top of page

BOTA POETIKE E NIKO KACALIDHËS


BOTA POETIKE E NIKO KACALIDHËS

Në librin “Heraldikët e borës”


Pjesa e Parë.

I- Përmbledhja “Heraldikët e borës[1]” e poetit të njohur Niko Kacalidha për nga mënyra e përzgjedhjes së poezive të përfshira, më krijoi një befasi të këndshme pasi mu duk se po lexoja një vëllim të ri poetik, pavarësisht se poezitë më çfaqeshin si disa të njohur të vjetër, por me një muzikalitet zëri të ri e të freskët. Kjo mu duk pak e çuditëshme sepse poezinë e Niko Kacalidhës e njoh, së paku atë poezi që ai ka botuar[2], madje edhe kam shkruar për “të, veç bashkbisedimeve të shpeshta me autorin në qytetin tonë jugor.

Për të kuptuar këtë “rinim” të poezisë te kjo përmbledhje, u detyrova ti rikthehem leximit nga fillimi me një vëmëndje të veçantë falë së cilës vërejta se krijimtarisë së tij Niko Kacalidha i kishte bërë një “rrallim” e “shartim të rëndë”, duke minimizuar poezitë nga pylli i dëndur I krijimtarisë së tij poetike të botuar. Konkretisht: nga libri i tij i parë “Fjalë të thëna në pranverë” (1970) në këtë përmbledhje poetike janë përfshirë vetëm tre poezi, nga libri “Flugeri” (1975) janë përfshirë tre poezi, nga libri “Shtëpitë tona në jug” (1982) janë përfshirë katër poezi dhe vetëm nga libri “Anëdet” (1989) janë përfshirë tridhjetë poezi[3]. Befasi përbën përfshirja në këtë libër e tridhjetë poezive (përfshirë në ciklin “Puhiza e barit”), që janë pjesë e krijimtarisë së tij poetike të viteve 1969-1974. Realisht këto poezi janë botuar nëpër organet letrare të kohës, prej nga u morrën për këtë botim dhe pjesa tjetër kanë qënë të mbajtura në sirtarin e poetit, por pavarësisht vlerave të tyre poetike ato nuk kanë qënë pjesë e librave të botuar në këtë periudhë për arsye të ndryshme.

Mungesa e disa poezive me temë të “spikatura” në vëllimet e botuara më bëri të kuptoj se këtë përmbledhje Niko Kacalidha e ka hartuar duke patur parasysh jo temat për të cilat ka thënë diçka, por artin me të cilin e kë thënë. Ky mendim më kujtoi një bisedë telefonike të para disa ditëve, kur ai më tha se: “ në sirtarin tim kam shumë poezi që nuk e kanë parë dritën e botimit”.

Poezitë e përfshira te cikli “Puhiza e barit” dhe periudha e krijimit apo publikimit nëpër gazeta (1969-1974) të shtyn të kujtosh dhe të ndjesh se: Pas Pleniumit të IV, për botim kërkohej një poezi tipike e soc-realizmit, por ky cikël vetëm soc-realizëm nuk ka, ndaj çdo përpjekje për botim do t’i krijonte probleme të mëdha autorit, Kjo është arsyeja që poeti “i la në sirtar” të mbuluar nga heshtja, si “Bukuroshja e fjetur” e mbuluar nga dherat dhe tani që po pregatiste librin e tij me poezi të zgjedhur, duke patur si bazë kriterin estetik dhe jo tematik pa me habi se këto ishin nga poezitë më të realizuara në fazës së parë të krijimtarissë spontane lirike të tij, prandaj i përfshiu në një cikël më vete, Jam i sigurtë që mendimin për vlerat e arira të tyre do ta krijoni apo e kini krijuar dhe ju gjatë leximit të tyre në faqet e librit, veçse unë ende vras mëndjen për poezitë e tjera që akoma “flenë” në sirtarin e Nikos.

