top of page

ANSAMBLI POETIK I PAQES SË BRISHTË



I-Njohja me vëllimin poetik “Paqja e brishtë ” të Sabit Rrustemit ishte një befasi për mua, jo aq për vonesën kohore të njohjes nga botimi i tij se sa për stilin dhe frymën poetike, tejet të veçantë nga krijimtaria e deri atëhershme dhe e mëvonëshme e tij, stil dhe frymë poetike që më solli në kujtesë poezinë e Bretold Breht. Fakti që në këtë libër janë përfshirë krijime të periudhës 2001-2007 e justifikon deri diku këtë stilin pse të kujton situatën social-politike të Kosovës pas çlirimit, periudhë kur vendi ishte në administrim ndërkombëtar sipas Rezolutës 1244, ku UNMIKU ishte kryefjalë e përditshme. Ekipet politike kosovare ishin vetëm sa për t’u konsultuar dhe për të zbatuar atë që parashihnin rregulloret e UNMIKUT. Madje edhe zgjedhjet lokalee apo qëndrore nuk krijonin organe vendimarëse e ligjvënëse, situatë kjo që vazhdoi deri më 17 shkurt 2008. Ardhja e Marti Ahtisari me atë “Pakon”e tij që s'kapërdihej lehtazi pse ishte “patate tepër e nxehtë”, trazoi më tepër klimën politike në vend. “ Pakja më kaplon para kësaj Pakoje të trishtë Në këtë botë mbi ujë me paqe të brishtë ……………………………………….. Duart më dridhen Dhe këmbët Më thehen dhëmbët ………………………. Se ç’mungon brendësisë së sajë Dreqi ta hajë me gaz e vajë Mungon dashuria e kësaj bote Mungon dhe puthja e saj” f.45

Duhet të themi se: ndërsa në kohën e pushtimit serb shqiptarët kishin një unitet përballë tyre, ardhja e lirisë i hutoi me dritësimin e saj, sa që u degëzuan nëpër parti të ndryshme politike, madje tepër ftohtësisht kundër njëri tjetrit. Situata ishte e akullt dhe mes shqiptarëve e serbëve, sepse serbët në vend që të kërkonin falje si agresorë e ushtrues të gjenocidit mbi Kosovën dhe popullin e saj, nisën të luanin rolin e viktimës. Ajo që dukej shqetësuese ishte fakti se nisën dhe fërkimet politike mes shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, çka pruri dhe luhatjen e imazhit në arenën botërore. Të gjitha këto tensione mund të shpinin lehtas në një luftë civile, që pavarësi sht nga shërbimet sekrete që e sponsorizonin, do ishte tragjedia më e madhe kombëtare. Ishte merita e Presidentit Ibrahim Rugova, i cili duke vënë në plan të parë aspiratat e popullit të Kosovës për një shtet demokratik me drejtim europian dhe aleancë euro-atlantike normalizoi situatën, e evitoi atë. II-Sabit Rrustemi në këtë situatë ishte i angazhuar politikisht si në pushtetin lokal, ku drejtonte Zyrën Për Mardhënie me Publikun në Komunën e Gjilanit, po ashtu dhe si deputet i Kuvendit të Kosovës në vitet 2001-2004, dhe kishte mundësinë të njihte e përjetonte situatën sociale dhe politike të vendit, të cilën si bronx e shkriu dhe e derdhi në një monument poetik. Ndaj në vargjet e këtij libri, si në jetën e tij gjejmë opozitarizmin e dyfishtë, si ndaj ndërkombëtarëve ashtu dhe vendorëve, shprehur me një stil poetik të veçantë ku nuk mungon dhe një tis ironie, si gjembi në trëndafil. “Unë/Hapin s’po e ndal” shkruan poeti (f. 27) ndaj themi se krijimet e këtij vëllimi janë më shumë produkt i kohës kur u shkruan se sa petale të çelura të talentit të tij poetik. Vargjet e këtyre poezive janë ngulçet e shpirtit që dalin me ofshamë e derdhen në letër, aty bashkohen me njera tjetrën në formë poezie ku kushdo mund të shohë e të lexojë si në një grafi dhimbjen e brengat e shpirtit a lulet e gëzimit dhe të kuptojë se: ato metafora që rrezëllijnë në vargje, janë lotët e shpirtit, të dhimbjes a gëzimit të poetit dhe melodiciteti i zanoreve është tingull kënge e vaji i tij. Vargu i poetit është siç është atdheu, i tendosur si hark në momentin për të lëshuar shigjetën, por që dora e mban fortë pse përpara ka atdheun e rilindur. “Ulem këmbëkryq përball’ tij Flas e çmallem Përmes imazhesh përndizem” te i cili “ Rigjej veten ëndrrave fëmijërore ……………………………………….. Dhe atë këmishë Atë lëkurë dheu Që në trup e mbaj Kah shkoj”f. 3

