top of page

BISEDË PËR DASHURINE




Po loznim me letra, sa për të vrarë kohën, me një bashkudhëtar nga Tirana. Po ta krahasoje me mua, ishte i ri, rreth tridhjetë e pesë vjeç, gazmor e fjalëshumë. U njohëm rastësisht aty në sallën e madhe të tragetit, tek po ndiqnim nëpërmjet televizorit një ndeshje futbolli për kupën e Evropës. Njohje të tilla janë të zakonshme nëpër tragete. Pastaj ai fare pa ndrojtje më ftoi të loznim me letra. I thashë që nuk dija lojë tjetër, veç xinkut. S'ka gjë, ma ktheu buzagaz, lozim xink, se kështu kalon koha më shpejt.

Gjatë lojës ai shpesh kërcente përpjetë, thërriste "xink!" e qeshte me zë aq të lartë, sa tërhiqte vëmendjen e të tjerëve aty rrotull. As donte t'ia dinte për këtë, por gjallërohej si fëmijë e letrat i përdorte me shkathtësi. Edhe unë çoku bëja ndonjë xink, por ai më kaloi shumë përpara. Pas disa minutash, pa më marrë leje, u ngrit e shkoi te banaku. U kthye shpejt prej andej me dy gota të vogla plastike mbushur me kafe, si dhe një shishe të vogël me ujë të gazuar.

-Ah, po duhej të të qerasja unë!- i thashë me të qeshur.

-Jo,- kundërshtoi ai buzagaz.- Përse ti? Unë kam mendimin që kush fiton, ai duhet të paguajë. Ai që humbet një herë në lojë, s'ka përse të humbasë për së dyti edhe me para. Kështu duhet të ndodhë gjithnjë në jetë.

Hajde, hajde, ç'gjykim origjinal, i thashë vetes. S'di pse krijova një përshtypje të mirë për atë njeri. Ai mbase mund të ishte me të meta në jetë, sepse nuk ka njeri të përsosur, mund të ishte dhe me vese, ndonjë bixhosçi, mashtrues a parazit. Por zemra më thoshte jo. Nuk ta jepte atë përhtypje. Njeriun e mirë apo të keq e njeh zemra e jo syri.

Ishim nisur nga porti i Triestes në orën dy të mesditës e trageti i ngarkuar me njerëz e automjete çante qetësisht detin përmes errësirës së natës së kthjellët. Kishim gati nëntë orë që udhëtonim drejt portit të Durrësit, por askush në gjithë atë zallamahi njerëzish nuk mendonte për këtë. As për gjumë. Salla, plot me njerëz të moshave të ndryshme. Të gjithë bisedonin me zë të lartë, a thua ishin në garë kush e kush t'ia kalonte shokut e në këto biseda përmendej shpesh emri i Italisë e i mjaft qyteteve e provincave të saj. Flitej edhe italisht nga ndonjë italian, por edhe nga ndonjë shqiptar, që i pëlqente të fliste ashtu.

Në një çast, tek surbnim kafenë, desha t'i bëj një pyetje shokut tim të tavolinës, por ai sikur ma lexoi mendimin në kokë e më pyeti i pari:

-Ke djalin në Itali?

-Po,- iu përgjigja,- djali ka ardhë në Itali qysh kur u hap porti më 1991 e punon në Treviso. E ke dëgjuar Trevison?

-Jo,-tha duke ngritur supet,- nga bie?

-Eshtë afër Venecias,- e sqarova unë.- Aty ka punë boll për të gjithë ata që kanë dëshitë të punojnë. Eshtë qytet i vjetër e i bukur, me njerëz punëtorë e të kamur.

Pashë që tundi kokën, surbi kafenë për herë të fundit dhe gotën e vogël plastike e shtyu tutje në tavolinë. Edhe letrat i mblodhi e po më dëgjonte me vëmendje. Nga që më bëri për vete, më hipi dëshira të hapesha në bisedë me të, t' i flisja për lidhjet e mija me Italinë, për djalin tim, i cili punote atje prej vitesh, kishte krijuar familje e qe shtuar me fëmijë. Vërtet ishte më i ri se unë, por më kishte ngjitur muhabeti, si i thonë.

