top of page

ALIENËT


ree

Jashtë Tokësorët e Teknologjisë së Super-Sofistikuar Dhe Probabiliteti i

Shfaqjes Sekrete në Tokë

(Fragment nga Eséja në Redaktim “Evolucioni Paralel i Njeriut Krahas specieve me Gishta Kapës”)


Nga Vedat Shehu

(Profesor Doktor Inxhinier Gjeolog)

Insituti GJeologjik,

Departamenti Gjeoshkenca

Universiteti Politeknik i Tiranës

Studiues i Pavarur në Pension,

n USA,

Cell: + : 1 774 258 1452

Natyrisht, që Sistemi Diellor në Galaktikë, duke qenë një ndër rreth 100 miliard yje që secili llogaritet të ketë të paktën një planet që rrotullohet rreth tij, sipas vlerësimeve të ndryshme nga astronomët mund të pranojmë një probabilitet rreth 1 sistem planetar të afërte me sistemin tonë diellor në 200 yje në fjalë, d.m.th., në total rreth 500 milion yje mund të jenë sisteme planetare pak ose shumë të ngjashëm me sistemin tonë Diellor dhe në rreth 10 000 (0.0001%) të këtyre sistemeve planetare llogaritet të kenë një planet në kushte orbitale me hidrosferë dhe atmosferë si të Tokës, d.m.th., duhet të jenë 50 000 planetë si Toka në sisteme planetare të yjeve në Galaktikë, ku duhet të jetë formuar një biosferë analoge.

Biosfera në nivel të ulët, ashtu sikurse është vërtetuar se ka evoluar në fazën fillestare në planetin Tokë (të yllit të quajtur Diell në Galaktikën tonë Udha e Qumështit), është zhvilluar në mënyrë të natyrshme në dhjetëra e dhjetëra milionë planetë me nivel të ulë të pranisë, qarkullimit të hidrosferës e atmosferës dhe bashkëveprimit me shkëmbinjtë sipërfaqësor nën rrezatimin e yllit përkatës, por biosferë me përmasat e biosferës së Tokës me evolucion të specieve të mbretërive të bimëve, kërpudhave dhe kafshëve gjendet vetëm në rreth ato 50 000 planetë të Galaktikës që kanë kushte të njëjta apo shumë të përafërta me të Tokës.

Le të vështrojmë sesa shpesh gjenden këto planetë në Galaktikë; cila është shpeshtësia apo frekuenca e ndodhjes së një planeti si Toka në Udhën e Qumështit.

Në diametrin diskut eliptik të Galaktikës prej 100 mijë vjet dritë dhe trashësi 10 mijë vjet dritë, probabiliteti i largësisë së 50 000 planetëve si Toka, të supozuar se vendosen njëtrajtësisht në konstruksionin e saj prej disa degësh, mund të gjendet duke supozuar vendosjen tyre sipas pozicionit të yjeve përkatës në tre rrafshe horizontale të trashësisë diskut, d.m.th., distanca e vendosjes llogaritet trefish diametri i Galaktikës 3 herë 100 mijë (= 300 000) vjet-dritë dhe kjo largësi trefishe pjesëtohet me numrin e planetëve me biosferë si të Tokës dhe del largësia hipotetike e mundshme, midis tyre, të jetë mesatarisht:

300 000 : 50 000 = 6 vjet-dritë, do të ishte largësia midis planetëve si Toka

Kështu, probabiliteti i pozicionit më të afërt të një planeti me biosferë dhe specie që kanë evoluar nëpërmjet të njëjtit proces si në Tokë është 6 vjet-dritë. Por, kjo nuk do të thotë se ky probabilitet i evolucionit të biosferës, është edhe probabilitet i evolucionit të një shoqërie inteligjente teknologjike si në Tokë.

