
Burri i urtë që vuajti padrejtësinë. Babushi dhe Xhushja, -një cift i rrallë.
Imer Kallulli, xha Imeri, apo Babushi, siç e thërrisnin fëmijët e tij, por edhe të gjithë fshatit,
lindi në fshatin Sasaj, të Bregdetit të Jonit, më 2 mars 1915.I ati i tij, Hajredini, kish emigruar
qysh në rininë e tij, në Egjipt dhe, me fitimet nga puna e rëndë dhe e mundimshme, si
emigrant ekonomik, bleu një sipërfaqe toke, (që në atë kohë quhej «çiflig») në fshatin
Mavropull të Delvinës. Pas Luftës së Dytë Botërore, sistemi komunist, që u vendos në
Shqipëri, do ta zhbënte çdo gjë të fituar e të vënë me djersën e ballit, që nga prona e deri tek
e drejta për të jetuar. Do të ta shkruanin biografinë paria e fshatit e futur në radhët e
këshillave popullore dhe të frontit Demokratik. Do ta bënin ligjin komunistet pa shkollë e pa
brekë në bythë, e me rroba shollondure. Sikur të mos mjaftonte kjo, një rrethanë tjetër e
sikletshme dhe shtrënguese, ishte Emigrimi, që u quajt edhe arratisje, pasi shumë
emigrantëve nuk u dihej adresa, kurse të tjerë rezultonin të zhdukur, «pa nam, pa nishan».
Imeri trashëgoi pronën e blerë nga babai. Këtë tokë ata e mbillnin me misër, pasi mali i
Lavanit, që mbillej me grurë, nuk i plotësonte nevojat. Shpesh edhe fshatarët e tjerë që
blinin misër në Vurg, e bluanin dhe miellin e misrit e përzienin me atë të grurit dhe kështu
bëhej një bukë, që quhej MAMACE. Pas Çlirimit Imeri u quajt «çifligar» padrejtësisht, jo me
tokë të grabitur, por me tokë të blerë.
Para mbarimit të Luftës Nacionalçlirimtare, mbeti në Francë dhe nuk erdhi më njëri nga
vëllezërit e Imerit, Murat Kallulli, i cili pas mbarimit të Liceut të Korçës, në vitet '30-të, të
Shekullit të njëzetë, vazhdoi studimet e larta universitare për mjekësi. Të gjitha këto, që nuk
kanë asnjë sens në logjikën njerëzore e praktikat botërore dhe që nuk ekzistojnë as si
fantazi, do ta shpallnin Imer Kallullin kulak, duke e privuar atë dhe fëmijët e tij nga shumë
favore e lehtësira që jepte, regjimi për të tjerët. Por, siç thashë me lart, urtësia e tij, bëri që
t’i kapercente disa nga vështirësitë e kohës. Imeri kish bashkëshorte Selfixhenë(e datëlindjes 21/1/1921), të cilën nëna e saj e kish lindur me Jaho Maton, i cili u vra aksidentalisht në kohën e Zogut. Fëmijët e tij trashëguan genet e talentit e të mënçurisë, jo vetëm nga Kallullajt që ishin bij, por edhe nga
Matajt e Fterrës nga ku ishin nipër, nga nëna e tyre. Imeri me Selfixhenë patën dy vajza e tre
djem. Me zotësinë e tyre çanë mes veshtirësive. Anijeja (Nitja) punoi në Kombinatin
Ushqimor '’Ali Kelmendi'' në Tiranë. Nebahetja (Batua), në Agjencinë e Trasportit të Udhetarëve (në Stacionit e Trenit) në Fier.
