Në personin e miliarderit Donald Tramp, teleshikuesit kanë pasë njohur sipërmarrësin kryesisht në sferën e pasurive të paluajtshme, si edhe në rolin e drejtuesit të emisioneve televizive, sidomos të atyre me programe argëtuese. Në një sërë filmash dhe teleserialesh, ai ka pasë luajtur role episodike. Prej vitit 1996 deri në vitin 2015, Trampi ka qenë pronar i konkursit ”Miss Universi”. Ambiciet e tij për postin e presidentit kanë pasë nisur pas zgjedhjeve të vitit 1988. Por vetëm në tetorin e vitit 1999 e pati deklaruar veten si kandidat të mundshëm të Partisë së Reformave (më 14 shkurt të vitit 2000 hoqi dorë nga kandidimi), një parti kjo, të cilën, në vitin 1995, e pati themeluar Ros Pero (Ross Perot - 1930-2010), biznesmen, filantropist, politikan konservator, kandidat i pavarur për postin e presidentit në zgjedhjet e vitit 1992 dhe 1996.
Më 16 gusht të vitit 2015, Trampi deklaroi se po hynte në garë për postin e presidentit në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2016. Asokohe, kur pata ndjekur disa nga emisionet e lartpërmendura televizive, Trampi nuk më pati lënë përshtypje të mira, sepse jo rrallëherë nuk mbante qëndrim serioz ndaj atyre që intervistonte. Por për dyshimet e mia për mosseriozitetin e tij, u binda më vonë, pasi kishte shpallur kandidaturën për president
Gazetarja e mediaportalit ndërkombëtar “BuzzFeed”, Miriam Elder, më 18 dhjetor 2015, aty pati botuar artikullin me titull “Kjo është arsyeja e vërtetë se pse Putini e ka qejf Donald Trampin”.
Sipas gazetares, Putini dhe Trampi kanë ngjashmëri: të dy duken si “máço” (nga spanjishtja “macho”, që do të thotë “mashkull”, në kuptimin “burrë agresiv, i pushtuar së tepërmi nga josha seksuale) dhe janë të prirur për stil autoritarist në ushtrimin e pushtetit. Ajo nënvizon:
“Trampi, ky tip i kuturisur, ky ksenofob, ky lojtar cirku, në retorikën e vet ka arritur deri atje, saqë ka nxjerrë nga goja të tilla deklarata absurde, të cilat e kanë bërë Vashingtonin objekt talljesh në të gjithë botën. Dhe kjo klounadë vazhdon çdo javë. Të gjithë rrinë e hedhin fall se në çfarë katastrofe do të na çojë një gjë e tillë. Ende nuk kanë arritur t’i bien në të, ndërkohë që Putinit ia ka prerë mendja: nga kaosi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet nxjerrë përfitim politik. Agai i Kremlinit e përkrah Trampin për të vetmen arsye se Trampi paraqet kërcënim për vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Një javë pas leximit të këtij informacioni, në një tjetër portal, u njoha me një deklaratë të Trampit, krejtësisht antishqiptare. Por për përmbajtjen e saj do të bëj fjalë pak më poshtë.
Kishte disa muaj që po vazhdonte fushata elektorale dhe, më në fund, pasi Trampi i kishte lënë pas të gjithë rivalët gjatë garës, partia republikane, më 16 maj 2016, e shpalli të vetmin kandidat për president, çka u aprovua në kongresin e asaj partie që i zhvilloi punimet më 18-21 qershor. Është për t’u theksuar se Trampi ishte i pari president që kishte fituar më pak vota se rivalja e ti Hilari Klinton (Hillary Clinton - 1947), por postin e presidentit ai e mori me votat e kolegjit zgjedhor, ku kishte fituar 306 vota (56,88%).
Nuk më takon mua të flas për Trampin se si e ka drejtuar vendin me mënyrën e qeverisjes gjatë katër vjetëve të mandatit të tij dhe nëse republikanët, me Trampin, bënë një eksperiment të suksesshshëm apo të dështuar. Kjo është një zeje që e ushtrojnë analistët, opinionistët dhe publicistët amerikanë. Por nëse Trampi e ka ngritur apo e ka ulur autoritetin e Shteteve të Bashkuara në sytë e opinionit publik ndërkombëtar, po mundohem të them dy fjalë, duke përfshirë edhe qëndrimin e tij ndaj shqiptarëve.
