Luan Çipi
Telefoni xër-xër. Avokat Petrua sa kishte ardhur në zyrë, ndërsa ky telefon i bezdisshëm xër-xër.
-Alo, alo...
-Po fol, mor shok, fol! Ngele alo, alo. Kush je ti? Prezantohu njëherë, sipas rregullit! -Jam… Dëgjohet një belbëzim i pakuptueshëm, i paformuar mirë: “Hajde lat!”
-Ou! Paske qejf ti dhe po flet me vete. Unë as të dëgjoj dhe as po të kuptoj seç thua. Hajt, ngjatjeta!
Xër-xër, përsëri zilja e padurueshme e telefonit.
-Bamapi jam. Dëgjon ti apo s’dëgjon? Pse s’përgjigje? Hajde lartë, të thashë. Burokrat! Avokat Petrua, juristi ynë i Seksionit të Organizimit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Vlorës, (i kohës së “qepës”) përsëri i nervozuar, e përplas me inat dorezën e telefonit (sikur ajo t’ia kishte fajin) dhe shan me zë.
-Ç’ke që mërzite, - i thotë shoqja Liza, shefja e tij. Ti, përgjithësisht, je burrë i qetë. Po me telefonin ç’ke? Ai ta ka fajin? Do të jetë ndonjë hallexhi...
-Si, moj shoqja shefe, si mos të mërzitesh?! Ka dhjetë minuta që më provokon në telefon një i belbët, me zë fëmije. Duket, do të tallet me mua...
-Po pse, ç’të thotë?
-Thotë pikërisht kështu: “Jam Bamapi - ajde latë”.
-Ou, ç’na bëre! Na fike të gjithëve! Si, ore, vete e i mbyll me arrogancë telefonin?! Po ai është Kryetari i ri i Komitetit Ekzekutiv, që sa është emëruar dhe s’ka veçse dy ditë që ka filluar nga puna. Ai, s’ke ç’i thua: alamet burri, po i ha pak llafet, ndërsa ti nuk ke turp, po e quan të belbët... Me sa duket kryetari i ri, ka hapur numëratorin telefonik, ka gjetur numrin tonë dhe kërkon juristin e seksionit të organizimit për ndonjë interpretim juridik. Ik me vrap! Ç’pret?
-Obobo, ç’më gjeti! Si moj, Kryetari! E hëngra më duket. Edhe kjo më duhej mua. Petrua vesh xhaketën dhe niset me nxitim, i tronditur e me frikën deri në palcë dhe duke u menduar e folur me vete:
-Mirë, o vëlla, po zyra e Kryetarit është poshtë, në katin e dytë dhe ne jemi më lart, në katin e tretë. Ai pse më tha ajde latë, që do të thotë... hajde lart? Nejse, ai kështu tha. Unë urdhrin e dëgjova saktë, bile qoftë dhe ashtu, të belbët. Me sa duket, do të ketë ndonjë problem urbanistik apo ushtarak dhe kërkon që ta sodisim qytetin nga tarraca e Komitetit, ku ka pamje të lirë e të plotë.
Dhe Petrua ngjitet me vrap në tarracë, po atje s’kishte këmbë njeriu. Për fat nuk ishte as dezhurni i MCR-ës, që rrinte zakonisht në gatishmëri. Ishte vetëm sirena e alarmit ajror dhe mitralozi kundërajror i gatishmërisë, i mbuluar me mushama e me një gisht pluhur. Ishim në kohën e demaskimit të Traktatit Ushtarak të Varshavës dhe mitralozi ishte i domosdoshëm, për të “shpëtuar” vendin... në rast sulmi ajror. -Shyqyr, qenka stoli bosh. Po pres këtu. Dhe si priti e priti, u shtri i qetë, sa gjatë e gjerë, duke ngjeshur xhaketën pas trupit.
Atje, poshtë, në Zyrën e Organizimit, po binte sërish me shqetësim zilja e telefonit. -Urdhëro, përgjigjet këtë radhë me druajtje, shefja Liza.
-Po ç’u bë ai juristi? Pse s’po vjen? Atë do të pres unë? I thashë të ngjitet urgjent lart. -Më fal, po ku jeni Ju, shoku Kryetar, pyet Liza, tani edhe ajo e shqetësuar.
-Në zyrën time jam. Ku do jem, në qiell?
Atëherë Lizës i shkoi menjëherë në mendje ndonjë budallallëk i mundshëm i avokatit të saj hutaq. Kryetari i ri, ardhur nga gjiri i klasës punëtore, që nuk i dinte zyrat e Komitetit, do të ketë menduar që juristi është në katin e parë dhe ndaj gabimisht e fton lart, për në katin e dytë, ku është zyra e tij. Petrua, pa u thelluar, e ka marrë si të mirëqenë urdhrin “lart” dhe vërtet do të ketë shkuar në tarracë, ku tjetër?
-Me vrap të ngjitem dhe unë lart, tha Liza.
Petrua, fare i qetë, vazhdonte të rrinte i shtrirë mbi stol, mbështetur pas parapetit. Ai mendonte se do të rrinte gjatë aty në pritje, ndërsa, dreqi ta hajë, kishte gjithë atë punë që e priste në zyrë. Kur pa dhe Lizën aty, i tha:
-Hë, shoqja Liza. Të urdhëroi kryetari të vish edhe ti këtu? Po ç’të na dojë, xhanëm, këtu pranë mitralozit? Për ndonjë rikonjucion ushtarak, besoj...!
-Ik, ore jurist poshtë, në katin e dytë, në zyrën e Kryetarit dhe shpjegoji atij ndonjë çështje nga ana ligjore! Ti, nuk je as mitraljer e as topçi, po avokat.
-Pse, u bë pishman? Nuk do të vijë këtu, qoftë dhe për problemet urbanistike të qytetit? -Po ç’punë ke ti me urbanistikën e qytetit, sos je inxhinier urbanist ti? Ai, me siguri, të kërkon të të pyes për specialitetin tënd dhe, meqë nuk të njeh ai kujton se ti, si jurist i staxhionuar, diç di. Dhe ka jo pak, po një orë që po të pret. Është bërë bishë.
-Ika, ika. Obobo! E hëngra, më duket. Këtë radhë, rrezik të pushohem nga puna!
Comments