Art, famë e karakter
Sa shume gjëra humbet njeriu kur përpiqet të duket…fryhet, tërhiqet pas së bujëshmes, dhe kur e kapërcen, e kupton kotësinë. Sepse nëse fama është ajo që dikush vërtetë është, ose që fillon kur talenti shfaqet, atëherë përse venitet kur personi tregon atë që vërtete është i aftë të bëjë? Fama, popullariteti ështe aksident, siç është pasuria mjet ndihmës. Vetëm karakteri vazhdon, e mund të bëjë edhe pa sukses, në heshtje, i veçuar.
Në kohë përçarjesh a mosmarrëveshjesh, kur njerëzit e kanë të vështirë të ndajnë vetë-veten nga vetë-interesi, vulgariteti bëhet mënyrë e jetës. Tërheqja e vemendjes deri në skandalitet bëhet më e rëndësishme – shpesh më fitimprurëse sesa të qenit i sjellshëm, krijues a vërtetë origjinal.Kështu ndodh edhe me librat; lexon atë të një autori të servirur, me emër, dhe shumë vonë mëson se sa shumë njeriu ka humbur duke mos i dhënë kohë leximeve të tjera. Ngjan me motin e pa qëndrueshëm ku bie shi, e shumë prane bën nxehtë, dielli djeg dheu shkrumb e etje.
Ulem e lexoj….”mos bëni naivin” thotë shkrimtari Faruk Myrtaj në tregimin “Shenjt Ndëshkues”, bisedë me veten rreth kryeveprës së DaVinçit, “Darka e Fundit”, që nuk ndodh rastësisht. Eshtë e organizuar, artisti ka punuar me vite, ka zgjedhur e përzgjedhur, madje edhe veten e ka marrë në provim. Gjithë procesi është si zbrazëtira që shtyn a tërheq si forcë rëndese. Dhe Myrtaj nuk është fatalist. E di mirë se ç’kërkon të thotë. Por kush pyet, përderisa ndjenja mbizotëron? Dhe ndalet lexuesi për të provuar se është nën kontrollin e vetes. Por më kot sepse nga Myrtaj “mjedisi është zgjedhur i qetë” që të gënjehet se është mes shenjtorëve në “darkën e fundit”, ku Leonardo rendit mjeshtërisht, pranë një tryeze “12 anëtarët + Sekretarin”. Eshtë vetëm arti që i bën ata të duken njerëzorë a të ndjellin nostalgji.
Eshtë ngjashmëria me jurinë, që i bën ata duken në prag të marrjes së një vendimi. Por shqyrtimi shtyhet, si në darkën e famëshme ku i pari hedh dyshimin dhe paralajmëron se njëri prej tyre do t’a tradhëtojë. Ashtu ishte paracaktuar, prandaj nuk vrau njeri, por veç pranoi të vetëflijohej (zgjidhje artistike a biblike, ashtu si shpesh nuk ndodh në jetë.) Edhe piktura quhet
”darka e fundit” sepse ekzekutimi është gjykimi i fundit, vetëm nder shenjtorësh, të tjerët janë të padenjë, sado të bindur, të përulur, të afërt t’a kenë ndjerë veten me “shenjtin” e tyre. Kjo është mësymje që shkrimtari Faruk Myrtaj i bën Leonardo Da Vincit për pikturën “Darka e Fundit”. Por pastaj tërhiqet, duke e bërë tjetrin të nxjerrë perfundimin se nëse Da Vinçi ‘nuk do të kishte ekzistuar, duhej të ishte krijuar veç për këtë vepër, shprehje klishe siç merret e vërteta kur përsëritet – humbet, bëhet bezdi,ashtu si njeriu në shtrat mbështjell kokën, mbyll veshët, i kthen kurrizin orës për të shmangur alarmin e zgjimit, sikur kohën don të ndalë. Fama është moskokëçarje për gjë, si ato pak minuta më tepër gjumë që përfiton, humbja a dëmi kuptohet më vonë.
Nuk mund te rrija pa dhene nje pelqim madheshtor per kete reagim te bukur qe i pershtatet mrekullise shkrimore dhe vezhgimore te Farukut. Urimet me te mira i dashur Astrit dhe Faruk. Bukur!