top of page

Agron Shehu, fantashkencë te “Tokësorët në Hapësirë-Kohë … Ç’tronditje !” dhe “Postnjerëzorët”,




Nga Petrit Malushi

(Analizë libri )



Autori

Për lexuesit shqiptar dhe ata të huaj autori shqiptaro-kanadez Agron Shehu këto vite është prezantuar, veç të tjerash edhe me dy romane fanatstiko-shkencorë, “Tokësorët në Hapësirë – Kohë” dhe “Postnjerëzorët”, botimin e të cilëve e ka realizuar shtëpia botuese “Filara” në Tiranë, me administrator Florjan Xhemalaj. Autori është lindur dhe ka banuar për shumë vite në qytetin e Fierit. Pas përfundimit të studimeve për inxhinieri nafte, punoi në këtë sektor për një periudhë të gjatë. Ndryshimet e viteve ‘ 90 i mundësuan emigrimin familjarisht në Kanada, ku vazhdon të jetojë aktualisht. Veç inxhinierisë së naftës Agroni jepet edhe pas filozofisë, fizikës, astronomisë, matematikes etj. Njeh në detaj hidrokarburet. Është i pasionuar për letersinë, veçanërisht atë fantastiko-shkencore. Kjo e ka nxitur të shkruajë romanet “Tokësorët në Hapësirë-Kohë…Ç’tronditje !” dhe “Postnjerëzorët”, të cilët janë si dy pjesë me të njëjtin subjekt, ku i dyti është vazhdim i të parit. Në pamundësi për të analizuar dy libra në një shkrim të vetëm, më poshtë do të ndalemi vetëm të libri i parë.

Temat

Njohja e historisë së zhvillimit të shoqërisë njerëzore në Tokë që nga fillesat e saj, para katër milion vjetëve, dhe si do të vazhdojë ajo në të ardhmen, periudhën postnjerëzore, janë dy temat që kanë tërhequr vëmendjen e autorin vazhdimisht se si dhe sa mund të shkohet më pranë të vërtetës. Në librin e parë “Tokësorët në Hapësirë – Kohë !” ngjarjet nisin dhe përfundojnë me përpjekjet për të zbuluar enigmat e krijimit të planetit Tokë dhe tokësorëve, lindjen e bimësisë dhe gjallesave në të, jetesa e tyre, lindja e njerëzimit, fazat e zhvllimit dhe evolucioni në etapa të ndryshme deri në ditët e sotme. Tek i dyti, “Postnjerëzorët” vazhdohet në të njëjtën linjë, por për në të ardhmen, deri në një shtrirje dyqindvjeçare. Duke u pozicionuar në qendër të elementit kohor, tek e tashmja, kahet e tij janë të dyanshme, e shkuara dhe e ardhmja. Zgjidhjen nga ky pozicion Agroni e ka realizuar në mënyrë të përkryer. Me një fantazi e imagjinatë admiruese duke shfrytëzuar edhe kapacitet që zotëron në fusha të ndryshme ai ka arritur të realizojë një subjekt të mbushur me ngjarje mahnitëse për lexuesit. Produkt i këtyre janë personazhet, udhëtimet në planete të ndryshëm, mjetet për realizimin e tyre, mendimet e shfaqura, diskutimet, analizat, përshkrimet, zgjidhjet e situatave etj. Interesant është fakti sepse Agroni ka shfrytëzuar shumë bukur shqisën e pestë të njeriut, mendimin, pasi vetëm me anë të tij, në formën e valëve, njerëzit arrijnë të depërtojë, përfytyrojë, perceptojë, të logjikojnë dhe të nxjerrin përfundime e të marrin vendime për një veprim pozitiv apo negative, të cilin mund ta kryejnë. Te qeniet njerëzore bashkëjetojnë mendimi dhe shpirti. Autori thotë se shpirti e shtyn njeriun të veprojë sipas emocioneve, ndërsa mendimi sipas logjikës. Kështu të këqiat ndodhin sa herë që shpirti vepron pa marrë parasysh logjikën e mendimit.Me anë të përmasës së pestë ose shqisës së pestë, mendimit njerëzit arrijnë të krijojnë vizione për të shkuarën dhe për të ardhmen.