Engjellushi, mbaroi gjimnazin në Tiranë, si dhe kursin e shoferave. Më pas punoi po shofer
në sistemin bankar në transportin e valutës. Hajredini (Dilja) mbaroi për teknik i mesëm
ndërtimi, po ashtu dhe Plotësimi. Këta kryenin edhe profesionin e muratorit, saldatorit,
elektriçistit etj. Kështu Imeri në shkollimin e fëmijëve, iu shmang profesioneve ideologjike e
kulturore që përgatiteshin në shkollat pedagogjike, të Kulturës, të artit, inxhinierisë apo
mjekësisë, ku kishte kerkesa të rrepta e strikte, sidomos në drejtim të biografisë politike. Në
kohën private ata kishin edhe Litërvinë (punishten e nxjerrjes së vajit të ullirit). Por me
qëndrimin e tij të matur dhe të zgjuar përballoi dhe kapërxeu me sukses, vështirësitë dhe
opinionet e kohës. Kështu, fshatarët e Mavropullit, flasin mirë për Imerin dhe gjithë
Kallullajt. Ai nuk sillej me ta si çifligar tipik, harbut, shtypës e gjakpirës, por si vëlla se edhe ai
vete ishte fshatar dhe se atë copë tokë e kishin blerë për bukën e gojës, dhe se e kishin blerë
me te ardhurat nga puna e krahut, ashtu siç punojnë edhe sot emigrantët, për të jetuar dhe
për të patur një shtëpi, ku të futnin kokën.
Kur filloi hapja e tunelit Tatzat- Sasaj, Vangjel Nusha nga Mavropulli (mësues), bënte stazhin
e kandidatit të Partisë dhe punonte fizikisht në tunel, por shkonte shpesh tek Imer Kallulli
dhe shiheshin si miq e jo si shfrytëzues e i shfrytëzuar. Po kështu edhe raste të tjera. Imeri merrte vetëm detyrimin nga fshatarët dhe pjesën tjetër ua linte atyre, ta ndanin vetë
prodhimin e misrit apo të grurit, për sa u takonin. Ky ishte një humanizem apo njërzillek i
treguar nga xha Imeri. Ishte shumë e rrallë në atë kohë që punëtori të flasë me kaq
dashamirësi për pronarin. Në vitet 1945-1946, Murati, vëllai i Imerit, dërgoi disa sende
ushqimore e veshmbathjeje që ti merrnin si ndihmë, si të dëmtuar nga lufta. Por xha Imeri
nuk i mori ato, duke i kthyer mbrapsht. Kështu, Murati, pagoi dyfish taksën e doganës.
Murati, duke e njohur mirë sistemin komunist, sepse kish jetuar pikërisht atje ku
triumfoi për herë të parë Komuna e Parisit, për të mos dëmtuar vëllezërit, nderpreu
korespondencën përfundimisht. Në vitin 1963, një delegacion i Ministrisë së Bujqësisë
shkon në Francë. Një nga pjesëtarët e delegacionit u sëmur dhe u shtrua në spitalin privat të
Muratit. Personeli shërbyes, mori menjëherë në Telefon Muratin se i sëmuri flet në një gjuhë
që nuk e marrim vesh. Por Murati e dinte se mbante marrëdhenie të mira me ambasadën
shqiptare në Paris dhe se ambasada jonë e kishte dërguar pikërisht atje. I sëmuri vuante nga
ulçera duodenale. U operua dhe u shërua pas ca ditësh. Shokët e tjerë të delegacionit qënë
larguar për në Shqipëri. Kishin biseduar shqip.
Murati i tha se ishte nga Delvina, kurse shqiptari tjetër i semuri ishte nga Dibra (Peshkopia).
Murati e kishte kuruar mirë, i kishte dhënë ilaçe, i kishte dhënë edhe numrin e telefonit, por
ky qe habitur nga ai lloj telefoni me aq shumë shifra. I kishte dhënë edhe një xhakavento për
Qemalin, që jetonte e punonte në Tiranë si shofer. Ky mezi e mori, por dibrani e siguroi se
nuk do ta hapte gojën kurrën e kurrës. Babai ynë e çmonte shumë si Imerin ashtu edhe të
shoqen. Nëna jonë ishte gjak me Selfixhenë.
