top of page

BASHKIM KADIU NË LIBRIN “ENCIKLOPEDIA E VLERAVE”


Kadri Tarelli, shkruan:


Përcjell mesazhe qytetarie, urtësie dhe pajtimi

Ka vetëm pak dit, fund gushti 2021, që doli nga shtypi, libri i Bashkim Kadiut “Enciklopedia e vlerave”. Një titull që ngacmon kureshtjen dhe fantazinë e lexuesit dhe çdo durrsaku, që e do dhe e ndjen pulsin e qytetit të lashtë e të ri, sepse aty përfshihen rreth 539 portrete te intelektualëve durrsak, për gjatë një harku kohor prej afro 150 vjetësh.

Me këtë rast u bë edhe përurimi i këtij libri me shumë vlera qytetarie, që u hap dhe u drejtua nga shkrimtari Qemal Vrioni. Nderuan këtë kuvend për librin, dhjetëra intelektualë të Durrësit, shumica “Heronj” të kësaj enciklopedie. Nga paneli drejtues përshëndetën autorin dhe veprën e tij Shpendi Topollaj, shkrimtar, kritik, studiues dhe dramaturg. Më pas Monada Myshketa-Mehmetaj redaktore e librit. Fjalë të ngrohta përdori Mujo Buçpapaj - Drejtori i gazetës kombëtare “Nacional”, si njohës i të gjithë veprimtarisë gazetareske e letrare të Bashkimit. Njëkohësisht përshëndeti edhe poeti Agim Bajrami. Me këtë rast edhe unë vlerësova punën dhe veprën e Bashkimit, duke thënë:

Kushdo që e ka ndjekur sado pak krijimtarinë e Bashkimit, nuk do të habitet, pasi ai me shkrimet e tij ka qenë dhe është pjesë e shtypit qendror e lokal, prej gati 30 vjetësh. Më duhet të shtoj këtu, se ai, si punëtor i palodhur i letrave shqipe, është autor i pesë librave, në të cilët në formë të zgjeruar, ka paraqitur vlerat atdhetare dhe intelektuale të qytetarisë durrsake.

Në një shkrim timin të disa viteve më parë, në kryetitull e pagëzova: “Bashkim Kadiu kronikan i intelektualëve durrsak”, ishte një frymëzim çasti, pasi më bukur do të shkonte “Kronikan i qytetarisë durrsake”. Dikush mund pyesë: Pse ke ndërruar mendje? Do të bindet, pasi nëpër faqet e pesë librave të këtij autori, gjallojnë portrete të qytetarëve durrsak të të gjitha shtresave, ku mund të përmend: klerikë të nderua, atdhetarë, luftëtarë e veprimtarë, titullarë të institucioneve shtetërore, vendore e qendrore, drejtues të sektorëve prodhues, pedagogë, mësues e mësuese të nderuara, drejtorë shkollash, shkrimtarë, poetë, historianë, arkeologë, agronomë e doktorë shkencash, zyrtarë, mjekë, artistë e sportistë, ekonomistë, ushtarakë dhe juristë. Me një fjalë, lexuesi do të gjejë të pasqyruar historinë e zhvillimit të qytetit të Durrësit, por në një formë ndryshe nga sa jemi mësuar. Tani nëpërmjet jetës dhe veprimtarisë të secilit nga “heronjtë” e tij. Pa i bërë bisht shakasë, lexuesi do të gjejë gjyshin, prindin dhe veten, si vlerë dhe pjesë e qyteti.

Jo pa qëllim i përmenda këto fjalët e fundit, pasi Bashkimi nuk u ndal këtu: Ai botoi së fundmi librin madhor “Enciklopedia e vlerave”, ku vetë titulli tregon vlerën dhe peshën e rëndë të qytetarisë durrsake. Një ide e kahershme e autorit, për t’i mbledhur bashkë në një libër, të gjithë “heronjtë” e tij. Natyrisht punë e madhe i është dashur, duke shtrydhur gjithçka shkruhet në një shkrim, për të nxjerrë “Vajin e ullirit”, si mundim, ushqim, mjekim e detyrim, ndaj lexuesit dhe për lexuesin. Është një formë e njohur për libra të tillë, për të pasqyruar sa më shkurt dhe sa më realist, portretin e secilit. Është një prej kërkesave që ka një libër që quhet enciklopedi.

