top of page

Arti përtej klisheve…


Vangjush Saro

Sprovë

Me fjalën klishe kuptoj stampimin, kopjen ose përsëritjen e lodhshme të një ‘vizatimi’ me vlera të kufizuara, me episode të ngjashme, me karaktere qartësisht të ‘mbrujtur’ e pa shumë dilema; gjithçka e vendosur me doemos në një kahje të caktuar, shpesh mbi një terren me gjurmë të dukshme ideologjike, në mos edhe politike. Klishetë shfaqen në çdo art, në çdo kohë, sidomos kur jeta ngarkohet me ngjarje dhe personazhe mediokër; ikja prej tyre është vetë letërsia. “Don Kishoti i Mançës” i M. Servantesit*vjen si një shembull i përkryer i talljes me mediokritetin dhe klishetë e mërzitshme. Gjetja e papërsëritshme, tallja me letërsinë mediokre, krijimi i figurës së heroit tragji-komik, aventurat e bukura, ndonjëherë të dhimbshme, përplasja e ëndrrës me marrëzinë, të gjitha këto e mahnisin lexuesin, e bëjnë atë të qeshë, të mërzitet, të meditojë, të presë me ankth ç’do të ndodhë më tej… Po kështu mund të themi për “Ana Karenina” të L. Tolstoit, që sfidoi botën e plakur dhe e tronditi atë duke riformuluar konceptin e dashurisë e duke sjellë në vëmendje nderimin ndaj femrës; për “Brenga” apo “Vdekja e nëpunësit” të Çehovit, që vetëm ai diti t’i shkruante me aq ironi e trishtim përzier; për “Aventurat e Pinokut” të Kolodit, një krijim gjenial; për “Plaku dhe deti” të E. Hemiguejit, që vendoset mbi një subjekt aq të thjeshtë, me episode realiste e monologje plot jetë, të thella dhe të kuptueshme, inspiruese gjithaq; për “Ulisin” e Xh. Xhojsit, që përqesh, ritregon e rivlerëson në një dritë tjetër krejt botën dhe gjithë historinë njerëzore; për dramën “Në pritje të Godosë” të S. Beket, që me aq (pa)durim ballafaqon dhe përplas personazhet e veta (edhe neve bashkë me ta) me fatin, pasigurinë dhe asgjënë…

Kështu mund të vazhdonim edhe me kryevepra të tjera. Gjatë shfletimit a ndjekjes së tyre, e kupton që janë shkruar e realizuar një herë, mbajnë vulën e një mundimi të madh dhe të endjes, si nëpër furtunë, përtej klisheve të mërzitshme… Edhe në letërsinë tonë, disa nga veprat më të mira, përveçse ‘vizatojnë’ pamje të veçanta e të rëndësishme për vendin dhe popullin të cilit i përkasin, shpalosin një histori tërheqëse, të ndryshme nga të tjerat dhe të mbështetur artistikisht: “Milosao” - De Rada, “Pas vdekjes” - Çajupi, “Të çelen arkapijet” - Migjeni, “Doktor Gjilpëra” - Faik Konica, “Vjeshta e Xheladin Beut” - Mitrush Kuteli dhe më këtej “Qyteti i fundit”, “Shpella e piratëve” - Petro Marko, “Kronikë në gur”, “Darka e gabuar” - Ismail Kadare, “Lëkura e qenit” - Fatos Kongoli. Etj.

Ndjekja e klisheve e varfëron krijimtarinë dhe i vë në pozita të vështira autorët. Në mesin e shek. të shkuar, letërsia dhe arti ynë u ndikuan dukshëm nga modele që kopjoheshin (më e pakta imitoheshin) nga autorë sovjetikë ose të vendeve të tjera të Evropës Qendrore e Lindore, gjithashtu në Socializëm; sado që me ndryshime të ndjeshme mes tyre. Them ‘me ndryshime’, sepse vetë letërsia ruse dhe ajo sovjetike, por sidomos letërsitë e vendeve të tjera ish-socialiste, përtej çdo presioni a droje, jashtë dogmave të kohës, përcollën në publik vlera reale të padiskutueshme. Po përmend vetëm disa emra që e ilustrojnë këtë ide: Mihail Shollohov. Ivan Bunin. Aleksandër Solzhenicin. Milan Kundera. Xhorxh Konrad. Pol Goma. Etj. (“Nuk ekziston një gjë e tillë si libër i moralshëm apo i pamoralshëm. Librat janë të shkruar mirë ose keq. Kjo është e gjitha.” O. Uajld)

