BEZHANËT E VLORËS DHE VAJZA E TYRE, AVOKATJA ERIFILI


Nini Haxhistasa Mano

Esse nga Luan Çipi Bezhanët e Vlorës, janë një familje e shquar, me një aktivitet të madh atdhetar e shoqëror, të vendosur në qytetin e Vlorës prej më se dyqind vjetësh. Po të futesh në lashtësi zbulon se të parët e kësaj familje të pasur e të nderuar, kanë pas ardhur fillimisht, aty nga fundi i vitit 1467 dhe fillimi i vitit 1468, nga Zona e Shpatit Elbasan dhe janë vendosur në afërsi të Tepelenës, në Manastirin e Shën-Ilisë (apo siç është njohur më pas, Manastiri i Shën-Dëllisë) që ndodhej pranë Malit të Golikut dhe në tokat e atij Manastiri, ata hodhën themelet e para, mbi të cilat më pas, u formua fshat i madh, që u quajt Lekël. Një variant tjetër i supozuar dhe më i hershëm, që rezulton nga shpjegimi i mbiemrit, origjina e lashtë mund të jete dhe toponimi “Bezhani, përmbi Janinë”. Qysh nga ajo kohë Bezhanët u treguan mjaft aktivë dhe u murrën gjerësisht me tregti, të cilën e zgjeruan jashtë territorit tradicional shqiptar deri me Venedikun, Greqinë dhe Egjiptin. Kështu ata nga viti në vit, u pasuruan aq shumë sa blenë edhe toka e prona me shumicë, duke u shpërndarë edhe në vende të tjera. Nga përfaqësuesit më të shquar të fisit, në fshatin Lekël të Tepelenës rreth viteve 1800, mbetën: Haxhiu  (1690), Guda 1720), Pasho (1750) dhe Mërtir Bezhani (1780). Ndërkohë burra të tjerë nga ky fis vital, me përpjekje të pazakonta deri me armë dhe me humbje jete, u përpoqën për të marrë e rimarrë toka e pasuri deri në Pishkash e Qukës, duke lënë në kërkim të tokave të grabitura prej lakmimtarëve edhe 4 burra të vrarë:  Petron,  Apostolin, Thimion dhe Aleksandërin, si dhe disa të afërm të tyre nga trungu femëror i familjes, si Thoma Qëndro me të birin, një nga familja Gjonaj dhe një tjetër nga familja Muçi. Pas vrasjeve të dhimbshme, si më sipër, të fisit Bezhani e krushqi, nga ajo degë, lindën, u rritën e u trashëguan Pavlloja (i parë) me tre fëmijët e tij (Erifili, Alekua dhe Evrionomi), Pandeliu, Leonidha dhe vajza e tij (Olimbia), Ksenofoni, Epaminonda, Athanasi dhe Pavlloja (i dytë).


