Art-organika e poezisë së Agim Matos


Agim Mato "Mjeshtër i Madh"

Art-organika e poezisë së Agim Matos

Nga Dr.Fatmir Terziu


1.Abstrakt

Qëllimi i analizës sime është që të karakterizoj strukturën, semantikën, dhe retorikën e simbolit poetik me të cilin vargu i Agim Matos qëmton filozofinë e tij. Në mënyrë që të realizoj këtë, unë së pari do të propozoj një model analitik jo-poetik dhe pastaj do të përshkruaj vargun dhe semantikën e tij si një grup kompleks i devijimeve nga modeli i mëparshëm poetik i vetë autorit. Modeli i tij i cili në mjaft poezi përbëhet nga norma të ndryshme, ose shfaqet mes dispozitave që e rregullojnë ritmin dhe pritjen e mesazhit dhe fabulës, duke aplikuar në nivele të ndryshme të tekstit: rregullat formale (p.sh., mendimi duhet t'i paraprijë perceptimit), rregullat strukturore (p.sh., linjat, lidhjet ndërvargore etj., duhet të jenë të qarta), po aq dhe rregullat semantike, qartëson më së miri në të tre derivatet strukturore, semantike dhe retorike tërësinë e fabulës. Mes kësaj së pari le të shihet lidhja art-organike e kësaj derive që lidhet me të hershmen ‘poeti flet art’

2. Në vend të hyrjes

Një material i hershëm studimor i studiuesit Harry Rusche në lidhjen e poezisë me format e tjera të artit na ndriçon lidhjen e enigmës ‘poeti flet art’, të cilën njerëzimi i artit e ka patur në gjirin e tij që nga koha kur poeti romak Horaci dha idetë e tij të përcaktuara në Ars Poetica-n e tij (shek. 13 p.e.s.), kur thënia e tij ‘UT PICTURA poesis’ – (siç është piktura, ashtu është poezia) mori dimensionin e saktë. Dhe që nga ajo kohë të dy këto arte kanë qenë disi të ‘martuara’ në mendjet kritike. Poetët dhe piktorët nganjëherë ktheheshin tek njëri- tjetri për frymëzim, dhe dialogu ka qenë reciprokisht i dobishëm. Piktorë dhe ilustrues shpesh kanë qenë të frymëzuar nga letërsia, sidomos në shekujt XVIII dhe XIX. Kritiku Richard Altick thotë, për shembull, se vetëm në mes të peridhës së viteve 1760 dhe 1900 kanë ekzistuar rreth 2300 piktura të bazuara në veprat e Shekspirit Altick, 1985: 119). Këto piktura janë vetëm një e pesta e 11.500 pikturave që përdori literatura e Shekspirit. Por ne duhet theksuar se jemi duke folur vetëm për pikturat e bëra në Angli, gjatë këtyre viteve. Një aritmetikë absolute tregon ndikimin e ndjeshëm të mëvonshëm mes autorëve e artistëve. Por kjo është një temë e gjerë dhe e gjatë për të diskutuar mbi marrëdhëniet midis artit dhe letërsisë. Për të evituar stërzgjatjen le të analizojmë ndërlidhjen teorike dhe shkencore në vite.

3. Paraqitja

Në veprën e vet, “Laokonti: Një ese mbi limitet e pikturës dhe poezisë” (Laocoon: An essay upon the limits of painting and poetry) Lesingu (Gotthold Ephraim Lessing) (1887) vinte në dukje nëpërmjet ilustrimeve të papërsëritshme të historisë së artit antik, se ‘në qoftë se piktura do të jetë motër e poezisë, le të mos jetë të paktën një motër xheloze; dhe më e vogla mos ta ndalojë motrën më të madhe të stoliset me petkat që ajo vetë nuk mund t’i veshë’ (Lesingu, 1887: 23). Në një mënyrë tejet më sublime për të konceptuar këtë marrëdhënie reciproke të shtruar në një rrugë analitike nga Jakup Mato që në vitin 1975, na vjen në ndihmë teoria e studiuesit dhe poetit shqiptar, Zyhdi Dervishi mes simbolikave të artit të cilat i shikon në studimin e tij si ‘lente të ndërveprimit simbolik’ (Mato, 1975 & Dervishi, 2008). Jakup Mato duke konsideruar poezinë e Dritëro Agollit në studimin e tij thekson se ‘në artin e fjalës këto analogji, këto përshkrime janë të pranueshme, se fjala nxit mendime, emocione, ndjenja dhe s’ka qëllim të krijojë një konkretësi shqisore të plotë, adekuate si në veprën e arteve figurative’ (Mato, 1975: 110). Një ndalesë duhet parë edhe tek libri “Estetika, jeta, arti’ të Alfred Uçit. Uçi na rikujton përvetësimin artistik të mjedisit njerëzor nëpërmjet kofigurimit, të cilin Dervishi e zhvillon në mënyrë shkencore dhe në një nivel më të përparuar. Ajo që studiuesi Dervishi konsideron në studimin e tij është një fuqi që vjen nga vetë dimensioni filozofik i artit të fjalës.

