top of page

AFTËSIA E PA AFTËSISË


Pirro Loli

AFTËSIA E PA AFTËSISË OSE UNË JAM UNË (“rebel që fati i ka buzëqeshur kurvërisht” e ku, ”zbardh e zeza dhe e bardha nxin; er’e ndyr` e mjegull na përpin”...(Nga Makbethi) ESE PIRRO LOLI Akoma nuk e kuptojmë mirë as ne shqiptarët, as disa nga miqtë tanë perëndimorë se aspirata jonë evropiane( BE) pengohet vetëm nga kreu i qeverisë sonë, me emrin Edi Rama. Ai e di shumë mirë se ai shteg ta merr dyfekun e katundit dhe nuk të lë të livadhisësh e të lëpish nëpër kusira e tepsira. Në BE nuk e ka kaq të lehtë të vjedhë e të mashtrojë, as nuk e lë njëri të uzurpojë të gjitha pushtetet e të sillet si pashallarët e qëmotit me popullin e vet. Kështu, hiq e mos e këput, pa fre e me ca miq burokratë andej e përkëtej, me para të pista andej e përkëtej, në krahun e djathtë të oligarkëve dhe nën skeletin e një partie kufomë, e ka të lehtë të mashtrojë e përsëri e përsëri nuk shqitet nga pushteti. Sepse ai, është ai. Dhe historia e ka thirrur në skenë për të qenë ai, ose kryeministri triumfator që historia do ta mbajë mend si barsaletë.

UNË JAM “BABAI I KOMBIT”... Nuk e mban kot në sfond Ismail Qemalin e së fundi dhe Skëndërbeun. Nuk duhet t’i harrojmë aftësitë e tij. Nuk e bën kushdo punën e tij. Në krye të pushtetit ai e ka sofistikuar mashtrimin. Aftësia e pa aftësisë së Edi Ramës rrezikon ta lërë vendin jashtë BE. Mos i besoni kurtheve te tij! As për Këshillin politik, as për kodin zgjedhor, as për ndryshime nenesh në Kushtetutë pa konsensum. Çdo mirëkuptim me të është një kurth i ri. Ai erdhi kryetar i PS pa qenë anëtar. Kur u bë kryeministër (2013), BE kishte vetëm tri kushte pranimi, tani pas shtatë vjet në krye të pashallëkut, Shqipëria duhet të plotësojë 15 kushte të rënda. Ai, uzurpues i katër pushteteve, me këtë shtet të dhunshëm partiak, me polici thellësisht ish sigurimse, “PS-iste e rilindase”, përplot oligarkë e hajdutë në krah, me një grup çapaçulësh gjoja opozitarë që nuk përfaqësojnë asgjë brenda Kuvendit, nuk e njeh dot vetveten jashtë pazareve të xhepit dhe pushtetit. Narcizmi i tij i tejskajshëm dhe urrejtja për Tjetrin (jo vetëm për opozitën, por dhe për median, drejtësinë, aleatët, pse jo, për popullin opozitar) e pengojnë atë të kryej çdo lloj dialogu për mirëkuptim. Ky është thelbi dramës së politikës shqiptare që drejtohet nga ky kryeministër, që e heq veten si lider i shquar i rajonit dhe si babai i kombit. Duke pasur në dorë dhe nën dorë të qeverisë-shtet të gjitha qelizat, në bazë e në qendër, me babëzinë e vet, synon fitore të tretë, të katërt e pse jo të përhershme ...Dhe, si kloun, kapërcen nga suksesi në sukses duke shpalosur tablonë më hipokrite në statusin e Shqipërisë, që është bërë si pashallëku i tij. ..Në këtë sprovë do mundohem ta trajtoj jo vetëm si thotë ai “baba i kombit”, por dhe si personazh që u bë aksidentalisht kryeministër. Tanimë, pas dy dekada e ca në pushtet, ai është i bindur se ai është ai, “i zgjedhuri”, triumfatori, qenie e vetësajuar me epsh, me ndërgjegje të plotë, i qëllimshëm për t’u dukur i përveçëm; vetë ai, me të gjithë kompleksitetin e një qenie pa thelb, pa substancë, është personazh i gatshëm. Pse jo, personazh i plotë dhe i dashur romanesk për çdo shkrimtar. UNË JAM I VEÇANTI...

