BANORËT AUTOKTONË TË TIRANËS
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Nov 29, 2021
- 2 min read

Vullnet Mato
Tiranasit e vërtetë, banorët autoktonë,
janë ata që kryeqytetit i thonë “Tironë”;
Ata që kanë mureve, fotot e stërgjyshërve,
me çallmat e hoxhallarëve e dervishëve;
Me qeleshet e hershme të samarxhinjve,
të bakërpunuesve, të teneqexhinjve,
të jorganpunuesve, të argjendarëve
të leshpunuesve dhe të opingarëve;
Ata me këngët e ahengxhinjve të vendit,
që u binin dikur telave të karadyzenit,
Burrat e zamanit me brekushe të bardha,
me brez të leshtë, jelekë, xhamadana,
Ata që pinin rakinë, me poçe balte,
këndonin sevdanë gjer pas mesnate;
Kishin shtëpi të lehta, prej qerpiçi,
gratë me dimite, pas vetes, si ogiçi;
Kishin momet ledhatare që tundnin djepin
që thurnin me shtiza, arnonin, qepnin,
kishin bukuroshet shtatlarta, porsi selvi,
që ua bënin me sy së largu, djemtë e ri.
Ata me nuset e hijshme, të duvakëve,
me zonjat që shkelnin Urën e Tabakëve,
me amvisat e nallaneve, trak - truk,
me djemtë e shtruar, të bindur, të urtë;
Ata me zakonet dhe traditat e mira,
që përherë si molla, u qeshte fytyra.
Banorët bujarë, që hapën shtëpitë,
për dibranët, kosovarët, jabanxhinjtë.
Nderimin më të madh, për ata njerëz,
që krijuan kryeqytetin, të parën e herës,
ngritën Sahatin dhe minaren islamike,
që nuk kërkuan kurrë ofiqe e karrige.
Ata lanë pasardhësit mes kryeqytetit,
si zemra që rreh, në gjoksin e shtetit,
lanë gjakun e pastër, autokton,
në themelet e metropolit, “Tironë”.
* * *
Ne të ardhurit jemi, të gjithë mysafirë,
nga periferi të largëta, këtu kemi hyrë,
jemi mbledhur, nga tërë anët e anës,
duke ngjeshur dy anët e Përroit të Lanës.
Mbushëm kryeqytetin me pallate,
me hyrjet pa fund, me shumë kate,
strehuam një fshat, brenda pallatit,
ngritëm vilat, deri përpjetë Dajtit.
Erdhëm nga Jugu, Lindja, nga Veriu,
dallohemi nga dialekti, i çdo njeriu,
shkelëm me opinga, këpucë, çizme,
me papunësi destinuar për emigrime.
Sot Tirana, prej reve tym e pluhur, rënkon,
Smogu shndërron oksigjenin në karbon,
Vargu i makinave të ndal, si dallga e lumit,
të helmon frymën, të pakëson orët e gjumit.
Lum, kush pendohet e kthehet në periferi,
ku ka lënë ajrin qelibar, më tepër se flori,
ku bari i blertë sfidon rrethimin me beton,
ku ushqimi bio, vdekjen parakohe, ndalon!
Commentaires