxha, Lulet le të dalin, 1975; Mbi krahët e fluturës 1989, f. 119.

9. Vehbi Kikaj, Gurrat, 1977, f. 57; Shtëpia ime ka sy, 1988, f. 117.

10. Qerim Ujkani, Gjaku im, 1980.

11. Edi Shukriu, Poezi, 1980.

12. Jusuf Gërvalla, Bekimi i nënës, 1983, f. 86.

13. Sabri Hamiti, Lind një fjalë, 1986, f. 111.

14. Abdulaziz Islami, Yjet e vendlindjes, 1987, f. 166.

15. Flora Brovina, Luleborë, 1988, f. 97.

16. Jakup Ceraja, Kur dhemb zemra, 1976, f. 126.

17. Eqrem Basha, Poezi, 1990, f. 190.

18. Agim Deva, Ankohet çanta e vogël, 1986, f. 75.

19. Mehmedali Hoxha, Një brez livadh, 1990, f. 86 (e ilustruar)

20. Ali Huruglica, Dreri me yll në ballë, 1988, f. 107.

21. Gani Xhafolli, Zogjtë fluturojnë mbi lule, 1984, f. 82.

22. Hasan Hasani, Mici e topi, 1981, f. 66.

23. Mark Krasniqi, Poezi, 198?.

III. Proza (tregimi, novela, romani)

1. Nazmi Rrahmani, Malsorja, 1970, f. 256; Toka e përgjakur, 1975, f. 422; Rruga e shtëpisë sime, 1980, f. 356.

2. Daut Demaku, Plisat e kuq, 1971, f. 104.

3. Hivzi Sulejmani, Njerëzit, 1973, f. 328; Fëmijët e lumit tim, 1972, f. 213.

4. Ramiz Kelmendi, Heshtja e armëve, 1973, f. 183.

5. Jusuf Buxhovi, Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit, 1985, f. 165. Libri i të mallkuarve, 1991, f. 382;

6. Murat Isaku, Rreckajt, Plagët.(?)

7. Arif Demolli, Ballkonet e një qyteze, 1980, f. 134; Pëllumbat e kujtimeve, 1984, f. 113.

8. Rifat Kukaj, Minaku i përhimtë, 1975, f. 108; Shkrepi i diellit, 1977, f. 108; Droja, 1981, f. 188; Qafa e Ujkonjes, 1987, f. 249; Bardhi e Mirusha, 1982, f. 184.

9. Sefedin Fetiu, Në humbëtirat e kohës, 1985, f. 125.

10. Zejnullah Rrahmani, Sheshi i unazës, 1985, f. 213.

11. Rexhai Surroi, Orteku, 1986, f. 307.

12. Rexhep Qosja, Vdekja më vjen prej syve të tillë, 1986, f. 270.

13. Mehmet Kraja, Udhëzime për kapërcimin e detit, 1991.

14. Nebil Duraki, Shtrojera.

15. Jusuf Gërvalla, Rrotull 1983, f. 125.

16. Nerimane Kamberi, Anejsi dhe shtatë pikturat, 1990, f. 159.

17. Rushit Ramabaja, Gjergj Elez Alia, 1983, f. 96.

18. Qamil Batalli, Zogu që bisedoi me Afërditën, 1989, f. 282

19. Ibrahim Kadriu, Pas kthimit, 1985, f. 110.

20. Abdyl Bunjaku, Kërriqi i pikëlluar, 1983, f. 91.

21. Hajro Ulqinaku, Ligji i detit, 1986, f. 72.

IV. Drama

1. Josip Rela, Nita, 1973, f. 95.

2. Kristë Berisha, Drama.

3. Ekrem Kryeziu, Epoka para gjyqit, 1987, f. 71.

4. Sabri Hamiti, Futa, 1991.

5. Rexhep Qosja, Vdekja e mbretëreshës, 1991

6. Jusuf Gërvalla, Procesi, dorëshkrim për teatër, më 1991

V. Studime dhe kritika

1. Mark Krasniqi, Gjurmë e gjurmime, 1978.

2. Rexhep Qosja, Panteoni i rralluar, 1988, f. 660; Porosia e madhe, 1990, f. 443.

3. Ibrahim Rugova, Vepra e Bogdanit, 1990

V. Në gjuhën greke

(To).Autorë nga Kosova)P. Çuka. Gjirokastërf



...dhe një shembull i censuruar i saj

Vepra që ishin planifikuar apo pritnin radhën në shtyp

Nga bashkëbisedues të afërt me institucionet kulturore, në mesin e të cilëve ishte më i merituari Z. Pandeli Koçi, mësonim se në shtyp, apo në radhën e botimeve të planifikuara gjendeshin edhe nga një vepër e këtyre autorëve: Rexhep Qosjes, Ali Hadrit (zgjedhje), Mehmet Krajës (Net bizantine), Anton Pashkut (Tregime), Beqir Musliut (Poezi), Ymer Shkrelit (një roman), Ramiz Kelmendit (tregime), Abdullah Konushevcit (poezi) etj.

