top of page

Arti i thjeshtësisë poetike të poetes Emine S. Hoti


Arti i thjeshtësisë poetike të poetes Emine S. Hoti

Prof Dr Fatmir Terziu


Kam lexuar mjaft poezi nga krijuese, poete, shkrimtare, letrare, dashamirëse të penës, që kanë fjalën e thjeshtë, si një burim nga zemra dhe ndjesia e tyre femërore, prej nëne në mërgim, prej gruaje në gjeografi tjetër të jetës, prej zonje në angazhime e detyrime ndryshe, prej Njeriu me gjuhën e Tjetrit në buzë, prej motre që ndan zemërmirësinë dhe edukatën e vendlindjes dhe të prindërve me „vëllezezër“ të tjerë të ndadondodhur e bashkëshorte të burrave fisnikë që bashkërisht risin fëmijë shembullorë të identitetit dhe traditës. E kështu në lexim e sipër kam ndjekur thelbin e kësaj forme dhe force që buron si e tillë. Një formë dhe një forcë që ka themelin e të gjithave tek thjeshtësia. Thjeshtësia është natyrshëm ajo që arti ka nevojë, sepse „Kur humbet thjeshtësinë, humbet artin,“ tha shkrimtari amerikan Joseph John Campbell (The Campbell Companion). E kjo ka një domethënie të madhe, pasi fjala, ajo e bukura e mirëpritur në mendjen e lexuesit është vetë thelbi i kësaj thjeshtësie, me të cilën lidhet forca e trurit të kapë në kohë, hapësirë dhe vend çastin e duhur në çast. Është e kuptueshme kur e shkruara vjen pikërisht e tillë, në momentin e duhur, me fjalën e duhur. E këtë si në mjaft gjëra të tjera që lidhen me shkrimin dhe letërsinë e po aq dhe me krijimtarinë e ndjejmë edhe në vargun e poetes shqiptare Emine S. Hoti, ku poezitë e saj kanë në thelb artin e thjeshtësisë dhe jo thjesht artin.

Nga poezia „Mësuesit e mi“ lexuesi gjen thelbin e kësaj thjeshtësie me vetë thjeshtësinë e tyre, pra vargjeve të tilla „Gjeta rrugën e vërtetë drejt shkollës,/Ajo më çeli dritare jete, më dha gëzime,/Në libra përjetova madhështinë e dijes,/Mësuesit ndriçuan të ardhmen time.“ Sa thjesht, por sa domethënëse në një kohë kaq të hapur për fate dhe identitete, ku përpos mjaft arsyeve shënjëzimi „mësues“ nuk shkon më në situatën e dikurshme, por në një klauzolë të re, dhe në një kohë që shkolla dhe binomet e saj janë vënë në një pikëpyetje të madhe. Nëse nuk do të ishte vargu me këtë thjeshtësi, sidomos në një rast të tillë kur poetja kërkon në fillin e saj ndihmën e Naimit të Madh, pra „Dhe dritë e diturisë përpara do të na shpjerë”, do tëduhej që truri të lodhej për t'i kuptuar mesazhet që jep ajo, dhe arti do të duhej të mos kapej në çast. Me këtë nisje dhe me këtë thjeshtësi vargu vetë poezia shkon me kostumin. Ebukur të thjeshtësisë, pikërisht aty ku dhe arti e bën ushqim aestetiken për lexuesin.

Një poezi tjetër e poetes Emine S. Hoti, „Mbroje Atdheun!“ vjen nga koleksioni i saj i artit të thjeshtësisë, pasi ajo nuk shkon më tej të përdorë shumë mbiemra dhe ndajfolje dhe krenon hyrjen në poezinë e saj me domethënësen e Kenedit „Mos pyet se ç`do të bëjë atdheu për ty, por ç`mund të bësh ti për atdheun“. Ky pasazh, i cituar në poezinë e saj na pararend në leximin „Atdheun e ke nga të parët e tu,/Ata me punë e gjak e bën të begatë,/Atdheu është amanet i tyre i shenjtë,/Amanet i zemrës së tyre të zjarrtë“ e kështu na shpie tek ajo që nuk të thuhet dhe që është vetë arsyeja: arti ka nevojë për thjeshtësi.

