top of page

Arbëreshët...


Arbëreshët midis realitetit dhe mitit“ një vepër e domosdoshme


Fatmir Terziu


Një nga emrat e njohur të fushës së shkrimeve në Shqipëri, Fatmir Toçi, nëpërmjet vështrimit të tij të shkurtër historiko-kulturor tek libri i tij „Arbëreshët midis realitetit dhe mitit“ (Tiranë: Toena; 2021) na vërteton edhe një herë preambulën se mitologjia e një kombi nuk del nga historia e një kombi. Me anë të mitologjisë së një kombi, përpilohet historia e një kombi. Sikurse dihet historia e indianëve, grekëve dhe mjaft komuniteteve të tjera mësohet nga të mësuarit e Zotit. Në rrjedhë të jetës mitet kanë krijuar terminologji të reja në vetë jetën e njerëzve, në qasjen e komuniteteve dhe më gjerë. Përshembull, në mitologjinë kurde, paraardhësit e kurdëve ikën në male për t'i shpëtuar shtypjes së një mbreti të quajtur Zahak. Besohet se këta njerëz, si Kaveh Farkëtari që u fsheh nëpër male gjatë historisë krijuan një etni kurde. Në rastin e Arbëreshëve pas vdekjes së Skënderbeut, pasi miti i Skënderbeut është një nga mitet kryesore konstituive të nacionalizmit shqiptar, arbëreshët (italo-shqiptarët) migruan nga Ballkani në Italinë e Jugut, ku kujtimi dhe bëmat e tij mbijetuan dhe u ruajtën mes tyre në repertorin e tyre muzikor. Pra, ndërsa krijimi i mitit në të dy këto shembuj ka prurë në skenë ikjen dhe shpëtimin e rrjedhës së jetës nga frika e agresionit dhe barbarizmit, me leximin e këtij libri dhe me faktet që përcillen kuptojmë se nuk ka “liberum arbitrium indifferentiae (zgjedhje të lirë të indiferencës)” që një komb të pranojë, ose refuzojë konceptin mitik. Realiteti i mitologjisë është e vërteta universale. Mitologjia nuk mund ta refuzonte historikun sepse procesi i shfaqjes së mitologjisë është një formim real dhe një histori reale.


Pra duke shfletuar „Arbëreshët midis realitetit dhe mitit“ lexuesi gjen se kujtesa e një individi formon identitetin e një individi. Në mënyrë të ngjashme, kujtesa e një kombi formon identitetin e një kombi. Nga njëra anë, historia e këtij formacioni kompozoi historinë e një komuniteti dhe nga ana tjetër hedh dritë mbi të ardhmen. Një pacient me Alzheimer përballet me humbjen e një identiteti personal pasi ka humbur kujtesën e tij. Dhe shoqëritë do të përballen me problemin e një identiteti nëse humbasin mitologjitë dhe kujtimet e tyre historike. Ernst Cassier e përshkroi njeriun si një „kafshë simbolicum“, një kafshë simbolike. Shpirti njerëzor manifestohet dhe kap botën me anë të formave të ndryshme simbolike si miti, gjuha, arti, feja dhe shkenca. Ai gjithashtu kritikoi përshkrimin e Aristotelit për njeriun si „kafshë shoqërore“, sepse ka disa krijesa të tjera që janë gjithashtu sociale në botë. Karakteristika dalluese e njeriut është aftësia e tij për të krijuar sisteme simbolike.

Gjuha, miti, arti, feja, shkenca janë elementet dhe kushtet përbërëse të kësaj forme më të lartë të shoqërisë. Me veprimtarinë e tyre simbolike, qeniet njerëzore hapin një dimension të ri në realitet, ata krijojnë një kozmos simbolesh, sikurse lexojmë tek „Arbëreshët midis realitetit dhe mitit“, ku autori zbërthen ndarjen kishtare, duke na e sqaruar Kishën bizantine Arbëreshe, ku me dokument apostolik të Papa Leonit X (1513-1521) u konfirmua liria e ushtrimit të traditave për të gjithë besimtarët e rritit bizantin, duke lejuar festimin e sakramenteve, shprehjen e besimit, adhurimin, ritet, kultin e tj. (Toçi, 2021: 388). Më tej „Arbëreshët midis realitetit dhe mitit“ shtjellon me një dinamikë të qartë marrëdhëniet midis popujve të brigjeve të Adriatikut dhe Jonit para shekullit të XV.