Pavarësisht, sesa afër apo larg mund të rastis evolucioni i një shoqërie inteligjente teknologjike, le të vështrojmë mundësinë që të përshkohet kjo distancë nga një anije e super-ultra e sofistikuar për të përballuar shpejtësinë ekstreme të lëvizjes së një mjeti të hamendësuar. Sipas llogaritjeve të fizikanëve të hapësirës ndëryjore të shpejtësisë maksimalisht të mundshme të një anijeje në udhëtimin në hapësirën ndër-yjore prej rreth 15 - 20% të shpejtësisë së dritës. Llogaritet që një vit drite do të përshkohesh nga mjeti teknologjik i sofistikuar me shpejtësinë prej 20 – 15 mijë km/sek, për 15- 20 vjet), dhe për mbritur tek planeti i supozuar do të duhej një kohë 6 herë më e gjatë, prej 90 – 120 vjetësh, vetëm vajtje.

Për më tepër, në një planetë të tillë me biosferë shumë të zhvilluar mund të pranohet probabiliteti i evolucionit që ndonjë specie të ketë evoluar në specie inteligjente me tipare të pangjashme me njeriun, por me cilësitë e njeriut; me gjuhë, jetë të qytetëruar, filozofi, shkencë dhe me teknologji edhe shumë herë më të avancuar sesa teknologjia e arritur në Tokë.

Në rastin më të favorshëm mund të çmohet që në rreth 10% të tyre, d.m.th., në rreth 5000 planetë të tipit Tokë të jetë zhvilluar një shoqëri teknologjike e nivelit lartë. Në këtë rast planetët me shoqëri teknologjike të avancuar apo tej-super-avancuar do të gjendeshin 10 herë më larg njeri tjetrit d.m.th., 60 vit-dritë. Atëherë vajtja imagjinare me shpejtësinë ekstreme për ta përballuar udhëtimin për tek një planet i tillë më i afërt do të kërkonte një kohë 10 herë më të madhe dhe do të zgjaste 900 - 1200 vjet.

Kuptohet, një vajtje ardhje e ndërsjellët midis Tokës dhe ndonjë shoqërie teknologjike të planetëve të sistemeve planetare në Galaktikë, edhe sikur të rastiste që largësia të ishte 100-150 herë më e vogël, d.m.th rreth largësisë së yllit më të afërte që ndodhet prej rreth 4.3 vjet-dritë larg nga Toka, shtrohet si një problem zbavitës që stimulon krijimtarinë artistike fantastike-shkencore, sidomos me seritë e filmave “me krijesa inteligjente kozmike” dhe serinë e misioneve televizive, gjoja shkencor, me “Vizitorë Jashtë Tokësor nga Kozmosi” që vijnë-e-venë me disqe fluturues të etiketuar “UFO”.

Mandej, probabiliteti i vërtetësisë së qytetërimeve të përparuara në Galaktikë, nuk lidhet fare me mundësinë e shfaqjes në Tokë dhe ikjes nga Toka e Jashtëtokësorëve si studiues të planetit tonë, siç e paraqet krijimtaria fantastike-shkencore; tamam siç aludohet e pamundshmja që gjoja jashtëtokësorët e kanë vizituar Tokën dhe vazhdojnë të shfaqen vetëtimthi si UFO të pakapshëm gjatë fluturimit mbi Tokë; një fantazi ringjalljeje dhe përforcimi i imazheve të thjeshta të besimtarëve; ringjallje e përfytyrimeve mitologjike, aspak shkencore. Kjo fantazi zbavitëse; është, pikërisht, pamundësia që mjetet si “disqet fluturues” të përshkojnë, “me vajtje - ardhje”, udhëtime me shpejtësi të pa përballueshme për mjetet dhe për kohën imagjinare dhe absurde për jetën e qenieve të gjalla në mjetin fluturues ndër-yjor”.

Pra, mundësia reale e ekzistencës së qytetërimeve edhe shumë më të sofistikuara në planetë të sistemeve planetare të Galaktikës, nuk ka fare lidhje me pamundësinë e fantazisë së vajtje-ardhjes së objekteve imagjinare “UFO” të jashtë tokësorëve.