II- Kjo përzgjedhje e “rralluar” u ka dhënë poezive të përfshira në libër një hapësirë më të gjerë e më të dritëshme për të parë shtrirjen e degëve të vargjeve, për të dëgjuar muzikën e gjetheve që dridhen në erë dhe sidomos për të thithur ajrin e pastër poetik të tyre, plot oksigjen dhe aromë pjalmi pranveror. Poezitë e Niko Kacalidhës të periudhës së parë të krijimtarisë së tij janë plot dritë e ajër të pastër pyjesh malore, ku era sjell aromën e luleve dhe këngët e zogjve. Thuajse është diçka parajsore, jo realë, fantazmogorike, por fakti që poeti është i sinqertë në vargjet e tij, sa që mund të themi se Niko Kacalidha është “një poet me shpirt fëmije”. Ajo që ka rëndësi është fakti se edhe në moshën e rinisë poetike Niko Kacalidha vazhdonte të ishte ende “ai fëmija” i çiltër dhe i ëmbël. Në një shikim të shpejtë të krijimtarisë së tij poetike vërejmë se Niko Kacalidha nuk është “ritur” më shumë se “një djalosh i ri”, pavarësisht moshës së tij, thua se ai zotëron formulën magjike të rinisë së përjetëshme poetike. Nga kjo rini në poezinë e tij shumëkush mund të mendojë se ai nuk ka asnjë rrudhë në ballë, asnjë brengë në shpirt, asnjë hall në jetë, thua se ai ka qënë një princ që lozte nëpër yje, shëtiste nëpër lule e gjethe drurësh me mikun e tij të vetëm, prillin.



III- Niko Kacalidha hyri në poezinë shqipe me entusiazmin e një djaloshi-fëmijë që hypën për herë të parë në një anie, i bindur se ajo do lundroje nëpër yje. Zemra e tij dridhej si një gjeth i njomë që fërgëllonte nga flladi më i lehtë, por e qetësonte veten pasi i kishte njohur në vendlindjen e tij yjet dhe erërat. Koha kur hyri në letërsinë shqipe Niko Kacalidha ishte në fakt një stinë pranvere poetike në Shqipëri, madje të krijohej përshtypja se kjo pranverë do ishte e përjetëshme, pa vjeshtë e pa dimra, ose së paku vjeshtrat do ishin të bukura si në peisazhet e V. Mios, ndaj dhe ai vizaton me vargje:


Vizatime në vjeshtë


Ti luan me mua kukafshehthi përmes vjeshtës

dhe mu në mes të këtij qyteti me trëndafila.

Trupi im ka lëng prej molle e shkund drurët.

Fërkoj duart e skuqura me përparësen e borës.

S’jam kaçak i vjeshtës. S’jam harraq i udhëve.

Thirra bashkëkombësin Seferis dhe më tha se

malet këtu me lëkurën tërë rrudha përngjajnë

me barqe elefantësh.

Mora me radhë mollët dhe fshehën emrin tënd.

Pyeta panjat për leshrat e tua dhe më drejtuan

nga shelgjet.

Pyeta shelgjet për butësinë tënde e më drejtuan

në brymën dhe gjetherënien.

Pyeta gjurmët e tua e më drejtuan në rruginat e

borës dhe në ëndrrat e tua.

Të kërkova rrugëve dhe qielli i pambuktë herë të

fshihte, herë të zbulonte.

Herë e kapshme dhe herë e pakapshme.

………………………………………..

A, ta gjeja ta skuqja me topa bore, thosha me vete!

Plepat ndanë udhës, ngjanin me penelat e Mios.

Po ku ishe ti të më shkundje tërë qiellin me mollë?

Ik, më ngjau se foliVangjush Mio duke larë penelat!


Ik, bre djalë i mbarë, më foli Mio, se ka rënë dëborë!


(Korçë, dhjetor 1971)

Është e veçantë kjo hyrje e Niko Kacalidhës në poezinë shqipe sepse ndërkohë “Kadare, Agolli dhe Arapi përbënin trininë poetike[4]” dhe letrarët e rinj synonin të hynin në poezi duke huazuar diçka prej tyre. Dukej sikur Niko Kacalidha “trembej” nga tingëllinat në vargjet e Kadaresë, zhurma e traktorëve në fushat e Devollit të Dritëroit dhe nga krismat në “Alarmet e përgjakura” të Fatos Arapit[5], pavarësisht miqësisë që kishte me ‘ta.