Nganjëherë babai më dërgonte për të marrë «turjelën», një vegël e thjesht shpimi për të
hapur «vrima» në dru. Unë tregohesha i papërtuar dhe i thoshja se do misesha të veja që
tani, por ai më thoshte me zë të qetë: - Jo më thoshte, një çikë më vonë, se janë deri
agallarësh ata ngrihen shpejt nga gjumi. Me të vajtur në lagjen e kodrave, ku kishin shtëpinë,
xha Imeri më priti buzagaz, karakteristikë dalluese e tij. Ishte ulur në fundin e shkallëve që të
çonin në «odë». Pasi u përshëndetëm, me tha me një shaka gazmore: - Hë, ç'thotë baba
shehu?! Meqënëse teqetë kishin baballarë dhe shehlerë, kështu u thoshnin muhipëve dhe
besimtarëve bektashinj. Unë ngrita supet i zënë ngushtë. –Lëre djalin, ç'i thua i tha e shoqja,
Xhushja, edhe ajo me dashamirësi dhe me buzë të qeshur. Kështu këta njerëz të thjeshtë,
shkruajtën në shpirtin, zemrën, kujtesën dhe imagjinatën tonë, dashamirësinë për ne dhe
vlerat e familjes së tyre. Imerin nuk mund të mos e kujtosh, pa një peshore për pesha të
lehta, që e merrte me vete sa herë vente e vinte në magazinë. Me gjuhën e fshatit i
thoshnim «pallancë ose bellënxë». Ishte një zigj i vogël me një pjatë, varur në tre zinxhirë
anash, që peshonte për së lehti (nga kilogramët ose «qilet») dhe për së rëndi (nga «okët»).
Këto dhe zigjet e tjerë, më të mëdhenj, ishin peshore që përdoreshin në kohën turke, por që
vazhduan të përdoreshin edhe gjatë periudhës së socializmit dhe ishin përafërsisht të sakta,
me diferenca të vogla.
Një veçori tjetër që e bënte Imerin të dallohej nga të tjerët ishte dalja në «mexhlis», në
qëndër të fshatit tek xhamia(ose mëni ). Dilte rrallë, por edhe fliste rrallë. Veç ishte i vetmi në fshat që, kur delte, lyente me bojë të zezë shollët (opingat), me bojë të zezë. Kështu, shollët e Imerit, dukeshin si këpucë. Një tjetër veçori, por këtë radhë e gjithë familjes, ishte përdorimi i bukës prej «thekre». Kjo ishte bërë edukatë në familjen e Imer Kallullit. Veçanerisht fëmijët uronin nënën e tyre Xhushen që e gatuante aq të shijshme. Imeri kishte toka në malin e Lavanit, si gjithë të tjerët. Tokat e varfëra i mbillte thekër. Kashtën e thekrës e përdornin për samarë për kafshët. Prapa shtëpisë kishte baçè me portokalla e lejmonë që i vadiste me ujët e burimit të Ujthit, por me vështirësi pasi ky një ishte i paktë, dhe vinte me vështirësi, sa «te fryhej» vija. E vetmja shtëpi që e zinte uji me rrjedhe të lirë. Ky ishte Imer Kallulli, njëri që
jetoi me nder, me gjithë familjen. Jo vetëm kaq, por bëri edhe ndere, nderoi të tjerët, pra
ishte i zoti i ndereve. - Babai im, Remzi Serjani, që ish- i njohur si bejtexhi në fshat, i bëri këtë bejt, xha Imerit: O Imer, oi,oi// A ta thënçim më shtëpi… O Imer, o kokëferrë// Të meti mëndja në Fterrë…(meqenëse kishte gruan andej) .Xha Imeri qeshte, por nuk mund ta fshihte dëshperimin që i shkaktuan vargjet, babai ynë ia ndryshoi vargjet: - O Imer njeri me vlerë// Hajt të vemi bashk' në Fterrë// Me Ruhon e Selfixhenë. Pas kësaj gazi mori dhënë, sepse nga trapeza tjetër e përsëriste këngën Zenel Rezvani. Në fund të gjithë e përgëzuan Remziun, duke i thënë: «Ë ë ë, tani po, ja kështu ka lezet!» Ky ishte xha Imeri ynë i dashur, zëmërmiri, Imer Kallulli! Babushi dhe xhushja janë ndarë nga jeta përkatësisht më 2/10/1982 dhe 11/3/2007.
Mentor Serjani, 2020.
Comments