BILBILAT E PIQERASIT


Miho Gjini "Mjeshtër i Madh"

Në dekada jete, kur nuk kanë qënë të pakta edhe "dallgët", stuhitë, gjëmimet që sillnin "udhët e luftës", mandejë edhe uria,-zinë e bukës, pa e harruar edhe shtrëngesën e madhe të mëpastajme të varfërisë së tejskajshme (kur shteti i diktaturës thuajse e "mbyti " njeriun e thjesht e nuk i la gjë prej gjëje në pronësi!), apo edhe në periudhën jo pak të shkurtër të tranzicionit, "mbeti e gjallë" kënga! Ajo që është e mirë, e bukur: SHPIRTI, "nuk vdes" asnjëherë tek njeriu!". Dhe, kur ishte duke vdekur dajua im në moshë të re, Vangjel Qendrothanasi, "Këngëtar si Ai",-sikundër e quante nëna ime Aleksandra të vëllanë, ajo e vajtonte atë heshturazi, ende pa i "dalur shpirti" dhe thoshte nënë zë e brengosur, po me një këngë-vaji (të parakohshme!) se, nuk do t'i dëgjohet më "zëri Bilbilit"! Unë strukesha në gjirin e saj të dija se për ç'farë "Bilbili" e kishte fjalën dhe do të mësoja se Dajua im ishte një vjershëtor e këngëtar i rrallë dhe e "kishte zërin si të Bilbilit" dhe se i afrohej në të kënduar "të ziut Neço Muko nga Himara!",që "e dha shpirtin" nga turbekulozi... Po edhe Dajua im do ta kishte vdekjen si Neço Këngëtari, nga sëmundja a turbekulozit e do të ikte nga jeta po kaq shpejtë. Vetëm se këngët jetojnë shumë më tepër se këngëtarët që i ngrënë ato, si "monumente të shpirtit!", apo të pavdekshme, skundër edhe janë. Dhe kënga "ecën", nga njeri këngëtar tek tjetri, të cilët nuk "shuhen" kurrë ndër breza, nuk harrohen! Për këtë do të bindesha, kur do të hidhja shtat e do të veja me këmbët e mia në "Festën e Perëndisë" së 15 gushtit që bëhej në Manastirin e Kremesovës, lartë në mal, më afër qiellit, nga dukeshin të gjitha horizontet që zinte syri dhe deti ngjante sikur qe shtrirë ndër këmbët e tua...Dhe kur, pas meshës që bënte Toti i Xhane, do të "kriste ajri" nga kënga e do të "tundej dheu" nga vallet e kënduara të burrave piqerasiotë që zireshin dorëmëdorë, hidheshin përpjetë, përkuleshin në ajër e lëshoheshin njëherazi mbi pllakat e gurta të sheshit të manastirit, si të ishte një gjëmim i vërtetë. Valltarë e këngëtarë të lindur nga dertet e jetës dhe të "mbushur" me ajrin që ka kënga.Ta kishte lezet shpirti e shtati, tek i shihje të këndonin e hidhnin valle ata, burrat e Piqerasit: Jano Boçi, Anastas Qëndri, Leo Bitri, Mitro Laska, të parët, përreth të cilëve mblidheshin ca këngëtarë më të rrinjë, sikundër qe Jano Prifti Zëëmbël që i pëlqente kënga,apo edhe Sevo Prifti që kishte mësuar të mbante ison, pa e prishur këngën. Dhe,kur "deheshin nga kënga", do të futeshin në valle e, nuk e prishnin as këngën e as vallen, ashtu serbes, me hijeshinë e nurin e këngës e të moshës, veshur me robat më të mira që kishin, me plastikën e bukur të valltarit, rrethuar nga bashkëfshatarët e tyre, gratë e nuset e reja përreth "lëmit " e të ne fëmijëve të mahnitur, hypur nëpër degët e Lisit të Manastirit që i falte vëndit të shënjtë "hijen e Perëndisë"! Por, sa më shumë që ritet njeriu, mëson e dëgjon përherë, në gjithë jetën e tij dhe pastaj, do të vijë një çast i vetëm që të njihet me "enigmën e madhe" se:"nuk di asgjë"! Grekët e vjetër, u drejtoheshin "Orakujve" për të mësuar më shumë