Së pari, Si president i një vendi të madh dhe me autoritet në botë, Trampi, çuditërisht, u ngrit e shkoi, nga Vashingtoni në Singapor, për të takuar, pothuajse në derën e shtëpisë, diktatorin e Koresë së Veriut, për t’i mbushur mendjen të hiqte dorë nga armët bërthamore, udhëtim që përfundoi me një vërë në ujë: sipas informacioneve më të fundit, Koreja e Veriut, gjatë një parade ushtarake në Phenjan më 15 janar 2021, zbuloi një lloj të ri të raketës balistike, që lëshohet nga nëndetësja, ndërkohë që diktatori Kim i cilësoi Shtetet e Bashkuara si “armikun më të madh” të vendit të tij.
Së dyti, u ngrit e shkoi në kufirin e dy Koreve, për të “pajtuar” kryediktatorin e Veriut me presidentin e Jugut, pra, shkoi në shtëpinë e tyre dhe vizita i doli huq.
Së treti, pranoi të takohej me Putinin, “në derën e shtëpisë” së këtij të fundit, në Helsinki, ku u përqafua ngrohtësisht me neocarin rus. Para atij takimi, që u zhvillua më 16 korrik 2018, Trampi pati deklaruar se takimi i tij me Putinin do të ishte pjesa më e lehtë e udhëtimit të tij në Evropë. Por pas kësaj deklarate, reagoi ashpër senatori republikan Xhef Fleik (Jeff Flake), i cili tha:
“Presidenti rus është një njeri i shkolluar në tradhti dhe spiunim. Ai i burgos dhe i vret kundërshtarët e tij, kryeson një shtet mafioz dhe është armik i demokracisë. Përse takimi me Putinin do të ishte më i lehtë se takimi me aleatët?” (Citohet sipas: Valona Tela. “Putini është armik i Amerikës”. Faqja e internetit “Evropa e Lirë”. 13 korrik 2018).
Me këto takime, Trampi pati braktisur traditën dinjitoze të presidentëve paraardhës, të cilët, në takimet me udhëheqës të huaj jashtë territorit amerikan, respektonin parimin e baraslargësisë. Kështu, Bushi, i Madhi, qe takuar me Gorbaçovin në Maltë, kurse Regani, po me Gorbaçovin, qe takuar në Islandë.
Gjatë fushatës zgjedhore të Trampit për mandatin e dytë, ra në sy diçka shumë e çuditshme: për herë të parë në historinë e fushatave zgjedhore në Shtetet e Bashkuara, duke filluar nga zgjedhjet e para në vitin 1790, u dëgjua shprehja “vjedhje votash”, një dukuri karakteristike kjo për vende diktatoriale dhe ish-komuniste. Shembullin më domethënës për vjedhje votash e ka dhënë Putini, kur, për herë të parë, mori postin e presidentit në zgjedhjet e 26 marsit të vitit 2000. Asokohe, një gazetar i njohur në Tiranë më pati dhënë të lexoja një kopje të një gazete ruse me titull “The Moscow Times”, në të cilën përshkruhej mënyra e vjedhjes së votave nga taborret e Putinit, e cila ishte e pamundur të zbulohej.
Këtu do të mjaftohem të ndalem edhe në disa fakte që vërtetojnë se ajo çka shkruante pesë vjet më parë gazetarja e lartpërmendur Miliam Elder për marrëdhëniet e Trampit me Putinin, kishte tërhequr edhe vëmendjen e gazetarëve të tjerë që në vitin 2016, deri edhe një vit apo disa muaj para përfundimit të mandatit të tij.
Një gazetar dhe shkrimtar anglez shkruan:
“Në dhjetor, disa muaj para se Trampi të propozohej nga partia republikane si kandidat për president, Putini e pati quajtur “njeri të ndritur, të talentuar, pa as dyshimin më të vogël”… Trampi, nga ana e vet, u shpreh për Putinin me simpati, duke e quajtur “udhëheqës të fortë”, me të cilin do të dëshironte të kishte marrëdhënie shumë të mira… Mjetet ruse të informimit masiv janë kryesisht në mbështetje të Trampit, i cili, në financimin e bizneseve të veta me pasuri të paluajtshme, tradicionalisht, vazhdon t’i var shpresat te paratë ruse” (Citohet sipas: Julian Borger. “Nuk ka dyshim që Putini përkrah Trampin”. Faqja e internetit e gazetës “The Guardian”. 26 korrik 2016).
