top of page

ARDHSH E BARDHË!


Dr Bardhyl Maliqi

Malli është oazi ku blerojnë përherë kujtimet. Dhe kur fillojnë të thinjen majat, lisat çelin bistakë të rinj më pranë rrënjëve. Kështu dhe Kolo Rigo është një lis në vjeshtën e moshës. Gjethet e verdha e të kuqërremta të drurëve fishkëllejnë për herë të fundit këngën e blerimit dhe ulen të prehen përgjithmonë në gjirin e tokës, të shpërndara gjithandej prej erërave, siç shpërndahen këto fletë të verbit poetik të Kolos në prehrin e dhimbsur të Nënë Zagorisë. Dhe kujtimet çelin tek rrënjët.


Jo më kot ndodh që sa më shumë të shtyhet njeriu në moshë, aq më shumë iu afrohet impresioneve te femijërisë dhe rinisë së hershme. E kur përreth trysnon shkretimi, kapja pas rrënjëve bëhet jetike për çdo akt ekzistencial. A do të mjaftonte vallë zëri gurgullues i sopranos zagorite Mimoza Kostare në emisionin e bukur “Ti që më rrite që vajzë, zëri impresionues i këngëtares së isopolifonisë Tefta Duda për migrimin dhe ashku shpirtëror i mësues Kolos për të mos e pasur nostalgjinë një oaz të detyruar? Fatkeqësisht jo! Emigrimet janë si vrimat e zeza, ato gëlltisin gjithçka. Nuk është më koha kur djalit të padalë s’i jepnin nuse në krahinë. Do të shkonim gjer në fundin e botës për ta gjetur një nuse. Është fjala për diçka më të madhe. Tani shpërngulja është totale. Është një trandje nga themelet, një shkundullimë.


E rrungajat e marsit janë të pafuqishme për t’i bleruar honet. Ndaj poema historike e z. Rigo është njëherazi një akt human, por dhe një akt dëshpërimi. Pas këmbanave të tij të kushtrimit fshihet sublimiteti i dhimbshëm i ikjes pa kthim. Unë e ndjej atë çka ndjen jo vetëm zagoriti Kolo Rigo, por dhe atë çka ndjen dibrani e mirditori, golemasi e kuçioti, dropulliti e vurkari e çdo banor i kahershëm i zonave rurale, ku tashmë pikëllon hardhia e mbetur pa krasitur, avllia e rrënuar dhe bari i mbirë në pragun e harrimit. Unë e ndjej ankthin trishtues të ikjes. Ndaj kënga e tij, sado e palatuar qoftë, është si kënga e fundit e mjelmës. Një akt elegjiak dëshpërimi…

* * *

E megjithatë poema historike “Për ty ZAGORI!” është fryt i një ndjenje të thellë të përkushtimit qytetar ndaj vendlindjes, ndaj mëmëdheut ku të ka rënë koka, ndaj vendit ku balta të duket më e ëmbël se mjalta, siç thoshte sheperioti i shquar Andon Zako Çaupi.

Në të 25 këngët e poemës përshkruahet i gjithë spektri i ngjarjeve historike dhe ngjyrimeve emocionale: lufta dhe puna, heronjtë dhe personalitetet, trimëria dhe kultura, arsimi dhe shkenca, dija dhe politika, shëndeti dhe anemia, besa dhe pabesitë, emigrimi dhe kthimi, ndarja dhe bashkimi, diktatura dhe demokracia, lirizmi dhe satira…një mozaik shumëngjyrësh, por dhe me qëndrime antipode dhe kontraste dritë-hijesh.