-Kam bërë bashkim familjar me djalin qysh para gjashtë vjetësh,- vijova unë.-Tashti ai është sistemuar me punë të mirë, ka futur në punë edhe gruan, kurse djalin e ka në kopësht. Gruan e ka prap shtatzanë. Kanë gjetur dhe një shtëpi me qera të ulët me ndihmën e komunës. Mirë janë, jo keq. Por djali më ka vuajtur shumë në fillim. Iku i ri, i vetëm e ka fjetur në bodrume e kasolle bagëtish. Erë plehu e pleshta plot. Punonte shumë e fitonte pak. Kuptohet, fillimi gjithmonë është i vështirë. Por pastaj me të ndodhi një mrekulli.Vërtet një mrekulli. U gjend një plak i urtë, shpirt njeriu. Ky e mori tim bir bashkë me dy shokë të tij e i futi të banojnë në shtëpinë e tij të vjetër për disa muaj. I gjeti dhe punë shumë të mirë djalit në një fabrikë druri e më pas i gjeti edhe shtëpi me qera. Ja, kështu puna, se fola shumë.

-Jo, po të dëgjoj me vëmendje. Ai plaku paska qenë tamam ëngjëll i zbritur nga qielli.-tha me të qeshur bashkëbiseduesi im, i cili gjatë gjithë kohës që flisja, nuk m'i ndante sytë.

-Po, po,- thashë,- njeri me shpirt të madh, vërtet. Sikur të kishte më tepër njerëz të tillë, bota do të ishte më e bukur. Na doli që ai plaku ëngjëll kishte marrë pjesë në Luftën italo-greke. Kishte qëndruar shumë ditë i plagosur në Shqipëri, diku në fshatrat e Vlorës. Atje banorët vendas e kishin ndihmuar shumë me mjekime e me ushqime. Dhe italiani nuk e harron kurrë këtë gjë. Sot flet kudo me simpati për shqiptarët e grindet me ata italianë që flasin keq për ne. Eshtë bërë mik i shqiptarëve e ka ardhë disa herë në Shqipëri. E kemi mbajtur në shtëpinë tonë. E quajmë të gjithë gjyshin tonë. Madje në dasmën e tim biri, kur shkuam e morëm nusen, e caktuam krushk të parë.

Vura re që djaloshi po më ndiqte me shumë interes, tamam me zellin fëminor të një nxënësi, kur dëgjon shpjegimin e mësuesit në klasë.

-Eshtë në gjendje të mirë fizike, mendjen e sytë i ka xham dhe punon akoma sot, kur i ka kaluar të nëntëdhjetat. Së shpejti do të nisë të ndërtojë një pallat, në të cilin mendon të fusë të banojnë me qera të ulët shqiptarët. Tashtimë duket se e teprova e u bëra ca llafazan, duke të folur për veten e për ëngjëllin tonë mbrojtës.- i thashë pastaj, si për t'i kërkuar falje që e kisha zgjatur aq shumë muhabetin.

-Jo, aspak,- kundërshtoi djaloshi,- përkundrazi, po të dëgjoj me shumë kënaqësi, sepse fliske bukur.

-Jo, jo, e kuptoj që e shkela e llapa shumë. Tashti e ke radhën ti të flasësh. Duke folur të dy, edhe koha do na kalojë më shpejt e do të njihemi më mirë me njëri-tjetrin.

-S'ka gjë,- foli prap djaloshi buzagaz e më zgjati paketën e cigareve.- Epo mirë, mua më quajnë Afrim e banoj në Tiranë. Jam specialist prej disa vitesh ne fabrikën e birra-Tiranës. Kjo ishte hera e parë që shkoja në Itali. Por ç'kam hequr për të shkuar, vetëm unë dhe zoti e dimë!

-Ah, përse kështu?- e pyeta për t'i dhënë udhë bisedës.