Ai dallon jo vetëm midis shqiptarëve, por dhe në krye të tyre; atij ia thotë mendja se duhet të përveçohet edhe midis kolegëve evropianë, ku e shpie puna, në formë e në përmbajtje, në gjuhë e në mendime. Synimi: të paktën lider i Ballkanit. E fillon me Minishegen “made in serbo, Vuçiç” për të arritur në BE në hiç. S’ka rëndësi, mjafton të pëlqehet ca ditë, të tregohet me gisht - nga gjatësia natyrore po se po, por sidomos nga veshja. Që nga refugjati në Paris deri te kryeministri këtu, nuk besoj se ndonjë tjetër koleg i tij, të spikati nga forma si ky yni. Nuk besoj të ketë garderobë më të madhe më fantastike më të pabesueshme, më dis`harmonke, ( lexo moderne) që nga veshi me një vath, nga një çorape e kuqe tjetra e zezë, nga kostumet më të shtrenjta në botë, te kanatjeret, nga poturet turke, gravata, distiktivat, atletike deri te oshkuret.... E domosdo më i veçanti në fjalorin kaq të pasur të shqipes, gallata, banalitete, për të sharë e ofenduar tjetrin me batutat, qyfyre, humor bajat, “ Që jashtëqit” nga goja ( fjalë e tij kjo që e përdor “pa teklif” për opozitën) te kokëkruarja, ngërdheshja, gjestomania e pakontrolluar... Ky personazh grotesk, që kur doli në pjacën e politikës si ministër i kulturës, e kryebashkiak, e ka parë veten se dikush është, madje, shpëtimtar i kulturës i qytetit i Shqipërisë, (tani lexo, shkatërrues) dhe, si çdo diktator që fillon nga zërua, përqafuar me fatin e tij, dekorin mavi të PS-së, u ngrit vertikalisht, e, sipas tij, çdo gjë duhet të fillojë nga emri i tij. Tjetri përballë, veçanërisht kundërshtarin politik e pa si armik, primitiv, mjeran, idiot, debil, katundar, malok, servil, prapanik, prepotent, diktator, konservator, tenxhere, jashtëqitje, qenef... ( a ka tjetër fjalë sharëse kjo shqipja jonë?!) Nuk është vendi këtu për fakte e tjerrime. Ai i përkëdheluri i bllokut, është veçuar si nxënës, si student, si pedagog, si piktor, si sportist, si i sëmurë... Pastaj si refugjat, si ministër i katapultuar, krye bashkiak, e kryeministër, pra, personazh krejtësisht i gatshëm për roman, deri në “ i pa besueshëm” në absurd, jashtë defterit që çdo fantazi krijuesi do ta kish zili. Në fjalën e tij të pamenduar që e hedh kundër kundërshtarit, ( si pështymë, gëlbazë a shuplakë), është i pabesueshëm, i pa krahasueshëm, ka shok vetëm veten. Ndjenja e të qenit person i veçantë, fatkeqësisht e ka yshtur që të gjithë të tjerët veçanërisht opozitarët, t’i duken të huaj, të këqij, të paaftë, llum, jashtëqitje, kundërshtarë që duhen eliminuar. Por kjo nuk i mjafton. Të tillët psikoanaliza i sheh si tipa me smirë, sepse nuk i arrijnë dot; i urren ata se nuk është si ata. Por dhe i “do” ata sepse nuk rri dot pa objekt urrejtjeje. Në këtë pikë qytetari ER, me egocentrizmin e tij, nuk e përballon dot kryeministrin të ushtrojë funksionet e tij të rëndësishme; kudo e kurdo, ai ballafaqohet me vetveten, i trishtuar, i lodhur, i thinjur, i plakur para kohe, artificial, i çakërdisur, cinik, sfidues banal, xheloz, kokëngjeshur duke u distancuar edhe nga rrethi i ngushtë i familjes, farefisit, shokëve e miqve deri në mohim. Të gjitha këto, të thëna e të stërthëna, me gojë e me shkrim, atij nuk i bëjnë përshtypje, mjafton të përflitet, të duket i