Qysh në botimet e fillimit Niko Kacalidha u çfaq me një poezi të metaforike surrealiste dhe afëri stilistikore kishte me Fatos Arapin, ndërsa shpirtërisht ishte më i afërt me Frederik Rreshpjen, por me një Frederik të “qeshur” e ptot dritë, një poezi të cilës sot i qaset së tepërmi Natasha Lako.


IV-Niko Kacalidha qysh në poezitë e para të botuara nëpër organe të shtypit

u paraqit si një poet modern, me një modernitet të “fshehur” te vargje “naïve“ në dukje apo nën gjelbërimin e prillit dhe si i tillë, sigurisht që kishte dhe kurajën e guximin të shprehte me vargje aktualitetin, aspiratat dhe vizionet për të ardhmen. Pavarësisht temës, qysh në leximin e parë poezia e Niko Kacalidhës të pëlqen e të ngroh, të ndjell të mendosh mbi vargjet e tij dhe atë metaforë të blertë që është poezia e tij. Në qoftë se shumë poetë e përdorin metaforën për të “ngritur” poezinë e tyre, Niko Kacalidha lëvron poezinë metaforike, të cilën duhet të dish ta lexosh.


Në shpellën e Polifemit


Një erë e marrë që fryu mbrëmë

më struku në shpellën e Polifemit.

Oshënar shpellash durova në zymtësinë

e murgut duke tretur muzgjet.

Gërmova, gërmova, gërmova trupin

e shpellës t’i dilja-Polifemit.


Dhe me një dritë qiriri, si Joani

në shpellën e Apokalipsit.

Ndiz e fik, ndiz e fik, i pllakosur nga hija

e ndjekjes së përbindshme.

Dendësova kafetë duke shqyer sytë nga

lemeria, duke shqyer terrin.


Në çdo ndezje dendësoheshin shpresat

dhe karikohej pila e zemrës.

I ngarkuar me shpirtrat e perëndive,

unë, poeti i provincës. f.37


1973


Sigurisht që këtë poezi të shkruar në vitin 1973, vetëm duke kujtuar se kush ishte Polifemi dhe shpella e tij, kush qe Joani dhe shpella e Apokalipsit mund ta shijosh, ndërkohë edhe të kuptosh kurajën e poetit që sfidon sistemin monist me kaq finesë poetike. Mendoni, jemi në vitin 1973, në pragun e një furtune mbi letërsinë dhe artet, retë e së cilës dukeshin prej së largu. E megjithë atë, poezisë së mësipërme nuk mund ti hiqet asnjë varg, pa e prishur bukurinë e saj. Le të shohim një poezi tjetër të kësaj periudhe:



Lule mali e vetmuar


Nuk shtirej kurrë, nuk donte të dukej.

Asnjëherë s’shiti mend për brishtësinë

e kërcellit dhe për elegancën e petaleve.

Indiferente, larg syve të botës zhvishej,

lahej në gjirin e flladeve buzëmbrëmjes.

Vishte vellon e pushtë qëndisur nga era

me molinenë fluide të agullimit.

Larg bulevardeve nëpër lartësitë malore

dhe nuk e gjenin as për buqetat e nuseve

e nuk preferohej as për buqetat mortore.

Larg bulevardeve as emrin nuk ia dinin.

As në antologjitë e luleve nuk përfshihej,

lëre pastaj të thirrej ndër pritje mondane.

Frynte, e merrte vallen e rrotullimit buzë

bokërrimës mes ulurimave të murrlanit.

Më shihni mua, sikur thoshte, më dëgjoni

mua, paçka se nuk marr pjesë në buqeta,

ju siguroj se më e bukur do të bëhet jeta.


