
BALADA E FUSTANIT TË BARDHË
Sa herë qëmtoj brengat
më rishfaqet buzëqeshja
e asaj vajze…
Dikur,
me shpresë për të ndezur
një zjarr
ëndrrat tona u copëtuan qiellit
nga goja e arnuar e kohës…
Shpesh
një pikë loti të tretur
i dhuroj tek qetësohet e harruar
thërrmuar degëve,
ngelur në sirtar këpucët e nusërisë
që askush nuk ia dhuroi.
***
Tani e shumë vite
vajza po fle
hedhur mbi vete nën rërën
e kripur të fshatit
fustanin e bardhë…
Para portës së kujtesës
nxitoj hapin e viteve,
më mbyt dëshpërimi i atyre ditëve
të asaj vajze të vrarë…
Me grushtin shtrënguar në zemrën time
përtyp lot, të hetoj dramën e asaj vajze
të uritur për një gllënjkë dashurie!
MËSUESJA IME E PARË
(Kristavgji Bano)
Nga thellësia e moteve të shkuara
dora e Mësueses
ende mi përkëdhel flokët e thinjura.
Sa herë e kujtojë Mësuesen e parë
një muze ndjenjash më ri çelet në kujtesë.
Mësuesja ime Kristavgji Bano,
herë e shohë të re me dy sytë e zinj
herë me atë blerim të kohës,
vetëm mosha e saj di ta shpjegoj botën.
Sot…
ta dëgjova përsëri zërin
më përqafove, t’i putha ato dy duar!
BASHKË ME PRANVERËN BËHEMI TRE
Poet,
ma mbushni gotën plot me verë
të ndjej frymëmarrjen e pranverës
të kap mirëseardhjen e lulëkuqeve!
Ne…
bashkë me poetët jemi natyra
jetojmë me muzikën e luleve të porsa çelura.
A nuk është sot Pranverë?
Eja vashëzë…
vishu me ngjyrat e festës
ti bashkohemi rrëfenjës intime,
për sot
syri i stinës së ngjyrave
ka zgjedhur dashurinë të recitoj!
Dritë gëzimi Pranvera
si bijë e jetës
dhe e dashura ime si sot ka lindur!
***
Në çdo gonxhe trëndafili
unë dhe poeti
bashkë me pranverën bëhemi tre!
TË GJITHA NGA PAK!
Sot
të tria vaktet e ditës
i lagu nga pak
shiu rufjan.
Pak shi. Pak ftohtë,
pak zhurmë makinash.
Të gjithë nga pak lexojnë në fb-k,
nga pak i dorëzohen bukurisë së dashurisë.
Pleqtë e pallatit
nga dritaret kuvendojnë
nga pak me kopshtin
e ndodhur atje pranë.
Banorët e këtij pallati
buzëqeshin nga pak,
kështu bëjnë dhe tipat e komplikuar
kur kalojnë para portës.
Në hyrjen time 133
porta e jashtme hapet dhe mbyllet
me pak zhurmë…
GRUAJA ËNDËRRIMTARE
Ajo,
“Gruaja ëndërrimtare” sodiste veten,
ndjente ftohtë
kur mendonte se ishte aq e bukur.
Me tërë madhështinë e moshës doli nga zarfi,
si shelgu vajtues zgjati duart
në kërkim të së vërtetës…
Kishte rënë peng e vetvetes…
Këtë gjë e dinin dhe rrugicat e moteve
stina e saj ishte vetvetja
donte të bëhej pjesë e asaj ëndrre
vërtetë, ajo fluturon nga qejfi!
I thotë vetes:
-Jam e butë dhe e bukur si ëndërr!
KU SHKONI, O TË PLAKUR…?
Çapiten nëpër ajër të kohës,
kukurisin me pak zë grumbuj të moshuarish.
-Ku shkoni, o të plakur,