Andon S. Frashëri i fundmi i dishepujve të Nolit



Nga Meri Lalaj

Kam vite të tëra që mbart në kujtesë emrin e shkrimtarit, publicistit dhe shqipëruesit Andon S. Frashëri. Në vitin 1964, vajzë e re, kur sapo pata kryer studimet e larta u emërova mësuese e gjuhës angleze në gjimnazin e Korçës, dhe unë për herë të parë e jepja këtë gjuhë të huaj në atë qytet. Që në muajin e parë pasi pata filluar punë, një ditë pas orëve të mësimit një nxënësi im (më vonë i shkëlqyer në mësime), Aleks Jani, shtatpakët me kaçurrela të verdha m`u afrua i ndrojtur i skuqur në fytyrë duke më thënë se një burrë, që dinte anglisht donte të më takonte, kështu më shpuri tek shtëpia e Andon Frashërit.

Ajo ishte një shtëpi e vjetër me portën e jashtme të rrënuar prej viteve, kishte një oborr dhe pasi ngjitje disa shkallë hyje tek një portë tjetër, e cila rrinte gjithnjë e hapur, sepse aty banonin edhe disa familje të tjera e në njërën prej dyerve djathtas jetonte Andon Frashëri, në një dhomë jo shumë të madhe me mure të ciflosur me libra gjithandej dhe tavani që kish lëshuar bark. Ai pat lindur në këtë shtëpi, kjo ishte shtëpia e prindërve të tij.

Kështu filloi miqësia ime me Andon Frashërin. Mësova se ai pat qenë për shtatëmbëdhjetë vite radhazi sekretar i Imzot Fan Nolit më 1924, kur ai pat qenë kryeministër i Shqipërisë ndërsa më parë veprimtar në shoqërinë “Vatra” të Amerikës njëkohësisht gazetar dhe botues i gazetës “Dielli”, Andon Frashëri shkruan: “Në vitin 1915 emërohem ndihmësi i tij si nëndrejtor i gazetës “Dielli’. M`u duk ahere sikur kapa Perëndinë me dorë. Dhe vjetët që rodhën në bashkëpunim me të më dhanë rast ta njoh Nolin me rrënjë e degë… Me Nolin si udhëheqës puna më e rëndë bëhet më e lehtë se penda, më e ëmbël se mjalta. Pa gënjeshtër ai të inspiron, të frymëzon, të jep zemër.”

Ne bisedonim të dy për librat që unë lexoja, ai më tregonte letrat, librat, fjalorët, që i dërgonte Noli dhe hera herës ndonjë çek të vogël në raste Krishtlindjesh apo Pashkësh dhe gjithnjë prapa zarfeve shkruhej një adresë tjetër me një emër femre “Mary”, (ndoshta përdorej emri i sekretares së Nolit, Mary Johns) apo ndonjë mbiemër tjetër i sajuar që të mos kuptohej se ata të dy mbanin letërkëmbim, kushedi edhe përmbajtja e letrave do të ish e tillë që të merrej vesh vetëm prej atyre të dyve. Unë i prekja me dorë letrat, librat e më dukej sikur takoja dorën time me dorën e të madhit Fan Noli mijëra kilometra larg. Më tej ne të dy bisedonim për mrekullinë e shqipërimeve të Nolit: dramat e Shekspirit, “Rubai” të Omar Khajamit, poemën “Skënderbeu” të H. Longfellout me vargjet brilantë: “Lufton luftën dhe fiton / Mbreti Ladislav gjëmon…” e të tjera.

Miqësia ime me Andon Frashërin ishte një miqësi paksa e trembur, e përndjekur ndoshta. Më treguan të tjerët ose ai vetë se pat qenë dhjetë vjet në burg politik pas çlirimit, por për këtë gjë unë nuk e pyesja e nuk bisedonim e kështu vijoja ta vizitoja. Edhe bashkëshortja e tij rumune, Maria, (Meri) u arrestua dhe bëri dy vjet burg, duke qenë e mbyllur brenda në burg ajo bëri dhe një përpjekje për të vrarë veten. Më vonë pas lirimit, aty nga viti 1959 Zonja Frashëri u largua nga Shqipëria për në Rumani duke e lënë Andonin fill të vetëm dhe pa fëmijë. Në burg Andoni kish operuar stomakun dhe për pasojë kishte shumë probleme me të ngrënit e ushqimeve.