për Fatin e tyre, për "udhët e jetës", për hallet e problemet.Edhe prijsat luftëtarë, edhe mbretër e perandorë që pushtonin hapësira të botës! Aleksandri i Madh, vinte e binte në gjunjë para një filozofi të lashtësisë që të mësnte ca më teper. Po ja , ku e kisha edhe unë nje "Orakull" që matej tani me shekullin, Leko Kondin e mënçur , të cilit Perendia nuk i'a kishte "erësuar trurin akoma"... Për të mësuar tashmë se, edhe unë e pata gjyshin tim Kolë Gjinin , këngëtar në vitet 20-30 të shekullit të kaluar, mandej se, një Qiric Gjini paska kënduar bukur që para shpalljes së pavarësisë së shtetit, bashkë me Kostë Kondin, për të arrdhur më pas , tek dajua im i gjorë Vangjel Qendrothanasi, -"Këngëtari si Ai", si e quante ime më e që tani po ma vërtetonte "Shekullori" Leko Kondi. Po, edhe sikundër qenë, para lufte vëllezërit Arsen e Llukë Prifti, po edhe Arqileja nga Priftajt,(Bilbil nga të parët fare!) e Koço Lazri, burr i rrallë që si gjëndej shoku... Me kalimin e moteve të pasluftës, grupimi i këtyre zërave të bukur , u pasurua edhe nga "Bilbila" të tjere, më të rrinjë, me zëra edhe më të shtruar, që vibronin në "ajrin e ndezur", me magjinë që përcillte vetë kënga e tyre, edhe më e freskët. E këta ishin edhe më shumë në numër se të parët, me Çaçin e Llaçe e Koço Memin në krye, me Arqile Qendrothanasin, Leko Kondin, Niko Lazrin, Lekan Priftin, Gogo Kaçin e Gogo Koçiun, Koço Vranain, Arsen Konomin, Mitro Çunin, Marko Xhanin, Pilo Zahon e Aristotel Priftin, të cilët kombinonin bukur zërat e tyre. Ndersa ata të grupimit të parë dalloheshin për më shumë pathos në këngët burrërore që sillnin,- këngët e trimave e të valleve të ngjeshura, këta të dytët, i sillnin edhe më afër "bilbilat", me një romantikë malli e dashurie. Duke shtuar më pas edhe këngen e vallen satirike. E mbeti "gojë më gojë", dialogu i hershëm, me bejte shpotitëse, të kënduara gjithashtu, i piqerasiotëve me këngëtarët fqinjë të Lukovës, që do të vazhdonte deri në caqet e një grotesku të rrallë! Dhe motet shtyheshin me këngë në gojë, edhe pse shrëngesat riteshin, ullirin e agrumet nuk i mblidhte i zoti, pronari i ligjshëm i tyre (i zhveshur nga çdo e drejtë pronësie!) dhe të gjitha shkonin gjetkë, tek "Arka e Shtetit". Bagëtitë po ashtu, deri tek gjëja e gjallë e oborreve. E njerëzia hiqej si të ishte e lumtur. Tmerr i padëgjuar! Bilbilat e Piqerasit nisën të këndonin gjithmonë e më rrallë, sidomos kur "Bilbilin e Parë te Bilbilenjëve", Leo Bitrin, e shpallën kulak e ia "mbyllën gojën", se dikur paska patur një punishte të vogël vaji në shtëpinë e tij, tip lutërvie primitive, qysh në kohët e mëparshme, kur në fshatin tonë të përparuar, të kulturuar e qytetëruar nga kurbeti e zhvillimet e përtej detit, qenë ngritur 14 te tilla! Mandejë, rra një mortje akoma më e thelle për "Bilbilenjtë e Piqerasit" e për gjithë fshanë, kur ca te rrinjë, te infektuar nga propoganda e kuqe, e keqe, prishën kishën e fshatit që nga themelia dhe plaçkitën ikonat e manastrit 400 e ca vjeçarë, që gjoja "mbrohej nga shteti!"