“Tokësorët në Hapësirë – Kohë …Ç’tronditje !”

Sistemi i personazheve

Autori për ta bërë sa më të besueshme bindjen e tij të mësipërme për shpirtin dhe mendimin, që në fillim te libri i parë ka krijuar një personazh të quajtur Higgs, që përfaqëson njerëzit e kohës së sotme. Por ky personazh jepet i dyzuar në dy personazhet kryesorë të romaneve: Hittin që përfaqëson shpirtin e Higgsit dhe Higgsin që përfaqëson mendimin, po të Higgsit. Të dyja këto qenie, Hitti shpirt dhe Higgsi mendim, ndodhen brenda së njëjtës kafkë të njeriut të sotëm me emrin Higgs, por nuk e pranojnë bashkëjetesën. Hitti qëndron në Tokë, ndërsa Higsi në formën e valëve të mendimit udhëton në thellësi të galaktikës. Shkaku i kontradiktës midis tyre është se Hitti veprimet i kryen i nxitur nga ndjesitë dhe emocionet, ndërsa Higgsi mbi bazën e të menduarit, analizës dhe logjikës.”Dy qenie në të njëjtin strehë, në të njëjtën kafkë ! Por mendimi i Higgsit nuk pajtohet me shpirtin e tij arrogant. Përfundimisht, ai i kundërvihet atij dhe largohet. Mendimi ndihet si valë që lëviz larg, duke e lënë trupin e Higgsit bashkë me shpirtin e tij në planetin Tokë…Higgsi e gjen veten 24 mijë vjet-dritë larg planetit të vogël blu, pra planetit Tokë…Së fundmi Higgsi gjendej atje ku duhej të jetë, atje ku e mendon, larg… në një lloj planeti të ngjshëm me Tokën, të cilin vendosi ta quajë KUARK”” fq.33-35. Personazhe të tjerë janë : Kuarku si jashtëtokësor dhe banor i planetit KUARK, planet që ndodhet në thellësi të galaktikës “Rruga e Qumështit”, Ardi, një femër që është qenie prehistorike, përfaqësuese e kohës primitive dhe Gluoni, djali i Kuarkut dhe Ardit, që lindi nga dashuria midis tyre.

Subjekti, ngjarjet

Lloji i këtij romani, fantastiko-shkencor i ka krijuar mundësi autorit që të gjitha linjat t’i ndërtojë mbi këtë shtrat. Realja e shtrirë në përmasat më të plota të tokësores dhe irealja ndërplanetare ndërthuren sipas ligjeve shkencore të lëvizjes, energjisë, fizikës, matematikës etj. Gjithçka bëhet në funksion të zhvillimit të subjektit.

