top of page

Bajame Hoxha-Çeliku: Pak nga jeta ime në ferrin Komunist  



 

Qysh herë nga moshataret e mia mbahem mend si vjershëtarja, poetja më re ndër kampet e përqendrimit. Më saktë poetja që mundohesha ta ktheja poezinë në këngë. Kështu është e vështirë të harroj poezitë e mia që u kthyen në këngë në Festivalin Kombëtar të Fatosave dhe Pionierëve në vitin 1974. Poezitë e mia, të cilat ishin katër, mahnitën atë festival, i cili u zhvillua në qytetin e Lushnjës. Ishte çmimi i dytë që iu akordua poezisë sime në këngën e titulluar “Xhaxhait tim ushtar”. Nga ai çmim u nderova me Fletë Nderi dhe Flamur nga Radiotelevizioni shqiptar si dhe nga Festivali... Ishte ndoshta çmimi që më pas më mbeti vetëm në mendje, se ai çmim, nuk ndryshoi ndonjë rrjedhë në jetën time të dënuar nga diktatura, ku unë do vazhdoja të isha e internuar për 33 vite me radhë nën kamxhikut të një sistemi ngricë. Punova nëpër kampet e përqendrimit të diktaturës për vite me radhë, duke ëndërruar krijimtarinë, poezinë dhe jetën time të izoluar deri në shpirt e deri në dhimbje. Dhe erdhi viti 1998-të kur teksti im i ri “Tomi dhe Xherri” hyri në këngët më të bukura, kjo ndodhi në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër. Tani unë nuk jetoj më në vendin tim, por jetoj në mërgim, në Belgjikë dhe për mua poezia është një detaj ende i freskët, një motiv jete. Kështu unë krijoj jo vetëm vargun, poezinë dhe ritmin e saj, por dhe prozën e gjatë dhe ndjehem e qetë në rrugën time si një krijuese, e cila më lë mua vetëm hapësirën e së ardhmes dhe nuk më fshin dot arsyen e së shkuarës. Është poezia, proza tashmë, miket dhe shoqet e mia më të ngushta në rrugën e krijimtarisë. Është poezia ime që kap trendët bashkëkohore, duke si parëzuar lëvrimin e poezisë feministe. 

Në vitin 1974 unë, Bajame Çeliku-Hoxha isha një vajzë që isha rritur e po rritesha e internuar në Savër të Lushnjës. Në atë kohë shkruaja me pseudonimin, apo me emrin anonim Ama Çeliku. Ja se si do ta shpjegoj unë atë kohë torturash: 

Punoja në punë të rënda të detyruara, kur pa pritur më vjen një ftesë nga drejtoria e Shtëpisë së Pionierit për të marrë pjesë në një mbledhje të madhe mes poetëve dhe artistëve nga e gjithë Shqipëria. Unë pasi mora leje pa treguar arsyen, disa minuta pas orarit të fillimit të mbledhjes arrita në korridorin e madh. Aty s'kishte këmbë njeriu. Një heshtje e pakëndshme kishte përfshirë atë ambient ku përherë ziente nga gumëzhima e fëmijëve të talentuar. U mata që të ikja kur një zë femre më thërret:  

-Ama! - unë u ktheva dhe njoha drejtoreshën e Shtëpisë së Pionierit, Verën. -Ti je Ama çeliku? - më pyeti.  

- Po, iu përgjigja instinktivisht.  

- Eja pas meje.  

U futem në sallën ku do mbahej një konferencë për festivalin. Salla ishte e mbushur vetëm me burra dhe asnjë vajzë, apo grua. E vetmja poete isha unë, drejtoresha dhe një mësuese muzike, që asaj kohe ishte udhëheqëse e Shtëpisë së Pionierit, e cila martohej ato ditë në Elbasan. Pra e vetmja poeteshë, midis poeteve më në zë të Shqipërisë. Pasi u fol shumë, u kërkua nga ne që të shkruanim tekste për këtë festival. 