Kjo për vetë faktin e vërtetimit të historisë së qytetërimeve, pasi ajo vetë është e mbushur me histori mitologjish. Përveç trashëgimive të prekshme, ka shumë trashëgimi jomateriale në historinë e botës. Ekzistenca e tyre vazhdon ende në përmasa të ndryshme me anë të përpjekjeve të qenieve njerëzore. Fuqia mitologjike e mitit Arbëresh kërkon shtratin e vetë dhe natyrisht ajo është unike në historinë e saj, ku gjejmë rrjedhën historike të famijes „Durazzo“ që sipas autorit vjen nga emigrantë me kryemistra të Gjenovës, apo dhe më tej me qasjet që zbërthejnë turqit osmanë në Arbëri dhe familjen Kastrioti, marrëdhëniet e Skënderbeut me Vatikanin, Venedikun dhe Mbretërinë e Napolit, Skënderbeu në Itali si strateg dhe diplomat, e mjaft të tjera. Miti në rrënjën e tij ia detyron këtë veçori dalluese gjeografisë së cituar nga autori, po aq dhe historisë që shkon tej në shekullin XIII-XV për të kaluar në atë që bën thelbin e kërkimit tek valët e migrimit masiv në Itali në shekullin XV. Krijimi i ngulimeve arbëreshe në këto kushte mbetet një urë ndërmjet domethënëse e cila dëshmoi dhe dëshmon për shumë ngjarje historike dhe kulturore në histori. Prandaj, me leximin e „Arbëreshët midis realitetit dhe mitit“ rikujtesa na shpie më gjerë tek thelbi se ne duhet të ruajmë pasuritë tona mitologjike krahas trashëgimive të prekshme dhe të kontribuojmë në kujtesën e kombeve duke kujtuar dhe atribuar këto vlera mitologjike.

Qeniet njerëzore janë krijesa që kërkojnë gjithnjë kuptim. Ne, si qenie njerëzore, kemi gjithashtu aftësi imagjinate, që na mundëson të mendojmë dhe me anë të këtyre karakteristikave, fetë dhe mitologjitë janë shfaqur në skenën tokësore që në datat e hershme të historisë. Pra, shumë vepra të njerëzimit bazohen në prejardhje mitologjike dhe fetare. Në këtë kontekst, mitologjia ka një rol kyç në qytetërimin dhe lëvizjet kulturore përgjatë historisë. Vetëdija për Arbëreshët është jashtëzakonisht e lartë në të gjithë botën, pavarësisht se ka mbijetuar në kushtet që trajton me mjeshtëri autori tek Arbëreshët midis realitetit dhe mitit“. Kjo natyrshëm vetë ndërgjegjësimin ia detyron historisë, gjeografisë dhe pozitës gjeopolitike dhe mitologjisë. Në studimin e tij Fatmir Toçi dëshiron të shpreh rolin e mitologjisë si identitet kulturor përmes mostrave të mitologjisë arbëreshe, ku kapitulli i parë Arbëreshët, një histori mbijetese është vetë çelësi i këtij qëllimi të studimit të këtij autori, si një format besimi, pasi vëtë besimi është gjendja e të qenit i shqetësuar përfundimisht, ku dinamika e besimit është dinamika e shqetësimit përfundimtar të njeriut. Ndryshe nga krijesat e tjera, njeriu ka shqetësime shpirtërore - njohëse, estetike, sociale dhe politike (Tillich, 1958:1-3). Që në ditët e para të historisë, ka pasur një marrëdhënie midis besimit dhe njerëzimit. Shfaqja e miteve është pasqyrim i besimeve të njerëzve.

Besimet e njerëzve përforcohen, sikurse e thamë dhe e gjemë të shtruar në formate të ndryshme tek „Arbëreshët midis realitetit dhe mitit“, nga forma të ndryshme simbolike si miti, gjuha, arti, feja dhe shkenca. Në një aspektualitet të tillë është edhe muzika ajo që transmeton mjaft efikasitete të kësaj ekzistence. Në faqen 347 të këtij studimi autori jo më kot e trajton një gjetje të rëndëishme të tij se „muzika në Sardenjë dhe në Shqipëri është njësoj“ duke bërë kështu një lidhje që kërkon më shumë rrëmim dhe qashtërsi, pasi një tjetër veçori e veçantë e mendjes njerëzore është aftësia e tij për të pasur ide dhe përvoja që ne nuk mund t'i identifikojmë në mënyrë racionale. Ne, sikurse e cituam më lart, kemi lehtësinë e imagjinatës. Me anë të kësaj aftësie, ne mund të mendojmë për diçka që nuk është e pranishme. Kjo imagjinatë është aftësia që prodhon fenë dhe mitologjinë. Do të kishim humbur nëse nuk kishim mite. Shumë pasuri kulturore janë rrëfyer brez pas brezi përmes miteve. Fabulat, mitet, legjendat, përrallat popullore janë prodhimet kolektive. Ato janë formuar nga ndërveprimet e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme. Kështu është dhe mbetet edhe muzika.