Higgsi, që indetifikohet me mendimin dhe valët e mendimit të vet autorit, është i prirur të njohë historinë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore në Tokë që nga fillesat e saj, para katër milion vjetëve, dhe si do të vazhdojë ajo në të ardhmen, periudhën postnjerëzore. Ky është lajtmotivi i autorit dhe filli lidhës i të gjitha situatave dhe ngjarjeve nga fillimi deri në fund të këtij romani për të mbajtur te lexuesit gjallë kureshtjet dhe befasitë. Këto, parë me shumë vëmendje dhe më thellë, janë në funksion të idesë kryesore, shkakun dhe zbërthimin e kontradiktës mes shpirtit dhe mendimit tek njerëzit, pra tokësorët. Që të realizohej kjo, së pari Higgsi me kurajo shkëputet nga Hitti. Pas kësaj, i lirë nis dhe vazhdon një udhëtim ndërplanetar për të parë nga afër, në mënyrë të drejpërdrejtë jetën dhe psikologjinë e banorëve të këtyre planeteve. Duke përdorur psikologjinë, zhvillimin, arritjet dhe kontradiktat e tokësorëve, me imagjinatë dhe fantazi jeta në planete të tjerë jepet me nënkuptimin se çfarë duhet mbajtur, çfarë duhet përmirësuar dhe çfarë duhet fshirë. Me metodën krahasuese midis jetesës, psikologjisë dhe zhvillimit në Tokë dhe atyre në planeteve të tjerë arrihet në konkluzione dhe përfundime të sakta për trashëgiminë, mostrashëgiminë apo ndryshimet dhe përshtatjet në funksion të kushteve të reja. “Më pas Higgsi kujtoi se ai ishte këtu për një arsye…të shikonte çfarë kishte ndodhur në planetin Tokë katër milion vjet të shkuara. Të kuptonte si jetohej në atë kohë…kjo ishte ajo çfarë mendja e tij nuk pushonte së menduari…papritmas kuptoi se mendimi i tij nuk ishte i ngadaltë si atje në Tokë nën ndikim arrogant të shpirtit…”fq. 39. Autori zgjidhjen për lexuesin e ka bërë të thjeshtë vetëm me anë të fantazisë. Nëpërmjet rrëfimeve kuptohet që Hitti i shkëputur nga Higgsi është zgjedhur si simbol dhe përfaqësues i fatkeqësive njerëzore e mjedisore, sepse vepron pa u “këshilluar” me mendimin. Nga ana tjetër Higgsi është përafqëues i përparimit dhe zhvillimit.

Lidhja, vazhdimi

Higgsi mendim, sapo u shkëput nga Hitti shpirt, për të realizuar ëndrrën e tij niset prej Tokës dhe arrin në planetin KUARK. Aty takon Kuarkun, banor të këtij planeti, të cilit i kërkon ndihmë për vazhdimin e udhëtimit. Higgsi bashkë me personazhet Kuark dhe Ardit të cilët i ndeshi në planetin KUARK formuan një ekip me tre anëtarë, të vendosur për të ecur më tej. Ata së bashku udhëtimin e realizojnë pa asnjë lloj problemi me anë të stacionit ndërplanetar DreamLiner. Më vonë shtohet edhe Gluoni, djalë i lindur nga dashuria e Kuarkut me Ardit. Duke përdorur linja paralele midis jetesës në planetin KUARK dhe asaj në Tokë e jetesës së tokësorëve, autori nëpërmjet rrëfimeve që Kuarku i bën Higgsit jep zhvillimet dhe arritjet në të gjitha fushat e këtij planeti. Hitti mbetet në Tokë. Gjatë udhëtimit ndërplanetar, tentohet të zbulohet evolucioni njerëzor milionavjeçar në planetin Tokë, që nga lindja e tij e deri në ditët e sotme. Duke qëndruar mbi këtë bazë ndërtohen hipoteza për vazhdimësinë jetësore postnjerëzore. Udhëtohet në galaktikën e Rrugës së Qumështit. Ndalesa në planetin KUARK është e para në rrugën e gjatë të udhëtimeve nëpër planete. Higgsi dhe Kuarku, apo edhe Ardi, brenda stacionit DreamLiner komunikojnë vazhdimisht me njëri-tjetrin, shkëmbejnë mendime dhe marrin vendime të rëndësishme herë pas herë, për të qenë të sukseshëm në këtë udhëtim të rrallë fantastik. Me përfundimin e udhëtimit në planetin KUARK, i vjen radha udhëtimit në Hënë, për të eksploruar edhe aty. Kur ata si ekip gjykojnë se studimi për të shkuarën e Tokës dhe tokësorëve është i plotë, kthehen përsëri në planetin Tokë, por me projekte të reja. Pas këtij çasti, më tej vazhdohet me librin tjetër “Postnjerëzorët”, ku mbi bazën e përfundimeve të arritura nga udhëtimet në “Rrugën e Qumështit”,”KUARK” dhe “Hënë” shtjellohen ide dhe supozime për jetesën e tokësorëve me AND tjetër dhe zhvillimet në planetin Tokë, tashmë në të ardhmen. Edhe aty nuk mungojnë befasitë dhe të panjohurat.