Është mirë kur sprovat mbështeten mbi argumente dhe kur autorët e pranojnë se fjala e tyre nuk është ajo më e fundit. Kjo është një ‘histori’ ku ne qasemi me modesti dhe pa fiksime. Por e vërteta është që klishetë jetuan për një kohë të gjatë, bashkë me dobësitë e tjera artistike. Këso ishin: vënia në plan të parë e veprës industriale apo episodit agrar dhe jo e njeriut; rrëfimi i ngadaltë dhe i lodhshëm, gjer në mërzi; patetizmi dhe emfaza, të përcjella përmes letrarizmave dhe një gjuhe të varfër, të përciptë, etj. Shumica e shkrimtarëve shqiptarë të para viteve ‘90 mbetën robër të klisheve dhe delirit të kohës. Ata himnizonin ‘njeriun e ri’, tregonin si luftohej e punohej për Socializmin, portretizonin atë plakun e vjetër babaxhan që i ‘kishte dhënë besën Partisë’, pensionistin që lutej të punonte edhe më tej edhe pa pagesë, gruan që çante në jetë përballë pengesave dhe konservatorizmit, i nëpërkëmburi nga beu që dikur bën ‘revoltë’, etj.

Klisheja ishte jeta dhe mbijetesa e letërsisë dhe kulturës së asaj kohe. Autorë që nuk kanë çfarë të thonë, që nuk krijojnë dot një profil të veçantë - për nga tematika, zhanri, zbulimet letrare, gjuha, etj. - hyjnë dhe mbeten në art si amatorë. Por edhe po të mbetemi këtu e ta ‘vizatojmë’ gjithçka si mohim, prapë do të ngecnim në klishe. (“Mësojmë duke u zbrapsur...” E. Dikinson) Kështu, sa i takon së shkuarës, pati edhe përjashtime, autorë që nuk u mjaftuan me klishetë e Realizmit Socialist. Më së pari, ata që shkruan nëpër burgje e që s’kishin rrugë tjetër veç të tregonin më shumë se kolegët në ‘liri’. Kam shprehur gjithnjë nderim për përfaqësues të këtij kalvari, të mohuar nga regjimi i kohës, por njëfarësoj të pavlerësuar edhe sot: Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Maks Velo, Visar Zhiti, Fatos Lubonja, etj.; ca më shumë për martirët që mbase nuk arritën e nuk u lanë të plotësoheshin si poetë: Trifon Xhagjika, Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Genc Leka. (“Përndjekja; e gjithë historia e botës është e mbushur me të...” Xh. Xhojs). Këta krijues ishin të parët që thyen haptazi klishetë dhe u përpoqën të bëjnë një art tjetër, sado që nuk iu imponuan dot publikut sikundër kolegët e tyre të mbështetur në çdo kohë e në çdo regjim nga fati vetjak, por edhe nga talenti i padiskutueshëm.