Interpretimet me jashtëtokësor arrijnë deri në absurde të tilla, sikur profetët apo njerëzit e ditur të lashtësisë janë hibrid të jashtë-tokësorëve që kanë prurë qytetërimin kozmik në Tokë, duke iu referuar përmendjes në Bibël të mitit se, pas Përmbytjes dhe shpëtimin e jetës me Arkën e Noes, “Zbritën nga Qielli gjigantë dhe me vajzat e Tokës bënë fëmijë”; interpretohet sikur këta gjigantë paskan qenë jashtë tokësorët. Këto pallavra të fantazisë primitive, merren si dëshmi, sikur jashtë tokësorët kanë mbritur në Tokë të konsideruar nga fantazia e njerëzve primitiv si engjëj të dërguar nga Perëndia dhe së bashku me monumentet megalite, aludohet e pamundshmja, sikur jashtë tokësorët e kanë pas dhe e kanë objekt studimi Tokën për të ndërtuar megalite dhe mure ciklopike. Gjepura!

Monumentet megalitike të qytetërimeve antike, nuk lidhen fare me mitologjitë e lashta dhe me fantazinë e vizitorëve nga sisteme planetare të Galaktikës, por me kushtet e zhvillimit të Tokës dhe mënyrës që është përdorur për ndërtimin e tyre nga njerëzit e lashtë të evoluar me inteligjencën e stabilizuar të Njeriut teknologjik në një planet të quajtur Tokë të një ylli në Galaktikë të quajtur Diell; krijesës të evoluar si specie inteligjente teknologjike të quajtur Njeri në një planet të Galaktikës të quajtur Tokë.

Sesi mund të ishin jashtëtokësorët specie të njëjta me njerëzi që të bënin fëmijë me vajzat e Tokës dhe se përse u duhesh jashtëtokësorëve të grinin në Tokë megalite, aspak me ndonjë teknologji jashtëtokësore dhe të iknin fshehurazi, vetëm mëndja e komentuesve dhe besimtarëve përkatës e pranon, pa arsyetim.

Jeta në Tokë është shfaqur si në një planet i një sistemi planetar të një ylli në Galaktikë, nëpërmjet formimit të qelizave metabolike dhe i organizmave bimore e shtazor të ulëta, si proces i natyrshëm i zhvillimit në miliona planetë të sistemeve planetare të përafërte me sistemin tonë planetar; por, sipas probabilitetit që sapo e përmendëm, në vetëm 50 mijë sisteme planetare me praninë e një planeti si Toka, jeta ka nisur dhe ka evoluar në biosferë me evolucion të specieve të shumta, analog me procesin që është zhvilluar në Tokë, dhe as në këto 50 mijë planetë dhe as në 5000 prej tyre, ku mund të jetë zhvilluar shoqëri teknologjike e sofistikuar, evolucioni si proces i natyrshëm i domosdoshëm, nuk përmban probabilitetin e shfaqjes së specieve të njëjta si në Tokë; për këtë nuk mund të ketë as rastësi; nuk lidhet rastisja me drejtimet e ndryshme që merr procesi i njëjtë, si për shembull ndër proceset që evoluojnë bimësinë të jetë zhvilluar në ndonjë planet specia tërfil apo lis dhe ndër proceset që zhvillojnë kafshët të jetë zhvilluar specia harabel apo njeri.






2 Comments


sotir.mimi
sotir.mimi
Feb 11, 2022

S.Athanasi:

Lexoj me kënaqësi fragmentin e mikut tim gjeodez, studiues tejet i kompletuar për atë çka Ai shpreh, argumenton dhe mbron duke lënë mënjanë fantazitë mbi Alienët dhe pamundësinë shkencore mbi shfaqjen e tyre në Tokën tonë. I urojmë sukses mbi këtë këndvështrim orgjinal të argumentit shkencor. S.Athanasi,/ Athinë.


Like

Bardhyl Maliqi
Bardhyl Maliqi
Feb 10, 2022

Nje ese qe ja vlen te lexohet, qofte edhe per te qortuar veten pas i besojme aq verberisht fantashkences!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page