top of page

Astrit Lulushi: Kthimi, Solzhenicin, E panjohur....


Kthimi

Astrit Lulushi

Rrëfimi i Homerit në Iliadë përfundon me varrimin e Hektorit. Historia e Kalit të Trojës tregohet e plotë në Eneidën e Virgilit dhe hollësi të tjera vijnë nga shfaqja e e Euripidit, Gratë Trojane, e cila gjithashtu flet për rrënimin e Trojës dhe fatin e të mbijetuarve. Euripidi shkroi disa tragjedi rreth Luftës së Trojës, duke përfshirë Helenën dhe Andromakën, si dhe dramat Agamemnon dhe Ifigenia. 

Është për t'u habitur që përrallat e Luftës së Trojës tregohen kryesisht nga shkrimtarë grekë dhe në favor të fitores (përveç Virgjilit, i cili shkroi në latinisht për një fitore të shëmtuar, dhe flet me simpati për të mundurit. Hektori, kampioni i Trojës, është njeriu më i admirueshëm në këto legjenda. Kuptimi i plotë i profecisë së Kasandrës rreth Agamemnonit, tregon për kthimin e Agamemnonit në shtëpi. Ndërkohë që kthimi tjetër i famshëm i vështirë, i rrezikshëm dhe i vonuar, është ai i Odiseut.

Grekët patën fitoren e tyre, por mënyra se si e fituan i kishte zemëruar perënditë. Edhe Athena, kampionia e grekëve u zemërua,  sepse Kasandra ishte tërhequr zvarrë nga altari i saj. Athena shkoi te Zeusi dhe u ankua për këtë. Zeusi i dha asaj rrufenë e tij dhe Poseidoni e mbajti detin të qetë derisa flota u largua shumë nga bregu, pastaj e goditi me një stuhi të tmerrshme. Zhurma e bubullimës dhe gjëmimi i detit ishin shurdhuese, dhe vetëtimat ishin verbuese. Kapiteni që kishte marrë Kasandrën nga tempulli u mbyt në atë stuhi dhe Agamemnoni, i cili e kishte kërkuar Kasandrën për konkubinë, për pak u mbyt. Kur anijet e tij më në fund u lanë të kaloni nën retë e stuhisë, Agamemnon e ndjeu veten të falur nga perënditë. Por, jo. Megjithëse, rruga e Agamemnonit për në shtëpi ishte më e shkurtra; ceremonia e pritjes së tij ishte e vështirë. 

Njerëzit e lavdëronin Agamemnon për trimëri, fitore dhe uronin një kthim të shpejtë. Ndonjëherë e kishin fajësuar për marrjen e bijve të tyre në një luftë të kotë për një grua të pabesë. Here tjetër, më në heshtje, mërmërisnin për Ifigjeninë, bijën e tij të pafajshme, që e kishte flijuar për të marrë një erë të favorshme për udhëtimin e tij; kishin parë edhe pallatin ku mbretëresha Klitemnestra, nëna e Ifigjenisë, ulur në errësirë, qante e sikur gërmonte... 

Agamemnoni u prit me fjalim të pasionuar dhe lule; copa të purpurta ishin shtrirë, që këmbët të mos i preknin pluhurin. Ai argumentoi se një nder i tillë u shkonte perëndive jo njerëzve, por Klitemnestra tha se i ishte lutur perëndive për këtë. I bindur, Agamemnoni hyri në pallat, ku mbretëresha e nxiti të shkonte të lahej dhe të vishte rroba të bukura përpara se të ulej në festën e fitores. Njerëzit e tij shikonin dhe murmuritnin ndërsa portat e mëdha mbylleshin pas tij. Një shërbëtor solli Kasandrën në shtëpi - me nervozizëm, sepse dihej se ajo ishte e çmendur ose profete ose diçka tjetër e pakëndshme, dhe gjithashtu se ishte jashtëzakonisht e lirë me gjuhën e saj. Njerëzit ishin ende të befasuar, nëse jo të shokuar, kur Kasandra e shikoi pallatin me tmerr; i kujtoi që të vëzhgonin vrasjet dhe tradhtitë që kishin pllakosur familjen e Agamemnonit për breza, dhe shtoi se episodi tjetër në atë histori të tmerrshme ishte gati për t'u shfaqur. - ajo vetë do të ishte një nga viktimat. Disa nga dëgjuesit mërmëritën se nëse nuk donte të bëhej viktimë, duhet të fliste më me kujdes. Kasandra tha se heshtja nuk do ta shpëtonte, por vetëm do të kujtohej dhe hakmerrej. Pastaj shkoi duke u dridhur në pallat. 