..."O Perëndi!,-them tani, me veten time,-sa mirë bënë ata piqerasiotë, në 4 mars 1744, para "Pashkës së Madhe" të atij moti të ndritur që morën prej këtij manastiri ikonën e madhe të Shën Marisë, lundruan me të në krye, për t'u ndritur "udhën detare", dhe shpëtuan atë e veten e tyre, nga mëkati, nga rrënimi i mëtejshëm e zhbërrja si njerëz. Qe një errësim i mëndjeve e i syve të barbarëve që kishin "mbirrë" edhe tek ne... Duhej përmbysur ky sistem që njerëzit të merrnin frymë më lirisht, që ajri të pastrohej dhe bilbilat të këndonin përsëri nëpër "degët e pemëve të jetës". Po, manastiri i famshëm, murrëzhveshur, nuk i priste dot më, lëmi i dikurshem ku shtypeshin kallzat e grurit me kuaj, në fundin e qershorit, nuk pastrohej më për festën e 15 gushtit. Kisha poshtë qe tashmë një sajesë e rëndomtë midis dy pallateve, ndërsa "Bilbilat" tanë qenë mplakur. Këngëtarëve të rrallë, nga Priftajt, u'a kishin "qepur gojën", qyshkur errdhi natën Goli i Prifte nga përtejdeti me nënëdetse e iku me gjithë familjen e katandinë e tij, ndërsa të vëllan, Arsenin e kalbën burgjeve! Bilbila të rrinje po ngriheshin megjithatë...Një Thoma Stami i pari, një bari i thjeshtë, pa i dirsur mustaqet akoma, imcak sa s'thuhej, me një difekt në fytë, qe i pari që ja morri këngës! Fillimisht vetëm, tek ruante tufën e bagëtive me krrabë në dorë e pastajë me shokë bashkë...Kur fliste, i mirrej goja fukarait, sikundër i kishte ndodhur profesorit tim të arteve, Kadri Roshit, të cilit fillimisht i merrej goja e që më pastaj, me një punë vetiake kolosale, u bë aktori më i shkëlqyer i vendit të tij, si "Bilbil i Skenës" dhe vlerësuar përfundimisht si "Nder I Kombit"!..Po edhe Thoma Stami, me vullnetin e tij, me një një punë e dashuri të thellë për artin e kngës , u bë një këngëtar i nderuar që i kalonte caqet e fshatit te tij. Artist e shkuar artistit! Dhe që, nisi të këndojë më mirë se bilbilat në degë. Me një zë që e dridhte dhe e përdridhte aq bukur, sa mahniste të madh e të vogël... Edhe bilbilat që vinin përmes ajrit, për të kënduar mbi ndonjë degëz trëndafili a limoni, do të dëgjonini së pari edhe Çome Stamin , "Bilbilin e Bilbilave"! Po nuk do të ishte i vetëm, në fshatin e tij, për t'ia marrë këngëve me rradhë,shumicës së të cilave u'a shkruante vetë edhe tekstin, ashtu si dinte ai, me pak vite shkollë, kur thoshte: "Nga Piqerasi unë jam,/më pushtoi kënaqësia....". Kishte plotë shokë që këndonin, djemë të rrinjë, pas brezit të parë e të dytë të këngëtarëve tanë, sikundër qenë tre djemtë e Koço Memit "zë art": Dhimitri, Panua, Kiçua e Romeo Memi (pra, thuajse e gjithe familja e tij,si të ishte një "çerdhe bilbilash"!), djali i Leko Kondit, Spiroja, djali i Vangjel Qendrothanasit, Kiçoja, djali i Anastas Llaçit, Mistoja, tok me të motrën e tij, Ollgën e bukur, djali i Jano Priftit , Spiroja, djali i Mitro Laskës, Qirjakua, djali i Thoma Stamit, Nanoja e ndonjë tjetër, për të vërtetuar kështu edhe genin trashgues të "burimeve njerëzore" nga vinte kënga, si të kishte të bënte ky "akt trashëgimnie" me proverbin e famshëm që "dardha do bjerë nënë dardhë"! .Po, edhe të disa "Bilbilave Zëbukur", si Stavo Llaçi e Foro Prifti, kthyesa"me nam!", Hedhësa të këngëve, si Teli i Prifte e Çako Gjini, po ashtu, si vëllezërit Laska: Janaqi me Miston dhe si Lefter Prifti. E me shumë të tjerë që nuk e prishnin harmoninë e të kënduarit, që