Të nesërmen unë me kazmë e lopatë në dorë, duke punuar, në xhep mbaja gjithnjë një copë letër të palosur që shkruaja sa herë që më vinte frymëzimi. Pa e zgjatur, dhe pa e kuptuar shkrova 4 tekste nga të cilat u pranuan tre, kjo ishte një çudi që në një festival të pranohen 3 tekste. Kur unë po zija tre vende po poetet me emër ku ishin, sa vende kishin mbetur për ata?! Nga ky festival jeta ime do te kishte ndryshuar rrënjësisht, nëse pengesat ogurzeza të mos ekzistonin, sepse poezitë e mia ishin pëlqyer jashtëzakonisht nga juria, e cila bëri dhe interesim të mëtejshëm: 

Drejtoria e Shtëpisë së Pionierit, bëri një kërkesë në kamp dhe më kërkojnë mua të zëvendësoja udhëheqësen e pionierit që po martohej. E merrni me mend se çfarë relacioni negativ lëshon kampi, në një kohë kur unë isha aq e pafajshme. Pra, sipas tyre, unë isha një vajzë e një familje armike dhe si e tillë, për sa të isha gjallë duhej të ndëshkohesha, t’i nënshtrohesha fatit të keq nëpër kampet e punës rraskapitëse. Atëherë shkruaja dhe nëpër gazeta dhe pa pritur të tëra rrugët mu mbyllën ende pa u hapur mirë. Në Lushnjë asaj kohe botohej një gazetë lokale me drejtor, redaktor shkrimtarin, Gazmend Kongoli. Më në fund po e merrja një vendim, që shkrimet dhe artikujt e tregimet e shumtë që i kisha shkruar me aq pasion në shtëpi, t’i nisja për botim pikërisht në këtë gazetë, pasi e kisha afër dhe mund të interesohesha herë pas here. Pasi u mendova gjatë, më në fund vendosa të shkoja vetë për ta takuar, por më parë, i kisha nisur një duzinë poezish me anë të postës, si dhe shumë artikuj e tregime. Edhe pse prita gjatë, por gjithmonë me një shpresë të vakët, përsëri asnjëra prej tyre deri ato çaste guximi, nuk e kishte parë dritën e botimit. Heshtja pra, është asgjë, një hiç i hiçit, por në të tilla raste është torturuese. Si është e mundur mendoja e më vinin përgjigjet të njëpasnjëshme si vetëtima që përshkojnë një qiell të kthjellët, asnjë përgjigje qoftë dhe negative nga ana e një porte intelektuale nuk po më vinte? A thua janë të gjitha të pavlerë ato poezi, po as proza nuk u ka mbushur syrin?  

Një ditë pranvere aty rreth orës njëmbëdhjetë po ngjisja shkallët e ndërtesës me shpejtësi rinie, kur të parën gjë që pashë ishte një derë e hapur, e cila më tërhoqi vëmendjen ku dhe syri më zuri tri vajza të moshës sime dhe sakaq, me një pamje të qetë i përshëndeta: 

- Mirëdita, vajza! 

-Mirëdita! - mu përgjigjën një zëri duke mi ngulur sytë me një dashamirësi të çiltër. 

- Më falni, vajza, më lejoni të prezantohem: quhem Bajame Çeliku. Ato hapën sytë sikur u kishte zbritur mrekullia në tokë duke vështruar mua, njëkohësisht dhe njëra tjetrën në shenjë çudie. 

- Urdhëroni, uluni, foli njëra prej tyre dhe më afroi një karrige me politesë. 

- Ua, ti shkruan shumë bukur! - thirri ajo që binte më shumë në sy nga sytë e kaltër dhe trupin elegant.  

- Ne i kemi lexuar, - vazhdoi vajza tjetër, - jo vetëm që i kemi lexuar, por dhe na kanë kënaqur, rrallë shkruajnë kaq bukur sa ju! Madje të gjithë sa punojmë këtu kemi diskutuar për veprimtarinë tuaj. Ti more dhe një çmim në festivalin e fëmijëve, gjë e mirë kjo, mesa di unë tri tekste t’u pranuan dhe t’u çmuan... 

- Edhe tregimet përveç poezive i ke me shumë kuptim, mbi të gjitha edukative dhe të pasur në fjalor, këto janë mendimet e komisionit, por mua më kanë lënë mbresa të thella, jam kënaqur, si dhe poezitë, sepse ti përdor një metaforë të hollë sa të lë me gojë hapur. 