Kjo vepër nuk është mirfillësisht letrare, në të vërtetë ajo është një këngëzim i historisë, një përpjekje për ta bërë Amzën e Historisë së jetuar të Zagorisë më të lexueshme, më mbresëlënëse. Në këtë kuptim fiset dhe individët, akademikët dhe politikanët, dëshmorët dhe bujqit, mësuesit dhe ushtarakët, të gjallët dhë të vdekurit, ata që vazhdojnë të jetojnë dhe ata që përloten së largu, të gjitha shtresat sociale dhe të gjitha profesionet mund ta gjejnë veten në të. Vepra në mos ka të spikatura ambiciet letrare, ato kronikore dhe historike i ka bukur të dallueshme; por kur autori del prej rrjedhës së ngjarjeve, veçanërisht në pjesën e dytë, kur di të bëhet ironik e patetik, satirizues e kushtrues, polemizues dhe elegjak, jo thjesht përshkrues si në pjesën e parë, poema bëhet e këndshme. Gjithsesi nëse pjesën e parë e domonon historia, në pjesën e dytë jemi në terenin e letërsisë, të veprës artistike.

Plazmimi gjatë poemës bëhet në dy mënyra. Kur emrat e personazhet janë të shumtë, autori ecën përmes teknikës së zhveshjes artistike dhe vargjet ngjajnë si drurët në vjeshtë, kur ka më pak emra, ka më shumë materie poetike dhe ecet me teknikën e pasurimit e të veshjes artistike, atëherë vargjet gjethojnë si pemët në pranverë.

* * *

Pas këtij përshkrimi të arqtekturës dhe organizimit strukturor të veprës është e nevojshme të thuhen dy fjalë për qëndrimin ideoemocional të autorit, një qëndrim që për mendimin tim përputhet me karakterin e Kolos edhe në jetë, një njeri i gdhendur si me daltë, një karakter i ashpër, por i drejtë.

Kjo poemë ka jo vetëm një sfond të spikatur historik, por edhe një përmbajtje që i qaset sa historisë aq dhe aktualitetit, dhe ky aktualitet bën që autori me të drejtë jo vetëm të përmallet, por dhe të revoltohet me disa prej monstrave të sotme politike që mund të kenë gjithçka, vetëm ndjenja atdhetare s’kanë. Nga kjo pikëpamje poema ka një bosht politiko-shoqëror të diktuar nga trysnia e problemeve të kohës. Kolo, megjithë mllefin ndaj politikës, nuk e ka humbur besimin, ende shpreson në një paqe sociale, ende ëndërron në një Konventë të Mirkuptimit politik, ende beson në kthimin e bijve pranë Nënës, ende ka në sy e në zemër imazhin e bukur të ditëve të fëmijërisë, një zjarr që e ngroh shpirtin njerëzor gjatë gjithë jetës.

Në këtë poemë spikatin dukshëm bindjet e majta politike të autorit. E gjithë jeta e tij, origjina familjare, përkatësia sociale, burimet pasurore, edukimi i marrë nëpër shkolla, veprimtaritë shoqërore, pavarësisht se janë formuar në mënyrë diktuese prej rrethanave socialpolitike dhe natyrës së sistemit, pra jo lirshëm. Dhe zagoriti Kolo Rigo nuk është zagoriti Trifon Xhagjika, një poet i lindur, një martir i artit, i dënuar me vdekje nga diktatura që kumton me zë të lartë bindjen e tij, ashtu si fëmija i përrallës se mbreti ( lexo Atdheu) është lakuriq, që denoncon ndërgjegjet me katrore të zeza, që artikulon dhimbjen: Ndihmomëni të qesh! Por kjo nuk do të thotë se autori i kësaj poeme ka më pak të drejtë, apo se kemi të drejtë ne të cenzurojmë apo paragjykojmë mendimin e tij. Jo! Për më tepër Kolo di të mos bjerë në kurthin e njëanshmërisë politike të bindjeve të veta dhe megjithë nostalgjinë për të kaluarën di t’i thotë të bardhës E BARDHË dhe të zezës E ZEZË.