Menjëherë pasi portat e mëdha u hapën përsëri, Klitemnestra i thirri njerëzit e saj për të parë se si e kishte pritur zotin e saj në shtëpi. Agamnenoni shtrihej te këmbët e saj, i mbështjellë me një rrobë argjendi - dhe gjithashtu - të rëndë e të mbyllur - me trupin e mbuluar me gjak, krejt i vdekur; gruaja e tij Klitemnestra e kishte goditur me thikë, ndërsa Kasandra më pak e stolisur - por po aq e vdekur -  shtrihej pranë tij. Njerëzit u zmbrapsën të tmerruar, por Klitemnestra u tha se kishte vrarë vrasësin e fëmijës së saj; veç kësaj, linja e Agamemnonit ishte njollosur me më shumë vrasje; shtëpia e Atreusit ishte mallkuar, me rrënjë e degë, nga perënditë; Klitemnestra, ishte vetëm instrumenti i hakmarrjes. 

Menelaus dhe Helen i mbijetuan stuhisë, por anija e tyre u largua nga rruga, dhe shkoi në brigjet e Egjiptit. 

Sa i përket Odiseut, mbretit të Itakës, i cili kishte dhënë idenë për Kalin e Trojës dhe kërkoi vrasjen e djalit të Hektorit për të parandaluar hakmarrjen e mëvonshme, pati rrugën më të gjatë të kthimit (10 vjet); anijet e tij qëndruan në det mes erërave çorientuese - ndaluan ishujve - derisa mbërritën në Itakë. 


Solzhenicin

13 shkurt 1974 – Aleksander Solzhenicin arresohet, të nesërmen dëbohet nga Bashkimi Sovjetik për në Frankfurt të Gjermanisë Perëndimore, dhe i hiqet shtetësia sovjetike; KGB-ja i kishte gjetur dorëshkrimin e pjesës së parë të Archipelagut Gulag. Atasheu ushtarak amerikan në Moskë William Odom arriti të nxjerrë fshehurazi një pjesë të madhe të dorëshkrimeve të Solzhenitsynit, dhe ky më pas e nderoi rolin e Odomit në librin “Aleatët e padukshme” (1995). Nga Gjermania, Solzhenicin u transferua në Zyrih, para se Universiteti Stanford ta ftonte për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara. Atij iu dha një diplomë nderi për letërsi nga Universiteti i Harvardit (1978). Në një rast, kur e pyetën se si i shpjegonte fatkeqësitë e mëdha që i kishin ndodhur Rusisë, Solzhenicini (e ëma ukrainase, i ati kazak) u përgjigj: 

“Njerëzit kanë harruar Zotin, kjo është arsyeja pse e gjithë kjo ka ndodhur. Kam kam kaluar gati 50 vjet duke shqyrtuar historinë e revolucionit socialist, kam lexuar qindra libra, kam grumbulluar qindra dëshmi personale, kam kontribuar me shkrimin e tetë librave në drejtim të gjetjes së një shpjegimi dhe nuk mund ta them më saktë sesa ta përsëris: Njerëzit kanë harruar Zotin, kjo është arsyeja pse e gjithë kjo i ka ndodhur Rusisë”.

Me shkrimet e tij, Solzhenicin shërbeu si një arkiv vuajtjesh; librat e tij janë kujtime të shrehura artistikisht për të tërhequr vemendjen dhe prekur ndërgjegjen e çdo njeriu. Më poshtë disa vargje që Solzhenicini i shkroi në burg, pikërisht lidhur me rëndësinë e ruajtjes së kujtimeve për të treguar vuajtjet nën komunizëm;

“Zot më ruaj të mos çmendem. 