Familja e saj

Në vitin 1800 një pjesë e madhe e fisit Bezhani u larguan nga fshati Lekël i Tepelenës dhe u vendosën në qytetin e Vlorës, por edhe pas kësaj shpërngulje ata nuk i humbën asnjëherë lidhjet me Lekël-in dhe nuk e ndërprenë tregtinë që ata bënin në atë kohë me Greqinë.  Bezhanët e Vlorës, filluan dhe ndërtuan një godinë të madhe me tri kate në lagjen “Muradie”, në qendër të qytetit të Vlorës, e cila ndodhet edhe sot dhe në vitin 1831 u bë sigurimi pronësor i kësaj shtëpie, te Institutit i Sigurimit (“ASSIGURAZIONI GENERALI, TRIESTE”) të qytetit të Triestes në Itali. Mbi muret e vjetra të shtëpisë tri katërshe, qëndron e varur ende, një pllakë bronzi e oksiduar nga vitet, në të cilën është gdhendur emri i Shoqërisë së Sigurimeve të Triestes dhe viti i sigurimit. Afro njëzet vjet më vonë, aty nga fillimi i vitit 1850-të, familja Bezhani, më saktë Petro Mërtir Bezhani, ngriti të parën Bankë private në Shqipëri, e cila pak më vonë njihej si “Banka Pandeli e Lefter Bezhani”. Që nga krijimi i asaj Banke e deri në vitet e para të shekullit të kaluar, kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë, Bezhanët e Vlorës u morën me po atë lloj aktiviteti financiar e bankar dhe njëkohësisht edhe me tregti me shtetet fqinje, si Italinë, Greqinë e deri me Egjiptin. Lidhur me ekzistencën dhe fuqinë ekonomike të familjes Bezhani, dëshmojnë edhe tri varre, që ruhen edhe sot në gjendje të mirë, pranë Manastirit të “Shën Mërisë”, në territorin e ishullit të Zvërnecit në Vlorë, të cilët i përkasin Josif dhe Olimbi Bezhanit dhe datojnë përkatësisht, vitet 1902 e 1918-të. Një figurë e shquar atdhetare dhe humane e fisit Bezhani ka qenë Pavllua (i parë), që me vëllain e tij Leonidhën, ishin djemtë e Josifit. Ata mbështetën fuqimisht Ismail Qemalin, për shpalljen e Pavarësisë. Pavllua bashkëpunonte ngushtësisht me Sotir Joro Kolekën (Këshilltarin e Kryeministrit Ismail Qemali, me veprimtari atdhetare të shtrirë dhe gjatë “Luftës së Vlorës” më 1920 dhe më pas), të cilin e kishte dhe kunat, duke e  ndihmuar Shtetin Shqiptar, të porsa krijuar edhe me ndihma financiare.


Musine Kokolari para gjyqit

Një tjetër veçori dalluese e kësaj familje të kamur vlonjate ishte, kujdesi për arsimimin e fëmijëve. Një model në këtë drejtim ka qenë Aleko Pavllo Bezhani dhe nëna e tij, Amalia, që ishte motra e patriotit të shquar, Sotir Jorgo Koleka. Alekua, pasi mbaroi shkollën unike në qytetin e Vlorës, në vitin 1928 shkoi në Zvicër, ku mbaroi një shkollë ekonomike dhe njëkohësisht, mësoi disa gjuhë të huaja. Po kështu motrat (Erifili dhe Evrinomi Bezhani) u diplomuan në universitete të Francës përkatësisht për Drejtësi dhe Gjuhë letërsi, ndërsa kushërira e tyre, Marika Bezhani, u diplomua për Biologji në Bolonja të Italisë. Po kështu, vëllai tjetër, Leonidha Bezhani, i dërgoi të tre djemtë e tij për të studiuar jashtë Shqipërisë, në Perëndim. Djali i madh, Viktori, studioi në qytetin e Mynihut të Gjermanisë, ku pasi u diplomua për Mjekësi, u kthye në Shqipëri dhe punoi si mjek në qytetin e Elbasanit. Gjatë asaj kohe përveçse shërbeu si mjek në atë qytet të Shqipërisë së Mesme, ai dha edhe mësime në Shkollën Normale të atij qyteti. Më pas Viktori shërbeu si diplomat në Përfaqësinë Shqiptare të Greqisë dhe gjatë periudhës së Luftës, ai vdiq nga një sëmundje e rëndë. Dy djemtë e tjerë të Leonidha Bezhanit, Qirjakua dhe Haritua edhe ata, studiuan dhe u diplomuan në universitetet e Italisë. Shkollimet e djemve dhe vajzave të familjes Bezhani në universitetet e ndryshme të Evropës, dëshmojnë më së miri, formimin kulturor dhe brumosjen e tyre, si familje, me prirje perëndimore, ashtu si patën fatin të ishin ata prej kohe. Edhe pse Bezhanët e Vlorës, njiheshin si familje që kishin parë kryesisht punët e tyre dhe ishin marrë më së shumti me tregti, duke i qëndruar përgjithësisht larg politikës, me ardhjen e komunistëve në pushtet, në fundin e vitit 1944 dhe fillimin e vitit 1945-së, ata u gjendën përballë goditjes së egër të tyre, ashtu si qindra e mijëra familje të tjera shqiptare të pasura të asaj kohe. Viktima e parë e familjes Bezhani, në suazën e “luftës së klasave”, u shënua në fundin e vitit 1944, kur Aleko Bezhani,  veprimtar shoqëror dhe anëtar i hershëm tepër aktiv e pozitiv i Këshillit Bashkiak të qytetit të Vlorës, ish-pronari i “Banka di Napoli, Vlorë”, i detyruar, u largua nga Shqipëria dhe mbeti i vrarë në rrethana të panjohura. Po, rast tipik padrejtësie dhe mizorie, është sjellja diskriminuese dhe qëndrimi klasor diktatorial i pushtetit komunist të sapo marrë, ndaj përfaqësueses më të emancipuar të familjes Bezhani, avokates së parë shqiptare femër, të z. Erifili Bezhani.