Ndër shkrimtarët e ‘lirë’ që bënë copash klishetë, ishin Petro Marko dhe Ismail Kadare. Ata u ngritën mbi to, mbi mërzinë e krijimeve të angazhuara, mbi rrëfimin e rëndomtë, mbi proliksitetin. “Qyteti i fundit” ishte një roman ku karakteret dhe situatat vizatoheshin në një mënyrë tjetër, duke u hapur e shtrirë në disa shtresa e përvoja jete (për nga pikëpamja e brendisë) dhe duke krijuar figura artistike tërheqëse, episode bindëse (për nga interpretimi artistik). “Kronikë në gur” shënoi një kuotë të re në prozën shqiptare. Në veprat e Kadaresë, që tashmë janë të përkthyera në shumë gjuhë, lexuesi vendas dhe i huaj e pa Shqipërinë në një dimension tjetër: me lashtësinë e saj, me legjendat dhe këngët, me Kanunin, me dramat dhe komicitetin e çdo kohe, përfshi tragji-komizmin e periudhës së Socializmit. Klishetë u thyen edhe në vjershërim. “Mësueset e fshatit”, që shfaqet para lexuesit si një film i shkurtër, u ngrit dyfish mbi servilizmin dhe ‘rozën’ e kohës: në brendinë e saj të trishtë, goditëse njëherësh, dhe në artin poetik, mbështetur parimisht mbi imazhe realiste e, në sensin stilistik, mbi asonanca përvëluese. Poezi lirike po nga Kadare (“Mall”, “Kinema e vjetër”, etj.) por dhe nga Dritëro Agolli, Jorgo Bllaci, Fatos Arapi, Dhori Qirjazi, Vangjush Ziko, Koçi Petriti, Vehbi Skënderi, etj., me raste, thyen ‘përkushtimin’ patriotik dhe atë socialist. Poezi në kërkim të njëlloj lirie në të shprehur, botuan edhe Ndoc Gjetja, Bardhyl Londo, Frederik Reshpja, Rudolf Marku, Natasha Lako, Pano Taçi, Xhevair Spahiu, Faslli Haliti, etj. Botimi i këtyre krijimeve, nuk u kalua gjithnjë në paqe. Janë të njohura mbledhjet e LSHA, ku Kadare (“Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”) dhe autorë të tjerë janë sulmuar e vënë përpara pothuaj si ‘deviatorë’. Shkrimtari Moikom Zeqo thoshte diku: “U trajtuam egërsisht dhe pa shpirt. E për çfarë? Për metaforat poetike!”

Një përpjekje për të dalë nga klishetë ishte romani “Kur qesh tërë qyteti” i Qamil Buxhelit, që vizatoi provincën dhe u tall me ata që bënin (?!) kulturën ‘socialiste’; romani u hoq nga qarkullimi dhe shkoi për karton. Njëfarësoj, edhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ishte një përmbysje konceptuale, sado që në vepër ka shumë moral. Nasi Lera ishte, gjithashtu, një shkrimtar që nuk u mjaftua me pamjet e bukura së jashtmi, por preferoi të kërkonte në tjetërsimin e njeriut; (“Duaje emrin tënd”). Fabula (Spiro Çomora, më pas Gjikë Kurtiqi, etj.) gjithashtu stigmatizoi dukuri të shëmtuara dhe vanitetin e kohës, edhe klishetë pse jo. Po ashtu mund të pohojmë për krijime si “Mysafirët” i Tasim Aliajt, minikomedia “Fotografia” e Teatrit të Estradës së Shkodrës, disa pak filma me temë shoqërore (Dhimitër Anagnosti, Kristaq Mitro/ Ibrahim Muçaj, Kujtim Çashku, Albert Xholi, etj.)

Sigurisht, kjo ‘histori’ kërkon edhe më shumë se kaq vëmendje e tituj; por le të shkojmë më tej, gjithë në logjikën e përdorimit të klisheve dhe kapërcimit të tyre. (“T’i thuash të gjitha, është e pamundur.” E. Sabato) Ishte e kuptueshme që letërsia dhe arti të ndryshonin kryekëput pas vitit ‘90. Madje ndryshimet kishin filluar që në fund të viteve ‘80. Dhe problemi nuk qëndron te ndryshimi, se ai vjen si një dukuri legjitime; problemi është që klishetë e dikurshme u përmbysën, por duke filluar tani ‘lojën tjetër’, në të kundërtën e gjithçkaje sa ishte thënë e shkruar më parë…. Kjo dukuri e trishtë, e ‘shitjes’ së një jete të tërë, është më e theksuar në autorë të shkollës së Lindjes - jo thjesht në sensin gjeografik, por në atë të rendit shoqëror të jetuar - pra, shkrimtarë nga vende që ishin apo cilësoheshin socialiste deri në vitin 1990.

