Atje nuk p…….. për ne
Tregim i ritreguar nga Fatmir Terziu
Ishte dita e tretë që po e ngryste me atë sqepar në duar. Dy ditët e para nuk e ndjeu dhimbjen. Në të tretën, thuajse aty nga fundi, ndërsa gjerbi pikën e fundit të kafesë, ndjeu një këputje të lehtë. Në fillim gishtat, pastaj kockat e më pas ndërsa ngrihej në këmbë, ndjeu gjunjët.
- Eh, e paskam pas kurrizit, hijen e kësaj flame. Më është bërë si dushman i përjetshëm. Ia mori frymën babait, e babai më pati treguar se edhe gjyshi nga kjo flamë u dorëzua. – foli dhe ktheu sytë nga e shoqja.
- Cilën hije, more, se po na bën me lemzë. – ia ktheu ajo, ndërsa ende shikimin e kishte andej nga gardhi, që ndante dy oborret e mëdha. I mbante atje sytë si të hyra në një pus dhe tërhiqte nga vetja një frikëz të lehtë, që i kishte mbetur që nga koha e djegjeve të herëpashershme nga dushmani.
- Këtë që të therr si thikë e mprehur mjaft, e që të rrjep edhe kockat. – shtoi ai, ndërsa bëri një uh, me të cilin i dha një shtysë më shumë shenjës së duarve që prekën disa pjesë të trupit njëherësh.
- E de, e, e kuptova. Ti gjithnjë ke gjuhën tënde. E lum ai, që s'të kupton. Kot lodhem, kush nuk të kupton ty? Po me atë tapë u lodhe gjithë këta tre ditë? Sa enigmatik që je. Nuk na tregove gjë dhe e mbajte sekret.
- Sekret?
- Po.
- E çfarë sekreti moj grua, ja shikoje është një tapë.
- Tapë, pra, tapë. Po çfarë tape nuk na the?
- Tapë. Nuk mjafton kaq?
- Mirë, de mirë. E kuptova, po hajde se kam shtruar.
Pas darke, ai dhe ajo ndenjën gjatë duke biseduar. E në fund të bisedës, kur të dyve po u mbylleshin sytë, ai i tha se të nesërmen që herët kishte rrugë për të bërë. Do të shkonte tek miku i tij, miku që jetonte në një fshat ngjitur, e që njiheshin edhe familjarisht në vite. Ndërsa ajo rra në gjumë dhe u ngrit duke ndenjur syhapur, e duke menduar se çfarë ishte gjithë ai nxitim. Nuk guxonte ta pyeste më shumë. Nuk dëshironte ta mërziste. Kohët e fundit mosha po e bënte më të mërzitshëm. Bëhej më nervoz. E pasi djemtë kishin marë udhët e kurbetit, ai akoma më shumë ndjehej si i vetmuar. I futur në mendime. Nuk duronte shumë pyetje. E në këtë lodhje, aq më shumë nuk dëshironte, ta zemëronte me pyetje, që ai kurë në jetën e tij nuk i kishte qejf.
Si përfundim në të gdhirë, pasi kreu adetet e mëngjesit dhe siguroi pak misër në një torbëz për kalin, ai i hypi kalit dhe mori rrugën tutje për në fshatin fqinj. Ajo e ndoqi me sy deri sa kali dhe ai humbën në kthesën e fundit të rrugës që gjarpëronte nga pas kodrave. Në atë moment u kthye dhe mori disa thupra të njoma. I bëri bashkë. I lidhi dhe imitoi një fshesë. Fshiu oborrin mbarë e mirë. Më pas hyri në shtëpi, por mendimet nuk e linin rehat. Mendonte dhe në kokë i shkrepnin mjaft hamendësi. Mendimi kapërcente mendimin. Dhe e gjitha nuk kishte asnjë lidhje. Nuk lidheshin fare mendimet.
