Apeloj për të gjithë, përfshirë në krye vetveten: të përzgjedhim profesionistë dhe veçmas korrektorë letrarë të sprovuar
Nga Hasan M. Shahinaj
Doli nga shtypi libri i 12-të i shkrimtarit Xhevahir Cirongu, duke plotësuar kësisoj një dyzinë në kolonën e tij botuese e të suksesshme deri më tash në harkun kohor 2005- 2018, dmth ka botuar vit për vit.Ky libër i ri, sipas autorit, tenton, realizon e shpërndan natyrshëm vakumin e grumbulluar prej tij në kohë dhe hapësirë në detyrën fisnike, delikate e të vështirë të gazetarit; prandaj me të drejtë shkrimtari e ka titulluar ‘’Udhë në kohë…’’.
Kjo, veç të tjerash,na kujton të madhin Dritëro Agolli në fillimet e tia të para letrare, nëse kujtojmë vëllimin e parë poetik ‘’Në rrugë dola’’ të vitit 1958; pastaj ‘’Hapat e mia në asfalt’’ të vitit 1961; më pas ‘’Shtigje malesh e trotuare ‘’ të vitit 1965. Kurse Xhevahiri ynë modest, në fqinjësi krahinore me të madhin Agolli, ka ecur në udhën letrare me hapin e matur të milingonës punëtore të dheut, e cila plot përpjekje e çon kokrën e grurit në folezën e sigurtë duke sfiduar përherë atë gjinkallën zhurmtare, landraqe e aspak letrare që përpos dembelizmit të saj vegjetues, mbetet urie; madje paturpësisht troket në derën bujare të milingonës për një kore bukë çdo dimër të përvitshëm! Bëra këtë paralelizëm të përafër, sepse në të 12- të librat e Xhevahir Cirongut fryn lirizmi spontan, shpirtëror dhe i motivuar i trevës nga buron, gërshetuar me epizmin heroik shqiptar, ndërkrahinor, kosovar e mbarëkomëtar. Mua që më ra barra e rëndë e redaktorit të paanshëm të analizës së këtij vëllimi publicistiko-letrar përzgjedhur këmbëngulshëm nga vetë autori, më del sakaq përpara sysh ajo lartësi qiellore Tomorrike për të ravijëzuar linjat në fjalë.Dhe ja, analiza ime e përmbledhur:
Së pari,i nderuari lexues, autori Xh.Cirongu e ka origjinën burimore nga fshati Leskovë i Tomorricës së Skraparit, pra nga një trevë e begatë disaplanshe, shtrirë nën hijerëndin mal të Tomorrit. Dhe, ashtu sikurse ky kryemal i bekuar froni i perëndive, përthith e shpërndan fort bukur rrezet mëngjesore mbrëmësore rreth e qark në një hapësirë të pamatë; ashtu edhe autori ynë Xh. Cirongu reflekton me librin e tij më të ri një mozaik të pasur shkrimor tematik, shtrirë nëpër trevat shqipfolëse që nga Kosova martire e deri tek Çamëria fisnike. Gjithashtu, që nga Lura e Dibrës, Vlora e Pavarsisë dhe mësonjtorja e parë e Korçës deri tek mësuesit e spikatur e të dekuruar delvinjotë e picariotë; deri në Durrësin antik e metropolitan ku hulumton ai vetë si krijues i mirëfilltë në përbërje të Klubit të shkrimtarëve dhe artistëve sëtoku me ne të tjerët, qysh prej 11 vitesh të themelimit të veprimtarisë intensive vlerashumë të bashkësisë sonë prej krijuesish të zellshëm.