-Një shoku im i fëmijërisë më ndihmoi për të nxjerrë shpejt një vizë turistike njëmujore.(Unë ia bëja "ëhë" me tundje të lehtë të kokës) I bëra të gjitha formalitetet, shpenzova gjithë ato para e në fund ata të ambasadës italiane më kthyen mbrapsht, pa më dhënë shpjegime fare. Si duket dyshuan se mos do të rrija fare atje. Nejse, u përpoqa prap të siguroja nëpërmjet një shoku tjetër vizë gjermane, në mënyrë që të kaloja tranzit nëpër Itali. Por edhe kjo përpjekje më dështoi, për arësye se shoku im kishte vetë probleme me dokumentet. Prapë më shkoi kot një grusht me para. Shkova disa herë e iu luta pronarëve të tragetit të më merrnin, se do t'i paguaja mirë, por ata nuk pranuan. Kurse mua më kishte hipur keq në kokë: doja të shkoja me çdo kusht në Itali! Edhe mundimi për të ikur me një peshkarexhë të vogël më shkoi dëm. Pronari i saj më tha se bregdeti ato ditë ruhej shumë e peshkarexhat kontrolloheshin me imtësi. Atëhere e ndava mendjen të ikja me gomone! E shoh, që ti do më qortosh për këtë vendim, si të një adoleshenti, por s’ka gjë. Nejse, pagova tre milionë lekë në dorë e ia hipa gomones. Deri në gjysmë të rrugës deti nuk na ra fort në qafë. Bënte ca naze të vogla, por gomonia jonë nuk i përfillte ato. Kurse në gjysmën tjetër të rrugës deti u bë i keq, na skërmiti dhëmbët, o zot, na batërdisi me dallgë, ndonse qe mesi i muajit maj. Ai që drejtonte gomonen qëlloi djalë i mirë e i zoti. Me shkathtësi diti t'i shmangte dallgët e mëdha e vdekjeprurëse, se, të qe ndonjë tjetër, me siguri do na hidhte në det. Ç' kemi vuajtur ato orë, natës së varrit do t'ia rrëfej! Ujët e detit na përplasej pa mëshirë në fytyrë e në trup dhe gomonia lëkundej krejt, herë në njerën anë e herë në anën tjetër. Kishte raste që e shihnim gomonen tonë lart, në majë të dallgës, kurse poshtë nesh qe humnerë e zezë, e cila si kuçedër turfullonte me zë të tmerrshëm. Edhe kur gomonia zbriste poshtë e dallga ndrihej lart, dukej edhe më e frikshme, kërcënuese e thoja me vete që, ja, do na përlante me krahët e saj të zinj e do na zhdukte të gjithëve, sa hap e mbyll sytë. Mund edhe të ishim mbytur, por na shpëtoi i madhi që është lart në qiell. Aty kemi parë ferrin. Po, po, ai duhet të ketë qenë ferri i vërtetë. Të gjithë në gomone rrinim të strukur në ankth, duke pritur fundin e tmerrshëm e vetëm drejtuesi i gomones na mbante me kurajo. Ah, ç'det i tmerrshëm qe! Nuk besoj të kesh parë ndonjëherë det të tillë. Dhe nuk më besohet që po ai det është aq i urtë në verë, tamam si dele. Atë natë ai kishte marrë krejt pamjen e kuçedrës së përrallave, e cila me dallgët e ulërimat e saj të kallte datën. (Djali heshti pak dhe hetoi me shumë vëmendje nga unë, se mos isha mërzitur nga rrëfimi i gjatë) -..Kur pothuaj të gjithë i kishim humbur shpresat, (ca qanin me oi, ca thërrisnin me lebeti, me sytë nga qielli,) e unë po lutesha me drithërima në shpirt, befas dëgjuam zërin e fortë të skafistit: "Arritëm! Arritëm!". Ato dy fjalë grisën errësirën e natës, sikur ndriçuan gjithë sipërfaqen e ujit rrotull nesh e ne i kishim drejtuar sytë të gjithë nga ai, si të ishte zoti vetë! Po na dukej si ëndërr. Gjithçka kishte ndryshuar aq shpejt e kjo me siguri ishte një mrekulli e zotit. Ndonse nuk shikoja tokë, skafisti tha se do na zbriste në ujë, se uji nuk është i ftohtë, se bregu është afër, se... Punë e madhe, thashë me vete, rëndësi ka që po shpëtojmë kokën! Në muajin maj uji s'duhet të jetë aq i ftohtë, ndonse dy ditë më parë kishte rënë shi me rrebesh. (Më shikoi prap, duke më thënë "u mërzite?", unë i thashë: "jo, jo, hiç fare") Nejse, na lëshuan dhjetë a pesëmbëdhjetë metra larg njëri-tjetrit e po aq larg nga bregu. Gomonia s'u muarr vesh si u zhduk në gjirin e errësirës, sepse secili kishte hallin e vet, të dilte në breg i gjallë. Të gjithë u shpërndanë si me magji, kurse unë kisha mbetur aty i vetëm, mes ca shkurreve, i lagur deri në palcë e me teshtitje të shpeshta që po ma merrnin shpirtin. Pastaj nuk di se si humba diku. Më kishte gllabëruar gjumi. Ose ndofta kisha vdekur. Por u zgjova ose u ringjalla prap me një kokë tepër të rënduar e me trupin gati të ngrirë. Gjëja e parë që pashë ishte qielli me vranësira të shumta e pastaj fytyra e një njeriu të panjohur. Një plak me xhup e kasketë meshini po më vështronte miqësisht. As që më bëri përshtypje fare dhe humba ndër ethe. Erdha në vete kur ndjeva duart e tij, që përpiqeshin të më lëviznin nga vendi. Desha të flas, të them diçka, por ai nuk më la. Mos fol, më tha butësisht, do të të çoj në shtëpinë time. Fati apo zoti ma kishte dërguar atë plak zemërmirë, i cili gjuante peshk andej rrotull. Eh,dy net në shtëpinë e tij sa dy vjet, me ethe të forta e me kollë. Më solli një mjek e më vizitoi. Më dhanë ilaçe e ditën e tretë u ngrita në këmbë e ika, ndonse ata kundërshtuan. Nga Bari deri në Trieste ndërrova tre trena. Para kisha, por edhe peshkatari italian më kishte dhënë njëqind euro. Arrita natën e pothuaj nuk fjeta fare. Pa gjumë, tkurrur nga rruga e gjatë e të ftohtët. Në mëngjes ia hipa autobuzit e drejt në Udine. Sapo mbrrita aty, shkova u futa në një kabinë telefonike e u lidha me Stelën. Ajo u habit kur i thashë që kisha mbrritur në atë qytet. Nuk e kisha lajmëruar për nisjen, për t'ia bërë surprizë. Ajo jeton në Udine familjarisht. Prit, më tha, te stacioni i autobuzeve, se po vij shpejt..

