top of page

Besa - një fjalë e pastër shqipe


Nehas SOPAJ

Besa - një fjalë e pastër shqipe

Në këtë tokë të vogël e të sertë, është një fjalë e vetme që na lidh të gjithëve. Është e shenjtëruar fjalë të cilën e shkelim njëqind herë në ditë ne mbjellësit e saj, pellazgët e dikurshëm! Fjala besë! Ah, farë e saj që e harxhojmë ditë e për ditë dhe s’na del madje as për kaftjall, duke ia thyer copa-grimë domethëniet! E shenjtë kjo fjalë, e mjaftueshme për ta shkelur, djathtë e majtë, ne qyqet e sotme, ose pasardhësit e shqiptarëve të dikurshëm! Kjo e vërtetë, që na bashkon dhe zdaravit të të gjithëve, në një pikë neuralgjike, fjala besë, fjalë e para e Librit të Zanafillës, fjalë – pikëpyetje, apo fjalë – pikëçuditëse, për botën, jo edhe për ne, jo për huqet tona me shumë hale! Miq të dashur, mu sepse është e vjetër, se është madje e para kohës së Piramidës së Keopsit, e kollovitim ne, prandaj askush s’na beson në botë! Në këtë tokë të vogël e të ashpër, tash kur duhet shijuar frutet e saj qoftë edhe vetëm estetikisht, me të gjitha kategoritë e saj gramatikore, në përdorimin tonë të akullt, thuani postmodern nëse doni, me mirësjellje, stereotipe, postkomuniste, o sa me lezet e thyejmë, sy bote, halabakë para Zotit sado që më parë do të duhej të turpërohemi, të heshtim, t’i rrimë gaditu asaj fjale, të mos marrim frymë, si në zanafillë! Fjala besë, fjalë furrë e nxehtë, por edhe e ftohtë, akull! Por, para se të na shndërrohet në shllagvort, kakofoni, si t’i shijojmë kategoritë e kësaj fjale, këtij emri të përveçëm që është i gjinisë femërore fjalë emër që s’është prej ashti, por eshtra thyen? Fjalë toke, fjalë varri, fjalë egërsisht besnike që na flet në shpirt, fjalë të cilës duhet ruajtur kuptimin e vërtetë! E shkelim, se kemi qejf, se duam, se s’dimë ndryshe! Kthejuni në zanafillë, o zotë të shenjtërisë, asaj të vërtete, qoftë ajo edhe e hidhur për ju o shkatërraçë!

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page