Bashkë me nënën dhe motrën

Erifili Bezhani, lindi në Vlorë, më 15 Shkurt 1906. Ajo ishte e bija e tregtarit vlonjat Pavllo Bezhani dhe motra e bankierit Aleko Bezhani. Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, dërgohet për shkollim në Korfuz dhe pas mbarimit të suksesshëm të shkollës së mesme atje, shkon në Francë së bashku me të motrën, ku studion fillimisht për Letërsi frënge dhe më pas ajo kryen studimet në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e qytetit Alix-en- Provence. Erifili Bezhani, po i ngjiste me guxim e zotësi shkallët e karrierës si e punësuar në Francë, mbështetur në rezultatet e shkëlqyera në universitetet dhe prirjeve të saj për jurisprudencën.  Në Francë, pas dy vitesh në profesion, në qytetin  Marsejë, Erifili Bezhani, po formohej si një avokate me përvojë e talent. Gjatë  kësaj kohe, Erifili u fejua me një avokat të njohur francez. Kur ishte në kulmin e lumturisë personale, nga një fatkeqësi e së motrës Evrinomit, e diplomuar në Letërsi si “Profesore e D’Etudes Francaises“ në të njëjtin universitet, Erifili Bezhani, la pas gjithçka dhe e shoqëroi të motrën për në Shqipëri. Ishte kohë lufte, dimër i vitit 1943, kur dy motrat zbritën në Portin e Vlorës, për të mos u larguar më kurrë nga Atdheu dhe nga njëra tjetra, deri në vdekje. Pas një qëndrimi të shkurtër në qytetin e lindjes, së bashku me nënën, dy motrat Bezhani, largohen nga Vlora dhe në fillim të vitin 1944, vendosen në Tiranë. Gjinden shumë shpejt në qendër të grupeve me intelektualë të shquar shqiptarë, shkolluar në perëndim dhe përfshihen në jetën shoqërore aktive letrare e artistike të tyre, sipas ideve vetjake, jashtë lëvizjes komuniste. Në vitet e para të pas çlirimit, me fillimin e terrorit komunist, të arrestimeve  dhe të pushkatimeve të nacionalistëve, Erifili kupton se, ardhja vetëm e Partisë Komuniste dhe e Enver Hoxhës në krye të vendit, nuk linte asnjë nga rrugët perëndimore për të vendosur sistemin pluralist demokratik, si dhe për emancipimin e vërtetë të gruas shqiptare. Ajo, ishte intelektuale e mirëfilltë, që bashkë me shkollimin universitar jashtë atdheut, kishte përvetësuar, tok me normat e edukimit perëndimor, edhe modelin e shoqërive të vërteta të lira e demokratike. Sjellja dhe veprimi i komunistëve shqiptarë “Është një reprezalje e frikshme, jashtë shembullit të vendeve evropiane, ndaj duhet ndalur”, shprehej tek të afërmit dhe në rrethin e saj shoqëror, Erifili Bezhani. Për realizimin e ëndrrave dhe pikë synimeve të saj, për liri e demokraci në kushte pluraliste, ajo aktivizohet në lëvizjen antikomuniste të grupimit “Bashkimi Demokrat”, ku bënin pjesë anëtarë të “Grupit të Deputetëve”, Liberal-demokratëve, Social-demokratët dhe pro perëndimorët e tjerë. Miqtë e saj, me të cilët grupohej, ishin intelektualë e demokratë