-Cila është kjo Stela?-e pyeta.

-E dashura ime, pra.

-E ke të fejuar?

-Jo akoma, - m'u përgjegj fytyrëçelur.- Ja, se mbarova. Brenda pak minutash Stela erdhi bashkë me një grua italiane e u përqafuam gjatë të dy, çmendurisht. Bashkë me prindët ajo punonte në një serë të madhe lulesh, kurse italiania qe pronarja e shtëpisë ku banonin me qera. Atë pasdite ne u mbyllëm për tri orë në një motel e po ashtu bëmë edhe në darkë. Italiania u kishte marrë leje prindërve të saj, duke u thënë se do ta kalonin natën të dyja në një fshat aty afër, ku jetonin ca kushërinj të tyre. Të nesërmen u ndava me Stelën, teksa gruaja italiane më lutej të rrija disa ditë. Më lutej ajo më tepër se Stela ime. Hej, ç' grua e mirë! Por duhej të nisesha patjetër, sepse pasnesër kam një provim për të dhënë. Vazhdoj me korespondencë universitetin për bio-kimi..Kam një provim dhe..

Po e kqyrja me vëmendje në fytyrë. Sytë sikur i qenë futur thellë nëpër zgavra e hunda i qe mprehur më shumë. Lodhja e mundimet brenda disa orëve kishin lënë gjurmët e veta në gjithë qenien e tij. Por gjallëria po ia mbulonte ato dalëngadalë.

-Domethënë, pa më thuaj sa kohë ndenje ti me të dashurën tënde?- e pyeta jo pa habi.

-Një natë, pra. Nuk mund të rrija më tepër.

-Bah, ti erdhe nga Shqipëria, kalove gjithë ato siklete, për të ndenjur vetëm një natë me atë Stelën tënde?!

-Po,- m'u përgjegj natyrshëm,- më kishte marrë malli tmerrësisht për të dhe..U njohëm bashkë verën që shkoi dhe u dashuruam. Por ata i mbaruan pushimet shpejt e ikën në Itali. Jetojnë atje prej katër vjetësh. Flisnim me celular shpesh, por më hypi në kokë të shkoja ta takoja e ta shihja me sy. Nuk duroja dot pa e parë, më kupton? As po më punohej e as më hahej. Nuk di a e ke provuar ndonjëherë kështu..

-Hëm,- u përtypa unë.- Pra, ti erdhe në Itali vetëm për një natë, që të takoheshe e të çmalleshe me Stelën, kështu po thua?

-Po, pra,- pohoi ai me naivitet e për çudi fytyra e tij m'u bë më e re, gati fëminore, rrethuar nga një aureolë e mezidukshme, e cila krijonte imazhin e portretit të tij në një fotografi të madhe.

-Qenke i çuditshëm, or mik!- i thashë buzagaz.- Vërtet i çuditshëm! Si, more!

-E përse qenkam i çuditshëm?- ma ktheu natyrshëm.- Mua më hypi në kokë, dalldisa! E di si më tha ajo italiania, kur po më përcillnin? Kështu si ti më tha: “Ti kalove, më tha, gjithë ato peripeci vetëm për të ndenjur një natë me të dashurën? O zot, qenke i çmendur! Vërtet qenke njeri i çmendur, për zotin!” Si duket ajo s'e kishte provuar kurrë dashurinë e vërtetë. Sepse dashuria është si ai minerali i rrallë, që nuk e gjen kushdo.

27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page