Autori i një analize gjatë fushatës së Trampit, pati tërhequr vëmendjen për një deklaratë të tij. Ai shkruan:
“Deklarata e Trampit, sipas të cilit do të ishte më mirë që diktatorët gjakatarë, si Sadam Huseini, Moamar Kadafi dhe Bashar Al Asadi të mbeteshin në pushtet, ndryshon kaq shumë nga politika e sotme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përputhet plotësisht me pikëpamjet e Putinit, saqë jehona e saj në mjetet ruse të informimit masiv vlerësohej si detyrë e dorës së parë”. (Citohet sipas: Rob Garver. “Kjo është arsyeja pse Putini dëshiron që Trampi të jetë në Zyrën Ovale”. Faqja e internetit “yahoo!news”. 27 korrik 2016).
Gazetari i gazetës angleze “Financial Times” Eduard Lus (Edward Luce), në numrin e datës 17 janar 2019, pati botuar një artikull, me titull “E vërteta e pakëndshme për përqafimet e Trampit me ariun rus”. Aty ai shkruan:
“Donald Trampi sillet në një mënyrë të tillë, sikur i detyrohet diçka Vladimir Putinit”, dhe shtron pyetjen:
“A do të kishin votuar senatorët republikanë për heqjen e sanksioneve kundër kompanive të oligarkut rus Oleg Deripaski, sikur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të kishte qenë dikush tjetër? Jo”.
Në revistën javore amerikane“Newsweek” të datës 16 dhjetor 2019, gazetarja Melissa Lemieux shkruante:
“Media shtetërore ruse e quan Trampin “agjent” të Moskës, duke rekomanduar me shaka se do t’i duhet të arratiset nga vendi, pasi të lërë Zyrën Ovale”.
Reporteri amerikan Tim Uiner (Tim Weiner), autor i librit më të ri “Marrëzia dhe Lavdia: Amerika, Rusia dhe Lufta Politike, 1945-2020, në një artikull me titull “Një pyetje pa përgjigje e ditëve tona: A është Trampi agjent i Rusisë?”, të botuar në gazetën “Washington Post” të datës 21 shtator 2020, shkruan:
“Bizneset e Trampit janë plot me para të pista të Rusisë”.
Dhe më poshtë vazhdon:
“Agjentët e kundërzbulimit të Byrosë Federale të Hetimeve i shtronin vetes pyetjen: cila qe arsyeja që Trampi pati ftuar ambasadorin rus dhe ministrin e jashtëm rus në Zyrën Ovale të nesërmen e ditës kur i pati hequr një vërejtje të rëndë Drejtorit të Byrosë Federale të Hetimeve Xheims B. Komei (James B. Comey) dhe u mburr për një gjë të tillë? Trampi u tha atyre në intimitet:
“E shkarkova kreun e Byrosë Federale të Hetimeve se kam pasur shumë presione për shkak të Rusisë””.
Këto qëndrime të Trampit, në këndvështrimin tim, e kanë ulur së tepërmi autoritetin e Shteteve të Bashkuara në sytë e opinionit publik ndërkombëtar. Jo më kot, në internet, dikush e pati vënë veten në rolin e Trampit në një koment shakatar, si ato që shfaqen dhe zhduken nga ekrani i kompjuterit si me magji, si ky në vijim:
“Thanks to big Serbian community in the USA, I will win this elections! I have to give thanks to Serbian president @avucic for making this favor to me. As promised I will give back you Kosovo. And if you want a part of Croatia! I can’t touch Slovenia because of my wife. Sorry” (Falënderime komunitetit të madh serb në SHBA, unë do t’i fitoj këto zgjedhje. Më duhet të falënderoj presidentin serb Vuçiç për nderin që më ka bërë. Siç kam premtuar, do t’jua kthej Kosovën. Dhe, nëse dëshironi, edhe një pjesë të Kroacisë. Por Slloveninë nuk mund ta prek për shkak të sime shoqeje. Të më falni).
