top of page

ATYRE QË E PRITËN PUSHTUESIN ME ARMË NË 7 PRILL


SHPENDI TOPOLLAJ


NDERIM NGA PRESIDENTI I REPUBLIKËS PËR VEPRËN E NDRITUR TË

ATYRE QË E PRITËN PUSHTUESIN ME ARMË NË 7 PRILL


Me rastin e 7 Prillit, ditës kur Italia fashiste sulmoi vendin tonë, në mjediset e Presidencës, u zhvillua takimi përkujtimor, ku zoti Ilir Meta vlerësoi veprën e dy luftëtarëve që e pritën në Durrës armikun me armë në dorë; Isak Metalisë, që ra dëshmor i Atdheut dhe oficerit akademist Xhevdet Ballanca. Ata u nderuan me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” që ju dorëzua të afërmëve të tyre. Gjithashtu, me titullin “Kalorës i Udhërit të Flamurit” u dekorua dr. shk. Sali Hidri, i cili me shkrimet, kumtesat, librat dhe organizimet e përherëshme i ka bërë jehonë asaj lufte të lavdishme. Në emër të OBVL - së e cila kishte bërë edhe propozimet përkatëse, përshëndeti shkrimtari Shpendi Topollaj, nënkryetar i Degës së kësaj organizate për Durrësin. Në fjalën e tij ai tha:

