top of page

AJO DUHET LEXUAR


Gjithmone e kam mbeshtetur shprehjen e popullit se pas nje burri te suksesshem ndodhet nje grua e mencur . Porse kjo e vertete ka dhe haracin e vet : Nese Gruja ka vertete edhe ajo talent ,dhe aspak siperfaqesor , ai nuk mund te geloje me GJITHE fuqine e vertete te tij aq lehte , per te qene dhe i besueshem , pikerisht sepse eshte nen hijen e atij lisi te larte te cilit si del kush para per madheshti . Mendoj se kjo ne nje fare menyre ka ndodhur dhe me bashkeshorten e Mjeshtrit te Madh te letrave Shqip Faruk Myrtaj . Por une sonte po dua ta nxjerr nga ajo hije kete grua te talentuar dhe plot urtesi , sepse thjeshte AJO DUHET LEXUAR , duhet njohur , duhet absorbuar nga lexuesi i vemendshem . Do te ishte mungese cdo lloj ngadalsimi ne njohjen e kesaj autoreje , ajo i ngre lapidare jetes , e pranon ate ashtu sic i vjen , duke e filozofuar , duke e studiuar dhe miratuar me gjithe dobesite qe mund te kete . Eshte kenaqesia ime t´ju servir nje pene femerore qe thote aq Shume ! Adriana Myrtaj RRISIM FËMIJË DUKE MËSUAR PRINDËRIMIN… (shënime për jetën) 8 Gusht, 2004 Duket se njeriu askund nuk e ka gjetur të mirën e tij, as në Kanada nuk duket të jetë parajsa. Edhe këtu njerëzit ruajnë kujtime të një të shkuare të pa kapërcyer akoma, që vështirëson edhe të tashmen. Dhimbjen e trishtimin njerëzimi i mbart si plagë të vetat nga një vend e nga një kohë në një tjetër duke shpresuar shërimin. Kam filluar të bisedoj gjatë me veten. Jeta e kurbetit, gjithsesi, sikur më bën me faj! Lutem për fëmijët e mi, të rriten e mençurohen, të dinë pastaj të orientohen dhe zgjedhin drejt për veten.