- Ah, sa lirika të bukura, sa asnjë tjetër, se, siç tha shoqja ime, ti e përdor me vend metaforën, ndërsa unë do të shtoja: ti ndjek për mrekulli metrikën që rrallë e arrijnë! Është e vështirë, por ti ke lindur poete! Të jesh poet duhet të jesh vërtet e jo të shtiresh sikur shkruan, pa vullnet e pa talent kot ia nisin disa... Sakaq vajza tjetër që po rrinte si e hutuar pranë saj, zgjati dorën te rafti pranë, kapi disa letra dhe i holli mbi tavolinë, dhe tha: 

- Ja, këto janë kot së koti, pale pretendojnë t’i botojnë, ç‘hipokrizi! Kush shkruan, kujt i botohen...! 

Unë deri atëherë nuk e kisha hapur gojën fare, sepse vështrimi im instinktivisht kalonte sa tek njëra tek tjetra dhe mendimet lumë thureshin e shthureshin në ujëra të turbullta. E kuptoja, të gjitha kishin mbaruar, portat për mua qenë mbyllur, po ashtu si pa dashje e kisha gjetur hyrjen e asaj ndërtese. Nuk më mbetej gjë tjetër, veçse të dëgjoja fjalët e bukura nga vajza të padjallëzuara, të sinqerta si vetë mosha e tyre. 

- Poezia, po nuk pati ritmin, metrikën, figurën dhe stilin nuk është poezi, - thashë unë papritur, sikur doja të shfaqja pafajësinë, dhe arsyen e cila pengonte botimet e krijimtarisë sime. Dola në mbrojtje të vetvetes të talentit dhe të veprave të mia se ishin po ato që dëshmonin se çfarë ishin e sa vlerë kishin. 

- Ke shumë të drejtë, por që ta dish emri yt është lakuar shumë në këto mbledhjet e fundit, se çfarë vendim është marrë nuk e dimë, duhet të presim. Nëse do të të botohen s’ka më kthim pas, ke për të ecur shumë, sepse të krijohen kushte shumë të mira nga shteti, nuk i thonë pak, poete shkrimtare, është një dhunti që ta jep natyra, por zgjuarsia di ta kultivojë, siç je ti, Ama Çeliku!  

- Meqenëse kanë bërë kaq shumë jehonë ku është arsyeja që poezitë e mia nuk po i shoh në gazetën lokale? Ku është arsyeja që tregimet e mia nuk botohen deri më tani? Çfarë fshihet këtu? Ju mund të më thoni të vërtetën, mos kini ndrojtje! 

- Shko te drejtori, vetëm ai e ka në dorë, - më tha ajo e para. 

- Vetëm ai? Apo një komision i tërë; apo një organizatë partie pyetet për krijimtarinë time, nëse e thua këtë, ku mund ta gjej drejtorin?  

- Ja, ajo dera përballë është drejtoria dhe drejtori është aty, trokit e futu brenda. 

- A mund të më jepni një ndihmë? - u thashë. 

- Posi jo, për çfarë bëhet fjalë? 

- A mund të shkoni ndonjëra, iu drejtova asaj më azganes, ti thotë që unë jam këtu, e dua ta takoj? 

- Mirë fare, po shkoj unë t’i them, por jam e sigurt ka për të të pritur sepse është i lirë dhe e di mirë, ai ka shumë konsideratë për ty!  

Sakaq ajo u gjend tek dera duke trokitur dhe u fut brenda. Pas pak doli e më tha: 

- Po, mund të hysh, drejtori po të pret!  

Kur u ngrita unë, pashë drejtorin që doli nga drejtoria dhe po kyçte derën, kjo më befasoi, e megjithatë ne u përshëndetëm në korridor ku dhe më dha dorën. Ai pa bërë zë nisi të zbriste shkallët prej druri dhe ndaloi në pragun e ndërtesës, në atë çast unë e kisha kaluar pragun, pra, ai brenda pragut e unë jashtë tij, mu drejtuar me fjalë të buta duke më thënë:  

-Dëgjo moj vajzë e mirë, mos e kërko tek unë pse s’të botohen tregimet, artikujt dhe poezitë... 