Analisti Alon Ben-Meir është profesor i Qendrës së Studimeve Globale të Universitetit të Nju Jorkut, ekspert për çështjet e Lindjes së Mesme. Në njërën nga analizat e veta, Shtëpinë e Bardhë nën qeverisjen e presidentit Tramp, ai e ka etiketuar “Shtëpia e Gënjeshtrave” (Citohet sipas: Alon Ben-Meir. “Vizita e Kasapit të Ankarasë në Shtëpinë e Gënjeshtrave”. Faqja e internetit “trojetshqiptare.net”. 08 nëntor 2019).
Historianit izraelit Yuval Noah Harar, profesor i Universitetit Hebraik në Jerusalem, i pati marrë një intervistë gazeta italiane“La Repubblica”. Në atë intervistë atij i është drejtuar edhe një pyetje, në të cilën është vënë theksi se Amerika, për momentin, as nuk po përpiqet të ofrojë një lidership global. Historiani pati dhënë përgjigjen në vijim:
“… gërryerja e besimit tek Amerika gjatë katër viteve të fundit ka qenë kaq e thellë, saqë rikthimi i këtij besimi nuk do të jetë as i thjeshtë dhe as i shpejtë” (Citohet sipas: “Profecia’ e historianit izraelit: Furtuna e koronavirusit do të kalojë, por…”. Faqja e internetit “Lapsi.al”. 15 prill 2020.
Prandaj Profesori i historisë në Universitetin e Prinstonit (Princeton University) Harold Xheims ((Harold James), shkruan:
“… Nën drejtimin e presidentit Donald Trump, Amerika është bërë një turp ndërkombëtar“ (Citohet sipas: Harold Xheims “Amerika si Bashkimi Sovjetik”. Faqja e internetit “Reporter.al”. 02 korrik 2020).
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, në gazetën “Bota Sot“ të datës 06 korrik 2020, duke pasur parasysh zgjedhjen e Trampit president në nëntor të vitit 2016, nëpërmjet pyetjes në vijim, nxjerr në pah ngazëllimin e serbëve për Trampin:
“A ju kujtohet posteri i madh “Trampe Srbine” (Tramp, o serb), kur ishte zgjedhur presidenti i tanishëm amerikan?”.
Këto marrëdhënie të ngrohta të Trampit me Putinin, domosdo që do të refletoheshin në mënyrë të padiskutueshme në qëndrimin e tij antishqiptar në raport me Republikën e Kosovës. Sepse dihet që Rusia cariste dhe Rusia neocariste putiniane ka qenë, është dhe do të vazhdojë të mbetet armike e betuar e kombit shqiptar [Këtë qëndrim të saj antishqiptar e kam argumentuar me fakte konkrete në një ese të gjatë me titull “Rusia, kjo armike e betuar e kombit shqiptar”, të botuar për herë të parë në vitin 2008. Është botuar edhe në internet].
Por, çuditërisht, analistët, gazetarët, opinionistët dhe moderatorët e kanaleve televizive në Tiranë dhe në Prishtinë, me ndonjë përjashtim të rrallë (e kam fjalën për analisten e talentuar dhe mjaft dinjitoze, me brumosje nacionaliste, zonjën Kimete Berisha, të cilën e përshëndes përzemërsisht) e kanë pasë anashkaluar qëllimisht qëndrimin antishqiptar të Trampit kundër mbarë kombit shqiptar, i konkretizuar me fakte të pakundërshtueshme kundër popullit shqiptar të Kosovës. Nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse ata udhëhiqen nga filozofia e servilizmit ndaj kastës politike shqiptare, e cila ka qenë dhe vazhdon të mbetet mercenare në shërbim të grekoserbizmit dhe, në rastin konkret, për rrjedhojë, ndaj antishqiptarizmit të Trampit, simpatizantit të Moskës dhe të Beogradit.
