top of page

BOTA FËMIJËRORE NË VARGJE E FJALË


(Mbresa nga përmbledhja poetike për fëmijë “Në sy pranvere” i Drita Kosumi- Syla)


Drita Kosumi-Syla është emër i njohur edhe për adhuruesit e letërsisë për fëmijë, meqë ajo, përveç disa librave me poezi për të rritur, tashmë vjen me librin e dytë me poezi për fëmijë, “Në sy pranvere”. Lexuesit e vegjël do ta kenë takuar herëpasherë nëpër faqet e revistave për fëmijë, për ta njohur edhe më shumë krijimtarinë poetike që u dedikohet këtyre moshave.

Kështu, edhe në librin e dytë, autorja pa u ha-mendur i çaset me përkushtim botës fëmijërore, duke gjurmuar bukuritë që krijon natyra, për t’i transmetuar tek lexuesi me shumë dashamirësi. Gjatë rrugëtimit përmes vargjeve, ajo do të takon një Lule vjollce, që po vinte bashkë me pranverën, të cilës i dëshiron mirëseardhje: “-Mirë se të gjeta! -ma ktheu/ Me plot mirësi,/ Zemrën ma rrëmbeu,/ Mbushur mrekulli.”, për të shprehur gëzimet e tyre përzemërsisht:


“U ndamë me urimet:

-Ta gëzojmë këtë pranverë!

Ajo me gjelbërime,

Unë shend e verë!”

(”Në sy pranvere”)


Dashuria për natyrën, për lulet, e veçanërisht për fëmijët nuk ndalon këtu. Ajo do të zbulon edhe shumë bukuri tjera natyrore; pastaj u çaset me përkushtim shumë temave tjera që fëmiun e mbajnë në krye të radhës, me veprimet e lojës, me gëzimin për prindërit, për gjyshin, shokët, etj.

Për Drita Kosumi-Sylën, pranvera vjen edhe atëherë “Kur e hap Maja derën/ Tezës Dritë ia sjell pranverën”, për të vazhduar rrugëtimi i saj nëpër stinë, meqë nuk pushojnë lojë e gëzime edhe “Kur e marrë në përqafim,/ Dimri mbushet plot gjelbërim.” (“Maja, hëna e tezes”). Ka edhe shumë poezi tjera që sjellin dashurinë për familjen, për fëmijët, si: “Dëshira e Rinit”, “Dora e nënës”, “Motër e vëlla”, “Dhuratë e shpirtit”, “Nëna ime mbillte lule” etj. të cilat pasqyrojnë lidhshmërinë shpirtërore në ndër-timin e jetës së lumtur. Për ta fuqizuar këtë lidhshmëri prindore, ajo do të kërkoj me shumë interesim të mëson se “Ku flejnë fëmijët”, të cilët i takon “Në nektarin e luleve, / Në hojin e mjaltit.”, por edhe “Në rrugën e urtisë,/ Në folenë e dashurisë”, për t’i takuar gjithandej edhe me këngë bilbili, nëpër fusha të bleruara e majave të larta të Sharrit, që të mbyll besimin se ata “Në shkollë shkojnë me gëzim,/ Janë ushtarë të vendit tim.

Shkolla është shtëpia e dytë, është thënë në vazhdimësi. Aty fëmijët kalojnë pjesën më të mirë të ditës, të shoqëruar me shokë e shoqe, që të shumtën e rasteve i kanë edhe shokë të lagjes. Kjo lidhje e dyfishtë e shoqërisë krijon lidhje të vazhdueshme, për të ndërtuar kështu ura dashurie mes tyre. Prandaj, edhe këshillat janë pjesë e padiskutueshme në raport me fëmijët, meqë ata edhe kur duhet të jenë me ”Librin”, por edhe atëherë kur nga prania e tyre edhe “Shkolla lulëzon”, doemos dikush duhet të ketë kujdes ndaj tyre që të mësojnë “Shkronjat” dhe të kryejnë detyrat shkollore, sepse në të kundërtën dita do t’iu shkojë në lojë e vrapime pas “Zogjëve” , në rrëshqitje me saja “Kur bie borë”, apo në pritje të mbarimit të vitit shkollor “Kur kujtoj qershorin”, si do të këshillohen që “Qershori dhe shtatori,/ shumë muaj në mes.? - Nxënës, largojeni përtacinë,/ shumë i keq ky ves!” E gjatë është rruga e këshillave për t’iu larguar veseve të këqia, me dëshirat që ata të jenë shembullor në rrugëtimin e tyre drejtë ardhmërisë.

E mangët do të ishte kjo krijimtari poetike- edukative pa vargjet që i këndohen Shqiponjës, pastaj vendlindjes, lumit, trimit, si në poezitë: “E bukura liri”, “Shqiponja jonë”, “Trimit”, “Vajzës heroinë”, “Shën Terezës”, “Shtëpia e gjyshes”, etj.

Botës imagjinare të fëmijës gjithësessi ia mrekullojnë ditën dhe e bëjnë të përjetoj bukuritë e jetës, çastet e bukura “Ku lind dielli”, “Në vend-lindjen time”, pastaj vrapimet e shpeshta për të gjetur fushat e bukura ku do të ketë lulëzuar “Lulja e fshatit tim”, për tu freskuar me ujin e kthiellët në “Llapi, lumi magjik”. Por nuk mund të mendohet një botë kaq e magjishme pa aromën e “Një lule maji”, pa shoqërimin e një “Fluture në krahrorin tim”, gjithandej kah shtrinë blerimin “Lëndina e lum-turisë”, ku befas mund të takojnë “Lepurushin në ëndërr”, “Qengjin e lazdruar”, etj. Por, ndodh që në vlugun e lojës, nëpër vargjet e kësaj përmbledhje poetike do të shfaqet befas “Tigri në pyll” apo “Dhelpra xheloze” e “Macja ime”, që pasqyrojnë reliefin e veprimtarive të fëmijëve në përditshmërinë e tyre të bujshme dhe plot befasi të këndshme.

“Fëmijët janë boshti i lumturisë”, e shpreh men-dimin e saj, Drita Kosumi-Syla, mbi parimin e të cilit e ndërton gjithë lëndën poetike, ku nuk mun-gojnë as puthjet e nënës, as rrezatimi i diellit në nurin e tyre të virgjër, meqë:

“Përditë troket pranvera

shtëpi më shtëpi,

dita nuk soset,

vjen te dera,

ushqehet me dashuri.”


Këtë dashuri, autorja do ta përcjell edhe në krijimet e ardhshme, gjithnjë në ndërtim të botës fëmijërore, me të gjitha mundësitë e shprehjes poetike, duke sjellur kështu vlera të reja në këtë gjini letrare, që ende qëndron larg përmbushjes së nevojave për lexuesit e vegjël, për të cilët duhet të mendojmë e veprojmë më shumë se kaq.





56 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page