Ndërsa ai fliste mua më ngjante se në tingullin e zërit të tij gjendeshin nuanca vajtimi, nota dhimbjeje. Pasi heshti një cope herë pa me shikuar ne sy vazhdoi: 

- Ti...vazhdo te shkruash vazhdo! Sidomos në prozë...- pas një pauze, vazhdoi: edhe në poezi..., më kanë pëlqyer jashtëzakonisht shumë... Ti nuk duet të ndalesh..., edhe pse ne nuk do t’i botojmë..., prapëseprapë duhet ta ndjekësh si dhe më parë rrugën e bukur të krijimtarisë së pasur, që ti e gëzon dhe lëvron aq mirë. Pastaj duke me hedhur një vështrim nga koka te këmbët me një pikëllim të thellë që dukej ashiqare, ktheu krahët dhe u ngjit shkalleve pa më thëne as ditën e mirë. 

Nga ai çast unë kokë krisura e dhënë shumë pas poezisë, flisja me vete dhe pyesja po veten: qenkam më e aftë në prozë?! Më kujtohet që krahas të gjithave zhanreve shkruaja bukur dhe skeçe e me skeçet e mia konkurronin garat e estradave të fermave dhe gjithmonë Savra, ku bëja pjesë dhe unë, merrte çmimin e parë në saje të skeçeve të shkruara prej meje. Në mos gaboj shpesh i kishte vënë në skenë dhe estrada e qytetit. Dhe ja, një mjeshtër i madh i letërsisë kishte konstatuar tek unë një talent, një krijuese të denjë të së ardhmes, prandaj u përqendrua më shumë, e pikërisht aty e la theksin, tek proza. Patjetër, që nga ai çast u bëra më krenare se kurrë, më entuziaste drejt krijimtarisë dhe aspak pesimiste. Ai njeri me kulturë e me shpirt artisi nuk më fyeu, por më rrëfeu me delikatesë udhën e gjatë që duhej të ndiqja, me pak fjalë, më dha forcë, kurajë, më dha të kuptoj se një dite do te botoheshin edhe shkrimet e mia, se do ndryshonte koha e gjithçka tjetër rreth nesh. Ashtu siç e kisha ëndërruar unë, kishte menduar e pritur dhe ai. Diktaturës i kishte parashikuar një ditë fundin, sepse, sa më shumë t’i zgjatej jeta asaj, aq më shumë i rrezikohej jeta secilit, cilido të ishte ai. 

Pas kësaj dite frymëzimi mu shtua, shkruaja pa pushim edhe në orarin e gjatë të punës. Që në fëmijëri e në rini, në xhepat e pantallonave më ishte bërë ai zakon, të mbaja një laps dhe dy faqe fletoreje të palosura. Sa herë që ngulja kazmën në tokë për ta prashitur, aq herë frymëzohesha nga padrejtësia dhe trysnia e një politike monstruoze e vrastare. Tokën e qëlloja për çdo ditë me kazmën e mprehtë, e më ngjante se isha në një luftë të ashpër me të, e sa herë që e godisja me hyxhym, aq herë më ngjante se nxirrja inatin, sepse krahu im i brishtë ishte lodhur herët. Goditjet kërkonin forcë, sepse qëllonin në tokë të fortë dhe ato nuk ishin pak, por me qindra e mijëra herë në ditë. Zakonisht nxitoja jashtë fuqisë që t’i lija shoqet pas, e gjersa ato të më zinin, unë e frymëzuar i kisha hedhur vargjet në letër. Kur shkoja në shtëpi i hidhja në të pastër dhe i ruaja me kujdes dhe pak nga pak ato u bënë stivë e po i zinte pluhuri i viteve e nuk po e shihnin dot dritën e botimit. Qe një jetë në tortura të tmerrshme psikologjike dhe ato fizike, nuk shija kurrkund një dritë jeshile, apo një dalje shpëtimi, e megjithatë më gëzonte fakti se isha përsëri optimiste dhe e fortë. Kurrë nuk isha përkulur para asnjë trysnie, as nuk kisha kërkuar mëshirë apo ndonjë privilegj. Gjithnjë më karakterizonte një forcë e patundur në zotimet e mia. Zoti më bëri shumë të fuqishme për t’i përballuar të gjitha prapësitë e regjimit totalitar me nder e faqe të bardhë. Kur erdhi demokracia kisha shumë krijimtari të grumbulluar, por që të shprehem drejt, nuk pata në plan të botoja asgjë prej tyre. Pasi fëmijëria, rinia më qenë djegur, e një pjesë e mirë e jetës, kështu s’po më tërhiqte më ajo fushë që tashmë, bashkë me regjimin kish vdekur për mua. 

 

Rikthimi... 

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page