Për ta bërë edhe lexuesin pjesëtar të ekipit ndërplanetar në DreamLiner dhe përjetues të emocioneve gjatë diskutimeve dhe situatave, po përzgjedhim disa fragmente nga kapituj të ndryshëm prej romanit të parë “Tokësorët në Hapësirë-Kohë...Ç’tronditje !” Shpresojmë që edhe pse numëri i tyre mund të jetë i pakët, nga vetë natyra e shkrimit analizë, të mjaftojnë për të hyrë në botën fanatstiko-shkencore të realizuar shumë bukur nga autori Agron Shehu.

“Higgsi vendosi që atë siluetë, e cila përfaqëonte tokësoren më të lashtë që kishte parë ndonjëherë ta quajë Ardi…Higgsi kuptoi se përballë tij qëndronte imazhi i qytetërimit tokësor më primitiv” fq .47. “Kuarku kishte arritur që me bashkëpunëtorët e vet të përgatiste anijen kozmike DreamLiner… Kështu filloi udhëtimi drejt planetit Tokë… Do të ishte një udhëtim përmes të ardhmes dhe së shkuarës.” fq. 51-52. Higgsi si valë mendore që ishte lëvizte pa vështirësi, gjë që nuk e bente dot Ardi. Dallonte krijesa të çuditshme, fillesat e ekzistencës së tokësorëve. “DreamLineri lundronte në hapësirë-kohë dhe navigohej nga Kuarku. Higgsi nuk përshtatej me ato që po jetonte. Ai krahasonte tokësorin primitiv me modernin dhe të dy ata, me banorët e planetit KUARK, me të cilët nuk ngjasonin” fq 63-65. “Kuarku i shpjegoi Higgsit se prania e Ardit do t’i ndihmonte për të vëzhguar evolucionin në kohë, përshtatjen e saj me ngjarjet gjatë udhëtimit…”fq.78 “Në mendjen e Kuarkut, ai udhëtim gjatë jetës së tokësorëve për katër million vjet, për të vëzhguar historinë e tyre nuk kishte qenë interesant…”fq.93 “Në DreamLiner shkëmbeheshin mendime rreth qytetërimeve të të dy botëve…Ja Egjipti… pamje e gjurmë që dukeshin… Ajo është Babilonia… Si mund të jetë aq barbar tokësori që i ka shkatërruar ?!...Kjo është Troja, qyteti legjendar- tha Higgsi…”fq.103-108. “Kuarkut i tërhoqën emra si Platoni, Aristoteli, Euklidi… Aristoteli kishte qenë mentor i Aleksandrit të Madh, i biri i mbretit Filip dhe Olimpias…Perandoria Romake…Perandori Kostandin…”fq.127 “Shumë kryqëzata u organizuan ndër shekuj. Sa shumë gjakderdhje e mjerim…Për shkak të shpirtit…Ndjenja për të vrarë buron nga shpirti, jo nga mendimi…” fq.134 “Kush është ia ?-pyeti Higgsi…Xhordano Bruno-iu përgjgjën…mendimi i të cilit ishte shpërndarë edhe pse shpirti iu dogj…” “Galileu kishte arritur të fabrikonte një lloj teleskopi, me të cilët vrojtonte planetet…”Kuarku vazhdoi të shpjëgojë më tej … Mendimi = perceptim + përzgjedhje + gjykim + vendim……Shpirti = perceptim + përzgjedhje + reagim…”fq 162.“Ana e errët e Hënës dhe më tej përballë, ai globi që, qëndronte pezull, ashtu vetvetiu…i ndritshëm në blu e të bardhë nga Dielli që e ndriçonte…Dukej sikur perfomonin Hëna e pajetë, e gurtë në gri…dhe Toka blu në të bardhë…Higgsi shikonte Tokën nga Hëna… ” fq 261-262. “Ishin fazat e fundit dhe DreamLiner po vazhdonte lundrimin drejt Tokës…Tashmë po dëshmoheshin kohë të tjera në historinë e tokësorëve…Tokësori kërkon të mbijetojë…në DreamLiner shfaqeshin pamje nga mesjeta e hershme, Kuarku shikonte manastiret dhe kishat si qendra edukimi…”fq.181 “Kuarku, një mashkull i pashëm e i gjatë….kur shihte Ardin sesi i dukej…donte të ishte gjithmonë aty pranë…”fq.184 “Kuarku përpiqej t’i tregonte Higgsit erën e re për tokësorët, të industrializimit, elektricitetin… Pas miliona vjetësh që tokësorët apo njerëzit u shfaqën në Tokë, arritën të lëviznin më shpejt, të fluturonin… ”fq.198