Por atë që s’e kanë bërë të lartpërmendurit mjeranë, e kanë bërë figura të njohura nga radhët e personaliteteve amerikane të fushës së dijes, të diplomacisë
Për rreshtimin e Trampit përkrah Putinit, pikësynimi i të cilit ishte shpërbërja e NATO-s, shpëtimtares së Kosovës, është shprehur ish-Nënsekretari i Shtetit, Nikolas Burns. Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016, ai pati komentuar deklaratat e Trampit për NATO-n, sipas së cilave, nëse ai zgjidhej president, nuk do të vendoste automatikisht për mbrojtjen e vendeve aleate, nëse ato kërcënoheshin nga Rusia. Burns deklaroi:
“Ajo që zoti Trump tha javën e kaluar për NATO-n, e dëmton krejt besueshmërinë e Aleancës”. (Citohet sipas: “Dënohen deklaratat e Trampit për Rusinë dhe Klintonin”. Faqja e internetit e gazetës “Shekulli”. 28 korrik 2016).
Dihet që Trampi, në qëndrimin ndaj Republikës së Kosovës, për të kënaqur plotësisht interesat shoviniste të Moskës së Putinit dhe të Beogradit, fillimisht, si të dërguar special për Kosovën, pati emëruar këshilltarin e vet Xhon Bolton (John Bolton), armikun e pavarësisë së Kosovës. David L. Filips (Phillips), Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Kolumbia në Nju York, njëherësh njohës i mirë i rrethanave politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka botuar sa e sa materiale në mbrojtje të shtetit të Kosovës dhe përgjithësisht të shqiptarëve, për këtë këshilltar të Trampit, ka shkruar:
“Gjatë dhjetëvjeçarëve, Boltoni ka qenë i papërmbajtur në simpatinë e vet parësore ndaj Serbisë. Ai është në përkrahje të planit të tanishëm të Beogradit për ndarjen e Kosovës, në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi” (Citohet sipas: David L. Phillips. “Bolton's Bias Against Kosovo - Paragjykimet e Boltonit kundër Kosovës”. Gazeta “Dielli”. 18 shkurt 2019).
Pas Boltonit, Trampi emëroi Metju Palmerin (Matthew Palmer), dhëndrin e Serbisë, i cili pati deklaruar se kur të dilte në pension, do të zhvendosej me banim në Serbi. Më në fund, siç themi ne në Labëri, Trampi “e shtiu në hi” (në kuptimin: e “ndriti” me atë që bëri), si të dërguar special emëroi Riçard Grenellin (Richard Grenell), një njeri të pamoralshëm dhe aspak dashamirës ndaj Kosovës.
Ish-diplomati amerikan Xheims Perdju (James W. Pardew), njohës i mirë i Ballkanit, në një analizë të botuar në fillim të muajit maj të vitit të kaluar, shkruan:
“Ambasadorja amerikane në OKB, Suzan Rajs (Susan Rice), e ka quajtur Grenellin “një nga njerëzit më të këqij, më të pandershëm që kam hasur ndonjëherë”… Pse po mban Grenelli një qëndrim proserb në bisedime? Pse SHBA-të po destabilizojnë një vend proamerikan në një kohë kaq të ndjeshme? Diçka mban erë këtu. Si një luftëtar entuziast i dhënë pas Trampit, Grenelli mund të jetë thjesht duke u përpjekur me gjithë forcat për të kënaqur shefin e vet.Por dyshoj se këtu bëhet fjalë për diçka më shqetësuese, veçanërisht pas dyshimeve të thella që më mbeten për marrëdhënien mes Trampit dhe Vladimir Putinit. Unë dyshoj - pa pasur prova - se Putini i ka paraqitur Trampit pikëpamjet e tij proserbe, i ka theksuar se shqiptarët janë myslimanë dhe më pas i ka kërkuar Trampit ndihmë për negociatat. Ashtu si me emërimet e tjera të keqpeshuara, Trampi bëri shërbëtorin e tij besnik, agresivin dhe antagonistin Grenell, njeriun kyç në Kosovë. Kjo do të ishte një dhuratë e fituar lehtë për Putinin, i cili kënaqet kur shkakton telashe të çfarëdollojshme në Evropë” (Citohet sipas: James W. Pardew. “Washingtoni ngatërrohet në Ballkan ndërkohë që flakët e COVID-19 gllabërojnë botën”. Uebfaqja amerikane e lajmeve “The Hill”. 04 maj 2020).