Është periudha e një paqeje të brishtë, ku një fishë ere dimërore e “pleqve të marsit” mund të ngrinte filizin e saj. Pikërisht në këtë kohë autori vargjet dhe artin e tij e vë “roje” poetike te ky fidan i brishtë i lirisë, çka kuptojmë arsyen pse poeti solli këtë varg të thantë me një stil, metafo- rë e formatim poezie që të kujton poezinë e Bertold Brehtit.

III-Vëllimi poetik “Paqja e brishtë” nis me poezinë “Atdheu i rilindur”dhe mbyllet jo rastësisht me poezinë “Kodi mbrojtës i Atdheut” duke lënë të kuptohet se çdo gjë e tyre është dhe jetohet vetëm brenda atdheut dhe për atdheun. Nëqoftëse në poezinë e parë për atdheun shkruan: “Mbeti arrë e vogël po e fortë Në këtë botë U rilind për të satën herë ” f.2 te poezia e fundit shkruan: Atdheu shtrihet mëtej një syri të mprehtë Mëtej një hapi të rreptë

Atdheu ka dhe emër Dhe votër E motër ……………………….. Ajo s’preket Ajo s’ arrihet As shijohet Pa ia falë Palcën e Gjakut Palcës së Dheut f. 47 Duke analizuar këto dy poezi shohim se tek e para shkruhet me një frymë “ëndërrimi” dhe meditimi pranveror për atdheun e rilindur, ndërkohë që te poezia e fundit flitet e shkruhet me ton serioz , si porosi amaneti, si urdhër, si një kujtesë që e sjell koha. Dhe përsa i përket titullit “Atdheu i rilindur”, cilësori “rilindur” përmbledh historinë e atdheut, sa të dhimbshme aq dhe shpresëdhënëse, duke tërhequr vëmëndjen se: atdheu është si një fëmijë i porsa (ri) lindur që ka nevojën e ndihmës dhe kujdesit të të gjithëve. Poeti flet pak, poeti flet metaforikisht, por poeti është zëri i vërtetë i atdheut dhe kombit. Vetëm poeti ka të drejtën dhe kurajën t’i drejtohet një force e vendi pushtues në njëjës, sikur i flet një hajduti pulash, kapur në vjedhje e sipër:

“Ne këtu ishim kur erdhe Si zot

S’di kush të ftoi

Dhe tempujt i kishim Dhe faltoret

Dhe një zot mbi koka” f.9

Këto poezi për atdheun të duket se janë “ngritur” mbi poezinë “Vetëm të palindurit ende nuk janë gjetur” që flet për viktimat e krimeve serbe anë e mbanë Kosovës, eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur. Në qoftë se dy poezitë e mësipërme mund të recitohen me tonalitet të ndryshëm, kjo poezi vetëm mund të klithet me dhimbje, pse bashkë-tingëlloret e fjalëve ngjajnë me brinjë të thyera që të çpojnë në trup.

