top of page

Astronaut i mendjes


Astronaut i mendjes

Nga Fatmir Terziu


Çfarë do të ndodhte nëse graviteti do të më humbiste dhe do të ngrihesha larg në qiej, të kaloja

retë dhe të gjendesha në humnerën e errët të hapësirës? Nuk do të kisha asgjë me vete përveç mendjes sime për të pasqyruar botën që të gjithë njohim. Megjithatë, nuk do të mendoja gjatë,

do të isha i zënë duke kërcyer me planetët, për të kujtuar fjalët e ashpra që thuhen atje poshtë nga ata që mendjen me ato fjalë e kanë bërë shoshë.

Do të më gjenin duke kolovitur në unazat e Saturnit, duke i dhënë atij gjithë peshën e ndjesisë që mund të kem në atë humbje graviteti. Do të gjendesha duke folur me Diellin, duke i treguar se si të gjithëve na merr malli kur ai ikën për të marë dezhurnin netët dhe ftohtësinë, pa të ne rrinim të shqetësuar dhe të ftohtë duke pritur kthimin e tij.

Do të më ngushëllonte Plutoni, shihni do të m thoshte ai, se edhe kjo punë u harrua lehtësisht. Do të takoja të gjithë yjet që përbëjnë qiellin e natës, dhe do t'u thoja se si të gjithë frymëzohemi nga bukuria që ata japin, sesi ne të gjithë u hedhim një sy në momentin tonë më të madh të dobësisë dhe kujtojmë se nuk jemi vetëm, duke u pëshpëritur atyre të gjitha problemet tona duke e ditur se ata do të jenë gjithmonë aty për të na dëgjuar.

Dhe ndërsa do të gjithë shkojnë për të fjetur, më në fund do të bashkohem me ta dhe do të ëndërroj të mos largohem kurrë nga kjo botë ku kam hyrë. Më në fund do të harroj se ekzistonte një botë atje në atë ngrehinë dhe gënjeshtrat që ke thënë, duke mos qenë më i shqetësuar për veshjen tënde, apo anën joestetike që na shprish ndonjëhherë edhe momentin e thjeshtë të grimit të syrit në ekranin e televizorit. E kjo vetëm prej zorit.

Pra, nëse keni nevojë të më kontaktoni, mund të më gjeni duke notuar nëpër galaktika, duke folur me asteroidët, duke ndarë histori, se si mendova se do të ishte fundi nëse do të largoheshe nga ajo errësirë, duke qeshur për faktin se gjithçka ishte në të vërtetë më mirë. Unë do të jem mes yjeve, duke mos kërkuar më kompjuter, laps e penë, sepse më duan planetët dhe të gjithë yjet që asnjëherë nuk flenë. Nuk kam më frikë të mos kem shikimin në të ftohtën e qelqit, sepse ka shumë më tepër dashuri atje sesa te ajo pështjella absurde e Tjetrit.

Eh, më ndjeni tani që të ua kujtoj se Toka ende rrotullohet dhe Dielli ende shkëlqen. I vetmi ndryshim është se nuk të mendoj më, si i zgërdhin me gazetarët dhëmbët, dhe nuk lodhem më të perceptoj se kur do të ikësh nga sytë këmbët. Këtë e kam vetëm prej gjendjes, duke të lexuar si Astronaut i mendjes. Ah se desh harrova, nëse më tregon të paktën një gjë të vërtetë, kur mund të shoh dy satelitët e tu tek retë?!

29 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page