Aty bëmë muajin e parë, si thonim “karentinë”...


Prof Dr Mark Tirta


Një studiues i zellshëm i vlerave etnokulturore e shpirtërore të popullit tonë

(Në intervistë me Akademikun Prof. Dr. Mark Tirta ka renditur aktivitetin shkencor 50 vjeçar të tij, por edhe risitë në fushën e kërkimeve shkencore dhe produktive.)


Intervistoi FRAN GJOKA


Si ndodhi që u futët në rrugën e studimeve në etnologjinë shqiptare, duke qenë një djalosh i ardhur nga malësia?

Kam lindur e jam rritur në Lëgjin të Oroshit të Mirditës, mes malesh, shumë larg qyteteve e rrugëve nacionale. Dihet se asgjë nuk vjen në të ndriçuarit e jetës pa shkaqe e rrethana të caktuara. Në rastin tim këto janë të shumta e të ndërthurura në mes tyre. Me pak fjalë këto shkaqe e rrethana nuk është e mundur të sqarohen si duhet. Po mundohem të shpjegoj diçka prej tyre:

Babai im e nëna ime kanë qenë shumë punëtorë në shërbim të jetës së familjes. Babai, në këtë vështrim, ka qenë i jashtëzakonshëm: bënte me shumë mjeshtëri bujqësinë, pemtarinë, vreshtarinë. Punonte me pagesë, sidomos dimrit, si teknik gëlqeresh, si marangoz e ndërtues muresh. Nëna ime ka qenë gjithnjë "zojë shtëpie", pra menagjuese e ngrënies dhe e punëve të ndryshme në shtëpi; ka menagjuar kopështet për perime të ngrënies në shtëpi; ka qenë rrobaqepëse e përkryer për veshjet mirditëse për gra e për burra; ka bërë rroba për tërë njerëzit e shtëpisë, po për të tjerë ka bërë me pagesë. Këto punë tërë energji të prindërve të mij kanë ndikuar shumë në jetën time: këto kanë qenë shtysa të fuqishme për të ecur përpara në punët e jetës sime, për të shpërthyer energjitë si rrufe para furtunës...


Intervistoi FRAN GJOKA

Shtysë e fuqishme për të ecur përpara dijet e mia kanë qenë, mes të tjerash, dhe këto përjetime: Vëllai im më i madhi mbaron si i jashtëm 5 klasë fillore në Orosh, po kështu dhe vëllai i dytë: Gjoni, mbaron 5 klasë fillore në konviktin e Oroshit (konviktor) si nxënës i brendshëm. Vëllai i madh i nanës sime nga shtëpia e Bajraktarit të Kryezezit, jo larg Rubikut, kish mbaruar 5 klasë fillore e shërbente xhandar; vëllai i dytë mbaron gjimnazin në Shkodër e të dy gjatë një dreke te një i njohur, me sa duket, u helmuan e vdiqën menjëherë papritur (1939). Në shtëpi të tyre kishte një sasi shumë të madhe librash e mbasi vdiqën ata nuk kishte se kush t'i lexonte. Kështu, i mbartën me kuaj prej Kryezezi e i prunë në shtëpinë e babës në Orosh që t'i lexonin dy vëllezërit e mij më të mëdhej: Pjetri e Gjoni. Mbaj mend se shumica e librave ishin shqip, po kishte jo pak libra italisht, frëngjisht, gjermanisht. Librat shqip na i lexonin: poezi nga N. Frashëri, A.Z. Çajupi, po sidoemos nga të P.Gj. Fishtës si "Gomari i Babatasit", "Anzat e Parnasit", "Lahuta e Malsisë" e me radhë. Kënaqeshim duke i dëgjuar. Kur dy vëllezërit lexues nuk ishin në mbrëmje në shtëpi, ne fëmijët dëgjues mbeteshim shumë të mërzitur, si "të uritur". Të tërë mendonim e bisedonim se si do të mësonim t'i lexonim vetë këto gjëra të bukura, lumturuese. Këto ishin shtysa të forta psikologjike për t'u arsimuar e për t'i përthithë vetë gjërat e bukura mbresëlënëse nga librat.

Një ditë, kur unë nuk isha, ndoshta, më shumë se 6 vjeç, Abati i Abacisë së Oroshit e kërkon babën t'i shkojë në selinë e tij. Babai shkon e ai i thotë se njërin nga djemtë e shtëpisë (ishim 6 vëllezër e 2 kushërinj, djem të xhaxhait) don ta marrë e ta shkollojë për ta bërë prift. Baba e pranon këtë mendim. Abati i thotë se emrin e djalit që do ta vendosni për ta bërë prift nuk do ta thuash tani, por ta bisedoni me tërë njerëzit e rritur të shtëpisë e bashkë do ta caktoni, por ai të mos jetë nga më të mëdhenjtë, por nga ata 5 a 6 ose 7 vjeç.

Në mbrëmje, ku ishin të pranishëm tërë njerëzit e shtëpisë, të moshuar, të rritur e tërë fëmijët, u bisedua për një fëmijë që do ta dërgonin në shkollë për prift. Të tërë ranë në një mendje që në shkollë për prift të më çonin mua se unë në foshnjëri isha sëmurë shumë herë; kisha ardhur i dobët nga shëndeti. U tha se Marku për parmendë, për kazëm, për të kullotur bagëtitë ndër male, nuk mund të bëhet, po ndoshta "bahet për kalem". U vendos me mirëkuptim nga e tërë familja që Marku të shkojë në shkollë për prift. Të nesërmen baba më çoi te Abati në Abaci e i tha se tërë familja vendosën që këtë djalë të dërgojmë në shkollë për prift. Abati më përkëdheli njenën faqe e më pyeti nëse unë dëshiroja të shkoja në shkollë për t'u bërë prift e përgjigja qe një "po!". U tha se shkollën fillore do ta bëja në Kuvendin Françeskan në Trashan të Lezhës, të mesmen do ta bëja në Shkodër e Shkollën e lartë për prift në Romë. Të tëra do të bëheshin me shpenzimet e institucioneve kishtare.

Abati, për të më dhënë disa mësime fillestare mua, ngarkoi priftin Dom Mark Xhani. Vija te Abacia 4 herë në javë e më bënte mësim nga 2 orë në ditë. Më mësonte shkrim e lexim, arithmetikë, disa poezi e mësim besimi. Kjo zgjati 6 muaj. Abacia ishte rreth një orë larg shtëpisë sime; për mua që isha i vogël ndoshta dhe më tepër. Këtu filloi shkolla e vërtetë për mua. U ndërpre shpejt se erdhën gjëmët e luftës, pasiguria e rreziqe që mund të na merrnin jetën. Nga kjo pasiguri prindërit i kufizuan lëvizjet që vëreheshin si të rrezikshme.

Më 1945 fillova filloren si nxënës i rregullt në fshatin tim në Orosh të Mirditës ku dhe e mbarova. Shkollën 7-vjeçare, të mesme, të lartë e mandej dhe kualifikimin pasuniversitar i kam bërë me bursë të shtetit. Notat që kam marrë gjithnjë kanë qenë maksimale. Kanë qenë disa mësues e profesorë që më kanë mësuar e më futën në universin e shëndritshëm të diturisë. Këta kanë qenë jo pak njerëz të ditur e të përkushtuar në mësimdhënie, me përpjekje të mëdha për të nxjerrë nga shkolla njerëz të ditur. Në fillore në Orosh për një vit e gjysëm më ka mësuar Davida Gjomarku që kishte arsim të mesëm; ishte me shumë kulturë e na i ka