IV-Ajo që na tërheq vëmendjen është se Sabit Rrustemi në këtë vëllim shfaq një dukuri të mëvetësishme poetike, atë që mund ta quajmë “ansambël poetik”. Ndryshe nga “cikli poetik” ku poezitë kanë tema, ide dhe stile të ndryshme, te “ansambli poetik” çdo poezi, duke qenë krijim më vete, është njëkohësisht pjesë e një grupi poezish të një teme ose të temave që kanë përafëri, të cilat trajtojnë artistikisht tërësinë lëndore, shpirtërore e ideore të asaj që do të shprehë apo tregojë poeti. E thënë më qartë:te “ansambli..”poezitë kanë drejtuar dritësimin e tyre, si prozhektorë te anët e ndryshme të personit, idesë, ngjarjes, ëndrrës etj. duke ndriçuar në këtë mënyrë tërësinë e objektit a subjektit poetik. Ka një ngjashmëri me një ansambël ndërtimesh që synojnë të vënë në dukje diçka: një shesh, një stil urbanizimi, një lulishte apo një monument. Në këtë stil janë ndërtuar banesat shqiptare në zonat veriore: kulla kryesore në mes, në një vend zotërues që shikon larg dhe rreth saj ndërtimet e tjera ndihmëse, të cilat shohin nga kulla kryesore. Duhet të kuptojmë se poezitë, pjesë të “ansamblit poetik” nuk janë variante të ndryshme të një poezie, por janë poezi të ndryshme që kanë qasje ideje dhe stili me njëra tjetrën. Dukurinë e “ansamblit poetik” e gjejmë psh. te grupimi i poezive “Kosova me shenjtin e vetë”, “Nga thellësia e heshtjes”, kushtuar Ibrahim Rugovës sëbashku me poezinë “Lekë Dukagjini i ri”, e cila ndonëse i adresohet tërthorazi Hashim Thaçit, në qëndër të idesë ka Ibrahim Rugovën (përmes figures së Gjergjit). Te poezia “Kosova me shenjtin e vetë”, të bën përshtypje se poeti, tej natyrës së tij të hyjnizimit të frymës, këtu hyjnizon personin, individin kur shkruan: “O Shenjti ynë O Shenjti im Me ne E në ne Për paqësim Për pavarësim”f.26 madje këtë frymë hyjnizimi e përsërit dhe te poezia tjetër “Nga thellësia e heshtjes”, ku shkruan: “Ti në thellësinë e majës së dielltë Të Dardanisë Përmes heshtjes po flet ………………………………. O zoti im O shenjti im”f.27 Vlen të sqarojmë se ndërsa poezia e parë “Kosova me shenjtin e vet” është shkruar në 5 shtator 2005, ditë në të cilën Rugova njoftoi popullin se vuante nga një sëmundje e rëndë në mushkëri, njoftim që solli një trishtim të madh në popull sepse pavarësisht debateve politike dhe me forcat opozitare, gjithë populli pohoi drejtësinë, kontributin dhe paanësinë e tij politike në postin e Presidentit. Sabit Rrustemi jo vetëm që kishte njohje personale me presidentin Rugova, por ishte i zgjedhur prej tij në kandidimin për deputet , gjë që flet për një miqësi jo të pakët. Kjo është arsyeja pse këtë ditë, si një klithmë nga goditja e lajmit ai shkruajti poezinë e mësipërme. Në datën 21 Janar 2006 Ibrahim Rrugova ngjitet në qiell si një shenjt dhe poeti 3-4 ditë më pas shkruajti poezinë e dytë, “Nga thellësia e heshtjes”. Është po ai Sabit Rrustemi poeti që më 1980 me poezinë “Mplakja e Zeusit” i kërkontye “Zeusit” të Jugosllavisë të zbriste nga Olimpi se ishte plakur, ndërsa tani, në emër të dashurisë së gjithë popullit, e shënjtëron për së gjalli Ibrahim Rugovën. Interes çfaq poezia “Lekë Dukagjini i ri”, shkruar më 17 shtator 2005 që rastësisht koincidoi me zyrtarizimi prej Rugovës të “Ekipit të Unitetit” ku u përfshi dhe Hashim Thaçi, të cilit edhe i adresohej e njëjta, natyrisht përmes figures së Lekë Dukagjinit të Ri. Aktualisht kjo poezi ishte si thirrje a ftesë për t’u bashkuar me Rugovën për fatin e Kosovës. Prandaj dhe vargjet kanë një timbër të ngrohtë e tonalitet të qetë duke përdorur simbolikën historike: “Bëhu krahu Shpina E shtylla e Gjergjit