“Për ty ZAGORI!” është fryt i dashurisë së sinqertë të birit për nënën, i ndjenjës së zjarrtë amëtare, që edhe pse e plakur dhe e brengosur, mbetet gjeja më e shtrenjtë që kemi. Janë mijra fije që na lidhin fizikisht dhe shpirtërisht me të. Buka e misrit dhe aroma e rigonit, plagët e vetëtimave e qiejt e krisur, rropamat e historisë e ankthet tragjike, polifonitë e ëmbla e këmbanat mortore, kërcejtë e hidhur të hithrave e bukuria e brishtë e manushaqeve, vashat erëkëndshme si vjollcat e djemtë gjoksrrahur në tufane; legjenda e fisit dhe historia e të parëve, përrallat dhe mitet, ylberët e gjakut dhe flladet e djersës, zërat femijërorë dhe gurët e pragut, nanuritjet e ëmbla të nënave dhe emrat krenarë të baballarëve, lulet e çelura në djepe dhe kryqet e gdhendura mbi varre. Me atdheun na lidhin britmat heroike të ekzistencës dhe intimiteti i puthjes së përlotur, një mall i madh e i pashuar që as Roma, as Athina, as Torontua, as Bostoni nuk ta fashisin dot. Kjo ndjenjë e mban peng, i ngjyen penën dhe e bën të këndojë Kolo RIGON.

“Për ty ZAGORI!” më së fundi është fryt i një pasioni rinor të pashuar e të pabraktisur për poezinë, për të dashurën e tij rioshe, rob i së cilës mbeti gjithë jetën, megjithëse nuk pati as rastin as mundësinë ta kultivonte. Një pasion i lindur në moshën 7 vjeçare, falë përkushtimit të mësuesit të tij Odise Ngjela, i zhvilluar në orët gazmore, në teatrin shkollor e në kohën kur ishte mësues, paçka se mësues i edukimit fizik, një pasion që në fëmijëri përmbushte disi boshllëkun e tij prej jetimi, e në rini botën shpirtërore të një edukatori të apsionuar.

Nuk di pse duke kujtuar këto fakte nga biografia personale e tij më krijohet pa dashur një përfytirim shoqërues: Koloja në klasën e pestë shkonte në shkollë me rrobat e nënës e tashti më duket se vjen tek ne me rrobat e Zagorisë. Gjithçka në këtë poemë ta krijon këtë përshtypje. Emrat, dashuritë, gurgullima e ujrave, fëshfërima e gjetheve, lotët e mallit…

Edhe pse ka një jetë në Delvinë, vendi ku ka ushtruar profesionin e mësuesit në një hark kohor prej gati 50 vjetësh, ku ka pagëzuar dashuritë, ka veshur këmishën e dhëndërisë, ka lindur, rritur e tashmë edhe martuar fëmijët; vendi ku e njohin gurët e sokaqet, klubet ku pi kafen mëngjesore të pensionistit, ku nervozohet me kodoshët e politikës, nga ku krenohet për moskërrusjen si një realitet fizik dhe si një mesazh shpirtëror, ku lëvdon bëmat e zagoritëve, shkruan vargje me një ashk të ndezur dhe brengoset së largu me lëngatën e braktisjes së vendlindjes, vazhdon të këndojë: “Ti që më rrite që djalë…”

Duke lexuar Kolon padashur tek unë vjen si një gulç përmallimi një këngë nga fëmijëria: “Dola në breg të qershisë, / shkon bejk’e moskovolisë, / vet’e bardh’e rrobat pisë, / të vret me cep të shamisë. / Me gjoks e supe të vret / dallgë-dallgë por si det. / Moj bejka konispolite, / në gjerdan treqind mexhite. / Treqind mexhite i kam, / vajzë zagorite jam, / shoqe përmbi vete s’kam!” Kjo vashë zagorite është poezia e Kolo RIGOS që tashmë ka ardhur tek unë, ka ardhur e lirë si ajri, shpresëndjellëse si dritë mëngjesore. Dhe me shpirt dëshiroj që të vijë edhe tek ju duke e uruar: -Ardhsh e bardhë!


Sarandë, prill 2002

* Botuar si parathënie e poemës historike “Për ty ZAGORI!”

të Kolo Rigos



54 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page