Arti është femër
ALEANCA E ARTIT ME FEMRËN, TRADHTIA NUK ËSHTË FEMËR
Një profil femëror që vjen nga dhuna historike, nga fataliteti, nga diskriminimi, nga përndjekja që në shoqërinë e sotme është konvertuar në formë, sepse në esencē mbetet po dhunë.
Nuk takova asnjëherë asnjë femër të lumtur, edhe në ato pak raste lumturia ka ardhur nga natyra tolerante e mashkullit, ose nga bukuria jo e zakonshme që i ka falur natyra femrēs.
Pak histori.
Figura hyjnish apo shtrigash, aristokrate e moderne përbëjnë tharmin e luftë së përhershme që femra ka bërë për t’u futur në rol dhe për të krijuar raporte
të barabarta e të konsoliduara me gjininë e kundërt.
Protagonizmi i Helenës e Andromakës, i Medeas e Antigonës, i Kasandrës apo Elektrës, tregon fatalitetin e femrës i cili jepet në një rënie dinjitoze nga kushtëzimet e ligjësive maskiliste, dëshirave erotike dhe pasion- eve për jetën.
Pra, pengesat dhe ndëshkimet mashkullore viktimizonin femrën që kërkonte të drejta dhe integritet mbarëshoqëror.
Po të sakrifikuar takojmë femrën e traditës, atë që flijohet për t’u ndërtuar qyteti, atë që flijohet për të vēllanë,atë që vetëvritet për mos tē rënë në duart e armikut, ajo që martohet me të vdekurin për të shpëtuar nga mynxyrat e fer- ret tokësore, ajo që ndërron gjini sipas ligjeve absurde kanunore, ajo që metamorfizohet në grua-gjarpër.
Kjo femër prapë paraqitet si figurë
plotësuese e mashkullit, në secilin rast vetëflijimi është i vullnetshëm por dëshirat e saj ekzistenciale janë mistifikuar në mjegull dhe janë burgosur në veshjen e petkun e traditës.
Qenia e saj është e kushtëzuar nga kornizat parimore të kohës dhe sakrifica është shpëtimi për të hyrë në rol.
Roli saj ëdhtë liri dhe protestë jo vetëm kundër vargonjve dhe fatalitetit, por edhe kundër maskilizmit patriarkal që përndjek nënën, gruan, bijën, pra ciklin femëror.
Për të kaluar në kërkesa absolute të zbulimit të vetes dhe të të metave mbarë shoqërore një Ana Kareninë apo Ema Bovari, një Deizi apo Amarantë, kthehen në heroina të jetës dhe të drejtës për të qenë të lira.
Vdekja e tyre letrare shënon epokë dhe revolucion psikologjik mashkullor për ta njohur femrën jashtë dogmave fetare e morale të kohës.
Shumë vonë mashkulli kërkoi të eksplorojë brenda natyrës misterioze të femrës dhe të pranojë tradhëtinë si një kompromis shpëtimi nga tutela dhe moskuptimi mashkullor, si një reagim instinktiv dhe vetëshkatërues drejt lirisë. Prapë tradhëtia keqkuptohet dhe lidhet me mashkullin, ajo do parë si mungesë lirie.
Emancipimi historik e letrar i femrës ka kaluar nēpërmjet vdekjes dhe gjithmonë pragu i lartë e i pakalueshëm ka qenë burri.
Ajo liri që gëzojnë femrat e sotme në botë ka histori të dhimbshme,tragjike dhe të mistershme.
Ironia e transformimit qëndron në faktin e varësive që krijon mashkulli për vëmendjen femërore, atij i kthehet në vuajtje dhe agoni shpirtërore mungesa e vëmendjes dhe e femrës. Jeta e tij zbrazet kur i mungon qoftë dhe një trajtë femërore, e thënë ndryshe femra në secilin prej roleve të saj.
Ironia qëndron dhe në faktin që më së shumti artin e bëjnë meshkujt, por pavarësisht nga mjetet shprehëse arti si koncept është femër.
Janë kolosë të letërsisë ata që krijuan meshkuj të tradhëtuar, të tradhëtuar nga besime e dogma,nga ide e kauza madhore,të tradhëtuar nga femra dhe qenie të thjeshta që nuk kerkonin asnjë shërbim të lartë përveçse të dëgjohej zëri tyre i brendshëm dhe të trajtoheshin me pak më shumë respekt.
Absurditeti i ligjërimit artistik është një ndër rrugë që të prin drejt lirisë.
NË KAFE ME MEDEAN
Në antikitet Pelias, mbreti i Iolkos (Volosi) i sotëm pyeti Orakullin se si ta ruante fronin që i kishte grabitur të vëllait, Esonit.
-Pelia, ruaju nga njeriu me një sandale!
Pelia pa nipin e tij Jasonin me një sandale dhe nga frika e nisi në Kolkidë.
Sipas logjikës mitike, klasike, humane dhe bashkëkohore MEDEA duhej të ruhej nga njeriu me një sandale, JASONI.
Protagonizmi saj skajor kalon mbi çdo ndjenjë natyrore, për të fituar të dashurin tradhton babain, për ta shpëtu- ar atë vret ndjenjën e dlirtë për të vëllain dhe për t’u hakmarrë ndaj tij vret fëmijët e vet.
Më intereson Medea...
Raporti femër-mashkull një dimension absurd ku njeriu humbet orientimin dhe endet në rastësinë e situatave që rrallë i shërbejnë atij, humbet
në kotësinë e ndjenjave, në investimin e përhershëm ku paguan fatura të kripura nga personaliteti.
Medea nuk lindi kriminele, lindi femër, ndëshkimi saj ishte pasioni, aq e lartë ishte doza e tij sa mpinte, paralizonte arsyen, këtu merr fill fataliteti, zbërthehet uni dhe tronditet bota.
Medea duhet t’i pergjigjet mitit, artit, psikologjisë, duhet t’i japë llogari çdo instikti mëmësor në botë për aktin e saj makabër, për shkeljen e rendit natyror, për çmendurinë absurde. Medea nuk mund të ketë shpëtim në konceptin e këtij universi dhe vetë ekzistencës.
Por në fakt e gjithë bota duhet të merret me fatin e saj vetjak. Babai, burri, shoqëria, institucione të caktuara apo drejtime psikosociale që e nëpërkëmbën, e shpërfytyruan e tjetërsuan në trajtë-qenie urrejtje, xhelozie, hakmarrje, tërbimi, pa shans, pa shpresë. E gjitha kjo vetëm se njësia fizike shënon me një shifër më pak.
Jo të gjitha femrat e njohin Medean, (të dashuruar me njeriun me një sandale), por ajo njeh secilën; të çdo kohe, të çdo vendi, të çdo rangu apo moshe.
Ajo njeh dhe pret tërbimin, ta shkundin nga themelet atë ndjesi vrastare, për të ndriçuar mendjet që quajnë gruan femër, dhe femrën qenie inferiore, të paplotë, të pastatus, të pafemër.
Akti saj makabër kalon përtej çdo sentimentalizmi, ai është revolucioni më i egër femëror ku kërkesa është thjesht liria, emancipimi, pranimi si një qenie me të drejta të barabarta.
Comments