Mali i Leshnicës, 1974


Për këtë poezi duhet të dimë se poeti në vitin 1972, pasi përfundon studimet universitare pavarësisht rezultateve të larta dhe pavarësisht se ishte një poet i njohur me botime cilësore që kishte fituar edhe çmime kombëtare emërohet mësues letërsie në Cerkovicë, një fshat tjetër minoritar dy orë larg nga fshati i tij. Ky emërim, në të cilin poetit i duhej të bënte çdo ditë nga katër orë rrugë me këmbë ishte në fakt një “internim” i butë i tij, një “internim” i pa deklaruar. Autori qëndroi plot tetë vjet në Cerkovicë në kushte “de fakto” totalisht i izoluar nga kontaktet letrare të vendit, por duke e sfiduar vetminë (indirect dhe ata që ja krijuan) nisi me zell të madh leximet, si të poetëve grekë e shqiptarë, por dhe të poetëve të tjerë, librat e të cilëve i binin në dorë. I lexonte librat poetikë dhe u studionte strukturën e vargut dhe stilin poetik të autorëve, dallimin mes tyre dhe si mund të shkruhej më bukur e më ëmbël. Në këto kushte nisi të shkruante e të rishkruante poezi, duke lëmuar vargun e tij gjer në imtësi, duke i dhënë jetë me ujin e borës dhe dritën e diellit. Kështu ai bulëzoi dhe rriti bisqet e stilit të tij poetik, ku me pak fjalë “pikturonte” portretin e njerëzve dhe në vargjet e tjera fliste natyra për ata, mendimet dhe veprimet e tyre. Realisht poezia “Lule mali e vetmuar” ishte “Hymni i vetmisë” së tij dhe i shpresës që ai rriste brenda vetes, por unë më mirë do ta quaja “Hymni i përsosjes” së artit të tij poetik. Shumë vite më von në Sarandë poeti Agim Mato do shkruante me të njëjtën temë poezinë “Fari i vetmuar në Jug”, një poezi e arirrë, monumentale, por “Lule mali e vetmuar” është një poezi e “gjallë” plot jetë e shpresë, të cilën e dallon edhe koha e monizmit kur është shkruar, me rrezikun si shpata e Damokleut përkundër kohës së pas monizmit kur u shkrua “Fari i vetmuar në jug”.

V-Niko Kacalidha është fëmijë i dy kombeve i mëndur me qumështin kulturor të tyre. Ai izolim-internimi në Cerkovicë nuk e la pa “ushqim”. Në qoftë se ushqimi poetik shqiptar ishte ushqim i “konservuar” në soc-realizëm, ai kishte me tepëri ushqimin e tij të origjinës greke: që nga Safo te Seferis, Elitis, Ricos, Sollomos, Pallamas, Siqelianos, Porfiras, sigurisht dhe babain e poezisë Homerin, botën dhe dritën e të cilit e gjen në gjithë poezitë e tij. Kishte këngët, vajet dhe përrallat e popullit të tij të origjinës të cilat nuk e lanë asnjëherë të “uritur”.

Mes leximeve ai ndjeu, kuptoi dhe “shprehu” në vargje besimin se poezia e vërtetë nuk është një klub ku pihej verë e recitoheshin vargje, por se poezia ishte nje tempull apo së paku një kishë e shënjtëruar ku hyej qetasi, me përvujtëri dhe ku fliste poezia për poetin dhe jo e kundërta. Aty vlerësohej ai që nderonte poezinë dhe jo ai që vinte të mirte kurorën e dafintë të çmimeve poetike. Kurora e poezisë nuk është e dafintë, kurora e poezisë është një kurorë “me gjëmba” si e Krishtit dhe për ta merituar atë duhet të vuash mbi vargje, të kryqëzohesh në vargje, t’a leshë jetën tënde në duart e vargjeve.

