top of page

Anullim


Anullim

Fatmir Terziu

Dikush u shtang. Pastruesja e Kuvendit të Popullit paska thënë të vërtetën në Mbledhjen e Grupit Parlamentar të Dëshmive të Ngraghetas.

-Kanë rrjedhur dokumenta sekrete nga dosjet tona, mësohet të ketë thënë Musa Ulqini, një nga parlamentarët e sotëm e të djeshëm, që zëri i dëgjohet të paktën një herë në katër vjet.

-Të pyetet Pastruesja!, ka lëshuar zërin e prerë Fatmir Xhafa, në rolin e dy lloj ish-ministërllëqve të mëparshme të tij.

Dhe pas zërit, po aq dhe heshtjes …, Pastruesja ka deklaruar për një minutë e tridhjetë sekonda prerë: „Unë jam pastruese!“

Të gjithë kanë ngritur sytë dhe kanë parë njëri-tjetrin me sy duke i shtuar suvasë së parlamentit ngjyrime të ndryshme. Si ishte e mundur që dosjet e tyre ishin bërë pis. Kush duhej ti pastronte ato? A nuk kemi ne pastruese? Kush i ka nxjerrë gjithë ato marifete me Ndragheta? Dhe pastaj bëhet fjalë për Fjalë të Lirë!

Mesazhi ishte i qartë. Tashmë duhej tender i ri. Dhe tenderi për një pastruese të re, të sigurtë, të besuar.

Dhe kështu komisioni kishte pasuar mesazhin me teknologji moderne tek Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi, e ky i fundit menjëherë në zyrën e Kryeministrit Edi Rama.

„Tender?!“ „Të anullohet tenderi!“ Shkruhej në një letër të ardhur nga një mik i afërt i përtej Adriatikut, sigurisht i Kryeministrit. Dhe ky ishte habitur më shumë. Si ka mundësi të dëgjihet kaq lirshëm sa këtu dhe atje e njëta fjalë të anullohet?!

Anullo! Anullim!

***

„Anullo!“ „Fike televizorin!“ „Ngri-je ekranin!“ Kjo ka qenë prej gati tridhjetë vjetësh një britmë tallëse, infantile e masës së lënë me një dorë në torbën majëkrahu dhe një dorë tjetër tek pulti i televizorit, të kësaj mase jo të paktë shqiptare, të lënë me sytë në pritje, sa herë që dikush nga zyrat e shtetit del dhe tregon ndonjë projekt, ndonjë plan, ndonjë ide, ndonjë ndryshim, ndonjë shpresë, si në përrallat e gjysheve në mes të dimrit. Kjo masë mbetet me njërin sy në kllapi kur një masë tjetër „ankohet“ për shtrëngime të lirisë së fjalës. Nuk ka krizë të fjalës së lirë, këmbëngulin zyrtarët, që ua mësojnë kopjuterin, internetin dhe pultin ende nipërit e mbesat e tyre. Asnjë platformë në mjediset sociale nuk është censurë, bërtasin mbajtësit e smartfonëve. Thjesht ndryshim-pritësit zgjedhin lirisht të mos shoqërohen me njerëz që kanë mendime të ndryshme, përflitet në kafenetë plot e përplot në kohë oraresh reduktive me bllokim prej Covid-19. Dhe ajo që mbeti duke u zhvendosur në Twitter dhe Facebook, gjetkë, larg tyre, atje ku Demokracia u përkund si kurë ndonjëherë në histori, si shkak i mendimit ndryshe, nuk është censurë, thanë ata që varin shpresat e karrigeve të pushtetit nga hija që lëshon „Shtëpia e Bardhë“. Thuhet se kjo është thjesht një e ndodhur, ata janë kompani private, që zbatojnë termat dhe kushtet e tyre. Kush e dinte se të majtët mbështesnin kaq shumë të drejtat e pronës private?

E në këtë rast dëgjohet jo pak anullimi. Anullimi ka mbetur vetë sinonimi i gjithë kësaj katrahure, që nis me „Fike televizorin!' kur dëgjohet e ridëgjihet prej tre dekadash…„Anullo!“ „Do të anullojmë!“ „Do të anullohet!“

Anullim. Kjo fjalë, gjurmon tek fjala latine nullus, nga ne-, që do të thotë „jo“, dhe ullus, që do të thotë „ndonjë“. „Null“ shpesh shfaqet në kontekste ligjore dhe shkencore, pra që nënkuptohet si fjalë që meton diçka që mbetet si e tillë në ekzistencë e duke mos pasur forcë ligjore ose detyruese, pra e pavlefshme. Shkurt, pa asnjë vlerë. ose efekt. Një zero. Në shkencën elektronike është kombinim. Kombinohet një sinjal me një tjetër në mënyrë që të krijohet një „nul“. Pra, që nënkupton anullim.

Sikurse e thamë anullim shoqërohet me vlerën zero. Gjendja, ose cilësia e të qenit nul; hiç; pavlefshmeria. Është diçka e pavlefshme. Diçka pa fuqi ligjore. Por kjo tregon dhe një person me rëndësi të papërfillshme. Sidoqoftë, ky person bën „Ligjin“, ky bën dhe „Maliqin“. Ai nuk është thjesht në proverb. Ai është kudo dhe madje tashmë është disi … „Mbret“. Të dikton si duhet të anullosh. Të dikton si të flasësh. Të ndërhyn kur flet. Ky person ka kapërcyer atë që ka një kuptim i tillë. Liria për të thënë vetëm gjëra që ky i miraton nuk është aspak liri. Ne kemi nevojë për liri të plotë të fjalës, të papenguar nga turmat e kulturës anulluese, në mënyrë që të gjithë të shprehen dhe, më e rëndësishmja, që të gjithë të tjerët të mund të peshojnë atë që thuhet dhe të vendosin vetë nëse është e drejtë apo e gabuar, e mirë apo e keqe. Siç duhet të kuptojnë tani ky lloj tallësi dhe të tjerët, nëse vendosin kurthin e censurës, ajo një ditë do t'i fusë në grackë. Zgjidhja është e qartë: mbroni lirinë e mendimit dhe të të folurit për të gjithë, përfshirë armiqtë tuaj. Edhe të pastrueses! Sigurisht kjo nuk duhet të thuhet se kishte lidhje më me Ndraghetan.

93 views1 comment

1 ความคิดเห็น


FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
28 ม.ค. 2564

Kadrije Gurmani

Fatmir Terziu me le pa fryme me kete sarkazem te zbukuruar kaq bukur, te shkruar ne pak rreshta gjarperues te realitetit..

ถูกใจ

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page