të njohur të kohës me tendenca të djathta, si Gjergj Kokoshi, Thoma Orogollai, doktor Isuf Hysenbegasi,  Ekonomisti Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Qenan Dibra, shkencëtarja Musine Kokalari, etj. Bashkëkohësit kujtojnë: ”Erifili ishte demokrate në shpirt, ashtu siç duhet të jenë  intelektualët e mirëfilltë bashkëkohor.” Nuk kishte asgjë antiatdhetare, antishtetërore dhe antiligjore në veprimtarinë e juriste së re. I  vetmi faj për të cilin e vendosën kundër rrymës, intelektualen e re, ishte se ajo guxoi të fliste hapur, me zë të lartë e shpesh herë, për vendosjen e demokracisë dhe për nevojën e pluralizmit politik në Shqipëri. Ajo kishte një fjalor të pasur, një bukuri të rrallë dhe një elokuencë të shquar, që shoqëronte deklamimet personale, ku theksonte me zë të lartë i guximtare, idetë më progresive të kohës. Aty u kapën akuzuesit kundërshtarë në denoncimin edhe në dënimin e saj. Në 16 Maj 1947, pas arrestimeve të bujshme të Deputetëve, të Liberal-demokratëve, Social-demokratëve, etj, Erifili Bezhani, arrestohet nga Gjykata Ushtarake e Tiranës dhe me akuza të rreme, pa fakte konkrete, dënohet me 20 vjet “heqje lirie”. Ajo, dërgohet menjëherë në burgun famëkeq të Burrelit, duke u rreshtuar në historinë e burgimeve, ndër katër femrat e para shqiptare antikomuniste, që provuan bashkë me burgimin edhe torturat më çnjerëzore. Ish i burgosuri politik, vlonjati Hysni Alimerko, shkruan në kujtimet e tij: ”Erifili u dënua pothuajse në të njëjtën kohë me Musine Kokolarin, Shega Këlcyrën (bijë e Hasan Këlcyrës) dhe Nurie Koculin, (bijë e Qazim Koculit). Ishin katër femrat e para që u futën në burgun famëkeq të Burrelit. Më vonë, erdhën aty Drita Kosturi dhe Raile Luzi (motra e Isuf Luzit). Të gjitha ishin të shkolluara, me karakter të fortë dhe të papërkulura”. Drita Kosturi, e dënuar politike nga komunistët, në kujtimet e saj rreth torturave, përmend qëndresën heroike të Erifili Bezhanit dhe shoqeve të saj në burgun e Burrelit: ”Kam takuar shumë gra të burgosura me akuza politike, gra që përmbanin brenda vetes virtyte të larta të gruas shqiptare, të ushqyera nga tradita e brezave të tërë. Gra me karakter të fortë, me shpirt të gjerë demokratik, në të cilat krenaria mbyste dhimbjen për kushtet në të cilat ndodheshin. Janë nga ato gra, të cilave lotët u gëlltiteshin nga sytë pa mundur t’u rrëshqisnin faqeve, mes tyre Musine Kokalari, Erifili Bezhani, Frida Sadedini e mjaft të tjera”. Pas lirimit nga burgu, në përfitim të disa amnistive, Erifili Bezhani vazhdoi kalvarin e vuajtjeve të tjera: Nuk iu dha triska e “Frontit Demokratik”, ç’ka e shpallte në fakt ende “armike të popullit”, por e mbante edhe nën presionin e internimit, apo të ri dënimit. Që nga vitit 1953, Erifili nuk mundi të punojë më si avokate. Nevoja e përditshme