Ç’forcë morale dhe talenti poetic ka patur ky njeri, klur në kushtet e një izolimi total ka dhënë poezi me një bukuri të diamanttë, të pangjashme me asnjë poet tjetër që jetonte e krijonte në kushte shumë herë më të favorëshme se ai. Ishte një forcë e talentit të tij original, e frymëzimit të një lloji të veçantë ajo që pruri shpërthimin poetic të tij. Askush nuk e ka thënë gjer më sot, por forca kryesore shpërthyese ishte vetë të qënit minoritar i një etnie tjetër në një shtet monist. Minoriteti grek në Shqipëri ishte nën një shtypje të dyfishtë, nën shtypjesn e diktaturës moniste si dhe nën trysninë e individëve me ndjenja nacionaliste. Niko Kacalidha nuk ishte i “mirëpritur” në organet e pushtetit vendor në Sarandë. Ndoshta shkaku qëndron te psikologjia provincial e kuadrove, tyë cilët për tu dukur sa më “besnikë” të shtetit ekspozonin edhe qëndrime e gjeste nacionaliste nën tezën e atdhedashurisë dhe besnikërisë ndaj partisë, madje ishte e trishtueshme kur këto gjestë shfaqeshin nga nëpunësit me origjinë minoritare. Mirpo Niko Kacalidha ishte nga zona e Leshnicës, një zonë malore e cila ishte bërë qendër e rezistencës antifashiste. Kjo frymë rezistence ishte mbrujtur te Niko Kacalidha qysh në fëmijëri, qoftë nga tregimet e babait qoftë nga mësimet e gjyshes, por duhet të themi se ishte vetëm një frymë rezistence, jo kundërvepruese. Kjo shpjegon pse Niko Kacalidha nuk ishte tip luftëtari, ai nuk i pëlqente armët. krismat, luftërat. Ai pëlqente paqen e ullinjve ndaj do shkruante: [..] “Paqe mbi ullinjtë e mbi gjeografinë e/agrumeve paqe/../Paqe në mjekrën e brymosur të të internuarit që ngërthen në bebëz të egrën gravurë të vdekjes/ Paqe në zymtësinë e trishtë të muhaxhirëve të ditëve të mia” [..]. Megjithatë kjo nuk e pengoi të admironte ata që ranë për larine, si Llambi Llambraqi për të cilën shkruajti:

Llambi Llambraqi

Nuk mjaftonte një e shtënë pushke

dhe duheshin tre si në baladat e vjetra,

Llambraqi ynë, shpirti ynë, djaloshi ynë


Duhej ylli edhe hëna, nata edhe agullimi,

tërë malet dhe kodrat që të derdhin lotin,

Llambraqi ynë, shpirti ynë, djaloshi ynë. f.56


Duke ju rikthyer fazës së “izolimit”, me lexime dhe shkrime ai krijoi profilin e tij të veçantë poetik. Poezia e Niko Kacalidhës është dashuri jo mendim dhe si çdo dashuri ajo së pari ndjehet që është e tillë dhe vetëm më von kuptohet. Poezia e Niko Kacalidhës është ndjenjë që rritet, nuk është nerv i tendosur që këputet. Ajo është shpirtërore, jo materiale. Poezia e tij është ëndërra e pragmëngjezit jo dielli që lind. Poezia e Niko Kacalidhës nuk është lulja është aroma, nuk është buza është puthja. Ajo nuk është zemra është rrahja e saj, nuk është trupi është shpirti, është shpirti që gjallon te njeriu. Poezia e Niko Kacalidhës nuk është varg, është frymë, fryma e shënjtëruar e A(r)tit poetik. Unë ju them se Niko Kacalidha është thjeshtë Biri i A(r)tit që solli Frymën e tij të Shenjtë te ne në formën e vargjeve poetike. Pa shikoni pak me vëmëndje se mos vallë ky libër është ungjilli (poetik) sipas Niko Kacalidhë Ungjillorit[6], se unë për vete do ta lexoj përsëri dhe do ju them.

Paraprakisht dua që tju them se si ungjillor Niko Kacalidha u thurte hymne e lavde atyre që luftonin për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe të njerëzve nga diktatura, si Petro Marko, madje duke rezikuar mbrojtjen e tij të brishtë, heshtjen. Gjithmon kam qënë i bindur se ajo pisha e vetmuar te poezia “Llogara” ishte në fakt Petro Marko[7], madje edhe peisazhi poetik i përshtatej më së miri figurës së tij.