Ky libër në vetvete, përmban një punë vërtet të madhërishme në pamje, por e vështirë në realizim dhe e dobishme në përmbajtje, që ka kërkuar mund, djersë, lodhje, harxhim kohe disavjeçare, energji dhe shumë dashuri e frymëzim idealisti. Dua të jem i gabuar, por nuk di që dikush tjetër në Shqipëri, të ketë bërë kaq shumë për qytetin e tij. Në këtë rast, vepra e Bashkimit është një shembull që meriton duartrokitje, ndaj duhet përshëndetur, përgëzuar dhe falënderuar me mirënjohje të pakufishme.

Të gjithë librat, kur shkojnë në dorën lexuesit, gjykohen si në formë e përmbajtje, por ajo që mbete është vlera artistike, gjuhësore, shkencore e qytetare, përcjellë nëpërmjet mesazheve që u duhen brezave. Këtu lexuesi jep notën për secilin, në veçanti për libra të tillë.

Besoj se kam të drejtë që, si njohës i të gjithë veprës së Bashkim Kadiut, t’ i çmoj vlerat e këtij libri, në disa këndvështrime:

Së pari: Libri “Enciklopedi e vlerave”, është një “përmendore” që u ngrihet të gjithë atyre që vunë mendjen, shpirtin dhe fuqitë, në shërbim të qytetit dhe qytetarisë durrsake, si një trashëgimi njerëzore, qytetare e familjare. Çdo kush nga brezat, të sotëm e të nesërm, kanë me çka të mburren, për bëmat e të parëve të tyre, sepse kanë në dorë një “Testament pasurie”, një emër të ndritur, që u mbetet në shekuj, sepse nuk tretet, grabitet apo venitet. Besoj se nuk është pak. Ndaj ky libër meriton që të jetë në çdo bibliotekë shkollash, institucionesh dhe me çdo kusht në çdo familje, jo për të mbushur e zbukuruar raftet, por si “Monument”, që meriton të vendoset sipër oxhakut, në “Odën e burrave” të çdo shtëpi, si ikonë për ta parë e për t’u falur, çdo fillim e mbarim dite.

Së dyti: Durrësi këtu ka qenë, është dhe do të jetë në shekuj, por janë njerëzit, intelektualët, të diturit, ata që e lartësojnë emrin dhe vlerat e tij në përjetësi. Kështu që, ky libër, “në heshtje si durrsakët”, pa folur e pa ngritur zërin, është një burim mësimi dhe përvoje për brezat e rinj, për ta dashur dhe zhvilluar qytetin tonë famëmadh. Ta dush qytetin dhe të vesh gjithçka në shërbim të tij, nuk është thjesht dëshirë, por detyrim ndaj vendlindjes, të parëve dhe trashëgimtarëve. Le të shërbejë ky punim, si udhërrëfyes e model për ata që do të guxojnë të nisin e të shkruajnë për vlerat e qytetit, sepse historia e Durrësit nuk mbaron këtu.

Së treti: Ky libër përcjell një kumt, që diku thuhet hapur nga disa intelektuale, si nëpër romane, apo shkrime gazete, por që këtu në faqet e kësaj enciklopedie, thuhet pa zhurmë e bujë dhe ndjehet me tepri: Është kambana e “Pajtimit të kombit”, përkundër përçarjes dhe ndarjes: “Ne dhe ata”. Autori nuk i ka përzgjedhur figurat sipas dëshirës dhe bindjeve të tij apo të lexuesit. Ata janë thjesht qytetarë e intelektualë të Durrësit, pa dallim shtresash pasunore, pozitash zyrtare, përkatësi fetare dhe bindjesh partiake, që rrinë pranë e pranë e kuvendojnë pa ju mburrur njëri tjetrit, se kush e do më shumë mëmëdheun.

Pa dashje, autor Bashkimi, siç e ka edhe emrin, i mëshon në heshtje bindjes atdhetare, se përçarja, sëmundja jonë vrastare, duhet të venitet e të shuhet mes shqiptarëve. Të gjithë e pranojmë me zë apo pa zë, se duhet të jemi bashkë, sepse këtë copë Shqipërie e kemi bashkë dhe duhet ta trashëgojmë së bashku.

Besoj se Bashkim Kadiu, pavarësisht moshës, nuk do të ndalojë këtu. Për të nuk është stacioni i fundit. Me vullnetin dhe energjinë që ka, besoj se do na sjellë përsëri libra të rinj, shkruar e qëndisur nga penda e tij.

Kadri Tarelli

Gusht 2021.



30 views1 comment

1 Comment


kadritarelli
Sep 18, 2021

Pershendtje! Mirenjohje shqiptarisht, qe publikni shkrime t etilla qe i bejne jehone pajtimit dhe bashkimit t ekombit! Faleminderit!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page