Dyreku i Sh’pisë E i tërë Dardanisë Bëhu ………………………... Gjergji në Shenjt po shndërrohet” f.38 Dukuria e “ansamblit poetik”me përbërjen e tre-katër poezive krijon mundësin e zbërthimit të idesë poetike në të gjitha hapësirat që synon tema. “Ansambli poetik” i mësipërm nuk është i vetmi në këtë libër, madje mund të themi se “Paqja e brishtë” është libër i “ansambleve poetike”, i vetmi në llojin e tij. Një “ansambël poetik”më vete formojnë dhe dy poezitë “Kandilat e Dokës”(f.30) dhe “Udha e Dokës”(f.33), të cilat ndonëse e marrin shkasin nga ngjarje reale e Dokë Karadakut nga fshati Terziaj, i internuar në Mihaliq të Turqisë në vitin 1846 për shkak të mospranimit të kthimit në besimin islam, ato në fakt shfaqin luftën e shqiptarit për të mbrojtur identitetin kombëtar, traditat dhe zakonet e tij. Arsyeja pse ka një ide përgjithësuese kombëtare, poezia është trajtuar në frymën e artit gojor, në stilin dhe botën e baladave, elegjive dhe legjendave, madje edhe klima e krijimit është huazuar nga arti gojor. Për nga ideja, në këtë grup bashkohet dhe poezia “Portret që s`kornizohet” (f.4), duke e bërë të plotë idenë e një “ansambli poetik” që dritëson portretin dhe luftën e shqiptarit. Në këtë këndvështrim duhet të shihen edhe tre poezitë: “I zoti i shtëpisë dhe qeni” (f. 15), “Ndëshkimi i qenit”(f.16) dhe poezia “Shpërblimi”(f. 17) që paraqesin një “ansambël poetik” për “qenin ” dhe të zotin e tij, që mund të jenë një kryetar lokal dhe truproja e tij, një lider politikë dhe shefi i protokollit apo kuadrit etj. Këtu ricitojmë se Sabit Rrustemi përkundër zakonit të tij që disa poezi t’i përpunojë në disa variante, këto poezi janë një “ansambël poetik”me tri poezi të së njejtës temë dhe ide, madje të shkruara me të njëjtin stil. Të njëjtin mendim ndajmë dhe për poezitë “Pakja para Pakos së pritur”(f.44) dhe “Në dimrin e zjarrmisë” të shkruar të dyja brenda një jave janari të vitit 2005 ku me një ironi therëse, që mbart brenda vetes revoltën flet për “Pakon…” e Marti Ahtisarit, duke e portretizuar atë në ftohtësinë (jo gjakftohtësinë) e tij: “Marti i mbështjellur me acarin e Veriut I mati me sy përmes një shikimi

Tamam ua paskemi prerë tha..”

dhe në pakon e tij “mungon dashuria e kësaj bote/Mungon dhe puthja e saj” (f.45). Në këtë “ansambël poetik” bashkohen lehtësisht poezitë “Përurimi i qendrës multietnike”(f. 21), “Oxhaku i qendrës multietnike” (f.23). Interesante është poezia “Ali Podrimja është fajtor ” (f.40), poet i cili falë vargut të tij u mishërua si askush tjetër me Kosovën dhe fatin e shqiptarëve. Përmes një ironie të hollë tallet me “poetucët” që nuk e arrinin poetin “as me shikim”, lëre më me krijime poetike. Kjo poezi ka qasje poezinë me “Shkallët për në Olimp”(f. 7) madje edhe ngjashmëri stilistikore. Mbyllja ironike, tipike e Sabit Rrustemit me vargjet: “Medet për atë majë Olimpi Të zitë e ullirit e pa me atë të çmendur E s’u kënaq njëherë prej neve” (f.