David L. Phillips, me një guxim të admirueshëm intelektual, ka deklaruar:
“Presidenti Donald J. Tramp ka tradhtuar besimin e Kosovës në SHBA, duke mos mbështetur progresin e arritur përgjatë dekadave… Kam pasur nderin të punoja për Kosovën me Ambasadorin Richard C. Holbrooke. Unë nuk mund të flas për të, por mund ta imagjinoj tmerrin për paragjykimet antishqiptare të Trampit… Trampi e ka tradhtuar Kosovën. Kur të votojnë në nëntor, shqiptaro-amerikanët duhet të kërkojnë ndryshimin e regjimit në Amerikë” (Citohet sipas: David L. Phillips. “Trampi e tradhëtoi Kosovën”. Faqja e internetit “Front Online”.04 maj 2020).
Ndërsa në një tjetër analizë, ka theksuar:
“Diplomacia e Trumpit dhe paragjykimi proserb ka qenë një dështim. Ajo çnderon mijëra shqiptarë të Kosovës që vdiqën për shkak të agresionit të Serbisë” (Citohet sipas: David L. Phillips. “Administrata Tramp kërkon zgjidhje të shpejtë, por s’ka zgjidhje të tillë për krimet e Serbisë”. Faqja e internetit “Zëri”, 25 gusht 2020).
Lidhur me të ashtuquajturën “Marrëveshje e Vashingtonit” të 27 qershorit 2020, Trampi, në mënyrën më cinike dhe më poshtëruese për popullin shqiptar të Kosovës, pati deklaruar:
“Jam i sigurt se është një Çmim Nobel për Paqe. Ne jemi duke ndaluar vrasjet masive midis Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë vrarë njëri-tjetrin për kaq shumë vite. Ata do të ndalojnë vrasjet...” (Citohet sipas: “Trampi mendon se meriton çmimin Nobel pasi ‘po ndalon vrasjet masive’ mes Kosovës dhe Serbisë”. Faqja e internetit “Exit News”. 20 shtator 2020).
Pas kësaj deklarate absurde, vjen reagimi i analistit të njohur nacionalist Hafiz Shala, qytetar amerikan me banim në Nju Jork, i cili shkruan:
“... i bashkoi në Shtëpinë e Bardhë viktimën dhe agresorin, por pa bërë dallime se kush ishte ai që vrau e masakroi popullatën civile të Republikës së Kosovës... Ishte manipulim shumë i ulët i Presidentit Tramp kur e mashtroi popullin amerikan se gjoja i ndërpreu vrasjet masive, sikur ato po ndodhnin tani” (Citohet sipas: Hafiz Shala. “Debat kaotik dhe zhgënjyes për qytetarët amerikanë”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 01 tetor 2020).
Tani, siç premtova më lart, po u bëj të njohur lexuesve atë deklaratën krejtësisht antishqiptare të Trampit të dhjetorit të vitit 2015, e cila i vinte shumë në osh Putinit dhe Beogradit.
I kapluar keq nga afshet e fushatës së ardhshme zgjedhore për postin e presidentit, ai shprehej se për të gjitha fatkeqësitë e Serbisë, fajin e paskej administrata e Klintonëve. Ai deklaronte:
“Pikërisht ata organizuan kaosin në Ballkan dhe në Kosovë. Shikoni se çfarë bënë ata në Serbi me bonbardimet nga lartësi të mëdha. Për mua personalisht, bombardimi i serbëve është një turp i vërtetë. Ndërkohë, Klintonët këtë e vlerësojnë si një sukses të paparë. Kërkoj ndjesë para popullit serb për të gjitha gabimet e politikës amerikane. Në qoftë se unë do të vij në krye të Amerikës, atëherë ka për të ndryshuar kursi i politikës së jashme, i cili deri tani shpeshherë ka qenë i gabuar” (Citohet sipas“Trampi i kërkoi falje Serbisë… për Klintonët”. Marrë nga faqja e internetit “stihiya.org”. 25 dhjetor 2015).
Këtë informacion e ka pasë transmetuar edhe Radiostacioni “Zëri i Amerikës”, në datën 13 tetor 2016.
Me këtë deklaratë, Trampi bashkohej me eurodeputetin shovinist francez Aymeric Chauprade, i cili, në mars të vitit 2015, nga tribuna e parlamentit evropian, sulmoi edhe NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bombardimin e Serbisë në pranverën e vitit 1999.