Kurrë nuk ka qenë, as nuk do të jetë botë e shkëlqyer!

Pece këmbësh e ngrirë është shall që mbështjell fytyrën time

Luftë mbi qullin për të ngrënë, betejë e vazhdueshme.

Dhe ditët pasojnë pa fund, në fatin e zymtë.

Goditja ime e dobët ndez xixa nga toka e ngrirë.

Dielli poshtë vështron dhe unë shikoj qiellin.

Bota është këtu! Dhe do të jetë! Raund i përditshëm. 

Njeriu nuk duhet të mbyllet në këtë ditë.

Duhet shkruar pa vonesë

Jo mes zemërimit, por arsyes,

Me kuptim të qartë.

Kujtesa kurrë nuk mund të çojë tek ngjarjet siç kanë ndodhur,

Ashtu si shumë rrallë pulset e dritës prekin shpirtin e dhembur.

Po, është i mbyllur qarku rreth nesh, tepër i tendosur,

Por vargjet shpërthejnë pengesat, kujtimet lirshëm rrjedhin

Për të shpëtuar diçka duhet shkruar, ndoshta, përtej mundësive.

Pastaj ata mund të kontrollojnë 

më kot trupin tim –

Ja ku jam, i gjithi juaji, kërkoni, 

Se mos iu shpëtojë gjë

Kujtesa është e paprekshme,

Mbetet përtej duarve të kasapit!

Po sikur të më japin bukë të helmuar?

Nëse errësira më mbulon mendjen?

Oh, le të mos ndodhë këtu! 

Le të vdes atje!

Perëndi, më ruaj të mos çmendem!”

(Marrë nga “Kalendar Historik”, Astrit Lulushi, TiranaTimes 2017)


E panjohur

Astrit Lulushi


Shkencëtarët besojnë se asgjë nuk ekzistonte para Big Bang-ut. Por, nëse ka pasur një univers të mëparshëm, çfarë ka ndodhur me të? A mund të jetë ai në hapësirën-kohë të veçantë ose paralel me tonën?!

Sigurisht që termat para, ende dhe gjithmonë nuk do të kishin kuptim nëse universi tjetër nuk ka kohën tonë, gjë që nuk mendohet të jetë një mundësi. 

Për shkencën, çdo gjë që ekzistonte nuk ekziston, megjithëse kujtesa, edhe pasqyrimi, thotë ndryshe; sikur të mos ishte e mundur, termi para nuk do të kishte kuptim sepse asgjë, duke përfshirë vetë kohën, nuk ekzistonte përpara Shpërthimit të Madh.

Disa njerëz mendojnë se universet bija lindin brenda vrimave të zeza. Edhe pse kjo tingëllon si shkencë, nuk është. Është spekulim; pa mundësi provash, nuk mund të testohet. Megjithatë, krijon filma të mrekullueshëm. 

Matematika që përshkruan atë që ndodh, duket se tregon një singularitet në hapësirë-kohë; është pikë zero, ku pas saj nuk ka hapësirë dhe as kohë. Ky quhet kufiri i Planck-ut. 

Natyrisht, matematika ndryshon në në pikën zero, por ne nuk e dimë me siguri. Një nga implikimet e bashkimit të madh (teoria e bashkimit të katër forcave  elektromagnetike të dobëta dhe të forta në një forcë të vetme që jep energji të lartë) është se hapësirë-koha do të ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo që dimë dhe kuptojmë.

Kjo bëri që Hawking të shprehej: "Pothuajse të gjithë tani besojnë se universi dhe vetë koha, kishin një fillim në Big Bang". 

Pra, është si të thuash “mos mendo më gjatë”. Megjithëse njeriu nuk e ka arritur kulmin e zhvillimit, dhe nuk e di se çfarë ndodh në të panjohurën, por e di se diçka rrënjësisht e ndryshme duhet të ndodhë. 

16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page