Letërsia e vonuar!

Në këtë rrjedhë kërkimi, është vështirë të përligjet koha për të cilën u desh të pritej botimi i letërsisë së Kosovës. Nëse Esat Mekuli, Hivzi Sulejmani etj., nuk mund të botoheshin, sepse në jetën kulturore, arsimore dhe shkencore në Jugosllavi, ishin edhe bartës të dejtpërdrejtë të politikës kulturure dhe shkencore në Kosovë, si të shpjegohet mosbotimi i veprës së Adem Demaçit, i cili si me veprën ashtu edhe me jetën identifkohej me Tiranën zyrtare. Vepra e tij nuk ka qenë e panjohur për drejtuesit politikë dhe kulturorë të Tiranës, pasi ajo ishte e botuar para rënies së tij të parë në burg. Gjithashtu dihet se vepra e tij, me të gjithë përbërësit letrarë e estetikë, ka qenë dhe ka mbetur një vepër që ka shënuar vlerë të rëndësishme në letërsinë tonë.

Përjashtimin e palejuar, për të cilin sot nuk mund të diskutohet, e bënë vetë studiuesit shqiptarë. Në kohën kur në Prishtinë botoheshin jo vetëm veprat veçanta, por edhe veprat e plota të autorëve, të cilët këtë nuk mund ta bënin në Tiranë (Sterio Spasse, Petro Marko, Ismail Kadare etj.) duke i përcjellë ato me kritika në faqet e kulturës, me studime në revistat shkencore dhe madje me projekte në Institucionet shkencore, përjashtimi i letërsisë që krijohej në Kosovë nga Historia e letërsisë bashkëkohore, na duket i panatyrshëm dhe i paarsyeshëm.

Në interes të krijimit të një pasqyre sa më të plotë të nivelit të njohjes së kësaj letërsie dhe të konceptimit të botimit të saj në Tiranë gjatë kësaj kohe, këtu po sjellim edhe disa elemente të rëndësishme, me të cilat përshkohen këto botime:

- Për ty. Poezi nga Kosova, përmblodhi dhe redaktoi Pandeli Koçi, 1970, f. 124. Përmbledhja hapet me hyrjen “Dy fjalë“, f. 3-5 dhe më pas përfshihen poetët sipas kësaj radhe: Ali Podrimja, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Enver Gjergjeku, Esat Mekuli dhe Nebih Muriqi.

- E di një fjalë prej guri, poezi nga Kosova. Redaktuar nga Pandeli Koçi, 1972, f. 264. Përmbajtja: Ali Podrimja, Azem Shkreli, Besim Bokshi, Din Mehmeti, Enver Gjerqeku, Fahredin Gunga, Ibrahim Kadriu, Jakup Ceraja, Latif Berisha, Muhamet Kërveshi, Milaim Berisha, Nexhat Pustina, Qerim Ujkani, Rrahman Dedaj, Rahmi Tuda, Rifat Kukaj dhe Shime Dëshpali.

Po të vazhdonim të sillnim përmbajtjen e plotë të antologjive me poezi dhe me prozë, do të kuptonim veç tjerash, se të përzgjedhurit e saj janë edhe shkrimtarë nga Kosova, të cilët as kanë qenë dhe as nuk besojmë se do të jenë ndonjëherë në listën e botimeve antologjike të letërsisë së krijuesve nga Kosova.

Dramatizimi

Prej informatave të ndërmjetme dhe vetjake të zhvillimeve kulturore në Tiranë, dimë se disa nga këto vepra ishin dramatizuar e ekranizuar. Pra, ishin botuar jo vetëm vepra letrare për një rreth lexuesish, por edhe për një rreth më të gjerë interesimesh. Le të shohim disa shembuj të dramamtizimit të tyre nga Radio Tirana: romani i Nazmi Rrahmanit “Rruga e shtëpisë sime”, [sht[ dramatizuar me titull “Tokë e ndezur”, romani i Jusuf Buxhovit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, me titullin “Qyteti i dënuar me vdekje”, ndërsa romani tjetër i tij “Libri i të mallkuarve”, është lexuar në emisionin Radio revista letrare-artistike; novela e Rifat Kukajt “Qafa e Ulkonjës”, romani i Rushit Ramabajes “Gjergj Elez Alia”, romani i Ibrahim Kadriut “Pas kthimit”, drama e Ekrem Kryeziut “Epoka para gjyqit” etj.