Ngjarjet shoqërore që ndodhin po na kërkojnë ndryshimin kudo. Shqipëria nuk mund të mbetet indiferente jashtë tyre, por duhet të dëshmojë për vullnetin e dëshirën e saj t’iu bashkohet forcave përparimtare botërore për drejtësi e për të vërtetat njerëzore. 9 Gusht, 2004 Me punët part-time që bëjnë aty këtu, fëmijët kanë hapur llogari bankare të tyret e kanë vënë në to paratë e para. Mëvetësia e fëmijëve duhet të jetë normale, edhe pse akoma adoleshentë në moshën e shkollës së mesme dhe ende të varur prej nesh. U ula sot të shkruaj për këtë, për ndjesinë e pakëndshme të një “incidenti”: pa e menduar gjatë i kërkova djalit të më tregojë për llogarinë e tij bankare! Pata në mendje atë që kam bërë deri tani, të ruaj pika kontakti me fëmijët e të njoh nevojat e tyre. Kjo vetëm për një arsye: të “hidhem” dhe t’i ndihmoj kur ata të kenë ndonjë nevojë. Tani që po shkruaj kam të njëjtën ndjesi faji e turpi e njëherësh! Fëmijët i konsideroj pjesë të vetes. Ndoshta kjo do jetë edhe një tjetër vështirësi për tu kaluar, në një vend të huaj. Fëmijët po rriten. Në një moshë të caktuar kujdesi i tepërt dëmton marrëdhënien me ta. Kërkesa në fjalë mund të keqkuptohej si përpjekje për t’i kontrolluar ata. S’jam nëna që do doja të dëmtoj apo lëndoj fëmijët. Kam disiplinë e vullnet për tu përshtatur me ndryshimet. Kam dashuri të pafund në gjakun e shpirtin tim, lutem me besim për mirëqenien e fëmijëve. Dëshira e vullneti i tyre u bëftë, të bëhen ata që duan për veten, kjo është e shenjtë për mua. Nëse do duhet të ri-shoh veten si prind, të kuptoj kufijtë që kam në marrëdhënie me fëmijët që të ruhet harmonia e respekti midis nesh si individë të rritur, jam e gatshme të bëj çdo përpjekje. Po, por jam edhe unë e pa përvojë si nënë fëmijësh të rritur! Edhe Faruku, si baba! Të mësoj të bëj prindin është detyra më e lartë dhe gjëja më e jashtëzakonshme si grua, ndodh si me notin që e mëson vetëm në ujë. Mëmësinë e mësojmë vetëm duke bërë nënën çdo ditë, herë mirë e herë keq. Është si një ideal, në të cilin gjej frymëzimin tim, lartësimin e ideve me të cilat përpiqem të ndërtoj një strehë të përbashkët tonën ku secili të ndihet mirë dhe i lirë të shpallë vetveten që është, të ketë interesa dhe shprehë ide të vetat. Për çfarë tjetër do vlente jeta, nëse jo në aspektin e vullnetit më të mirë për të shprehur secili individualitetin në liri?! Çfarë di e njoh, çfarë kam njohur në vendin tim, në familjen nga vij, ku familja dhe gjërat në të janë të pandara, “kuleta” dhe “xhepi” në familjen shqiptare janë të përbashkëta, e “imja” dhe e “jotja” nuk ekzistojnë. Ajo që është, është e të gjithëve. Kanadanë s'e njohim ende, as ligjet që ka, mbi bazën e të cilëve funksionon shoqëria. Deri në çfarë mase do na duhet të ndryshojmë vallë?! Me këtë truall që ka lëvizur tërësisht të-poshtë këmbëve tona, me përvoja të reja të panjohura prej nesh, shpesh edhe duke gabuar, a do e kenë fëmijët besimin tek ne si prindër në vazhdimësi? A do kenë besim të mbështeten tek ne në kohë? Ç’do mbetej tek unë, Gruaja e Nëna që Jam, nëse një ditë do largoheshin fëmijët nga jeta ime e përditshme?! Jam nënë dhe kjo nuk do mund të ndryshojë më për sa kohë që marr frymë e jam gjallë. A do dinë fëmijët të më pranojnë si të tillë duke më falur për pjesën që nuk di ta bëj mirë si nënë? Modelin e prindit shqiptar nuk është e mundur ta bëj në Kanada, plotësisht, si të isha në Shqipëri. E them edhe më lart, fëmijëve këtu iu mësohet shumë shpejt në moshë se janë të lirë, kanë ardhur të lirë në këtë botë qysh ditën kur kanë lindur. Inkurajohen të mësojnë të bëjnë zgjedhje për veten dhe të mbajnë përgjegjësi. Për çfarë ne si prindër nuk kemi mundësi të bëjmë për ta, del shteti garant që i ndihmon e i mbështet gjatë udhës. Megjithatë, mbetem grua dhe nënë shqiptare. Bota dhe universi vjen përqark fëmijëve të mi. Por jo vetëm. Vjen përqark cdo fëmije të kësaj bote, që së bashku me fëmijët e mi janë plejada e radhës që presin të marrin në duar misione të larta për të gjithë njerëzimin. Prill, 2006 Sot në mëngjes Faruku, si në ndrojtje, më tërhoqi vëmendjen. “Mjaft u lodhe, në këtë mënyrë, shiko si je bërë…” Çdo grua, është e zorshme të kuptohet, sidomos një grua si unë që nuk lëshoj pe në atë se çfarë e mendoj se është më e mira për familjen. Si grua, nuk pushoj së besuari se fëmijët meritojnë gjithçka. Për sa kohë bota do jetë kjo që është, gruaja si unë s’do pushojë së menduari dhe së kërkuari që bota të ndryshojë! Në proces gruaja ndryshon vetveten. Ne kemi kohë të gjatë që njihemi dhe përsëri, zor se i vërejmë gjithnjë ndryshimet e njëri tjetrit. Këto fjalë e mendime që shkruaj nëpër copa letrash, formalisht deri ca më tej do mbeten larg nga syri i Farukut… Fati na lidhi të dyve, jeta na bëri të pandarë. Një univers i veçantë brenda secilit. Të dy, po ndryshojmë. Bashkë me ne, fëmijët. Të katër po ndryshojmë!

36 views0 comments

ความคิดเห็น


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page