Mesazhi

Njerëzit në Tokë duhet të mendojnë për jetën dhe jo për vdekjen, për paqen dhe jo për luftën, për shtimin dhe jo për çfarosjen .“ Përse e la Higgsi (mendimi) Hittin (shpirtin ? Ngaqë mendimi dhe shpirti nuk puqeshin, nuk mund të jetonin në të njëjtin tru, nën të njëjtën kafkë. Shpesh ata ishin në konflikt të patolerueshëm. Mendimi kur iku nga shpirti e quajti veten Higgs” fq.201. “Në DreamLiner po shfaqeshin pamje që tregonin se kombet e planetit Tokë ishin në konflikt…”fq 203. “Higgsi që pas largimit nga Toka nuk ishte shumë në dijeni se ç’ndodhte atje. Imazhet që vinin në DreamLiner tregonin që jeta atje kishte ndryshuar shumë…” fq.243

“…e kisha menduar këtë, - iu përgjigj Kuarku me gjysmëzëri, ndërkohë që ndiente ngrohtësinë e trupit të Ardit…”fq. 257.

Gjuha

Autori ka përdorur një gjuhë në funksion të llojit të romanit fantastiko-shkencor. Ajo është e pasur me fjalë dhe terma të përzgjedhura nga kjo fushë, të cilat i bëjnë të besueshme situatat dhe ngjarjet tek lexuesit. Si të tilla për ilustrim po sjellim :”Koha e qëndrimit në Hënë përfundoi dhe DreamLineri mori rrugën drejt Tokës, drejt të tanishmes reale… Ishte një udhëtim i shkurtër, mjaft i shkurtër, ndonse Kuarku navigoi të rrotullohej rreth Tokës disa herë…”fq. 269. Gjuha e përdorur nga autori ka edhe fjalë të reja, të formuara kryesisht me parashtesim dhe prapashtesim apo edhe me fjalë nga fusha si astronomia, galaktika, fizika, hidrokarburet etj. Do të ishte ndërrmarrje e suksesëshme nëse pjesë nga këta libra do të futeshin në tekstet mësimorë të arsimit parauniversitar në të gjitha ciklet përkatës.