dinin, jo vetëm të këndonin, po edhe t'ia hidhnin e t'ia kthenin, si edhe të mbanin ison e këngëve, deri tek Gogo Nini që nuk u ndahej asnjëherë grupimeve të këngëve....Se edhe kjo dhunti e mjeshtëri, për të mbajtur ison, pa stonuar vijën melodike, kishte rëndësinë e vet që kenga të merrte jetën e saj, jehonën e harmoninë e duhur. Se, të kënduarit është një nga artet më të lashta e më të bukura, se kënga ka rregullat e veta në kombinimin e zërave që i bashkon një vijë melodike e harmoni unike. Ne kishim mjeshtra të vërtetë të këngës, të cilët, kur i shpinte Andrea Xhani në Himarë, për të mësuar në fabrikën e atjeshme të vajit, pa i hequr rrobat e trupit, gjithë vajra e i'a merrnin këngës para mjeshtrave Himariot, ata do të heshtnin para tyre e do të duartrokisnin vetiu. Se Jano Boçi, Çaçi i Llaçi, Koço Memi, Arqile Qendro, Lekan Prifti, Arsen Konomi, Lipi i Zae e ndonjë tjetër që do më ketë shpëtuar pa thënë, nuk qenë vetëm mjeshtra që i'a merrnin këngës, por dhe si Hedhësa që edhe i'a kthenin po aq bukur. Të zotë në këngë e të zotë edhe në valle. Po edhe që të këndonin në ecje e sipër, pa e prishur melodinë e harmoninë e këngës, sikundër bënin atëhere, rrugëve me gurë, monopateve, tek zbrisnin nga e tatëpjeta e manastirit, ditën e "Pashkës së Vogël!".... Dhe, do të vinte edhe një kohë tjeter, kur piqerasiotët u bënë zotër të vetvetes, që nuk burgoseshim më "për një fjalë goje!" dhe që morrën pronën që u dha ligji, (sido që qe, i mangët!), kur nisën të ndreqin shtëpitë e rrënuara, çatitë e rrëzuara e vanë përsëri kurbeteve për të mbledhur paranë e që dikush të kthehej përgjithmonë. E behari mbushte përsëri "Sheshin e Thanase" me makinat e tyre dhe këngë. Më pastajë edhe manastirin, ku nisën të mblidheshin edhe ikonat, andejë nga i kishin fshehurr. Edhe bijtë e këngëtarëve të dikurshëm...Jeta vazhdon! Ndjehej një fllad lehtësues , po jo edhe me pathosin e epikën e atyre kohëve "të arta", kur banorët e Piqerasit rronin me idealizmat e tyre dhe, akoma nuk e dinin se çdo të bëheshin e çdo të hiqnin, në një zhgënjim të padëgjuar, për t'ua zvjordhur edhe këngën. U krijua edhe grupi polifonik, ku bënin pjesë, burra, gra e vajza piqerasiote, me një kombinacion shumë të bukur zërash, ku bënin pjese : Thoma Stami, i pari i bilbilave,me të birin Nano dhe me rradhë: Dhimitër e Pano Memi, Foro Prifti e Foro Nikdhima, Venua e Bitre e Monia e Konome, Lluiza Xhani, Ollga e Llaçe e Thineja e Bitre, Janaqi, Misto e Qirjako Laska, Malia e Nike dhe Ollga e Stame, Odisea e Naçit e Prifte, bashkë me baashkëshorten Gaço e Valen e Tule, të cilët kanë marë pjesë edhe në Festivalin e Madh Folklorirk të Gjirokaastrës, duke rregjistruar aty edhe shumë këngë të tyre. Mbi 20 artistë-këngëtarë të Piqerasit, me veshjet e traditës folklorike. Paralelisht u krijua edhe Grupi Folklorik, për të cilin mezi gjeta një foto, ku dallohet me vështirësi rradha e para e grave që, si gjithmonë, duke ju kërkuar ndjesë, po i shenojë sipas emrrave te tyre që u thërrasim: Cilja e Llaçe, Niqja e Nine, Kliua e Çune, Luiza e Zae, Malia e Nike, Menia e Llaçe, Ngjellua e Nikollore, Venua e Bitre, Beka e Stame dhe Aretia Çuni. Ndërsa në rradhën e burrave dallohen vetëm: Foro