E nisa me vendlindjen e autorit, sepse sipas meje H. Sh, ajo është ngjizja e parë, zanafilla e cicërimave të para poetike të autorit tonë dhe të çdo krijuesi në këtë botë njerëzore ku çelin sythat e parë të pemës krijuese. Pikërisht, përms esesë poetiko-prozodike ‘’Guri i vendlindjes’’ ( në fq. 14 të faqosjes së librit), ai motivon e shpërfaq mall e dhimbje për vendlindjen duke binjakëzuar shpirtin e vet poetik me atë të poetes emigrante me rrënjët tomorricare Vjollca Koni Ajasllari, përms vargjeve të skalitura:
‘’Më prit të shoh majën e Tomorrit/, të hedh sytë mbi Elbasan, Korçë, Gramsh, Skrapar/, mbi krejt Shqipërinë siç bënë Frashëllinjtë atdhetarë…’’ Dhe poeti Xhevahir thur: ‘’ Qenka zhur e prush/ ajo këngë e bukur/ , gjoksin plot seç ma mbush…’’. Shkurt, guri i vendlindjes na portretizohet si gur mulliri që bluan bukën e jetës, kurse jazet ujrambledhës të tij, një sinfoni e pambaruar. Unë, redaktori i këtyre paragrafëve, do të shtoja sentencë vetiake se: edhe pse emigrojmë nga fshati nëpër qytete e shtete e kontinente, djepvarrin vendlindës e bartim përgjithmonë me vete!… Vendlindja është guri i themelit, ekzistenca dhe mbijetesa kulmore. Kjo të mbush me krenari përmes qëndresës sfidante të nënës heroine Xhemile Hazis Kolgjegja, masakruar barbarisht për së gjalli në dheun e zi me fëmijën në bark nga pushtuesit austro- hungarezë gjatë Luftës I Botërore, më 28 korrik 1916 sëbashku me 108 banorë qëndrestarë burjanë. Xhemilja martire ishte nga Krej-Lura, vendlindja e Dom Nikollë Kaçorrit, n/kryetarit të Qeverisë Shqiptare të Pavarsisë; njëherësh ai kryepersonazh i shkrimit publicistik në fjalë (në faqen 5 të faqosjes së vëllimit libëror.)
Së dyti, libri publicistiko-letrar ‘’Udhë në kohë…’’ prej 120 faqesh, ilustruar këndshëm sipas rastit edhe me fotot përkatëse, strukturohet përmes 4 kapitujve bazë; gërshetuar edhe me plot nëntituj e rubrika që ka botuar autori vijëmisht në median e shkruar dhe elektronike. Kapitulli I hapet me shkrime e pasazhe letrare për disa nga figurat emblematike kombëtare siç cituam më lart N. Kaçorri e Fan Noli; ky i fundit dijetar i shquar poliedrik, i cili meshën e parë në gjuhën shqipe e ka dhënë në Durrës. Vijon me kongresin e Lushnjes të 1920-ës, ku jepet edhe fotoja e parlamentit të pare shqiptar të vitit 1921. Parakalojnë në ekranin e mendjes sonë shkrimewt portretizuese për figura dëshmorësh të djeshëm e të sotëm si Avni Kondi e Antigona Fazlliu, që nga jugu shqiptar deri në zemër të Kosovës. Rrëfimet ecin parallel edhe me dëshmitë e përjetuara nga invalidët e veteranët e luftës e të punës sikurse Qemal Mançja me shokë; një figurë e spikatur ndërtimore shqiptare; madje njëherësh mik i përherëshm i duarartëve mjeshtra të Gollobordës kantjereve dursake.Kapitulli I përfshin 37 shkrime të veçanta ku lexuesi njihet me bilbilat e vërtetë të këngës skrapariote që nga kryebilbili i majit Demir Zyko ‘’Artist i Popullit’’ dhe në vazhdim me Asllan Ibron e Fatmir Ajasllariin; pra krenohemi me këta figura të shquara të gurrës së pashteruar të folkorit shqiptar, për të arritur tek rapsodi e valltari virtuoz Dervish Shaqa, shqiponja kosovare. Njihemi me artistë të mëdhenj durrsakë e me jehonë kombëtare si psh. Nikolin Xhoja dhe Ramazan Njala, ky i fundit dalluar si sportist dimensional në disa lloje. Po kështu edhe ish- mësuesi e këngëtari i spikatur lirik Naim Kërçuku, dalluar si intelektual i palodhur për afro 2 dekada për veprimtaritë kulturore të fëmijëve në rang prefekturor, kombëtar e ndërkombëtar në drejtimin e QKF-së së Durrësit.Shkrime analitike e mbreslënse janë ato për poetët e shquar kosovarë si psh: Adem Zaplluzha, Ismail Simica e Gani Pllana; tregimtarin e talentuar për fëmijë Izet Hotin, shkrimtarin e analistin Bedri Tahiri, poeteshën Valbona Sulçe, dibranin Myrteza Baboçin, ish- mësues e këngëtar, piktoren Manjola Hoxholli etj. Vëmendje të posaçme meritojnë pasazhet për poetin e publicistin tropojan Zeqir Lushaj, gazetarin dhe shkrimtarin cilësor Bashkim Koçi nga Prishta e Skraparit e deri tek satira e mprehtë e Nebi Dragotit të zonës së Dumresë, që lëvron ndryshe trivargëshin haiku-humoristik. Mirëpo, qershia mbi tortë në këtë kapitull, është poetesha dhe prozatorja ‘’Mjeshtre e Madhe e Penës’’, Vilhelme Vranari Haxhiraj, princesha e fjalës së ëndrrave dritëdhënse.