Muzika na ofron perspektiva të ndryshme për të kuptuar historinë e njerëzimit. Para së gjithash, muzika është një sjellje universale dhe multikulturore dhe ne nuk mund ta kuptojmë historinë e kësaj etnie pa e kuptuar zhvillimin e muzikës. Muzika është pjesë e domosdoshme e shumë sjelljeve dhe qëndrimeve shoqërore si nga gjuetia te bariu, nga tregimi te loja, nga ngrënia te adhurimi, nga kurimi te varrosja. Së dyti, zhvillimi i gjuhës është një faktor i rëndësishëm për të mësuar fazat e evolucionit të njerëzimit. Gjuha dhe muzika kombinohen me njëra-tjetrën dhe më pas edhe muzika luan një rol për zhvillimin e njerëzimit. Së treti, muzika ka një fuqi për t'i afruar njerëzit dhe kjo aftësi e muzikës na ndihmon të kuptojmë komunikimin kulturor, ndaj autori me një recetë të vogël, por të domosdoshme e kupton se nuk mund të lihet mënjanë kjo domosdoshmëri tek „Arbëreshët midis realitetit dhe mitit“. Prandaj, ka shumë pasuri jo-materiale të lidhura me muzikën në mesin tonë. Muzika është një pasion i ngulitur në natyrën njerëzore në të gjithë globin. Nuk ka kulturë apo qytetërim pa histori muzikore. Madje shfaqet në pikat më të kundërta të jetës: në tempull dhe teatër; në funerale dhe dasma. Ndonjëherë ngjall gëzim, ndonjëherë jep dinjitet. Prandaj, ne gjejmë lehtësisht një pjesë të muzikës në historinë e njerëzimit.

Qeniet njerëzore tek studimi i Fatmir Toçit, përbëjnë gjithmonë "fuqi-fuqi superiore" në mendjen e tij dhe përcaktojnë besimet, mendimet, sjelljet dhe qëndrimet e tij në drejtim të këtyre fuqive superiore, që lidhen me atë që ai e trajton në një kapitull të veçantë që pikëtakon tërë ngulimet Arbëreshe sipas krahinave të Italisë. Këto ngulime janë edhe fuqi superiore që kanë fuqi metafizike dhe që janë gdhendur jo vetëm në mendjen e njerëzve në lloje të ndryshme por dhe në procesin historik. Ashtu sikurse ka ndodhur dhe njohet se përpara shfaqjes së feve monoteiste, qeniet njerëzore besonin perëndeshat e dashurisë, perënditë e luftës, perënditë e detit, diellit dhe të tjera, në këtë kapitulli ngulimet ndriçojnë thelbin e një rrjedhe jete mes tërë simbilikave të saj. Pra, edhe këti si në çdo fazë, ne vëzhgojmë mite. Dhe ka shumë informacione të fshehura në këto mite qofshin reale apo joreale, por ato zbulojnë disa të dhëna që lidhen me fatet arbëreshe dhe identitetin kulturor të tyre.

Autori i mirënjohur shqiptar, Fatmir Toçi, vërtet ka dhënë një punim me karakter informues, por ka hapur një portë të madhe për lexuesit, hulumtuesit dhe mjaft të tjerë në një lëmi që kërkon mjaft organizim dhe shtysë të thellë për të bërë ndriçimin. Eplotë të shekujve në errësirë. Kësisoj „Arbëreshët midis realitetit dhe mitit“ nën një përkujdesje të shkëlqyer autoriale dhe me një mbështetje nga materialet e gjetura dhe të mbledhura nga kontaktet e vetë autorit me intelektualë dhe njerëz të thjeshtë të këtyre ngulimeve është një libër që duhet të shikohet me kujdesin më të madh në vendin që meriton të jetë në bibliotekën e të gjithëve. Libri ka dhe disa emra të respektuar në risinë e tij të përcaktuar ndëhmëse si akademiku Rexhep Qosja, historiani Pëllumb Xhufi, apo dhe recensentët Francesco Altimari dhe Mateo Mandalá dhe redaktorët Rami Memushaj, Gjovalin Shkurtaj etj. „Arbëreshët midis realitetit dhe mitit“ është një studim i domosdoshëm dhe mjaft i përpiktë.

72 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page