Shumë i respektuari zoti President i Republikës dhe ju të pranishëm që keni ardhur për të kujtuar dhe vlerësuar disa nga figurat që kanë pasur një rol të rëndësishëm në ditën e shënuar të 7 prillit 1939. Për hir të pozicionit të veçantë që zë në hapësirën adriatiko - mesdhetare, Durrësi, porta hyrëse e atdheut tonë, në historinë e tij tremijë vjeçare, ka përjetuar shumë lakmira që kanë çuar në sulme dhe pushtime barbare. Qysh në kohën kur u ndërtua nga iliro - taulantët, në shekujt XIII - XI p. k. mbreti Epidamn, u detyrua së pari të ngrinte mure fortifikuese për ta mbrojtur atë. Në këtë qytet me autoritet u ndeshën pas prishjes së Triumviratit të Parë, ushtria e Pompeut me atë të Çezarit në vitin 48 p.k. dhe ku ky i fundit, jo vetëm humbi për herë të parë, por sipas pohimeve të Salustit, Lukenit dhe Plutarkut me shokë, apo pohimeve të vetë atij te “Komentarët mbi luftën civile”, pyeti sesi e bëra unë atë gabim që atakova Durrësin. Muret e qytetit tonë të ngritura nga perandori Anastas dhe që shërbyen për t`u bërë ballë hordhive arabe, frënge e veneciane, këto mure, ku në vitin 1018 u vra monarku i Bullgarisë Ivan Vlladisllavi, flasin qartë se këtu popullsia po mësohej me fatin e vet tragjik që pasoi me 13 Gushtin e vitit 1501 kur turqit që e quanin Durrësin “Konstadinopojën e Dytë” e pushtuan, siç bënë edhe më vonë serbët në 1913, austro - hungarezët në 1916 dhe italianët në 1919. I përmenda këto, jo se ju nuk i dini, por për t`u thënë se në 7 Prill të 1939, populli ishte i përgatitur shpirtërisht, pra ishte plotësisht i ndërgjegjësuar se sapo Atdheu të ishte në rrezik, ata duhej të rroknin armët dhe t`i vinin trimërisht gjoksin armikut, për të mbrojtur me çdo mënyrë nderin e dinjitetin e tyre. Armët e tyre mund të ishin primitive, por ata e kishin rrënjosur thellë porosinë e poetit kombëtar Naim Frashëri se “Topi që shemb kështjellat më të forta është atdhedashuria”. Dhe pikërisht kjo atdhedashuri i çoi ata, edhe pse të paktë në numër (360 vetë vetëm në Durrës, gati sa spartanët e Leonidhës në betejën e Termopileve), t`i dilnin përpara ushtrisë fashiste musoliniane prej 50.000 ushtarësh, të pajisur me armë nga më modernet, një pafundësie kryqëzorësh e mjetesh detare dhe 600 aeroplanësh që nxinë qiellin nën komandën e gjeneral Guxonit. Vetëm në bregdetin e Durrësit, kolona përbëhej nga Divizioni “Murzhe”, një regjiment bersalierësh, një regjiment tankesh, grupi taktik me dy batalione speciale, një batalion i regjimentit 47, një batalion motomitralierësh, tre batalione çiklistësh, autotransporti, artilerie njëzetëshe, regjimenti granadier etj. të shoqëruara nga flota e madhe ajrore. Luftuan heroikisht ata burra, vaditën me gjakun e tyre tokën e shenjtë arbërore dhe dhanë jetën Mujo Ulqinaku, Hamit Dollani, Hysen Koçi, Ibrahim Osmani, Ismail Reçi, Ramazan Velia e 49 vjeçari nga Striçani i Dibrës Isak Metalia. Dhe me ta luftonte pa u trembur oficeri akademist me origjinë nga Dibra e Madhe, Xhevdet Ballanca, miku i Abaz Kupit, Nako Spirut, Iliaz Rekës, të cilin me shumë të drejtë zoti President po e dekoron, pas propozimit të dërguar nga Heroi i Popullit i ndjeri Rrahman Parllaku në emër të OBVL - së. Këtu në Durrës, këtë njeri të ndershëm që kishte mbuluar dikur me xhaketën e tij fytyrën e Mujos së vrarë,ne e kemi njohur, kur sistemi e katandisi lulishtar, duke i a mohuar të gjitha meritat, si dhe djemtë e tij, nga të cilët Genci, ai burri i virtytshëm, kishte qenë edhe partizan, në grupin e II - të të Çetës së Pezës e pastaj përgjegjës Rinie batalioni e zv. intendent i shtabit të Brigades IV - të, drejtuar nga i talentuari Nexhip Vinçani. Por le të kthehemi te e premtja e zezë e 7 prillit. Vendi u pushtua. Por s`duhet harruar ajo thënia e filozofit nga Shtutgardi Georg Vilhelm Fridrih Hegel se “Më mirë është të luftosh dhe ta humbësh betejën, sesa të mos luftosh asnjëherë”. Ata burra e kryen me nder detyrën, duke e pritur me plumba armikun, por edhe duke shkruar me gjakun e tyre një nga faqet më të lavdishme të Luftës së popullit tonë. Ata me veprën e tyre u shndërruan në simbole me përmasa epike, për të mos thënë legjendare, ndaj dhe ne sa herë dalim e shëtisim andej nga ajo Torra pranë bregut të detit, pranë atij monumentit të Mujo Ulqinakut, rrethuar me tre topa të vjetër kuptimplotë, ndihemi sa krenar aq edhe të frymëzuar se në çdo hallkë të zinxhirit të historisë tonë, duhet të ndjekim rrugën e tyre. Ja pse gjithashtu, ndihemi të lumtur kur shohim se edhe intelektuali dhe historiani i dëgjuar, dr. shk. Sali Hidri që me librat dhe kumtesat e tij të shumta ka bërë gjithçka ka mundur për të ndriçuar veprën atdhetare të figurave të shquara që qyteti ynë ka nxjerrë dhe që të përmbledhura afërsisht i ka quajtur “Roli i patriotëve durrsakë në Lëvizjen kombëtare shqiptare”, dekorohet në 80 vjetorin e tij të lindjes. Si përfundim dua të kujtoj thënien e Mark Tul Ciceronit se “Jeta e të vdekurve është e vendosur në kujtesën e të gjallëve”. Ja pse kjo veprimtari kushtuar atyre heronjve që tani nuk rrojnë, merr një vlerë të veçantë, ku duhet falenderuar me gjithë zemër, vëmendja e zotit President. Se vetëm kështu vlen konstatimi i Brehtit se “Është fatkeq vendi që nuk ka heronj”.

25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page