top of page

BËN FTOHTË


BËN FTOHTË


Trishtim,

boshllëk,

kohë e keqe!

Askush nuk e ka atë,

atë forcë të më thyej sot monotoninë time,

pesimizmin,

utopinë vrasëse.


Sot natyra është zbardhur!

Që dje, vazhdon të bjerë pa pushim dëborë e ngatërruar...

Bën ftohtë,

s'kam dalë fare.

Dhe kjo stinë ka bukurinë e saj kur horizonti është i mjegullt.

Por, do të ishte vërtet e bukur sikur të ishim të rinj!

Tani, vështroj nga dritarja,

dëgjoj muzikë italiane,

dhe kujtoj vitet e Savrës!

Vitet vrastare,

që na vranë fëmijërinë,

na vranë rininë,

na vranë të ardhmen.

Oh, sa të vështira që qenë ato!

Por ato, mbartin në vetvete bukurinë e rinisë sime.

Mbartin buzëqeshjen e padjallëzuar,

Virtytin, dëlirësinë vajzërore të pastër si kristali.

Zot, ndjej nostalgji!

Pak herë binte dëborë në Lushnje,

E ne e shfrytëzonim bardhësinë e saj,

luanim me topa bore,

vraponim, rrëshqisnim,

se brenda shpirtit kishim rininë e pamohuar.

Sa bukur që ishte!

Sot po derdh nostalgji për Savrën e rinisë sime,

edhe pse ishte fatkeqësia ime.

Savrën unë e tres me rininë,

bukurinë, vishkullin, energjinë e bukur,

rinore, e përmallshme.

Ajo më bëhet e bukur, e freskët, e paharrueshme.

Edhe sot e shoh gardhin e

vjetërsuar të kampit mbas shumë vjetësh,

oborrin, gjithçka për rreth,

e më kap një nostalgji,

duket sikur më vjen keq të largohem

nga ai internim i tmerrshëm.

Nga të pafajshmit e ngujuar brenda kampit me tela...

Që ca janë, e ca ikën... Ikën...

Tani, përmes kujtimeve

rrokullis ditët duke vështruar

e soditur natyrën dimërore brenda mureve,

nëpër parvazet e dritareve.

Dhe psherëtij brenda vetes,

sikur dua të arrij atë,

atë që se ka mbërritur e kthyer askush.

Mjerisht, dua apo s’dua unë,

kështu, në qetësi, do të mbyllen sytë një ditë,

në gjumësinë e përjetshme!

106 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page