top of page

Biljana


Biljana

Nga Fatmir Terziu



Ndodhi gati dyzetë vjet më parë,

ishte verë,

piqej gjarpëri mbi gurë,

nën një hije pinim ujë burimi si përherë,

në Fushë të Vërnicës kur digjeshim si furrë.


Ishte kohë e mbrojtjes nga dushmani,

me punë vullnetare ndërtonim transhe,

po t'a braktisje do të bëhej nami,

të bënin lanet e të linin pa Atdhe!


Gjaku në damarë na vlonte,

dhe sytë si yje na shkëlqenin,

asnjë kafshatë poshtë nuk na shkonte,

mbi treqind gjëra mendtë na lëvrinin.


Strukeshim se mos na kuptonte

kufitari i Piramidës tridhjetë e tre

me pushkën hija e tij shponte

atë që na bashkonte të dy ne.


Unë këndoja një këngë të vjetër,

„dil moj çikë aty tek burimi“.

Ajo m'a kthente në gjuhën tjetër

e gjitha dukej si në skena filmi.


Ti them „të dua“ nuk e di a më kuptoi,

sa hapa buzët vetë më tha do shihemi sonte,

„Da“ - më tha, dhe gati sa zemra s'më pushoi

ishte „Po“ në gjuhën Maqedonse.


Biljana, kapërcente malin,

vinte nga Xhepishti në Vërnicë,

unë me shkumë e kisha ballin,

hapesha dhe mblidhesha si kërficë.


Poshtë meje një vello e bardhë

bashkonte rrahjet e zemrave si melodi,

mundohesha të flisja ndonjë fjalë,

kur u zgjova ngriheshin dolli.


Fshiva sytë dhe dola në dritare,

Yjet zbrisnin mbi dëborë si qirinj,

dashuria ishte një pjesë përralle,

e mbetur nga koha kur s'kishte kufinj.


Ndodhi pak më pak se tridhjetë vjet më parë,

kisha zbritur Drinin e Zi papritmas në sy

mërmërisja atë këngë të vjetër me fjalë,

dashuria nuk njeh kohë, kombe, e as kufi.


Duke iu rrëshkitur xhadesë drejt Dibrës së Madhe,

mora frymë thellë në të majtë në Xhepisht,

të dëgjoja ndonjë zë qoftë të ngjashëm Biljane,

ndonjë tingëllimë të asaj kohe në shpirt…


U mendova thellë e i hapa veshët më shumë

vetja ikte strukej tek burimi i Vërnicës,

doja të kllapitja sytë të bija në gjumë,

të paktën t'a shihja në një ëndërr mes ditës.

29 views12 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page