veçanti, se ai është ai. Lideri i madh nuk mban inat. Le të përpiqemi t’i futemi sadopak në psikozën e përveçimit të tij, duke e “dëgjuar e përfytyruar” në vetën e tij primare, që përbën thelbin e kompleksit të tij. UNË JAM UNË .. Kjo urrejtje e bën më të veçantë, kështu faktikisht, del një qenie e ndarë vetëm me vetveten. Unë jam Edi. Këtë gjendje Hegeli e përcakton me barazimin , unë = unë. Ai karakterizohet nga një super egoizëm, krenari që, duke qenë varur në boshllëk, duke e parë veten jashtë tij te kundërshtarët e tij, ndjen ankth dhe dhimbje, që e brejnë si një tumor, pa pranuar asnjë kimioterapi. Ai luan vetveten, përkulet mbi vetveten si narcist tragjik. Veten e sheh në kamera dhe në ndjesinë hipotetike se si u duken të tjerëve, i suvejuar prandaj i duhet të kruajë kokën, të aktrojë me një plasticitet maskash. A thua se dikush e zmadhon duke i bërë qejfin në dylbi, apo e shpërfill duke e parë me neveri. Është vetëdija e tij pa thelb, pa substancë. Është foto pa qenë objekt e kjo reflektohet dhe në pikturat e tij surealiste dhe në dekoret e përgatitura, ku dominon gjaku i partisë mëmë tashmë, është bërë mavi. Ai dështimin e quan arritje, madje kënaqësi. Kjo veti, objekt psikoanalize, e vetëndan të zotin si një personazh shkëputur nga “lulet e së keqes”; enthusiazmohet veçanërisht kur e gjen pasionin në shembje pallatesh e shtëpish për të ndërtuar kulla me fitime milionash, ngjyer nga jashtë me shijen e piktorit të madh.. E pabesueshme që një artist të shkatërrojë kulturën e vendit të vet në në këto përmasa. Të kesh pasion shkatërrimin. Pastaj betonizimin. Pastaj dekoret. Pastaj ngjyrat, bojatizmin, thelbin që mungon. Që për të shërben si arterje vitale. Fotot, kamerat, aktrimi sukses i një karjere në krye të shtetit - .. A thua dhe këtu i duket vetja se është ai, i përveçmi, skandalozi? A thua është natyra e tij, karakteri i një qenie komplekse e pakontrolluar? Nuk mund të thuash që nuk është inteligjent, veçse inteligjenca e tij ka kufij vetveten, ajo mbetet e pa krahasuar, varur në boshllëk e kjo përbën një nga kurthet e pakalueshme të dijes, ndaj i thonë ”i gjithëdituri”, antipodi i Sokratit të madh që dinte një gjë që “nuk dinte asgjë”. Unë (baras)(=)unë është përmbushje me vetveten, i pamjaftueshëm, njëkohësisht i përmbytur. Sepse pa thelb, pa substancë, pa lëndë, pa moral, pa humanizëm. Një tejngopje e tillë me vetveten, e bën të vjellë, dhe i duhet të vjellë dhe nga poltroni i parlamentit për t’iu përgjigjur kritikave dhe broçkullave të dikujt, pa u frenuar gjëkund, pa u distancuar, për të heshtur e për t’u menduar. Problemi është se ai, po nuk foli, veçanërisht kundër opozitës, por dhe kundër kujtdo që guxon ta kundërshtojë e ta kritikojë, nuk ekziston. Diku e thashë - opozita është shfaqje e ekzistencës së tij, është ndjenjë kalorsiake, “opozita e rrugës “, ( cinizëm kryeministror) dhe i duhet të recitojë për t’u dukur si pasha turk bashkë me poture. Është shkak dhe pasojë, oligark, gjykatës, prokuror dhe viktimë...E gjitha kjo - luftë për të mbajtur pushtetin, por përballë tij, si një qenie të dyzuar me vetveten, segment ekzistencial, që fillon e zgjatet nga ai, e ravijëzon një tjetër qenie identike me fytyrën dhe rrezikun e tij. Por (“ unë