Art me “pagjumësinë”


Art me “pagjumësinë”

Art me “pagjumësinë”

Fatmir Terziu


Ka një akullnajë. Maja e gjuhës së saj në errësirën e natës shijon vetëm një grykë të ngrirë.

Është një grykë, poret e saj të copëtuara nga të ftohtit e pagjumësisë, një gjë që e bën “gjumi s’më thërret” një qasje mes një realiteti të verbër që, duke heshtur në zhdërvjelltësi, lind një mijë çarje të dhembjes. Kjo majë gjuhe në errësirë, punon në mënyrën e saj të ngathët poshtë greminës, me vargje të rrumbullakëta dhe shkon deri sa të vijë një hermetizim i syrit i ngrirë pak nga ikja nga gjumi real, dhe futja në gjumin e izolimit. Ka një hu, ka një kulm, një ishull të mbyllur në akull.

Brenda këtij huri gryka zbret. Bredh dhe kalon, frenon … dhe gjithçka shkoqitet në trupin që mban një njeri të dualizuar, dhe përfundon jashtë jorganit si një lagështirë që kërkon ikjen në avulli pa diell. Dhe atje, mpirja, krahët e saj të përkulur dhe të thyer përqafojnë një lëmsh ​​të çuditshëm, të magjepsur, që poetikisht rrëfehet vetëm nga mjeshtrit e vargut, që në formën e sjellë i takon një poeteje, që di të latojë fjalën e të sqarojë me formën dhe forcën e artit të fjalës së bukur: “Zhgërryhem në shtrat/kapakët e syve i mbyll,/shtirem sikur fle/gjumi s’më thërret/gjumi nuk më zë.”

E gjumi ka një mijë arsye. E gjumi i përket mosthirrjes së tij, i përket një trupi që është tashmë i ndarë nga e drejta e tij sublime. Një trup i pagjumë. Pra, “gjumi s’më thërret!” E ku ka më bukur. Ku ka fjalë më të goditur. Edhe pse … Ka një lëmsh. Dhe në këtë lëmsh ​​arinjtë e padukshëm flenë, megjithëse fryma e pagjumtë, nata e pagjumësisë kërcen yndyrën e saj të lehonisë mes natës dhe ditës, midis rënies. Këtu “Jorgani më bëhet rrasë guri/më rëndon mbi kurm/më rëndon mbi qepalla/më rëndon mbi shpirt...” se miu në anën tjetër lëviz i padukshëm në fushë, shtriqet mbi Shkup, e mavijoset tutje në Strugë, nuk tërheq hije, shqiponja nuk kërkon pre në këtë shlodhje të lodhshme e ata, pra ata e kalojnë kohën e tyre të përkëdhelur nga rrezet, dhe ditët janë ato ditë që lodhen në memorje. E merorjet griset si gjumi nën jorgan, si jorgani i pagjumë, ku poetja dikton me përshpirtje “Dhe nisi me e gris/dhe nisi me e ngrënë,/me dhëmbë e grmcoj.”

Këtu të gjitha mund të terrren, dhe mund të mos mbesin, se nuk kanë më nevojë për të ikur. Sepse në këtë hapësirë ​​të pa kohë, të palëkundur, Puntorie Ziba Muçs ka pushuar së qeni në një natë të errët, ka pushuar së qeni në gjumësi, ka mbetur e pathirrur nga gjumi, por në fakt ka mbetur në art. Madje mjaft lart… Jashtë ndjesitë janë hije dhe pre, ka akull dhe vdekje të zhveshur. Atje gjaku mund të rrjedhë lirshëm. Ndërsa poetja na rrëfen “Hidhem në shtrat

zhgërryhem në pluhurin e tij/dhe shtrihem si ngjalë,/shtirem sikur fle./Mbulohem me mëndafsh të endur/fijëzat më rëndojnë si gur/s’më lënë të fle,/e, i grisi ato fije/si fije nervore/dhe i gëlltiti.”

Aty pagjumësia, qëndron si një hajdut, është një egërsi e zhdrejtë, një qasje fisnike, por vetëm në figuracion, në artin e fjalës së bukur, ku “…mushtin e ngas/e mushti shkumon/unë e pi mushtin/e gëlltis,/derisa thartohem/derisa idhëtohem/derisa helmohem/e mbetem pa gjumë/dhe vdes për gjumë/netëve krahë nxirë...”.

Por netët nuk humbasin këtu. Ato këndojnë. Ata e mbajnë ëndrrën. Të butë dhe të rrumbullakët janë timbret që ata tingëllojnë, e ëmbël është muzika që ata sjellin, sikurse përpëlitjet “…si zogëz e rënë përdhe”. Aty ku autorja “zhgërryhet” dhe “mbulohet me vitet e saj” dhe vitet rëndojnë, dhe vitet i bëhen rrasë guri. Vitet kanë lindur një poete të tillë …për të krijuar.

45 views

Shkrimet e fundit