për jetesë, kur dyert e profesionit të saj si juriste në drejtësi, ju mbyllën dhe e futën Erifili Bezhanin në një profil tjetër: Në botën e përkthimeve. Falë njohurive të shkëlqyera të disa gjuhëve, si Frëngjisht, Anglisht, Italisht, Greqisht dhe Rusisht (të cilën e mësoi shkëlqyeshëm gjatë burgut), ajo punon me intensitet, pa u lodhur, si përkthyese për llogari të disa institucioneve social-kulturore. Lidhi kontrata përkthimi me Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, me institucione të tjera dhe me Legata të huaja në Tiranë. Përktheu kështu dhe botoi libra të shumtë e voluminozë si: “Terminologjia e Drejtësisë”, “Metoda e gjuhës shqipe për të huajt”, “Kodi Civili i BRSS dhe disa shkrime të tjera, porosi të Ministrisë së Drejtësisë,  si dhe: “Studime të Akademisë Shkencave të BRSS”; “Historia e Teatrit Bolshoi”, “Historia e Muzikës Ruse”; recensione filmash, artikuj shtypi për Legatën Hungareze; “Kodi penal i RPSH”, Ligje të ndryshme për Legatën e Polonisë; librin “Bota e Atomit”. Botime të shumta në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe në organe të tjera të shtypit të kohës, mbajnë vulën e përkthimeve cilësore të Erifili Bezhanit. Shumë miq dhe dashamirës, që e njohën nga afër, çmonin vlerat dhe aftësitë e saj dhe i hapën rrugën e kontratave të shumta e me vlerë. Por nuk ishte e thënë që të vazhdonte me përkthimet. Në kulmin e prodhimtarisë, në mesin e vitit 1958, nga ”organet kompetente” u morr për të vendimi vdekjeprurës: Dënimi që të privohej e drejta e përkthimit dhe poliglotia  Erifili Bezhani, të bënte vetëm një punë të detyruar, poshtëruese për të,  shërbimin publik si fshesare, për të pastruar rrugët e Tiranës dhe gjithnjë në turnin e tretë! Pas 6 muajsh pune, si fshesare rrugësh e turnit të natës, për intelektualen e mirëfilltë, në prezencë të papastërtive, pluhurit dhe errësirës, ajo sëmuret nga ulcera, shtrohet me urgjencë dhe gjatë operacionit jep shpirt. Ishte data 15 Shkurt 1959, çuditërisht dita e lindjes së saj, kur avokatja e parë shqiptare, pasanikja fisnike vlonjate, shkrimtare dhe përkthyese e talentuar  e disa gjuhëve kryesore, në moshën e pjekurisë 53 vjeçare, mbylli sytë e vetmuar, e përbuzur e në mjerim, në sallën e operacionit të Spitalit Shtetëror të Tiranës. Me gjithë persekutimet dhe humbjet, fisi Bezhani në Vlorë, pas përmbysjes së “socializmit” dhe të provës së zhvillimit kapitalist, është drejt gjallërimit dhe në këto vite, duke përfituar dhe pjesë nga pronat e kthyera, po shkon drejt ripërtëritjes. Për plotësimin e këtij tregimi të dhimbshëm historik, janë përdorur të dhëna të internetit dhe kryesisht deklarimet dhe intervistat me një nga trashëgimtarët direkt të familjes Bezhani në Vlorë, e veças nga Pavllo Aleko Bezhani. Tiranë, më 05 Maj 2020




27 views

Shkrimet e fundit