Llogara


Ti pishë këtu nuk ke qenë kurrë e vetmuar.

Ti pishë midis pishave që ngjitesh përpjetë me

një ecje vertikale si himariotët që kurrë s’i panë

shpinëkërrusur

…………………………………………

E kur bie nata çdo kurorë pishe bëhet kolltuk hëne.

Dhe kur shkrep agullimi ia çon rrezen pisha-pishës,

bredhi-bredhit.

Dhe nga rropullitë e ngazëllimit dridhet deri lart,

a i vrarë, Llogaraja.

………………………………………………………

Në pafshi pisha të vetmisë, tek-tuk, në kreshta e brinja,

dijeni, i nxori pylli i madh, pararojë nëpër mjergull.

Janë ushtarë sinjalistë, flugerë të erës.

Këto japin ulërimat e para, që pylli të ulërijë. f.86


Llogara, maj 1988


..vijon..


Sarandë, më 23- 30 Nëntor 2022

[1] Niko Kacalidha: “Heraldikët e borës” Onufri, Tiranë 2022 [2]Niko Kacalidha ka botuar këto libra poetike; 1.Fjalë të thëna në pranverë(Naim Frashëri, 1970) 2.Flugeri (Naim Frashëri, 1975),3.Shtëpitë tona në jug (Naim Frasheri,1982) 4.Anëdet(Naim Frashëri, 1989), 5.Profecitë e drurëve (Dritëro, 1998), 6.Eliksiri i gurit(Toena, 2004), 7. Pagëzimi i zogjve (Onufri, 2006) [3] Objekt i pjesës së parë të këtij shkrimi janë poezitë e shkruara gjer në vitin 1989 te libri “Anëdet” botimi i Shtëpisë Botuese Naim Frashëri, Tiranë. [4] Vasil Vasili : “Tre Ungjillorë të poezisë” Patra, 4 Korrik 2015 [5] Duhet të themi se Ismail Kadare ka ndikuar që Niko Kacalidha të hynte në Univeristet, pasi kishte një “njollë” biografie që rrezikohej të shndrohej në një re të zezë mbi të ardhmen e tij. Ismail Kadare i “dha dorën“ për tu ngjitur shtigjeve poetike, e prezantoi te lexuesit shqiptarë talentin poetik të Niko Kacalidhës. Po kështu edhe Dritëro Agolli është shprehur shumë pozitiv në vlerësimin e krijimtarisë poetike të Niko Kacalidhës, vlerësime që mund ti shihni të përzgjedhura e të botuara te ky libër. Niko Kacalidha e vlerëson dhe nderon së tepërmi Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin dhe Fatos Arapin, madje me këtë të fundit është edhe më i afërt në stilin poetik. [6]Vasil Vasili“Tre Ungjillorë të poezisë” Patra, 4 Korrik 2015: “Pas trinisë poetike Kadare-Agolli-Arapi, kanë ardhur tre ungjillorë: Rreshpja-Zeqo-Kacalidha ” [7] Niko Kacalidha ishte njohur me Petro Markon nëpërmjet xhaxhait të nënës së tij Spiro Lito i cili punonte si mjek në Leshnicë. Ai kishte studiuar për mjekësi në Athinë në vitet ‘40 dhe aty kishte patur rastin të njihej me Petro Markon, miqësi që vazhdoi edhe kur Petro Marko punoi në Dropull si mësues, madje rasti e pruri që edhe në internim të ishin bashkë. Është ky Spiro Lito personi që kurorëzoi Petro Markon në martesën me Safon dhe me këtë veprim ai ishte mik i mirëpritur në shtëpinë e Petros. Aty, në shtëpinë e tij ai e njohu Niko Kacalidhën me Petro Markon, njohje që e ngrohu më tepër poezia, sidomos në vitet studentore të Nikos. Niko Kacalidha gjithmon ka shprehur admirimin e tij për veprën letrare të Petro Markos dhe sidomos për shpirtin e tij rebel dhe frymëzimin lirik.

62 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page