top of page

BISEDE ME NJË LIS…


BISEDE ME NJË LIS…

BISEDE ME NJË LIS…

Rrëfenjë

Ai ka një emër peme të lartë, nga ato pemë që kur veçohen nga pylli hyjnë e mbeten në jetën e njerëzëve si simbole, që hyjnë e mbeten në këngë për t’u valëzuar mbi telat e çiftelisë apo mbi dallgët e polifonise.

Si thotë kënga ?

“ Sef Kosharja i pari i fisit

Hije t’paska dega e Lisit…”

Apo ajo kënga legjendë:

“ Te Rrapi në Mashkullorë

Foli Çerçizi me gojë...”

Këtu nuk e kemi fjalën për këngët epike nën degët e Lisit apo të Rrapit, për ato që këndohen majëkrahu në shtigje malesh apo ato që zjejnë në një lumë zërash lëndinave me gjelbrim e lule. Fjalën e kemi për një njeri që ka marrë emër më se një gjysëm shekulli më parë nga një Lis apo një Rrap dhe jeton me këtë simbol. Veçse Lis-i apo Rrap-i ynë nuk është një, nuk është as dy e as tre, nuk është në njëjës, nuk shkruhet me germë të madhe. Nga ky “lis” apo “rrap” takon shpesh. Jo të veçuar me degët shekullore që mbulojnë kroje kuvendesh, por në pyll, si drupyjorë të zakonshëm që rriten, nxjerrin gjethe e rrëzojnë lende pa tërhequr vemendjen e askujt.

Ai njeri, ai lis apo rrap në pyllin tonë, në mes nesh, e kishte një hall, e kishte një dert, një merak po të flasim me shqipen me fjalë të huazuara. Kishte punuar si ndihmës kopshtar, si ndihmës i një greku që e vetmja punë që bënte ishte përcjellja e tij me makinë nga një kopsht në tjetrin, nga njera vilë në tjetrën, në të gjithë Athinën, në çdo skaj të saj. Veglat e kopshtarit ai i përdorte edhe kur rrëmihte tokën për të mbjellë ndonjë pemë apo lule, edhe kur kosiste barin, edhe kur tërhiqte me krëhërin dhëmbëmetalik mbeturinat bimore, edhe kur ujiste e prashiste…Ai e fillonte dhe e mbaronte punën. Afendikoi ose rrinte dhe thithte cigaret, ose dilte ndonjë xhiro me makinën e tij me bagazh të madh për të “vjelur” paratë e muajit. Se sa mirrte afendikoi ai nuk e dinte me saktësi. Nga ajo që i kishte ofruar, 30 euro në ditë, pa siguracione dhe kontrata pune, e merrte me mend se ai fitonte nga djersa dhe gjaku i tij të paktën dy-tre herë më shumë…

Ai, nuk do të më ishte zbrazur mua para filxhanit të kafesë sikur çdo gjë të shkonte mirë e bukur, sikur ato tridhjet euro t’i merrte tek e fundit në mbyllje apo në fillim të muajit pasardhës. Ai diçka kishte marrë e shumëçka nuk kishte marrë. Dhe kjo “shumëçka” i kishte kaluar të tremijë eurot, një shumë kjo që do t’a vente në siklet çdo njeri e çdo familje…

Afendikoi ishte “zhdukur”. Tashmë nuk i dilte as në telefon, as në celular, e vetmja adresë që i kishte lidhur për dy vjet rradhazi së bashku. Ai nuk kishte asnjë pikë lidhjeje me të, as kontrata e as dokumente që të mund t’a çonte para drejtësisë.

Para drejtësisë? Cila është rruga “drejt drejtësisë” për një emigrant, për një njeri që nuk ka në dorë asnjë dokument, për një të huaj që vetëm emri dhe pamja e tij i bën paraprakisht para trupit gjykues të dënueshëm ? Cili avokat, me çfarë shume parash do të arrinte të mposhtëte një grek në dorën e të cilit kishte edhe çekiçin edhe arrën gungë ?

Ne e pimë kafen derisa në fund të filxhanit mbeti telfja e zezë, ai llum që prodhon këtë lloj “qetësuesi” të përbotshëm. E pimë dhe rrahëm me fjalë e me mend pyllin ku lisat e rrepet mbajnë mbi trungje kërpudha e bimë parazitare që ua marrin limfën e jetës, ua zverdhin gjethet e u thajnë filizat e njomë…

Ai iku duke marrë me vete një brengë njerëzore, një hall vëlla binjak me hallet tona.

Unë u ula dhe po shkruaj, po bëj të vetmen gjë që jemi të lirë t’a bëjmë për t’a publikuar në ndonjë vend e kohë pa “censurë”, pa “autocensurë”. Vallë a ekziston dhe a do të ekzistojë ndonjëherë një vend i tillë? Unë nuk e besoj. Po ju ?

Athinë, 2006

20 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page