Biblioteka e Libohovës
Nga Fatmir Terziu
Ëndrra të pashkruara
përralla të dashurisë së ndaluar
lemza të tharra
nën çarje mjegullash të serta.
Shfleton vjeshtat e zverdhura
korridoreve të injorancës
ditët, si eshtrat e të vdekurve,
vishen me të kuqin e përrallës
që veshi me zjarr muret e shekujve.
Ato u bënë hi nën një dru bliri,
pas shpinës së partizanit katërmbëdhjetëvjeçar
një cigare kalohet nga dora në dorë
ku po i shpinte kjo masakër vallë?
Sikurse tymi dhe mallkimet
lëkunden ende në ajrin e kohës,
e kishin zili lirinë e një zogu dykrenor,
që kishte ngritur folenë Bibliotekës së Libohovës.
Comments