Megjithatë, me një vështrim më të afërt, nuk është numri i detajeve në vetvete që na bënë të kuptojmë se pse duhet të mbrosh Atdheun. Është fakti që këto detaje janë të grumbulluara në një kontekst, në atë që është identitar, dashuror, rrënjor, dhe që ka lidhjen empirike në mes. Ajo që kemi këtu nuk është vetëm shuma e tepërt e gjërave, por rrjedha e ndërprerë e ndihmuar me presje. Shpejtësia nuk humbet, rrjedha nuk humbet. Dhe një shkrim i mirë duhet të rrjedhë vetë, pra me këtë thjeshtësi të qetë e të ndjeshme, të natyrshme e të vërtetë. Sintaksa në këtë pikë e në mjaft poezi të tjera është e thjeshtë, veçanërisht në poezi të tilla si „Shaban Jashari“; „Bëni mirë“; „Anijen e ngas vetë“; „Bija të së ardhmes“ e të tjera poezi si këto që nuk janë të vështira të kapin mesazhin mjaft thjesht dhe lehtë nga truri i lexuesit. Tek këto poezi të poetes Emine S. Hoti të prura e të publikuara nga ne tek „Fjala e Lirë“ në Londër, fjalët e thjeshta dhe sintaksa e thjeshtë, të ndara më tej në njësi të thjeshta me mjetin magjik të ndërprerjeve të rreshtave na japin faktin e mirëkuptimit leximor ku tregohet se ekziston mundësia që poezia të ndodhë të krijojë funksionin e saj diskursiv me vetëm thjeshtësi, që është një pikë më vete e artit të vetë thjeshtësisë poetike.

Ndërprerjet e linjës në poezinë e tillë të Emine S. Hotit janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe ajo u shmanget shumë ngarkesave poetike, e sidomos poezive në prozë. Lexuesi i poezise të saj mund të kuptojë thjesht aq shumë në një kohë, dhe thyerja e vijës në këtë kontekst vetëm i ndihmon. Duhet thënë me këtë pikë se tërësisht poezia e kësaj poeteje të kënaq me thjeshtësinë e saj elegante, thjeshtësisnë jo të sofistikuar, por ama edhe aspak të thjeshtuar. Kjo ndodh thuajse edhe në tërë poezitë e saj të botuara nën përkujdesjen profesionale të shkrimtarit dhe poetit të mirënjohur Viron Kona, në librin e saj me një titull mjaft domethënës „Feniks“. Libri i poeteshës shqiptaro-suedeze Emine S.Hoti, duhet theksuar se është një model i kësaj poezie.

Poezitë e saj „Të dashur prindër!“; „Nëna“; „Mërgimi“; „Çfarë je?“; „Kurrë“; „Pranverë“; „Buzëqeshja“; „Gratë“ e të tjera, tregojnë se në to përveç bukurisë së thjeshtësisë, përveç artit të përditësisë, aty ka thelbin vetë jetikja, prindërit, nëna, dhe mjaft elementë të tjerë që lidhen me vetë përditësinë e identitetin.

Përveç shkëlqimit të shënimit se një mall i strukur kërkon të rikthet në foshnjë, përbën arsyen e qartë e të nukur të thjeshtësisë së artit, që tregon se në atë oikë, pikërisht tek ajo është më e fortë dora e nëns dhe aty pikërisht aty fillon gatimi i dashurisë, çfarë nuk kemi në këtë poezi? Ka fëmijëri dhe pleqëri, jetë dhe vdekje, praktikë shtëpiake kundrejt ndjenjës, dhe malli si art e malli si realitet. Ne e kemi të kaluarën të mbivendosur në të tashmen si një fantazmë e ringjallur, një jetë të nënës – një pafundësi pas tjetrës. E megjithatë tingëllon kaq e thjeshtë: “ Nënë dua të jem, /Dhe një herë në prehrin tënd,/Të dua shumë e të kujtojë,/Të mendoj shumë, o nënë!.” (Poezia „Nëna“, Emine S. Hoti vëllimi poetik „Feniks“).

Pra, përsëri tek poezitë e kësaj poete, kemi të kaluarën dhe të tashmen, natyrën dhe kulturën, pamëshirshmërinë dhe butësinë. Pafundësitë lulëzojnë njëra pas tjetrës dhe ne mund t'i kuptojmë ato kompleksitete të pafundme pikërisht për shkak të thjeshtësisë së poezisë. Fjalët këtu janë të thjeshta dhe të zakonshme, veçanërisht foljet veprore njërrokëshe që e çojnë rrëfimin përpara: shkruaj, dëshiroj, dua, jeni, etj (Të dashur prindër!). Ashtu si „Nëna“, edhe kjo poezi nuk është e vështirë për trurin, se ka në thelb dashurinë e thejstë e sublime të dashurive të mëdha për prindërit, nënën në veçanti. Kjo është arsyeja pse na prek. Të dyja poezitë praktikisht anashkalojnë intelektin, duke u thelluar e duke na dhën ë mjaft emocione.

Mendoj se është e sigurt të thuhet se poezia më e madhe, një poezi e tillë e bukur, përdor fjalët më të thjeshta, sintaksën më të thjeshtë, një ndërtim paralel të bukur. Në mënyrë paradoksale, thellësia qëndron në thjeshtësi. Dhe poetja e qetë në poezinë e saj lë të flasë vetë heshtja rreth fjalëve: „“Zonjë” a “zotëri” bëhet njeriu n`çast,/Merr një kapele e këpucë të shtrenjta,/Përdor fjalë të huaja e sjellje delikate,/Pallto të gjatë, syze e xhingla të tjera.“ (Çfarë je?).

90 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page