Ai tashmë do të ketë mbërritur, foli me vete. E ndoshta ia kanë shtruar tani. Nuk e di a do të kenë ndonjë gotë përpara. Nuk e di. Mos dehet?! Ka kohë që nuk i bën mirë rakia. Edhe stomaku e ngacmon. Edhe ajo dreq reumatizme ia therr kockat. Nuk e di. Por duhet të mendoj pozitivitet. Ata janë miq për kokë. Byrazerë, sikurse i thonë nga anët tona. Baballarët e tyre kishin pirë gjak në kohë të vështirë, dhe vetë ata ndoqën rrugën e tyre. U bënë miq më të fuqishëm. Gjithnjë i janë gjendur njëri-tjetrit. Kur i duhet ndonjë punë zanati me dorë ia bën ky i imi, dhe kur na duhet ndonjë argatllëk, na vjen ai të na ndihmojë. Dhe gjithnjë merremi vesh si fillim. Po tani? Tani, pse kaq e fshehtë kjo vizitë?
Asnjëherë nuk më ka mbajtur ndonjë sekret? Mos ndonjë gjë e keqe po i ndodh? Dielli kishte kaluar majën më të lartë dhe ajo ende e kishte mendjen tek ai. Më në fund lodhja e kishte dremitur. E dremitja e futi thellë në botën tjetër. Në atë botë ku drita çan errësirën e vetë errësira zgjon dritëza të tjera, që të ngucin me mosbindjen e tyre të thellë. Kishte rënë në një batak ëndërrash. Ëndërra të frikshme. E kështu as edhe një orë gjumë, e sërrish si një kukuvajkë në dritare. Nata po thurrte yrniqe të ndryshme mbi avlli, pastaj shkëpuste frymëra të lehta mëllenjash të zeza e i guduliste nën ftonj.
Nata gërryente me thonjë të zeza astarin, kur ai bashkë me mikun e vetë u gjendën në kufirin që ndan të dy shtetet.
- Mirë bëmë që erdhëm natën. Kuajt e kafshojnë terrin, dhe kjo na bën mirë, se askush nuk e merr vesh pse erdhëm. – i foli miku.
- Po qoftë për hajër. – u përgjigj ai dhe ia zgjati tapën e gdhendur me kujdes.
- Mos po bëjmë ndonjë dëm?- pyeti miku.
- Jo. Unë e kam lëmuar mjaft mirë, dhe fundja është nga druri i butë i bushit. – u përgjigj ai.
Kaq duhej. U morrën vesh. Plani po shkonte shumë mirë. Në të gdhirë mbërritën në destinacion. Atje nuk ishte lajmëruar askush. Por, hingëllimat e kuajve dhanë lajmin. E të gjithë në dritare. Pastaj ua hapën portat. E ata të dy hynë duke u përshëndetur.
- E mira ju sjelltë! – foli i zoti i shtëpisë.
- E mira për të gjithë! – u përgjigjën ata.
Ne e kemi kryer porosinë tuaj. Tani është detyra juaj për ta çuar më tutje. E sikurse ndodh të mirëkuptohen porositës dhe porosibërës, shtrënguan duart dhe pasi u qetësuan, hëngrën e pinë, biseduan dhe i thanë ditën e mirë njëri-tjetrit.
Ai u kthye ditës tjetër. Kali zgjoi gruan e tij, e cila që nga ikja e tij nuk kishte mbyllur sy. Pas një jave ishte dasma tek miku i tij dhe kështu të dy, burrë e grua, si miq të mirë shkuan dy ditë më parë.
Të premten u bë ajeng i madh për të gjithë. Kërcyen dhe kënduan. Kishte të ftuar e miq, të njohur e të panjohur. Fundja, aq sa duhej të ishin. Të shtunën, dasmën e kishin tek nusja. Të dielën, banketi mblodhi tek shtëpia e djalit të ftuar e të paftuar, pasi asaj shtëpie ia kishin detyrim të gjithë banorët e asaj ane, miq e jo miq, të cilët kishin ndjerë respektin e tyre në vite, por dhe shërbimin e djalit të asaj shtëpie, që ishte mjek i vetëm e që ishte mjaft i gjendshëm për të gjithë. E tashmë që ai po martohej, respekti duhej kthyer sipas traditës dhe zakonit.