Stili

Rrëfimi rrjedh natyrshëm. Rolin e rrëfimtarit është i gërshetuar ; herë e kanë personazhet dhe herë vetë autori, pra e kemi edhe në vetën e parë edhe në vetën e tretë. Kemi përshkrim të thjeshtë dhe me qëllim të caktuar në paragrafë dhe fragmente të ndryshëm, dialog dhe monolog të personazheve, por edhe opinione, analiza e përfundime. “DreamLineri vazhdonte udhëtimin e vet duke iu afruar sistemit Tokë-Hënë. Pas pak Hëna filloi të zmadhohej…Ç’pamje fantastike !... Shikonte Tokën nga Hëna…Kuarku mbeti gojëhapur nga habia…Pa Ardin duke buzëqeshur me një fëmijë në krahët e saj…Ashtu si i mpirë iu afrau Ardit dhe të porsalindurit…Gluoni ishte e para qenie që lindi në Hënë…Emri Gluon i pëlqente…Gluoni kishte një AND të përzier…Udhëtimi i Gluonit për në Tokë, vendlindjen e nënës kishte filluar pak më parë… ” fq.261-265. “Higgsi nisi kërkimin për të gjetur kafkën e vet…Kuarku e kishte mundësinë ta kthente Higgsin siç kishte qenë…Futu,futu pa problem e nxiti Kuarku…Ishte koha që Higgsi s’kishte ç’të bënte më në atë vend, veçse të ikte…”fq.277-280. “Kuarku së bashku me familjen e vet kishin mbetur si të izoluar në DreamLiner që kur ishte larguar Higgsi…Megjithatë ai donte të shtyhej më tej në aventurën e tij, për të parë shuëm gjëra në Tokë…Gluoni dhe Ardi do ta ndihmonin shumë…Toka dukej e madhe dhe e ndërlikuar…Tokësorë kudo, makina, avionë, anije…”fq.281. “Kuarku. Duke biseduar me Gluonin, i përmendi atij se ata duhej të mësonin se ç’qëllime kishin tokësorët pë të ardhmen…Gluoni si i ri që ishte donte të zbulonte më shumë…”fq.323

Postnjerëzorët (libri i dytë)

Në hyrje të librit të dytë “Postnjerëzorët” autori shprehet:“Klarku,Ardi, Gluoni e Higgsi që vijnë nga udhëtimi tronditës në librin e mëparshëm duke dëshmuar të kaluarën e njerëzimit, së bashku me personazhet e reja Kripsi,Siborgu, Afërdita e të tjerë, përpiqen të sjellin te lexuesi atë që do të ndodhë gjatë dyqind viteve të ardhshëm apo më tej…Në librin e parë Kuarku,Ardi dhe Higgsi, si valë mendore,dëshmuan mbizotërimin e shpirtit te njeriu, në këtë libër ata duke udhëtuar në të ardhmen,dëshmojnë se mendja merr fatin e qenies njerëzore…Po cilët janë postnjerëzorët? Ç’lidhje kanë ata me njerëzit ? Cilët do të jenë njerëzit e së ardhmes? Cilët udhëtuan dhe u ulën në planetin Afërditë dhe në satelitin e Jupiterit, Europa ? A mund të dashurohen njerëzit e vërtetë me postnjerëzorët ? A karakterizohen postnjerëzorët nga ndjenjat ? Si përfundon dashuria mes Gluonit dhe Afërditës…Pse u divorcuan dhe u martuan përsëri ?…Cili do të jetë fati njerëzimit pas dyqind vjetësh ? …ç’do të ndodhë me shoqërinë njerëzore ?.. Ngjarje krejt të paparashikueshme e të pazakonta ndodhin në faqet e këtij libri, që vështirë se do ta lini t’ju iki nga dora pa i shkuar deri në fund…, ndërsa pyetjeve të mësipërme u jepen përgjigja që ju kërkoni …të dini !”

Tek ky libër autori nëpërmjet një udhëtimi imagjinar përshkruan se ç’do të ndodhë me njeriun, të paktën, përgjatë dyqind viteve të ardhshme. Përshkruan postnjerëzorët dhe ç’ndodh në tërësi me ta për të na bërë me dije se ku tenton të shkojë shoqëria njerëzore ! Narrativa është vazhdimi i librit të parë, ku nëpërmjet një udhëtimi imagjinar në të kaluarën , përshkruhet e kaluara njerëzore, ndërsa në këtë libër, i njëjti udhëtim vazhdon në të ardhmen.

Përfundimi

Pasi përfundon së lexuari këta dy libra të autorit Agron Shehu, përjetimet, emocionet dhe situatat fantastiko-shkencore e mendimet për të shkuarën dhe të ardhmen e njeriut dhe planetit Tokë të shoqërojnë gjatë. Por, për autorin, nuk mund të rrish pa shprehur urime dhe suksese, për gjithçka të realizuar kaq bukur.

26 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page