Përpos tjerash, kjo mjeshtre e vërtetë eurodite e fjalës letrare shqipe, në përmbyllje të librit që kemi në duar të Xh. Cirongut, na dhuron Esenë e saj si një buqetë karafilash për 1 Qërshorin e ditëlindjes së shkrimtarëve dhe artistëve durrësakë ( pra për Klubin aktiv tonin në 10 – vjetorin e udhëtimit të tij progresiv 2007- 2017).Në kapitullin e parë, më i zgjeruari se 3 kapitujt e tjerë, autori gdhend edhe portrete mësuesish të dalluar delvinjotë e picariotë nga njëra anë; kurse nga tjetra të befasojnë detajet nga përkushtimi human i mjekëve poliçanas e durrsakë deri tek rangu i kirurgut të specializuar Bashkim Habibi, i cili ka botuar edhe monografi historike në këtë fushë. Duhet pohuar se kapitulli I parë ndalet më gjerësisht se kapitujt e tjerë në veçoritë poetike të talenteve si psh.Adem Zaplluzha, të cilin e ka fort për zemër sit ë thuash vetë Xh. Cirongu. Mirëbesoj se ka plotësisht të drejtë,pasi poeti guximtar e prodhimtar A. Zaplluzha, autor i mbi 173 botimeve deri më tash, Brenda e jashtë vendit, nëpër Evropë e gjetiu, ka një nerv poetik specifiko-metaforik dhe analitiko-përgjithësues, nëse kemi parasysh refleksionet çudibërse të titulluara’’Kozmogonia e një poeti kosovar’’ si edhe vëllimin poetik ‘’Një dry prej dylli’’,ndarë në 3 cikle me poezi dhe arrira të kalibrit cilësor kadrean.
Talentit Zaplluzha i shkon për shtat cilësime i Xh.Cirongut: Poet që udhëton brigjeve të kujtesës’’ për modelin e vargut të tij motivues dhe 4 bedenave të fjalëve kështjellore: Atdhe, Nënë, Flamur, Liri… të ngjizura siç duhet në kohë dhe hapësira mbarëkombëtare.
Paralel me poetin kosovar Adem shkon dhe analiza për talentin Vivra ( Vilhelme Vranari Haxhiraj),botuese e merituar e 30 librave në 15 vjet si një sfidante moshore, ngaqë e ka nisur krijimtarinë në moshën 52 –vjeçare; atje brigjeve të Rivierës magjike vlonjate saqë epitetohet si një Nermin Vlora Falaski, pra me studimesen skrupuloze të etnogjenezës shqiptare dhe të gjuhës së lashtë shqipe me rrënjët etimologjike pellazgo-ilire. Poeti rebelues Adem Zaplluzha në 5 vargje na kujton se ‘’Edhe librat në raft protestojnë/, sa bukur! / e paskan mësuar lojën e pantomimës/,herë hapen e herë mbyllen/ ; fletët e ndryshkura të lirikave të Frederikut…’’.Pra, është edhe një apel i sotëm, edhe një homazh i merituar por i vonuar për humbësin lirik të pakrahasueshëm Frederik Rrepshpja, shkodrani etj.