jam unë”) të mos ia hamë hakun, ai është mjeshtër i propagandës, mashtruese, personazh komik o tragjik, shqiptar e rajonal, “minishegist” dhelparak e qesharak që Shekspiri do ta etikonte: “rebel që fati i ka buzëqeshur kurvërisht” e ku, ”zbardh e zeza dhe e bardha nxin; er’e ndyr” e mjegull na përpin”... Po më shumë frikë ka pasur ata të fortët që kanë dalë nga tenxherja e së majtës. Grupin e Fatosit të dikurshëm apo president Ilirin e tanishëm. Me Saliun e me Lulin e ka mirë se i ka në barrikadën e armikut përballë. E gojët e liga thonë se “është kaq i malluar për ta”, sa nuk bën dot pa ta. Te kundërshtarët gjen vetveten, i vjen ajo energjia djallëzore për t’i anatemuar, për t’u paraqitur, pa e pasur problem sepse lejfenët që e rrethojnë, e quajnë “Skëndërbej” me shpatë në dorë; ndërsa ata që lë rrugës, “i pa besë’, dhe Hamza apo Ballaban me thikë në brez... Po ç’ mund të thuash për vetveten e tij, kur ajo nuk ekziston?; Duke qenë një konglomerat vesesh e tiparesh, talente dhe mediokritete, vlerash dhe antivlerash, cilësish eklektike, papërgjegjësish, fytyrash e maskash, i pa imitueshëm në role pervese; kudo pa bosht, mungesë vertebrash të rrëshqitshme deri në mosqenie; burim force i bëhet urrejtja, dhe ia mjegullon shikimin për të parë realitetin dhe gropat që po i përgatit vetvetes. Ndoshta këta tipa kish parasysh Bodleri kur tha “ Unë jam plaga dhe thika, viktima dhe xhelati..” AFTËSIA E PA AFTËSISË ... Analistë, gazetarë a shkrimtarë ( Oh, sa pak, sa pak shkrimtarë...), gënjejnë veten që thonë se kryeministri ynë është i paaftë. Madje, kam vënë re se kur e pyesin për dështimet, kur fjalia e tyre fillon me “Pse” ai bëhet më agresiv, më i fuqishëm. Të luash pa aftësinë të duhet talenti. Mbajtja me thonj e me dhëmbë e mbajtjes së pushtetit me çdo kusht mbi 22 vjet në krye të pushtetit, është argument aftësie, jo paaftësie. Ju lutem , mos ma ofendioni personazhin tim! Si personazh, them, jo si person. Si qenie subjektive, them, jo si kryeministër. Personazhi im është portret i pa mbaruar. Ai po kërkon kryeministrin për herë të tretë, ai po ndryshon kushtetutën si me qenë një fletushkë paçavure. Kjo nuk duhet të na çudisë. Etja shkretinore për pushtet është aftësi psikopatie, furi seksuale do ta quante nobelisti (S. Rushdie), verbëri kozmike, epsh, drogë, marrëveshje me Orfeun dhe me djallin ... Ky “i pa afti”, që thoni ju zotërinj analistë e politikanë, (ti moj blablaiste ordinere Zonjëza Spiropali e quan Skëndërbej. Mirë bën, s’është e lehtë të jesh ngrohtë pranë tij, të kesh të bësh me para të madje tatime a dogana, të bëhesh ministre...)Ai ka siguruar një kontroll vertikal, qelizor në raportin padron klient ku, që në hapat e parë të pushtetit, nuk ka qenë vetëm i përkëdhelur, por dhe me fat, dhe i talentuar nga natyra. Ai mundohet të jetë vetvetja por duke mos qenë në maja si sportist, piktor modernist, pedagog; pak ashtu e pak kështu, orator i lindur, cinik dhe ironik herë me muzat e artit e të sportit, herë me demonët e pushtetit, përjeton psikologjikisht ankthet e dështimit. Ai i do muzat e krijimtarisë artistike, por e kanë mbytur sirenat e egoizmit. Përpjekjet për të aplikuar të bukurën bashkë me antivlerat artistike edhe në politikë, madje, dhe në