Ajo që është objekt i këtij studimi është poezia e poetit Agim Mato me lidhjen e saj metafizike. Duke i bërë kësaj poezie të ardhur në kohën e duhur, (dhe e përkujdesur në një itinerar vitesh) si një përshkrim verbal e objektiv i punës së artit, vetë arti i fjalës që poeti Agim Mato na riciton mes vargjeve të tij është forcimi i filozofisë me anë të tablove poetike të sintetizuara, gërshetuar këto me ndërhyrjet e vazhdueshme të nocionit lirik, që bën përgjithësime të rëndësishme. A nuk janë tablo ato pjesë të jetës të cilat poezia e Agim Matos i penelon me artin e fjalës? Ndërsa te poema “Qafa e Botës” është traktati shpirtëror i poetit në vargje, poema që ka jetuar gjatë brenda tij, me shumë rrafshe, shtresa e nënshtresa, si një përfaqësim me atë çfarë është vetë poeti në fakt në të gjitha dimensionet, në poezi të tilla si “Nga kush kishe frikë, o Zot?” veç dimensioneve filozofike kohë, hapësirë dhe vend janë edhe potenciale të tilla të fuqishme perceptuese që ridimensionojnë formën e artit të bukur të fjalës. Poeti na vjen në ndihmë që në hyrjë të poezisë së tij:

“O Zot, si nuk u gjende pranë nesh, në ato dimra të mërive të mëdha?

Si nuk u verbove, o Zot, kur pe hetuesit e policët të bastisnin shtëpinë tonë

duke shkelur me këmbë librat e lashta të fisit, “Lulet e Verës”, “Mrrizin e Zanave” syzet vështrimmprehta të tim eti, e të shqepnin laboratorin me oxhakun diellor të fotografive,

herbariumin e gjelbër të time motre?”

Lidhja është komplekse por e qartë. Poeti e sheh forcën dhe fuqinë e tij shpirtërore në një lidhje filozofike të tejskajshme. Zoti është filozofia e tij, harresa, mosndërhyrja, pretenca, eksperimenti e mjaft detaje të tjera tejçohen mes elementin të fiksuar në celuloidin e memorjes, ‘fotografive’ ato pjesë morfologjike të artit që krijojnë pashtershmëri gjuhe në këtë rast.

4. Lidhja ‘art-organike’

Ndërsa poetët e hershëm, ashtu siç Horaci na ka diktuar kanë qenë në një ‘lidhje’ art-organike mes formave piktoreske, poezia e poetit Agim Mato është lidhja art-organike që na vjen sot me një strukturë tejet të plotë e tejet të stilizuar. Një poezi e tillë e ndërtuar me forcën shpirtërore të artit të fjalës për disa dekada, sot ka përparësinë e vet në tregun më cilësor të poezisë, jo thjesht si një material ‘tregu’, por si një ikonë arti që pret vlerën e duhur. Tek poeti nuk është thjesht mënyra e pasqyrimit të realitetit, në marrëdhëniet e tij me këtë realitet, por zdrugimi i imët i vizives, të pashmes që pikturohet në retinën e memorjen e tij. Dhe kjo art-pikturë e sintaksës më të latuar poetike na sjell art-përfytyrimin e zhvilluar mes vetë ndjesisë së poetit, heshtjes dhe ndërgjegjes së tij në sipare të largëta e të afërta vitesh. Vetë vargu i tij është një lidhje art- organike me perceptimin dhe një hapësirë e thekët mendimi filozofik. “Qafa e Botës” e zbulon fuqishëm këtë:

”Nënëmadhja qeveriste shtëpinë si perëndia mbrojtëse e fisit dhe fytyra e saj i ngjante një vazoje antike prej balte. Nga çibuku i saj ngrihej tymi i miteve të lashta. Si ishte ngjitur ashtu rreptësia

gjer tek gardhi i vetullav