Së treti, Kapitulli II i veprës publicistike të Xh. Cirongut na emocionon padyshim me vlerësimet që i bëjnë 9 autorët vendas dhe kosovarë për krijimtarinë e begatë të autorit tonë në fjalë.Prozën tregimtare të Xhevahirit e analizojnë objektivisht kolegët shkrimtarë Muharrem Gazioni, mjeshtëri haikut dhe Agim Bajrami, poeti i përveçëm lirik e baladist. Po kështu vlerësojnë produktin e Xhevahirit në gjininë e përrallës e të rrëfenjave për fëmijë analistët Hasan Ulqini e Kadri Tarelli; ndërsa refleksionet e Bedri Tahirit dhe të Pëllumb Gorica kanë disa nota elozhiste e subjektive.Analizë objektive modeluese në këtë kapitull bën poeti e kritiku letrar eseist Pjetër Cara duke rreshtuar me fines ca vërejtje dashamirëse e dobiprurëse.Kjo na vlen të gjithëve. Secili/a prej nesh kemi të meta dhe mosrealizime në shkallën spirale të pritshmërisë letrare sipas gjinive që lëvrojmë.Kësoj, vërejtejet reciproke e të specifikuara siç duhet e ku duhet, janë balsami i vetëm për një krijimtari të shëndetshme e me sens ngjitjeje nëpër labirintet e misteret e artit krijues. Duke u ndalur konkretisht në trekëndshin krijues të shkrimtarit Xhevahir (pra si poet, publicist e tregimtar); duke shmangur në maksimum elozhe të tipit ‘’Belul’’ pohoj se mesazhet e 4 vëllimeve poetike të cirongut kanë një poezi të pranueshme, të mirëpritur, të sinqertë, liriko-epike, e cila sython natyrshëm në trungun e shëndoshë të penës së tij poetike.Megjithatë, që të arrijë deri në frontin e plotpjekur kërkon ende mjeshtëri; përpos talentit të autorit dhe kryesorja që ta shijojmë si lexues e anasjelltas ëmbëlsinë e frutit poetik.
Metaforikisht do të thoja me plot dashamirësi: poeti buron nga Leskova (që entimologjikisht dmth Lajthizë); prandaj nuk thyhet dot lajthia me dhëmbë sikurse një kokër gështenjë e zier apo një arrë e butë ( e jo gungse)! Shkurt, poezia lirike e Xh. Cirongut ka gjetur shtratinlumor Osumian herë me vozitje të qetë, herë me ngjitje – zbritje kanonike të trevës nga buron, gjithnjë nën këmbët gurore të ‘’Baba Tomorrit’’ mal… Unë personalisht përgëzoj autorin më fortë për poezinë me tematikë sociale psh dhimbjen e kurbetit, varfërisë aktuale…sepse ma ka ënda që ajo të jetë sa më përafërsisht Çajupiane, ashtu si vëllimi poetik brilant i rilindasit tonë të dytë të madh pas Naim Frashërit. Kujto këtu poezitë e famshme ‘’Fshatit im’’, ‘’Kurbeti’’, ‘’Atdheu dhe dashuria’’ etj të Çajupit.Është rasti këtu të bëj përqasjen me poezinë vendlindëse të Xh. Cirongut:’’Nga Tomorri, fron i parë/, dielli ngroh botën mbarë!/, Fshati im në faqen e një mali/, aty ku rriten lulete lajthia/; një burim uji rrijedh si kristali/; aty nisin udhën ëndrrat e mia/…Rrjedh nga shpirti si ujvarë/, kënga e zemrës o Skrapar!’’Vetëkuptohet lirizmi , mesazhi dhe nënteksti i plot po edhe përshtatja adekuate, e përpiktë si fjala me titullin e vetë librit ‘’Udhë në kohë…’’
Me kënaqësi vërejmë se autori ynë Xh. Cirongu është përfshirë me dy poezi të bukura në antologjinë dygjuhëshe( italisht –fërngjisht) me tematikën e ullirit; një event botues mes autorëve të përzgjedhur kryesisht mesdhetarë. Kjo veç tjerash, rrit besimin për energjitë vitale krijuese të poetit Xhevahir si një tipar pikant në bonsensin e vet krijues. Magjia e ullirit mijravjeçar, edhe si drufrutor i zgjedhur specifik, ilustrohet me foto nga vetë autori që nga Petrela e Tiranës e në jug të vendit tonë.
Së katërti, kapitulli III i librit jep panoramën e shkrimëve të autorit Xhevahir Cirongu me bashkëautorët shqiptaro-kosovarë. Si psh. me poetin Xhemail Peci, imazhe e refleksione për mësuesit delvinjoto/ picariotë, bashkëpunime me dr.Osman Azizaj, refleksioni për Bashkinë e Maliqit etj.
Personalisht ndjej kënaqësi obliguese se autori Cirongu ka përzgjedhur edhe 2 nga shkrimet tona si bashkëautorë, kushtuar autorit disident durrsak Gëzim Çela dhe 70 –vjetorit të gazetarit me përvojë kombëtare Zylyftar Haxha, të botuara periodikisht më parë edhe në gazetën e pavarur ‘’Zëri i Gollobordës’’, ku unë jam kryeredaktori i saj prej 13 vjetësh rradhazi. Sqaroj se shkrimtari Xhevahir është një bashkëpuntor i rregullt me këtë organ me botime poezish, shkrime për rapsodin Dervish Shaqa, opinione letrare etj. Autori bën mirë që kapitullin e tretë e siglon në fletën hyrëse me 2 bashkëpuntorët e tij vendas: Gëzim Aliajn nga kryesia e Shoqatës atdhetaro-kulturore ’’Tomorri’’ dhe Dake Tushën nga kryesia e Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it.
