top of page

ASPEKTE TE HYJNIZIMIT TE NAIMIT


Nuri Plaku

Në përvjetorin e vdekjes

Figurat e mëdha të popujve rishikohen për çdo shekull duke marrë dimensione të reja vlerësimi në këndvështrime të reja të brezave të rinj. Ky fenomen ka ndodhur edhe me Naim Frashërin i cili në shekullin e parë të pasvdekjes, ka njohur një hyjnizim të tillë popullor, duke u adhuruar deri në gjysmëperëndi.

Hyjnizimi i Naimit ka dy aspekte përbërës shumë të rëndësishëm të lidhur organikisht njëri me tjetrin. Aspekti i parë shfaqet në mendimin e tij mistiko-filozofik ndërsa i dyti, në raportin e dashurisë reciproke, poet - popull.

    Mendimi mistiko - filozofik i Naimit kishte një orientim të zhvilluar drejt besimit fetar islamik me përkatësi të sektit bektashian. Toleranca e tij dhe respekti ndaj feve buronte në thelb nga 4 betimet e Zotit që i konsideronte të katra fetë të barabarta.  Sipas librit të feve, Zoti betohej për 4 gjëra; për fikun, sepse në hijen e tij ju shfaq Budës në ekstazë urdhëri hyjnorë, për ullirin, sepse Jezu Krishti zotëroi përkushtimin kryesorë hyjnor në Zejtun, dmth, në ullishtë, për malin Sinai ku Moisiut ju shfaqën mësimet profetike dhe për Mekën ku Hazretit Muhamet i zbritën mësimet kuranike. Sipas këtij orientimi Naimi ndërtoi dy shtylla solide të moralit të tij; qëndresën dhe humanizmin.Të dyja këto shtylla i ka dhënë qartë tek “Qerbelaja.” Qëndresa simbolizohet në luftën e së mirës me të keqen dhe jepet nëpërmjet sakrificave heroike të Abas Aliut dhe familjes së tij, ndërsa humanizmi jepet tek figura e vet Abas Aliut.


Ç’është ay që shkon kaluar

  Ikën si veriu

  Me dy-tri foshnja në duar

                                  Është Abas Aliu.

                                   Shpije foshnjat në lumë

                                   Se sdurojnë dot

                                   I ka marrë etja shumë

   E qajnë me lot.


Ky shpirt sakrifice dhe humanizëm i lartë, është baza e hyjnizimit të Abas Aliut. Pikërisht ky humanizëm ndikon shumë edhe në vet hyjnizimin e Naimit për shkak të rrezatimit të tij edukativ në popull. Si poet me frymëzim të veçantë, Naimi mori atributet e një ati shpirtëror që me dashurinë e tij, peshën e fjalës së kulturuar, urtësinë e një misionari të Rilindjes së Shqipërisë u bë një “Abas Ali” i konsideruar gjatë gjithë këtij shekulli “Baba i kombit.” Kështu ka ndodhur me Dante Aligerin në Rilindjen italiane dhe Dionis Sollomos në revolucionin grek.

Aspekti i dytë i hyjnizimit të Naimit shfaqet që në gjallje të tij. Vetë ana fizike me pamjen e një profeti dhe sjelljen e një fisniku, krijonte çuditërisht një ndjesi hyjnore tek të gjithë ata që e takonin. Sipas kujtimeve të nipit të tij, Mithat Frashërit, “Naimi kishte një vështrim të njomë si prej një kadifeje të zezë. Fjala e tij e ëmbël ishte e qetë, kurrë me zemërim ose rrëmbim, ishte një predikim që pushtonte njeriun. Shtëpia e tij gjendej gjithmonë me miq dhe bisedat bëheshin kurdoherë për Shqipërinë. Sado që ishte kohë e zezë e Sulltan Hamitit, kur edhe djali ishte kundër të atit dhe vëllai kundër vëllait bënte spiunëri, apostulli Naim fliste liruar përpara kujtdo, pa ndonjë druajtje. Nganjëherë miqt i bënin vërejtje të mos çelej me cilindo se nga spiunimi ishin futur në burgje sa e sa të mjerë. Por ngjante se atë e ruante mirësia e tij kundër së cilës dukej e pamundur që një njeri të dilte tradhëtar.

    Hyjnizimin e Naimit e hasim në kohë të ndryshme përgjatë gjithë shekullit të kaluar. Në vitin 1937, në kuadër të 25 vjetorit të pavarësisë mbreti Zog i hoqi eshtrat e Naimit nga varrezat e Merdiven – Qoit të Stambollit dhe i solli në Tiranë. Në kronikën e kësaj ngjarjeje, një revistë prestigjoze e kohës shkruante:     “Arka e vulosur me shqiponjën dy krenare që mban eshtrat nuk është arkë por dy pllakat e dekalogut të Moisiut. Eshtrat e Naimit nuk janë eshtrat e një njeriu të thjeshtë, por lipsani i një shenjti. Lipsanet e shenjtorëve të kishës u japin besimtarëve të tyre shëndet dhe i ruajnë nga ngacmimet e të paudhit. Neve shqiptarëve, lipsanet e Naimit do të na ndihmojnë që të mbajmë Shqipërinë të pastër, të pacënuar, të lumtur e të bukur, ashtu siç e ka kënduar ai në vjershat e tij të pavdekshme.”

   Adhurimi i Naimit është shfaqur thellë edhe në botën e të rinjve. Në shtypin e viteve ’30 gjendet një shkrim ku jan hedhur kujtimet e një ish nxënësi për të. “Më la mësuesi për në vjeshtë, - shkruan ai - se nuk e recitova me pasion “Bagëti e Bujqësi”. U mërzita shumë se do më kalonte behari pa lodra me shokët dhe e mora inat atë plak me mjekër që quhej Naim. Kur shkova në shtëpi e shava para nënës, por ajo bëri kryqin dhe më tha të heshtja se bëja mëkat. Të njëjtën vërejtje më bëri edhe babai kur ju ankova. “Nuk shahet babai i Kombit”, më tha.

Por kur më zuri gjumi mu shfaq në ëndërr Naim Frashëri, më vuri dorën në ball, më përkëdheli flokët dhe më tha të mos mërzitesha se ai e kishte shumë mik mësuesin dhe do i thoshte të më kalonte në vjeshtë.

- Po unë a të luaj me shokët gjatë beharit? – I thashë.

- Luaj më tha, se do flas unë me mësuesin.

E kalova beharin duke luajtur dhe në vjeshtë e recitova me aq dashuri vjershën e Naimit sa mësuesi u ngazëllye dhe tha. Vetëm kështu kuptohet Naimi kur recitohet me dashuri.

Është pikërisht kështu. Baza themelore e hyjnizimit të Naimit është dashuria e madhe që ka patur ai për popullin dhe populli për të.

31 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page