top of page

Arumunët


Arumunët janë autoktonë të hershëm në viset tona dhe janë shquar për mënçuri, trimëri, besnikëri, frymë mirëkuptimi me shqiptarët, duke dhënë ndihmesë të madhe e sistematike në betejat për liri e pavarësi dhe në përparimin e pandalshëm e të gjithanshëm të vendit tonë. I vetëdijshëm për sa më sipër, në një letër që i dërgova Presidentit të asaj kohe Ramiz Alia bëja thirrje që vëllezërit tanë arumunë të gëzonin statusin e pakicës kombëtare, jo thjesht gjuhësore, me përfaqësim në Parlament, njëlloj si pakica greke. Mjerisht, u desh të kalonin shumë vite që të jetësohej propozimi im. Në vitet 90 të shekullit të kaluar, ambasadori i i Rumanisë në Tiranë George Miku u përpoq të më bindte t’i jepja një „dush të ftohtë” historianit e gjuhëtarit të njohur grek Akile Lazarou, i cili atëhere kishte shkruar e botuar në Janinë, në gjuhën shqipe, libërthin „Origjina dhe historia përmbledhëse e vllehëve të Shqipërisë”. Me këtë kërkesë George Miku erdhi tek unë pasi nuk ia kish mbushur dot mendjen ndonjë autori tjetër, as në Shqipëri e as në Rumani. Pranova. Fillimisht e studiova librin e Lazarout dhe krijova përshtypjen se bënte çmos që arumunët t’i paraqitte me prejardhje greke. Deri atëhere pata njohur shumë arumunë, madje me disa prej tyre kisha kaluar vitet e fëminisë, por nuk ua njihja historinë. Për këtë arsye i vura detyrë vetes të dokumentohesha sa më mirë. Gërmova nëpër biblioteka e arkiva dhe gjeta vepra të shkruara për ta nga gjuhëtarë, historianë, etnologë, shkrimtarë, udhëtarë dhe diplomatë gjermanë, francezë, anglezë, italianë, rumunë, grekë etj. Nxora dhe skedova gjithçka që m’u duk me interes. Meqënëse ndërkohë m’u dha rasti të merrja pjesë në disa veprimtari shkencore në Romë, Venecje, Selanik, Stamboll e Paris, hyra në arkivat përkatëse, ku, gjithashtu, gjeta materiale tepër të dobishme. Si me të qeshur, brenda një kohe relativisht të shkurtër, „dushi” për Lazaroun po merrte trajtën e një libri me mbi treqind faqe. Duke u nisur nga fakti që, si për prejardhjen, ashtu edhe për gjuhën që flasin arumunët, apo maqedovllehët, qarkullojnë një morì teorish e tezash nga më të ndryshmet, e gjykova me vend të paraqitja thelbin e të gjitha shkollave kryesore: perëndimore, rumune e greke, duke ua lënë, në një farë mënyre, në dorë lexuesve e sidomos specialistëve, të nxirrnin përfundimet përkatëse. Natyrisht mbajta qëndrim kritik, në radhë të parë ndaj disa autorëve grekë dhe rumunë, të cilët shfaqnin mendime ekstremiste në kahe diametralisht të kundërt. Analizova gjithashtu punime të disa studiuesish arumunë, që pretendonin se etnia e tyre, „pasardhëse e drejtpërdrejtë e Aleksandrit të Madh”, ishte krejt e veçantë, pa kurrfarë lidhjeje me popujt e tjerë dhe se shumë personalitete të shquara të kulturës e të shkencës ballkanike, pra edhe shqiptare, përfshi Skënderbeun e Nënë Terezën, janë arumunë. Libri im me titull „Arumunët e Shqipërisë në kontekst ballkanik”, që u botua dy herë radhazi në Bukuresht e Tiranë më 1998 e më 1999, u prit mirë nga studiuesit dhe njohësit e çështjes arumune. Stelian Brezeanu, shef i katedrës së historisë mesjetare dhe bashkëkohore në Fakultetin e Historisë të Universitetit të Bukureshtit, në parathënien e librit, ndër të tjera, thekson: „Në një moment kur pakicat e Ballkanit aspirojnë t’u njihet identiteti i tyre kulturor, më duket se më me rëndësi është njohja e marrëdhënieve midis shumicës e pakicave në shekullin apo shekujt e fundit. Këtë detyrë i ka vënë vetes, në rastin e arumunëve të Shqipërisë, libri i profesorit Kopi Kyçyku. Ai përbën, nga ky këndështrim, një eveniment në dy aspekte. Është punimi i parë që botohet në Shqipëri për historinë e pakicës arumune. Nga ana tjetër, kjo vepër është monografia e parë serioze mbi historinë e pakicave të vendeve ballkanike, që del pas shkallmimit të regjimeve totalitare e që përpiqet të zhdukë paragjykimet, të cilat vihen re ende në marrëdhëniet midis shumicës e pakicave në rajon”. Për çudi, të vetmit që nuk u bënë të gjallë, as për mirë e as për keq, ishin përfaqësuesit e Shoqatës së Arumunëve të Shqipërisë. U desh që libri im t’i binte në dorë, me mjaft vonesë, intelektualit të njohur, profesor Mustafa Gërcaliut, që gazeta „Frăţia” (Vllazëria), organ i asaj shoqate, me hir a me pahir, të botonte, duke filluar nga shkurti 2001, në dhjetë numura radhazi, nga një faqe të plotë, me vlerësime jashtëzakonisht të larta e dashamirëse të profesor Gërcaliut. Këto shkrime u përfshinë më pas edhe në një almanak me titull „Arumunët e Shqipërisë”. Në kongresin e arumunëve të kudondodhur, që u mbajt në vitin 1999 në Fraiburg të Gjermanisë, paraqita disa nga idetë e përfshira në librin tim. Dy nga krerët e atij forumi, inxhinierët e pyjeve Vasile Barba dhe Nikolla Pop de Pop., me prirje ekstremiste, ma ndërprenë me britma pylltarësh fjalën pikërisht kur përmenda kauzën e luftën e drejtë të vëllezërve tanë në Kosovë. Në fund të asaj seance, i lartpërmenduri Nikolla më kërkoi falje duke më thënë: „Ne të dinim mysliman, prandaj reaguam me ashpërsi. Na ngatërroi mbiemri yt turk”. „Ju nuk keni kuptuar asgjë - ia ktheva. - Vërtet jam i krishterë, por kjo s’luan asnjë rol, përderisa feja e shqiptarit është shqiptaria. Myslimanë e të krishterë, jemi vëllezër”. Pylltari, që i pat dalë për zot historisë, u largua i zhgënjyer. Më 2004 botova në Bukuresht, në gjuhën rumune, librin „Arumunët në optikën shqiptaro-rumune”, që u vlerësua nga specialistët më të njohur të problemeve arumune, në Rumani e jashtë saj.



44 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page