Edhe më e theksuar është kjo tek autorët shqiptarë, për vetë kushtet më të rënduara të ekspozimit të Socializmit, krahasuar me vende të tjera. Shumë u panë të ndërronin sakaq e kryekëput bindjet dhe përceptimin për të shkuarën, duke treguar dobësi njerëzore dhe profesionale, pse jo edhe hipokrizi, po të mendosh se sa ndryshe, sa shumë ndryshe e ‘shkruanin’ realitetin ata kohë më parë. Kjo kthesë e ashpër dhe e menjëhershme, lindi klishe të tjera, më saktë i ktheu përmbys të mëparshmet: Nga njeriu i dashuruar me Partinë dhe Socializmin, u kalua te… njeriu i dashuruar me demokracinë dhe që merr pjesë në përmbysjen e rendit; nga puna vetëmohuese për ndërtimin e vendit dhe emancipimin e femrës, te hardallosja gjithfarë; nga mbyllja dhe izolimi pothuaj gjysmëshekullor, te thyerja e të gjitha gardheve e rregullave. Hetuesi, polici, gjyqtari në krijimet para vitit ‘90 vizatohen përgjithësisht si një njerëz të drejtë, korrektë, që vigjëlojnë mbi ligjin, madje, me raste, ndihmojnë ata që mund të bien në gabime ose që janë në rrugë pa krye… Më pas, klisheja kthehet në të kundërtën e vet; këta, pa përjashtim, pasqyrohen si katilë, si kriminelë, si bisha. Madje me tonet më të errëta ‘vizatohen’ edhe intelektualët që gjenden në një punë të caktuar, drejtuesit e pushtetit, gjer edhe drejtorët e shkollave, që i ‘paskeshin bërë’ të gjitha mëkatet në atë kohë, të gjitha…

Në një sërë proza të botuara pas vitit ‘90, në një ‘shkollë’ vanitoze qasjesh të habitshme, rrëfehet dosido për vajza që përfundojnë prostituta; rrëfehet trashë historia e dikujt që u spiunua dhe pastaj vuajtjet e tij në hetuesi e në internim apo në burg; ose ose rrëfehet se si një djalë shqiptar dashurohet me një vajzë të huaj dhe paskëtaj ai përndiqet; (ndonjëherë, përndiqen të dy personazhet). Rimarrja e një motivi, në tjetër subjekt, në të tjera kushte letrare e artistike, në një tjetër stil e rrëfim, është një gjë krejt normale, që nuk ngarkon askënd me hije… Por është ndryshe dhe për të ardhur keq kur krijimi ndërtohet mbi klishe të njohura ose të shkruara e të luajtura disa herë, gjer në atë masë sa nuk dallohet ku (dhe cili) është versioni origjinal.

Mendoj se një shoqëri që shkon në mënyrë të sforcuar nga njëri ekstrem në tjetrin, është e destinuar të mos ketë stabilitet e mbrothësi. Gjithaq, një art që me lehtësinë më të paparashikuar dhe në mënyrë krejt të panatyrshme kthen në të kundërtën e tyre klishetë e përdorura më parë gjerësisht, ka pak gjasa të qëndrojë dhe të vlerësohet. Druaj se në disa nga krijimet e pas vitit ‘90, një pjesë e artistëve (kineastëve kryesisht) dhe shkrimtarëve shqiptarë, e teprojnë disi me ‘antikomunizmin’ e tyre. Ndër ta, edhe Ismail Kadare, më i njohuri dhe më i përkthyeri në botë. (Nuk iu heq asnjë presje vlerësimeve maksimale për artin e tij, vlerësime që, mes të tjerash, janë formuluar qartë në shënimin tim “Liliputë përqark staturës madhore të Kadaresë”, shkruar kur ai u sulmua - mjerisht, ndodh herë pas here - nga një gazetar amerikan, pothuaj anonim, i cili kishte qenë dikur… adhurues i Stalinit.) Kadare është një fat për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Por në shtjellim të temës që kemi në duar, kalimit (kërcitës) nga një klishe në tjetrën, nga një gjendje në tjetrën, nuk i ka shpëtuar as ai. Kam parasysh një roman të mirë si “Darka e gabuar” e, ndoshta, jo vetëm atë. Në këtë prozë - ku si gjithnjë nuk mungojnë mrekullitë, gjuha e pasur e rrëfimi krejt i veçantë - të bëjnë përshtypje edhe disa detaje plot ironi, madje më shumë se kaq, për... kanalet kulluese, për kroset pranverore, për përdorimin e ndonjë fjale a dukurie si ‘erozion’, për zonjat e rënda gjirokastrite që ‘shokohen’ nga fjala shoqe (a thua jemi në rrugët dhe sallonet e Leningradit a të Parisit dhe jo në një qytet të vogël në skaj të botës) e kështu më tej. Heraherës - në një lodër krejt tjetër nga ç’është shfaqur në veprat e mëparshme, të ngjashme me këtë, si “Kronikë në gur” - autori humbet në ‘anët e errëta’ të Socializmit. Për hir të së vërtetës, ai, edhe më parë e më mirë se kushdo, është marrë me fatin e shtresave që rendi tjetër i zhveshi, për nga prona dhe për nga dinjiteti. (“Nëntori i një kryeqyteti”, “Emblema e dikurshme”, etj.) Po ashtu, është e natyrshme të ndryshojë përceptimi mbi periudha të caktuara, qasja te disa dukuri historike e politike vërtet kërkon një ripozicionim. Por gjithsesi - e them me shumë droje dhe jo duke ngulur këmbë si mushka që është kështu doemos - ka njëlloj ‘kërcitjeje’ në këtë riardhje të autorit, të disa autorëve; dhe qofsha i gabuar.