Ana tjetër ishte se nusja e tij vinte nga shteti fqinj dhe se dashuria e tyre kishte ndodhur në Universitetin Perëndimor, ku ata kishin studiuar së bashku. Ishin dashuruar atje, por fjalën ia kishin dhënë njëri-tjetrit vetëm pasi kishin mbaruar specializimet e kishin filuar punë në shtetet respektive. Vajza i kishte kërkuar që të mbeteshin shokë të dashuruar, deri sa të jepej fjala. E pos fjalës djali i kishte thënë, se do ti bënin gjërat sipas adeteve, edhe pse ishte kohë moderne. Sa i kishin bërë të gjitha adetet e zakoneve, babai i djalit kishte shkuar në shtetin fqinj e kishte kërkuar dorën e vajzës. I ati, një burrë i bëshëm, i gjatë sa tavani, edhe në moshë të tretë ende mbahej mirë dhe i kishte thënë se tashmë kohërat kishin ndryshuar dhe në rend të ditës ishte dashuria e të rrinjve.
Le të kenë jetën e tyre, dashuria le të triumfojë, i kishte thënë ai, por gjërat dhe urrejtjet, luftërat dhe hasmëritë le të mbeten në strofkën e tyre të zezë, i kishte thënë ai. Ndërsa babai i djalit kishte arsye të tjera, por më në fund i ishte bindur dashurisë së djalit të tij të vetëm. E kështu fjala u dha.
Pasi shtrënguan duart, i ati i vajzës doli që ta përcillte sipas zakonit. Para se të ndaheshin i pëshpëriti diçka në vesh. I ati i djalit tundi kokën, ndryshoi në çehrre, por nuk e dha veten. I hypi kalit dhe u kthye.
Nuk foli me asnjërin, derisa takoi mikun e tij të vetëm, atë që e kishte shokë për kokë. Foli me atë. Dhe ata u kuptuan. Kështu, ai i tregoi, se çfarë duhej të bënte, edhe pse kohërat kishin ndryshuar, prapë ata kishin frikën e të tjerëve.
- Të tjerët kanë veshë, - menduan ata të dy.
Pasi mbaroi dasma, krushqit u nisën për në shtëpitë e tyre. Atje në fshatin e shtetit fqinj ishin bërë gati të gjithë. I ati i vajzës kishte dhënë urdhërin e fshehtë. E të gjithë, ata që i përkisnin rrjedhës së gjakut, ishin gati.
U dëgjuan kuajt, hingërrimat e tyre bënë jehonë nëpër gryka, trokthet e tyre zgjuan ata që prisnin ditë e natë në dritare. Por më parë hyri dhëndri, pastaj nusja, e më pas dhjetë burra e gra sipas marrëveshjes.
Atje kishte vetëm heshtje. Askush nuk pipëtinte. Babai i vajzës doli i pari. Pastaj nëna e vajzës. Të tjerët prisnin shenjën nga i zoti i shtëpisë. Pritën disa minuta deri sa ata të gjithë u pritën dhe i lidhën kuajt. Babai i vajzës ndiqte me sy dhëndërin. Nëna e vajzës ia kishte ngulur sytë vajzës. Të dy fytyrat ishin të qeshura vesh më vesh.
Nëna e vajzës iu afrua më afër vajzës, i foli në vesh. Vajza buzëqeshi. Pastaj pa rreth e qark dhe nuk duroi dot më. Iu drejtua të atit duke i thënë që të jepte shenjën për ata që i mbante të strukur. I ati hezitoi, ndërsa vajza nguli këmbë. Atëherë iu drejtua nënës dhe i foli me të lehtë. Nënë unë jam e lumtur. Atje më respektuan dhe jam mjaft e dashuruar. Nënë atje nuk ndodhi asgjë, nuk ndodhi ajo, që më ndodhte këtu. Unë… unë… nuk…
Nëna akoma ndjehej e hutuar. Iu afrua në vesh dhe e pyeti me kujdes prapë. E bija buzëqeshi dhe foli në veshin e nënës së saj. Atje të vinin tapë. Atje nuk pjerdhej … nuk pjerdhnin as për pordhat tona… Atje nuk p…….. për ne!
Pershendetje! Nje rrefim i hershem, por i thurur bukur shkrimtarisht. Fundi e zgjidh kurreshtjen dhe enigmen. Ndaj po qesh me vete, sepse ndodhia ka filozofi te holle populli.