Pasditeve, aty në dhomën e tij të vogël u jepte mësime të gjuhës angleze disa intelektualëve të qytetit dhe disa vajzave korçare të prekura nga regjimi komunist. Mbaj mend se më mbajti një ditë për drekë, ishin Krishtlindjet e të dy trokitëm nga një kupë me verë të kuqe. Andoni ishte tepër i përkorë në sjellje dhe më trajtonte sikur të isha e barabartë me të për nga shkalla e njohurive. Unë pata qenë studente e Skënder Luarasit dhe asokohe dija aq shumë vargje përmendësh të Nolit, të shqipërimeve të tij të mrekullueshme si edhe dija diçka për burra të tjerë të shquar të kombit tonë, që u përpoqën për të bërë Shqipëri.

Atje përmbi oxhakun e dhomës së tij në vend që të mbante ndonjë ikonë (se ende nuk ishim bërë i vetmi vend ateist në botë), ai mbante një fotografi të madhe të Fan Nolit dhe i ndizte kandilen me vaj të kremteve. Fan Noli ishte idhulli i jetës së tij. Po aty mbi oxhak pashë për herë të parë librin e Nolit “Psalme”, ai më pat treguar një fjalor të madh anglisht Webster me të cilin punonte, librin “Betoveni dhe Revolucioni Frëng’ në anglisht e të tjerë libra. Nuk guxoja të kërkoja libra për të lexuar, po ashtu ai kurrë nuk më tregoi për librat që pat shkruar vetë, të cilat u zhdukën nga qarkullimi kur Andonin e futën në burg, kështu ishte autor i ndaluar.

Tek libri “Fanoliana” i Prof. Nasho Jorgaqit lexojmë një letër të Andon Frashërit dërguar Nolit më 4.3.1938 ndër të tjera: “Imzot, … ashtu siç priste Shqipëria një kohë Skënderbejnë, po me atë mall ju presim edhe ju sot… Shqipëria sot ka nevojë për patriotë si ju. Kujtoni pastaj se kini edhe detyrë kundrejt shokëve të vjetër; këta me ardhjen t`uaj do bëhen burra. Këtë nuk e thom për vehten time, po për shokët, të cilët me çdo rast pyesin me ngashërim për ardhjen t`uaj. Bashkimi juaj me Faiknë na ka prekur; ish i domosdoshmë dhe s`ka dyshim se të dy kolonat të lidhura tok janë për ne garancia më e madhe…”

Vite më parë në arkivin e qytetit të Pogradecit pata ndeshur në faqet e një reviste, të cilën e botonin intelektualët e kohës në vitet `20-të, një fotografi të Andon S. Frashërit dalë kokë më kokë me Bahri Omarin. Në librin e Enver Hoxhës “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” pikërisht në faqen 106 kam lexuar: “Fazlli Frashërin e shihje pasdreke, dimër e behar… duke biseduar me të njëjtët profesorë të Liceut të Korçës… me Andonaqkën e Frashërit, agjent i amerikanëve dhe imoral.”


Po në librin “Fanoliana” lexojmë një tjetër letër të gjatë të A. Frashërit dërguar F. Nolit:

Tiranë 28.9.945 I dashur Imzot. Prej disa muajsh më parë ju pata dërguar një letër, me anën e së cilës ju lutesha - në emër të shokëve - që të ndërmjetësonit pranë Qeverisë këtu për shpëtimin nga vdekja e të ndjerit Kol Tromara e B. Omari, të cilët u dënuan dhe u ekzekutuan së bashku me Akif Përmetin, Dhimitër Balën, Haki Tatzatin, Zejnel Gjolekën, Xheneral Mirdaçin, Fejzi Alizotin, Toçin etj. Kam dyshim në ju ra në dorë.

Gjendja e këtushme… Fuqinë në dorë e ka qint për qint Partia Komuniste me Enver Hoxhën, Koçi Xoxen, Sejfulla Malëshovën, Bedri Spahiun, Mehmet Shehun etj. këta janë në bashkëpunim të plotë me Titon… Gegët nëmërohen me gisht dhe po bëhet n