
AS QË E KISHIM MENDUAR PULËBARDHËN
POEZI NGA QAZIM SHEHU
As që e kishim menduar pulëbardhën
Ajo klithte mbi det me një skaj intim,
Detit i shihnim vetëm dallgën
Ç`kënaqësi jep dallga me gjëmim...
Dikur letrat e dashurisë i quanim pulëbardha
Veç me një pullë i nisnim për fluturim,
Ky zog i bënte me flatra,
Zëri i tij saj na jepte ngazëllim…
Ka kohë, i harruam pulëbardhat
Pa i përshëndetur me dorë,
Se për të tjerë fluturojnë e vijnë kaq afër
Si shkëndija gëzimi madhështor…
KY MAL
Dashuria më sjell pranë këtij mali
Në gji të mbrëmjes pyllin sodit
Kërkoj me sy një ujëvarë
Që lumit poshtë i jep shpirt.
Po këtë mal s`do ta doja aq
Për një shkas trilli romantik
Sikur mos ishte poshtë tij një fshat
Dhe gra që lindin çdo vit…
Sikur mos ndizeshin dritat mbrëmjeve
Bori mos binin kthesave
Dhe hëna me lopatë të saj
Mos hidhte xhevahire nëpër dhembje…
Këtë mal nuk do e doja aq
Për ca përralla-legjenda mitike
Po të mos nxiteshin fjalët
Nga të fshehtat që ndrydh një mike…
NDODH
Ndodh që ne u takuam në rrugë
Njëri-tjetrit udhë nuk i hapëm
Ndodh ,dy re na duket sikur takohen
E nga takimi shkrihen, por nuk përplasen…
Sikur të ishim dy re ,sa mirë,
Duke u shkrirë me njëri -tjetrin
Do hidhnim mbi të kaluarën shi
Dhe së ardhmes do i hapnim diellin…
Po ne nuk jemi dy re,
Se fort jemi barrëtuar
Brenga e mërisë pa fre
Në shkëmb na ka gurëzuar
VERË
Filloi dhe vera me vapë të nxehtë
Me ajër që s`lëviz , i bllokuar,
Aty këtu, shfaqen të rralla retë
Në skaje qielli si të hutuara.
Nuk mund të rrihet jashtë
Ajri përcëllon ,dielli djeg,
Ditën e shan, i thua e mbrapshtë
Gjinkallen merr inat vërtet…
Me syze dielli kalon një bionde
Më e verdhë se dielli,si në film,
Asgjë s`të tërheq vëmendje
Mendimi thua s`është mendim…
Ç`ndodh vallë dhe ndihem si guak
Përse marr inat ajrin e mpirë
E di,vera asnjë faj s`më ka aspak
Sikur mos takoja një njeri të vështirë…
STREHIMI
Pashë një njeri në rrugë
Ishte ftohtë ,binte shi,
M`u dhimbs dhe si fugë
Vërtitej i gjori njeri…
I lagur i tëri m`u duk
Fërgëllonte e ligështohej,
Një zjarr të ndizja apo nuk
Ka më dashuri njerëzore…
Për një çast m`u duk si im vëlla
Ai ishte biond, flokëkaçurrel
Shiu derdhej në pikla të mëdha
I egër,mosmirënjohës,rebel…
Iu afrova,krahun i hodha
Dridhej i tëri nga rrebeshi,
Më pa me fytyrë të lodhur
Mezi buzëqeshi…
Nuk e pyeta pse rrinte në shi
Mund të qe udhëtar i vonuar
Ose i braktisur nga një dashuri
Zemrën e ndjente të pastrehuar….
VIJAT