Trampit “duhe t’i japim hakun”. Ai, në krahasim me administratën e Klintonit, e ndryshoi tërësisht kursin e politikës së jashtme amerikane në qëndrimin ndaj Republikës së Kosovës dhe, përgjithësisht, ndaj popullit shqiptar të Kosovës, çka do të thotë edhe ndaj mbarë kombit shqiptar, sepse Kosova ka qenë dhe mbetet mburoja e fuqishme e tij. Ky qëndrim i Trampit, që merrte në mbrojtje Serbinë, këtë kryekriminele të Gadishullit Ilirik, e cila në themel të strategjisë së saj ka pasur shfarosjen e popullit shqiptar të Kosovës, në përputhje me platformën raciste të Vasa Çubrilloviçit dhe të Ivo Andriçit, platformë që Milosheviçi kërkonte ta vinte në zbatim në vitet e fundit të shekullit që kaloi, dëshmon pa mëdyshjen më të vogël se ai qe rreshtuar me bindje të plotë në krah të politikës neocariste të Putinit, si armike e tërbuar e kombit shqiptar, duke shkelur mbi gjakun e viktimave të pafajshme të gjenocidit të egër serb dhe duke poshtëruar rëndë mbarë popullin shqiptar të Kosovës. Pra, ai, me vetëdije të plotë, radhitej pranë politikës shoviniste ruse ndaj kombit shqiptar, e cila, me një zell të jashtëzakonshëm, pati mbrojtur krimet fashiste të Milosheviçit në Kosovë dhe madje, në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, pati dërguar dëshmitarë në mbrojtje të tij kryeministrat Evgjeni Primakov, Viktor Çernomëjrdin, gjeneralin Leonid Ivashov dhe të tjerë.
Më lart përmenda reporterin amerikan Tim Uiner, i cili artikullin e vet e pati titulluar “Një pyetje pa përgjigje e ditëve tona: A është Trampi agjent i Rusisë?”, të botuar në gazetën “Washington Post” të datës 21 shtator 2020.
Unë po iu parashtroj lexuesve një fakt tepër domethënës dhe ata le ta nxjerrin përfundimin vetë. Por para se ta parashtroj faktin në vijim, po shtroj pyetjen:
Çfarë ndodhi në Moskë në mbrëmjen e vonshme të 08 nëntorit 2016, kur zgjedhjet presidenciale kishin përfunduar në Shtetete Bashkuara dhe kishte dalë rezultati? Pra, kur Trampi ishte zgjedhur president? Ja se çfarë ndodhi:
“Deputetët e Dumës Shtetërore (parlamentit E.Y.), gjatë mbledhjes plenare, lajmin për fitoren e Donald Trampit në zgjedhjet për president në SHBA, e pritën me duartrokitje. Për këtë njofton “Interfaks”” (Citohet sipas: “Në Dumën Shtetërore duartrokitën për fitoren e Trampit”. Faqja e internetit “Novosti”. 09 nëntor 2016).
Interfaks quhet një agjenci informative në Rusi. Më poshtë vijon një tjetër fakt me jo më pak interes. Të entuziazmuar nga lajmi që morën, deputetët shtruan banket dhe shpenzimet i pati marrë përsipër udhëheqësi i partisë liberal-demokrate Vladimir Zhirinovski. Ja informacioni më i hollësishëm:
“Udhëheqësi i partisë liberal-demokrate ruse, Vladimir Zhirinovski, në Dumën Shtetërore shtroi një banket me rastin e fitores së Trampit në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Gjatë pushimit të seancës, në tryeza u mblodhën deputetët dhe gazetarët. Për qerasje u paguan 100 mijë rubla. Për gostitje u shtruan sallam, mish pule, sallatë, çokollata, shampanjë. Zhirinovski ngriti dolli për politikën e re të brendshme dhe të jashtme të SHBA dhe për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë”. (Citohet sipas: “Zhirinovski shtroi banket në Dumën Shtetërore me rastin e fitores së Trampit në zgjedhje”. Faqja e internetit “RBK Group”. 09 nëntor 2016).
Pra, entuziazmi i deputetëve rusë s’ka nevojë për koment. Ai entuziazëm zbulonte simpatinë e madhe të Putinit për Trampin. Dhe nënkuptohet vetvetiu që ajo simpati e ka pasur një arsye me jo pak peshë. Se nuk mund të besohet që parlamenti rus po ngazëllonte se në krye të Amerikës erdhi një përfaqësues i krahut konservator.
Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016, për Trampin u tha e çfarë nuk u tha. Por, besoj, lexuesve nuk duhet t’u jetë fshirë ende nga kujtesa ai epiteti i famshëm që i pati vënë artisti i madh i Hollivudit Robert Deniro. Për më tepër, vetë Trampi pati deklaruar asokohe se “të gjitha mediet janë kundër tij” (Citohet sipas: “Donald Trump i kërkon ndjesë Serbisë për bombardimet e NATO-s”. Faqja e internetit “zëriamerikës”. 13 tetor 2016).
Sigurisht që ato medie i kishin ca arsye shumë të forta që ishin kundër tij, sepse e njihnin fare mirë se kush ishte. Kurse për faktin se kush është Putini, simpatizanti i Trampit, është shprehur shumë shkoqur në kujtimet e veta shoku i tij i klasës në shkollën e zbulimit, Juri Shvec. Lexuesit që dëshirojnë të kenë më shumë informacion, le t’i lexojnë në internet ato kujtime, me titull “Putini në kujtimet e shokut të klasës”.
Los Anxhelos, Kaliforni
20 janar 2021
Ahmet Mehmeti
Mirenjohje te veçante, shume i nderuar Prof. Dr. Eshref Ymeri per kete studim te mirefillte me pikeveshtrim te gjithanshem mbi nja nga figurat dominuese te politikes globale, qendrimet e te cilit preknin drejtperdrejt interesin kombetar te shqiptareve ne gadishullin Ilirik. Ju keni meriten se nxirni ne pah ne menyren me te qarte dhe shume te argumentuar duke shprehur sakte pasojat nga praktikat e tij te nxituara dhe krejt te gabuara, qe nuk ishin fare ne vazhden e politikes tradicionale miqsore midis dy vendeve tona. Te lumte, i dashur mik i shtrenjte!
Daman Sinani
Nje analize me finese te thelle atdhetare_politke _shoqerore ,e mbi te gjitha DIPLOMATIKE....E lexova me vemendje e pasion....Zor se ka njeri ti heqe nje presje kesaj analize.....Ju pershendes Prof. Eshref Ymeraj..Do doja tju kerkoja edhe nje analize po kaq te thelluar edhe per Camerine....Koha ka ardhur ...flm.
Artur Shemaj
Te pershendes dhe te uroj gjithe te mirat miku im profesor Eshrefi , Ju kam ndjekur gjithmon ne shkrimet tuaja ,me pelqen menyra argumentuese dhe kendeveshtrimi analitik ,bazuar ne fakte dhe thenje deklaratash Te uroj shendet e mbaresi ne familjen tuaj ,respekte
Odise Çaçi
Nje analize brilante e nje akademiku dhe prof.dr.Eshref Ymeraj , duke analizur me fakte ŕrenqethese tradhetine pas shpine te popullit shqiptar ne Kosove nga ish Presidenti Donald Tramp, i cili kerkonte qe "Kosoven tja rkthente Serbise"....ju ftoj ta lexoni kete analize te ketij shqiptaro-amerikan me banim ne SHBA.
Minush Hoxha
Ka në këte analizë shumë mund, shumë mençuri, shumë njohuri, shumë atdhe dhe kombdashuri dhe shumë durim. Autori e ka dhënë thuaja të plotë autorin e-si i themi nga ne-,,SHERRBUDALLES" të cilin e mirëpriten me shumë nderime, shumë kënaqësi dhe me forcimin e bindjeve se-ani Kosova-ta pësoj-por pushteti ynë fiton përkrahje dhe i rritet koha e ymrit dhe shtrirjes. Dihen personat duartrokitës të ,,sherrbudalles", të ,,Grenellhoshtaplerit" ndërkombtarë qE ë njëherit etiketuan Kurtin për antiamerikanizëm (kur këta dy dhe të Kosoves që i përkrahnin, ishin mu ata që prestigjit amerikan i shkaktuan lëndime vështirë të shërueshme). Dhe, paradoksi: dhe tani, në fushatë zgjedhore, pa u dalur ende gjumi, përsëri akuzojnë po me atë moto kurse dënimet që ua dhanë…