rolin e kryeminmistrit, përbëjnë ADN-në dështimit së tij, ankthin patologjik dhe thelbin e një mosqenie, në art dhe në politikë. Ose të një mosqenie masive që e zuri ledhi dhe preu rrugën.. Ai u kënaq që opozita doli nga parlamenti, njëkohësisht e kritikon atë, pse doli. Ai harron vetveten që për arsye të mosarsyes, braktisi parlamentin gjashtë muaj rresht që Shqipëria të mos pranohej si kandidate në BE. Shkaku kish të bënte me mustaqet e Çelos, ... “Këto mustaqe” e lanë Shqipërinë rrugë prerë shtatë vjet pas duke e rrukullisur në fundin e fundit. Dhe pse? Vetëm e vetëm që të mos i numërohej të djathtës si meritë. Kujtesa e qytetarit shqiptar dhëmb. Ai u mundua me të gjitha mundësitë në çdo hap që qeveria e PD-së hidhte para që Shqipëria të futej në NATO, që qytetarit shqiptar t’i liberalizohej e drejta e udhëtimit pa viza, të aplikonte pasaportat diçitale, të modernizonte kufijtë etj, etj., Ai është regjisori dhe aktori në këtë dramën tonë që me aftësinë e pa përgjegjësinë e tij virusale, na u bë epidemi shoqërore. Për të, nuk ka ilaç e vaksinë e, kështu, brutal e agresiv, po bën dëme dhe po kapërcen lumin mes për mes pa u lagur?! Të mos bëjmë sikur nuk e dimë, të majtë e të djathtë. Kushdo që do analizojë përmbajtjen e dramës shqiptare me këtë regjisor e aktor, mbi 22 vjet nga skena në skenë, kujtesa sadopak do na kujtojë uzurpatorin jo vetëm të PS, diktatorin e rafinuar që rrëmbeu të gjithë pushtetet; që shkatërroi Republikën, demokracinë parlamentarizmin; që e katandisi shtetin e brishtë pluralist, në një shtet policor duke inkuadruar në poste të policisë e gardës, të gjitha mbeturinat e ish sigurimit, enveristë të inkriminuar, drogamanë, banditë, hajdutë, e, ai, talent i lindur, që nuk qe as anëtar i PS, u bë kryetar i saj brenda një nate dhe arriti ta katandisë PS-në ngjeshur pas trupit të tij si poture turke që e vesh dhe e zhvesh kur të dojë; e po të flasim me gjuhën e Makbethit, siç e ka qejf ai në fjalimet e fundit, kur e shpon ndonjë gjemb murrizi (deputet i klonuar), ai manifeston vetveten; - pozantin që dridhet e përdridhet, piktorin dhe në zyrën e kryeministrit, liderin e oratorin në ER- tv - aktorin mjeshtëror, princ e mbret pa kurorë, i pari në rajon, dukshëm perandor, krah për krah me mefistofelin e ndershëm, Erion.. . Dhe vetë citon Shekspirin ... ; Ferri është bosh dhe të gjithë djajtë janë këtu...”...Gëzuash , Makbeth, që nesër bëhesh mbret.. .Megjithatë, të mos gënjejmë veten, duhet të pranojmë se cinizmi i tij, babëzia, patologjia a drogamania, janë më pak të dëmshme se servilizmi dhe memecllëku socialist masiv shartuar me hibritin virusal me emrin “Rilindja”. Shkatërrimi i të majtës sonë, katandisur si parti e hajdutëve dhe oligartëve, më e djathtë se e djathta, është meritë personale e tij, njëkohësisht mjerim kombëtar i politikës dhe kulturës sonë. Këtë gjendje mjerane e vështirëson më tepër edhe niveli shumë i ulët intelektual i deputetëve në parlamentin aktual që, më së miri i përgjigjen mediokritetit kryeministror. Pra si tenxherja dhe kapaku. Të aftë vetëm për të zhvatur. Deputetë vetëm për të ngritur e ulur kartonat sa herë u fishkëllen binomi enigmatik “Rama-Ruçi”.

45 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page