Prifti, Lipi i Zae e Lekan Prifti...Katër të tjerët nuk shquhen. Kurse në foton e duetit që paraqitet, të këtyre djemëve-këngëtarë, ështe Dhimitër Memi me Odise Prifin që veçoheshin për talentin e tyre. Me organizimin e tyre direkt merrej Janaq Laska po, për nivelin e repertorin e grupimit të artistëve miks, të këngës e të valleve, qe ngarkuar të interesohej Drejtori i Shkollës, mësuesi veteran, "Ezopi i Fshatit" Vasil Gjivogli që dinte të bënte vjersha e fabula, të mblidhte folklorin e krahinës, proverbat e humorin e begatë të fshatit të tij. Ishte po ky njeri që mblodhi edhe 50 këngët folklorike te kënduara ndër mote, në fshatin e tij dhe që nuk i mblidhte dot "paratë në xhep", për t'i botuar!Po,ja ku u gjend edhe një njeri tjetër që t'i mblidhte artistët amator, e të krijonte me ta Estradën e Fshatit, ku bëhej humor e këndohej dhe të cilin e quanin Niko Nino e i vunë epitetin"Regjizori i madh i fshatit të vëgël!". Prej tyre, se ç'doli edhe një këngëtar i muzikës së lehtë, me një zë melodioz, që e quanin Filip Prifti! E kudo që mblidheshin tre-katër pej tyre, pa tjetër që do të kishte edhe këngë, këngë të traditës ,po edhe këngë të repertorit më të ri, që tashmë këndoheshin lirshëm, edhe pasi pinin një gotë raki nëper ato pesë kafenetë a "Bare" që u hapën me të shpejtë, duke i'a marrë këngës, pa i ndalur e "gjykuar njeri", pa frikë, herë shqip, herë gërqisht, italisht e nganjëherë edhe rusisht, sipas preferencave të amatorëve të këngës... Repertori i këtyre këngëtarëve (të shumtë për një fshat!), bile edhe me talent, me zëra të bukur e forcë interpretimi, ishte njëherësh, si shpirti i tyre bohem. "Bilbilat Piqerasiot", e merrnin frymëzimin nga e gjithë Shqipëria, nga krahina e tyre e Himarës, po edhe nga ku u "shkelte këmba", duke patur edhe një krijimtari origjnale..Sado të bredhur nëpër botë që ishin, me një sens e etikë qytetëruese,qenë të lidhur shpirtërisht me këtë truall bregdeti që quhej PIQERAS, ku fshihej magjia e natyrës, e këngës dhe e vetë jetës. Qenë këngë përvëluese kurbeti, shumica e tyre të Neço Mukos nga Himara, apo si të llojit të tij, këngë baritore si ato të Lefter Çipës nga Piluri, ose qe ngjanin me to, këngë erotike të dëgjuara gjithandejë e të huajtura, nga shkonin e vinin, po edhe këngë kaçakësh të njëhershën e të trimave "me fletë" të kohrave tona. Ndër to, trazohej shpirti njerëzor, nëpër vuajte, halle dëshpëruese e dashuri, ashtu si qe e mpleksur e tërrë jeta e bota mbarë! Akoma mbahet mënd në Piqeras ajo kënga e Jano Boçit që me katër vargje shprehte tërë jetën e piqerasiotëve:"Moj e bardha si Eleni,/Dil se të kërkon Sejmeni!/Ku të vemi dhe si të vemi?!/Pajë e roba nukë kemi!...!" Npër tekstet e këngëve e të valleve të kënduara, shpesh futej edhe ndonjë fjalë gërqisht apo italisht, ashtu sikundër mpleksej gjuha, puna e krejt jeta me fqinjët tanë, po që unë nuk i mbajë mënd të plota dhe kështu më duhej te veja te "Orakulli i Piqerasit", që jetonte akoma në Pire të Greqisë, për të "gërmuar" ca nga "honi" i vetëdijes së tij, si të kërkoja pak ujë nga "thellësia e pusit": "Babai i Kiço Konomit, Leonidha,-më thotë Leko Kondi, duke mbyllur e çelur sytë me ngadalë,-hapi një këngë e tha:"Aty te porta pa fleta,/kam një djallo singjeni,/në poton se ç'ri një Bejkë,/vetëmë,pa shoqëri/Se ç'qëndisë n'ato jastëkë,/Kotolli me bitun-qëndi,/i mbushur me qesëndi./Roqeta me tetë fletë/.Pika që pikon mavri,/djemëve u bjen zali!"