Censura: Pashku, Qosja, Rrahmani

Viteve të fundit në shtypin shqiptar është përfoluar disa herë çështja e mosbotimit të veprës së Anton Pashkut në Tiranë. Komentet kanë qenë nga më të ndryshmet. Prej atyre, që veprën e tij e kanë çmuar për shkak të veçantisë së saj përceptuese, deri tek ata që referimin në emër të saj e kanë bërë për të treguar prejardhjen krahinore të tyre, krahas asaj të Anton Pashkut.

Ndonjë tjetër, madje, ka shkuar edhe më larg, mosbotimin e veprës së tij e ka theksuar në kontekst të veçimit të ndonjë prej autorëve të tjerë nga Kosova, të cilët për shkak të aktualitetit të veprës së tyre letrare dhe intelektuale, kohëve të fundit janë shumë të pranishëm në Tiranë. Dhe janë atakuar në stilin: derisa akcili shkrimtarë botohej në Tiranë, Anton Pashku censurohej e ndalohej.

Pra, është koha që këtu, sipas burimeve të shkruara, të thuhet se kush ishte i censuruar në Tiranë, madje duke u nisur nga nj[ shkrim i vitit 1986. Gazetari Ali Olloni te e përditshmja “Rilindja”, sillte një bisedë rasti me shkrimtarin Rexhai Surroi, atëherë ambasador i Jugosllavisë në Spanjë, përmes së cilës autori shprehte në mënyrë shumë të matur shqetësimet e tij për censurimin që i ishte bërë veprës së tij, -romanit “Orteku”, - me rastin e botimit në Tiranë. Për shkak se romani i tij “Orteku” ishte një nga veprat e tij “të papërfunduara” dhe me një vlerë artistike të kufizuar, sigurisht, më parë se reagimi i autorit, pati bërë përshtypje vetë botimi i veprës.

Vetëm pas vitit 1990, kemi mundur të kuptojmë se përveç redaktimit të disa prej veprave të botuara në Tiranë, censurën në kuptim e plotë të fjalës e kishin përjeturar dy vepra: romani i Rexhep Qosjes “Vdekja më vjen prej syve të tillë” dhe sidomos romani i Zejnullah Rrahmanit “Sheshi i unazës”, për shkurtimet e të cilit njoftonte edhe redaksia në faqen e parë të romanit, por pa dhënë ndonj[ arsye. Derisa botimi i tij në Prishtinë kishte 512 faqe, botimi i Tiranës kishte 213 faqe. Kjo vepër, pavarësisht nga censurimi, tregonte edhe një anë tjetër të botimeve të Prishtinës në Tiranë. I botuar në vitin 1985, ai dëshmonte se në Tiranë, nuk kishte autorë dhe vepra të ndaluara, prandaj në Tiranë nuk ishte i ndaluar as Anton Pashku, as Beqir Musliu, të cilët ishin planifikuar të botoheshin, as Teki Dervishi, për botimin e veprës së të cilit ende nuk fliste askush. E shikuar nga ky kënd, sot vështirë të thuhet se Anton Pashku ishte i censuruar e aq më pak i ndaluar. Sot më shumë mund të flitet për një hipërbolizim të veprës së tij. Ajo është botuar edhe në gjuhë të tjera, por nuk ka pasur jehonën e pritur. Vepra e tij ka dëshmuar se është mbase e veçantë, por jo e madhe dhe e jashtëzakonshme, sikur duan ta cilësojnë me çdo kusht. Nëse pranë veprës së tij, na duhet ta vendosim me çdo kusht cilësorin “e madhe”, atëherë njëkohësisht jemi të kushtëzuar që mendimin tonë ta plotësojmë edhe me një sintagmë tjetër: Vepra e Anton Pashkut është vepër e madhe e një klani të vogël!

Prishtinë, mars 1992-2006.

HOROSTRATI

Epilog

QYTETARI I PARË: ÇFARË MONUMENTI PA, PA, PA! XHEZAIRI,

XHEZAIRI I GJIKËS, VËRTET, E MERITON NJË ASI MONUMENTI.

QYTETARI I DYTË: IA KA SHTUAR NAMIN SHESHIT. SHIKOJE NJËHERË BALLIN E TIJ! SA KRENAR!

QYTETARI I TRETË: SA MË PËLQEJNË VEPRAT E TIJ. KUR I LEXOJ MË DUKET SE I NJOH NJERËZIT MË MIRË.

QYTETARI I KATËRT: LE TË PËRMENDET GJITHMONË DHE LE TA SHTOJË NAMIN E VAJAZANIT.

QYTETARI I PESTË: DO TË PËRMENDET AI, DO TË PËRMENDET. BIRI IM THOTË SE XHEZAIRI S’DO TË HARROHET KURRË.

(Rexhep QOSJA, Fragment nga romani "Vdekja më vjen prej syve të tillë, 1974)




18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page