ARMA LUFTARAKE, SAPUN ME SHKUMË


Vullnet Mato

ARMA LUFTARAKE, SAPUN ME SHKUMË 

-Poemë-

Si doli nga shishja, në Vuhan

ky djall me brirë, ky bajloz i zi,

që pushtoi globin anembanë,

me luftë llogoresh në çdo shtëpi?

Si u la virusi, i species murtajë,

të kapi popujt, në befasi?

Përgjojmë viktimat, skaj më skaj,

sa veta vdesin në agoni.

Përgjojmë jetën e njerëzve tanë

Emigrantë, larg në kurbet,

me shtjella ankthi, si uragan,

na rend truri, nëpër planet.

Na këputet shpirti copa, copa,

kur dëgjojmë klithma ere,

që sjellin shifra morti, nga bota,

turma fatale, të kësaj pranvere.

Tani kuptuam se jemi vëllezër,

me gjithë racat njerëzore,

ku rrafshon me furi të egër

kjo mortje e heshtur, kaq mizore.

Qajnë nënat, për çdo spanjoll,

për çdo kinez, çdo italian,

ku këputet fija më e hollë,

tek shqiptarët amerikanë.

Ç’është kështu, si kësaj here,

nuk kishte bërë kurrë vaki,

të na rri vdekja prapa dere,

armiku, që s’duket me sy?

Për një çast, kur flet me mik,

kur takon njeriun e dashur,

armiku i fshehtë mikroskopik,

të godet, sapo je qasur.

Të vret njeriun e zemrës,

të mbjell ferra në mushkri,

të ndan nga bukuria e femrës,

të varros të shenjtën dashuri.

Të bëhesh qyqar i kyçur në bunker,  

të harrosh mysafirin, te çdo njeri,

kanatën e të blinduarës derë,

të mos hapësh për asnjeri.

S’janë pesë e s’janë dhjetë,

prerë nga kosa, si zakonisht,

janë qindra e mijëra jetë,

që merr dheu gabimisht...

Shkulet pylli njerëzor nga rrënja

rrallohet populli, në çdo rast,

si ku ka miliona bij, nga nënat

dhe tek ne, që jemi pak.

Jemi popull, që mbijetojmë,

si zogj shqiponje në planet,

prisnim vitet, t’i bashkojmë,

të gjithë shqipot në një shtet.

Por lufta pa armë, s’ka të sosur,

po na shfaros pak nga pak,

vdesin njerëzit, pa u plagosur,

pa derdhur asnjë pikë gjak.

Ruhuni, o shqiptarë të mjerë,

se ky armik, s’do trimëri,

s’do këmbësorë e artiljerë,

do veç kujdes e mençuri!

Kjo luftë do, të mos biesh rob,

tek e padukshmja ushtri vampire,

ta kesh mburojë, ujin e ngrohtë,

doreza dhe maska fytyre;

Të ushtrosh në dhoma, muskujt,

nga koka, deri në këmbë,

ashtu siç bëjnë, kuajt e bujkut,

rreth e rrotull nëpër lëmë; 

Dhe me shtatë palë sy, të vringëllosh,

armën luftarake, sapun me shkumë,

t’i thuash koronavirusit: Mos u afro!

para se të më vrasësh, të vras unë!... 

25 views

Shkrimet e fundit