..Në nje këngë tjeter, po me këtë frymë erotike, thuhej:" Kjo këmisha jote, copë gjarpëri! E bukur, e vogël,moj Parashqevi!./Nëna ta ka bërë, a peshqesh njeri?!E kam bërë vetë, me duart e mi!....". Ndërkaq "Orakullit" Leko Kondi, "i bie kujtesa", tek bashkëshortja e tij Gita, që kishte bërë edhe ajo një këngë sevdaje e i'a thoshte kështu:" Mbiu një rrodhe në koshtë/, rrodhe , moj , Vasiliko!,/Rrodhe , moj të keqeno!./Mos më nga, se për ty rritem,o/Ti , mor djal, nuk të çitem,o/Nga xhaketa do të ngjitem,o!....". E me rradhe , Leko Kondit , do ti silleshin nepër mëndje edhe dsa valle të kënduara të asaj kohe që këndoheshin ndër vallet grarishte, si:" Hodha një lule në ferrë/Asaman, moj Lule'verdhë,/Hodha pakë, mbuloi dhenë,/Mbuloi gjithë baçenë!"...E do të vazhdonte kështu:"Ju lule, sa lule jini!/Të parën lule, kë kini?/Të parën: Trëndafilenë/Të dytën: Garufalenë/Të tretën: Manushaqenë!..."...Ndërsa, për Anastas Qëndron, që e kishte shtëpinë tek "Porta e Madhe" e Qëndrës, i dëgjuar për trimëri , këndonin këtë këngë:"Bregu i Detit, gurë mbi gurë,/Qaj, o Breg!/Qaj , o Lumë!?Hëngre kapedanë shumë,/Anastas, Tason me vulë!...."..Pastajë, "Orakullit tonë", do ti kujtoheshin të gjitha këngët e Neço Mukos që këndoheshin me një afsh të madh, sikundër qenë: "Vajza e valëve", "Qielli i Zi" dhe " Në rrëzë të kallamesë". Vite më mbrapa, pas lufte, do të ngriheshin kënga edhe për trimat piqerasiotë, për Vasil Llaçin,"trimin e çartur!" që nuk ju dridhë dora kur qëlloi mbi Perandorin e Italisë , per ata që rranë në Tepelenë: Mitro Xhanin, "trimin me fletë", për Apostolin që e mbrojti atë dhe shokët, mbajë një shkëmbi, deri sa "dha shpirt" i shpuar nga plumbat dhe, për Athinanë besnike, "shënjtoren e dashurisë" që e mbajti shamine e zezë tërrë jetën, po me atë krenari e nderim që kishim ne të gjithë, kur e këndonim:"Lule, Mitro Komisari, Trim kudo të jeshë i pari!...".."Këndohej bukur shumë,-kujton me nostalgji Leko Kondi, jo si në Himarë, po shkuar Himarës, me zëra të rrallë. Po nuk qenë nje e dy që këndonin vënçe, po shumë, shumë më tepër se kudo...Me qindra ishin,,,Po zërat më të mire mbahen mënd e nuk harrohen sa vdes njeriu...Se, Bilbila si Vangjel Qendrothanasi, Jano Boçi. Arqile Prifti, Anastas Llaçi, Leo Bitri, Koco Memi e, më i riu prej tyre, Thoma Stami,,,,,, për të mos vazhduar më tepër, -se lista zgjatet shumë dhe se, këngëtarët nga Piqerasi, u'a kalojnë edhe bilbilave mbi degë! Se, edhe Piqerasi vetë, është si një këngë, një këngë e vërtetë, që delë nga shpirti e zbukuronë dhenë...". E kështu mbaron edhe kjo që desha të thoshnja unë mërgimtari, për "Bilbilat e Piqerasit", që i dija se ishin pesë e me dolën 50, pasi vajta tek "Orakulli Ynë", Shekullori LEKO KONDI! Kushdo njeri e çdo fshat, mund të krenohet me kaq shumë këngë e këngëtarë të rrallë. Se është shënja e parë e një shpirti krijus të pavdekshëm, siedhe një kulturë qytetëruese, dashuri sublime e të gjitha brezave njerëzorë.



27 views

Shkrimet e fundit