..ka një qasje jo thjeshtë stili me poezinë “Ali Podrimja është fajtor” ku shkruan: “Lëreni mos ia prishni vetminë le të shkruajë e le të çmendet le të mbyllet në muzën e tij edhe i’qind vjet edhe i’mijë vjet sepse dënim më të rëndë s'mund t'i shqiptojmë as Ne vetë

Amin”(f.42)

..ku duhet të njohësh natyrën e autorit për të kuptuar natyrën e vargut të tij poetik.

V- Ne mund të citonim edhe poezitë e tjera dhe vendin e tyre në “ansamblet poetike” të këtij libri, por ajo që ka rëndësi është se: këto “ansamble…”me nga tri-katër poezi bashkohen në një “ansambël poetik” më të madh, që është vetë vëllimi poetik. Kjo pse në thelb të gjithë poezive janë njerëz e procese që kanë përcaktuar fatin e sotëm dhe të nesërm të njeriut shqiptar dhe Kosovës në tërësi. Poezitë e këtij libri mbajnë vulën e stilit poetik të Sabit Rrustemit, qoftë në formatin estetik të poezisë, metaforën e vargut, ironinë therëse dhe të fshehur në shumë kuptimshmërinë e vargut. Tendosja e mendimit poetik është shumë më e madhe edhe se te libri i tij i parë “Ku i la lisat era” të shkruar në situatë pushtimi (1981 ndonëse botuar në 1990) për arsye (mendoj) se: aty ishte në një front me gjithë shokët, ndërsa këtu është në front përballë disa prej shokëve, madje është opozitar edhe me disa prej çlirimtarëve ndërkombëtarë. Por ndërsa në librin e parë ishte “fshehur” mes metaforave poetike apo poezive metaforike, te ky libër duket sikur metaforat “synojnë” ta vënë më në dukje opozitarizmin e tij dhe arsyen e sfidës. Te ky vëllim poetik Sabit Rrustemi e gdhend vargun dhe e lëmon fjalën gjer në imtësi si skulptori linjat e statujës, madje ai shkon edhe me tejë: ja hap sytë të shikojë, ja “pastron” veshët të dëgjojë dhe në fund i hap buzët dhe i thotë: folë! Poezitë e Sabit Rrustemit janë statuja që flasin. Dhe flasin shumë bukur. Gjithsesi, e parë në kohën kur është shkruar dhe botuar kjo poezi është tribunale për nga tonaliteti e tensioni që mbart në vargje dhe ide, që na prezanton një poet luftëtar për idenë e një atdheu plotësisht të pavarur e demokratik. Këtij synimi i shërben fillim e fund ky libër.

Sarandë, më Mars 2023

1] Sabit Rrustemi: “Paqja e brishtë” botim i “Rozafa”, Prishtinë 2007 [2] Ironizim i termit “Plakat e Marsit” për burrat me mendësi “pleqërie” pavarësisht moshës. [3] Ibrahim Rugova (2 Dhjetor 1944 – 21 Janar 2006) [4] E shkruar në datën 20.9.2002 dhe e lexuar për herë të parë, në "Takimet e Dom Mikelit", në Stubëll, viti 2002 e ku ishte i pranishëm dhe vetë poeti Ali Podrimja. Komisioni as që e kuptoi poezinë, por buzëqeshja e Ali Podrimes i “siguroi” se ishte “diçka” e mirë.

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page