Së pesti, kapitulli IV hapet me 2 shkrime skica humoristike të autorit me thumb kritik aktual social. Me ineres për lexuesin është shkrimi hulumtues për këngën përmetare kaludhiote, një buqetë e vërtetë trandafilash që veç rriten në Përmet, ku siç edhe proverbializohet gëzueshëm: shko e vizito të të presin në çdo kohë e stinë si mbret! Mirëpo, rubrika më domethënëse është ajo e si gurra ‘’Udhëtim nëpër gjurmët e historisë’’; ku përmes reportazhit aktual triditor 14,15,16, qërshor 2018 na ekranizohen veprimtaritë konkrete nëpër Kosovë, pikënisur nga guida përmes Prizrenit historik, nëpër gjurmët e betejës famore të Fushë-Kosovës të vitit 1389 e deri në komunën Kastriot. Atje, pikërisht në kuadrin e ‘’Vitit të Skënderbeut’’ (2018-ta), ka marrë pjesë enkas nga Italia mike një pinjoll trashëgimtar skënderbegian me emrin Loros Skënderbeg. Gjë solemne kjo!
Pra, lëvizja ‘’Foleja kombëtare shqiptare’’ e realizuar si më lart përmes larmisë së veprimtarive, bisedave, vizitave, këngëve zinxhir e valleve mikste jug-veri, sekuencave fotografike, na mbushin me emocione të forta atdhetarie të ndërsjellta.Këtu ka vlerë edhe pena e Bedri Tahirit, ngaqë përjetëson lavdinë tonë kombëtare në përkrahje të publicistikës të Xhevahir Cirongut.
Së fundi, duke përmbledhur këtë analizë përmbledhëse si më lart, dëshiroj të shpreh opinionin personal si vijon:Pa asnjë hatërmbetje të gjithësecilit/ës prej nesh, as të autorit Xhevahir, duke përfshirë edhe veten time si redactor (me botimin e librit tim të fundit, shtator 2018: monografi historiko- pedagogjike me 460 fq.) ; dua të apeloj e të jem kritik dashamirës si i thonë ‘’24 karat’’ për: Kërkoj shumë ndjesë drejtpërdrejt për shumë lapsuse kompjuterike të pashmangshme që na bëjnë të ashtuquajturit ‘’specialistë’’ të artit grafik; ngaqë ata faktikisht nuk njohin në fakt dhe nuk zbatojnë rigorozisht standartin e drejtshkrimit të njësuar kombëtar të gjuhës shqipe. Kësisoj, edhe libri i mirë, i pasur, motivues e masozhues i autorit tonë Xh. Cirongu që analizova sa më detajueshëm, nuk u shpëton dot gabimeve kompjuterike si më lart. Kjo përbën keqardhje dhe kontradiktë me përmbajtjen mjaftë të pasur të librit ‘’Udhë në kohë…’’. Po kështu më ndodhi kohët e fundit edhe mua me vëllimin poetik brilant ’’ Sërish’’ të Agim Bajramit; me librin e bukur ‘’Baladë për Tartin e Spaçit’’ të Hysen Haxhiajt, me librin vëllimor pedagogjik ‘’ 100 vjetori i shkollës së Shënvlashit’’ të Bajram Gashit, me ‘’Unë mendoj’’ të Vladimir Muçës. etj.
Prandaj, e përsëris: apeloj për të gjithë, përfshirë në krye vetveten: të përzgjedhim profesionistë dhe veçmas korrektorë letrarë të sprovuar; mundësisht mësues me përvojë të pasur të fushës shqipe, me qëllim që veprat tona të kenë bukurperformancën, nurin ashtu siç na i prodhon aq mundimshëm porsi guri i Sizifit truri e shpirti ynë krijonjës…
Me përzemërsi përshëndes botimin e librit ‘’Udhë në kohë…’’ të Xh. Cirongut duke i uruar: suksese e lartësi të tjera mbi shtratin e sigurtë të botimeve si deri më tash porsi rrjedha tërsëlluese e Osumit plak nën hijen e Tomorrit frymëzues…
Commentaires