top of page

AGSHOL I SHPALLUR ME ART


Petrit Nika

GJYSËMAGIM I SHPALLUR ME ART


Rreth poezisë “Kthimi i Odiseut në Itakë” të Petrit Nika


Dr Fatmir Terziu


Në fjalorin shqip-anglisht të Universitetit të Oksfordit fjala shqipe ‘agshol’ përkthehet ‘break of dawn”, që në fakt po të thuhet ashtu siç kuptohet në gjuhën shqipe duhet të jetë një fjalë e vetme, pra ajo që në anglisht thuhet ‘dawn’ e që në tërë këtë lidhje semantike nënkupton ‘agimin jo të plotë’, agimin mëngjesor të një dite të paralajmëruar. Kjo ditë e paralajmëruar në nëntekstin e kësaj fjale ka dykuptimshmëri filozofike.

Njëralidhet me thelbin që vetë kjo fjalë dikton, përpos veçorisë së saj dhe tjetra me anën semantike që plotëson didaktikën e lidhjes së fjalës me natyrën dhe aspektin signifikativ të prodhuar nga derivati i kuptimit të saj.

Po të shihet e shoqëruar në gjysëmvargun e tij të parë ajo përpos termit ‘mjegullor’ nënkuptohet apriori si një ditë e mjegulltë, pasi luan rolin e një mbiemri në këtë fjali të paplotë.

E kënaqshme: Perceptimi i prekjes

Sipas rregullit sintaksor këtu kemi një hapësirë adekuate[1], por me një aspekt tipik që në strukturializëm konvertohet me koshiencën e prodhuar të mesazhit në kohë, hapësirë dhe vend. Por në aspektin figurativ kjo mbishtesë e këputur, por e domosdoshme, krijon një veçori të re poetike, që nënkupton ardhjen e ditës jashtë aspektit mjegullor në lindjen mëngjesore si pretekst i agut, pra si një ditë të mbarë, me diell të begatë, të ndritshëm, të çiltër e me tregues mirësie në sytë e njeriut.

Jo më kot e ka zgjedhur këtë fjalë të qëmtuar të gjuhës shqipe, Petrit Nika, në një nga poezitë e tij që mban një titull sa mitik aq edhe filozofik: “Kthimi i Odiseut në Itakë”.

Në të njëjtin varg, pas një pike që luan rol aspektor, [aspekti është Lidhja e ndjeshme e fjalëkuptimit me vendhapësirën ku mbizotëron dhe funksionon fjala] vazhdimësia me ndriçimin e situatës që lidhet me anijen misterioze, ku gjeografia na diktohet enkas me hapësirën mbi det, natyrshëm plotëson kodin metafizik të tërë asaj që autori ka krijuar në lidhje me një poezi që mbetet një arsye e plotë për tu ndalur e analizuar deri në detajin më të imët të saj.

Duke u ndalur pikërisht në këtë pikë edhe pse detajet që autori na i jep nëpërmjet fjalëve janë të paprekshme, në gjuhën e studiuesit John MacMurray (1953:109) kjo është një ‘perceptim i prekjes’ së detyruar që organizohet nga fuqia e mesazhit të krijuar. Sipas këtij studiuesi kjo prekje e perceptuar vjen si pasojë e eksperiencës së rezistencës, në një hapësirë-lidhje imediate të njohurisë me fuqinë që e prodhon fjala poetike (po aty).

Në kritikën shqiptare të viteve 1940-të, Kolë Ashta kur analizon poezinë e Filip Shirokës, të cilën e sheh ‘shpirtnisht të afruar mes tyre’ sjell në skenën e kritikës letrare termin e ngjashëm ‘shkokloj’ që nënkupton jo kuptimin e fjalës ‘e shkoq’ apo e ‘bëj kokla-kokla’, ose ‘shkokrroj’, por eksperiencën e perceptimin dhe të rezistencës që vjen nga fjala në poezinë e tij (Ashta, 1944:1-2). Dhe ndërsa Ashta e shikon këtë rezistencë dhe perceptim në poezinë e Shirokës tek ‘i sillet para sysh shtëpia e të parëve…’, poeti Petrit Nika, e siglon ngjashëm atë me dy variantet e tij që vijnë nga njohuria e tij për kthimin e Odiseut në Itakë, por në lidhje të ndjeshme me natyrën dhe tërë ligjësinë e saj që nga lindja e dritës.

E gjitha kjo në studimin e Ledri Kurtit, ndërsa i referohet dimensioneve të mendimit kritiko-estetik shqiptar në kohë dhe në tipologji, që vjen nga marrja në konsideratë e mendimit të Ashtës, nënkuptohet si një ‘poetikë me vlerën e kuptimit të kënaqësisë artistike të përfituar prej saj [poezisë] si art (Kurti, 2009:231).

Kjo kënaqësi artistike e veçon këtë poezi

Kjo kënaqësi artistike e veçon këtë poezi dhe e prezanton këtë poet me një vlerë të ndikueshme të artit të fjalës. Poezia e tij ka ardhje të ndjeshme në kohë dhe në hapësirë. Është e pjekur dhe aspak e nxituar, e pangarkuar, e lidhur me natyrën dhe forcën e saj. Poeti me moshë të re, po aq edhe poezia e tij e re, kanë një lidhje të tejdukshme mes njëri-tjetrit. Lindja e tij dhe edukimi edhe pse variojnë, krijojnë një aspekt jo të diskutueshëm gjeografik, por diktojnë njohje, njohjen për autorin dhe po aq edhe për krijimtarinë e tij.