Klishetë pushtuan edhe filmat e parë të realizuar pas vitit ‘90, kur realiteti shqiptar filloi të vinte si vizatim i ndonjë skëtere apo si një tejkomedi ku teprimet u bënë qëllim në vetvete. Me gjithë vlerat e padiskutueshme në thurrjen e subjektit dhe në lojën e përkryer të aktorëve, filmi “Parrullat” i kinoregjisorit Gjergj Xhuvani, që unë e kam vlerësuar në tërësi, e sofistikon maninë e parrullave, duke mos i qëndruar realitetit; në arsimin e asaj kohe, në plan të parë ishte programi mësimor, ai zhvillohej me seriozitet dhe nuk falte askush në atë pikë. Natyrisht, pjesë e shkollës ishin edhe ndihma në punët e bujqësisë, edhe parrullat pse jo, përndjekja gjithashtu; por fokusimi vetëm këtu, është një teprim, deri diku një klishe e kthyer kokëposhtë (e letërsive dhe filmave ku mësuesi binte përmbys për shkollën dhe për partinë).

Sigurisht, përtej kësaj histori me klishe, shumë nga prurjet e këtyre dekadave janë një përvojë e rëndësishme. Krijimtaria është rritur në disa dimensione; autorë që kanë krijuar në të dyja kohët, por sidomos asish që e filluan karrierën pas vitit ’90 në kushte lirie dhe prosperiteti, në përgjithësi iu ikën klisheve, nuk mbetën te mëritë politike dhe këtu kam parasysh një sërë emra - që i sjell në qasje të temës - si Fatmir Terziu, Jetmir Aliçkaj, Viktor Canosinaj, Ardian Kyçyku, Thani Naqo, Irma Kurti, Petraq Risto, Thanas Medi, Luljeta Lleshanaku, Faruk Myrtaj, Edmond Shallvari, Bashkim Hoxha, Kliton Nesturi, Ylli Xhaferri, Luan Xhuli, etj. (Natyrisht, çdo shënim ndërtohet mbi qasje të kufizuara dhe pëlqime gjithaq, ku, të jemi të sinqertë, e pranoj, nuk përjashtohen edhe njohjet e simpatitë vetjake dhe disa ‘thirren’ ngase janë duke krijuar profil. Veç, asessi, nuk do të ndalesha në krijues dhe punë që nuk meritojnë vëmendje…)

Së fundi, edhe pse ende jemi në kushte të një kakofonie, e jo vetëm në art, koha do të krijojë premisa që ekspertë të tekstit dhe antologjistë seriozë të shqyrtojnë më nga afër dhe me profesionalizëm krijimtarinë e këtyre kohëve, duke ndarë prurjet e vlerta nga grafomania, letërsinë dhe artin që komunikojnë me njerëzit nga qasjet vanitoze e snobiste, përpjekjet për të qenë vetvetja nga botimet e mërzitshme brenda apo në kufi të klisheve të vjetra e të reja.

…………………………………………………………

*Për emrat e autorëve të huaj, është ndjekur parimi i shqiptimit. Faleminderit për mirëkuptimin.

330 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page