Poeti

U lind në Dardhë të rrethit të Pukës, më 9 qershor të vitit 1975. Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës për Letërsi dhe Gjuhë shqipe në vitin 2000. Ka punuar mësues në vendlindje për dy vite, mandej në Fier ku jeton që prej gushtit të vitit 2002. Aktualisht jep lëndën e letërsisë dhe gjuhës shqipe në gjimnazin jopublik „Numani", ku punon që prej katër vitesh. Është bashkëpunëtor i njohur i medias kulturore dhe medias së përditshme, ku ka botuar periodikisht ese, polemika, kritika letrare, poezi e tregime. Në vitin 1996, kur ishte student i vitit të parë në Tiranë, fitoi konkursin poetik të gazetës „55" duke u përfshirë dhe në antologjine përkatëse që botoi gazeta; në vitin 2004 fitoi çmimin e tretë në një audiencë prej 79 autorësh të njohur të poezisë së sotme shqipe që u botua përgjatë një viti nga gazeta kulturologjike „Fjala".

Vazhdon….

Vazhdimi konsiston në tre aspekte: 1) Struktura e poezisë si aspekt i perceptimit; 2) Atmosfera që buron nga njohja, fuqia dhe njohuria; 3) Kumti i fjalës dhe logjik si kod më vete.

Referenca:

Ashta, K. (1944) Ngjyra e Vendit të Filip Shiroka tek Revista Letrare, Tiranë, nr. 5, 15 Prill, f.1,2.

Kurit, L. (2009) Dimensione të Mendimit Kritiko-Estetik në Kohë dhe Tipologji. Shkodër: ‘Camaj-Pipa’

MacMurray, J. (1953) Vetja si Agjent. Londër: Faber dhe Faber.


Poezi nga Petrit Nika


Kthimi i Odiseut në Itakë


Agshol mjegullor. Anì misterioze,

çan ujërat e mefshta të detit Mesdhe,

kërcasin direkët dhe velat e mallit

mbështillen mbi krye t’udhëtarit Odise.

Zgjohen ngadalë syprinave gjallesat,

llampat e qiellit fiken në fshehtësi;

njëzet vjet heroi humbi në detëra,

tevona - gjet vragën e Itakës së tij.

Mbi tëmtha thinjat i zbardhin n’për ag,

(kreshnik itakas riosh la atdhenë);

Kaq vite firuan; me humbje a lavd,

kurrgjë djalërinë heroit s’ia kthen.

Anì misterioze mes ujërash hepohet,

ta presë në breg askush s’ka dalë,

asnjë flamur për heroin s’çohet,

veç shiu këngëzon mbi direk me mall.

S’ka as Penelopë. Çdo ndjenjë zbehu koha

Dhe pritja e femrës e pati një cak.

S’e dinte Odiseu ç’legjenda të kota,

kthimi i tij do mbillte mbas pak.

Odiseu n’Itakë mbas vitesh t’shtegtimit,

s’u kthye të mbretërojë; u kthye të vdesë,

këtë gjë fort mirë e dinte Penelopa,

ndaj mashtroi kush tha se kuturisi të presë.

Itakë e gjorë! Burrit të lavdishëm,

nën qiellin e vranët moskokëçarëse i rri,

mbi tëmthat e bardhë të luftëtarit pikët,

rrëshqasin me mal dhe prehen m’anì.

13 korrik 2005

Dasma e Ifigjenisë

Gjithë ditën n’lumë Ifigjenia

U çmall me shpirt llagar;

Ndërsa n’ujdhesë, zgavra me mija

E prisnin plot ushtarë.

Një re e bardhë shaluar kish

N’Aulidë, kodrat përçark;

"Zefiri shpejt për ne do fryjë!"

- tha njëri nga detarët.

Dhe zbrazën kupat plot me verë,

për nder të hyut Poseidon,

dhe ditën shtynë të rëndë beter,

bashkë me prijsin Agamemnon.

Kur dita u bor larg ndër valë

Dhe mbrëmja e fshehu n’terr limanin,

një kor hyjnish u shkreh në vaj,

vajtonin bijat e oqeanit.

Aherë, n’Mikenë vasha e shkretë

Përmallur hynte në pallat.

(N’për ag, mbi kalë pas Odisesë,

nesër do shkonte nuse larg.)

Ende s’e dinte kjo ferishte,

ç’fatkob hyjnesha i kish gatitur,

i mrrolur nxinte Odiseu

dhe pinte verë me miq të fisëm.

Orët kalonin. Hije t’Erebit

Përgjonin Mikenën rreth e çark.

Mesnatë. Prân lira dhe aedi

I fundit shkon të flejë në shtrat.

Rrugët flenë. Fle pallati,

Ifigjenia, krushk Odiseu,

përmes rruzullimit kalon Hipnosi

dhe shpall pushtet n’qytet t’Atreut.

Fshehtas në gjumë, ati i mnershëm

I kumt ca fjalë vashës së gëzuar;

"O bijë, që era të bredhë ujdhesës,

hyjnitë për fli të kanë caktuar.

Nga dor’ atrore, gjakun n’altar

T’kërkon mëni e Artemidës,

ku presin fllugat radhë - radhë,

thellë në liman, pranë Aulidës."

Mëngjesi gdhiu me diga resh,

përmbi kodrinat gëlqerore.

Fugonte gjogu i Odisesë,

përmbrapa nusja si fjoll’ bore.


[1]e kënaqshme ose e pranueshme në cilësi ose sasi.


16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page