Ishte kohë tjetër. Gruri u nda nga egjra,
nga bimët e këqija, nga ferrat, driza e hithra.
Ishte kohë ndryshe. Mulliri rrokte qiellin
e toka mbushte thasët
bashkërisht bluanim miellin
siguronim bukën…, eh, Koh' e largët.
Ajo kohë kishte farën e vet. Farën e grurit
të shijshmen, të begatën,
ra pesha e gurit
e njeriu shijoi të ithtën
ra dhe vlera e burrit
toka shumëzoi hithrën.
Ra mortja në ara
hithra na nguli farat…
Pak farë nga ajo e hithrës na u ngjiz me vete
mendja e injoroi farëzimin e saj:
s’ka misterie, ka truke, s'ka mistere
pavetëdije, … indiferencë... Fjalë,
që u trazuan në vetvete si në përallë,
me shenja të vuajtjes dhe indiferentizmit
trupi bindej pa shkak e ngadalë,
paqtohej me cfilitjen e absurdit.
Mjedisi ishte i zi mbrapa lëbyrjes së hithrës
një ithnake, një lëngatë që i lë vend shtrëngatës
mbrapa kurrizit të vet të zezë sterrë,
ende mbjell farën e fjalës
kur vetë dallga e lodhur e dertit është shkumë e bardhë,
dhe pyetja i qepet aradhës:
çfarë është fytyra ime e qeshur,
po çfarë është fytyra jote e vrarë?
Farën e hithrës e kuptoj kur lexoj Andersenin
truku, kur liroi vëllezërit mjellma e tij e egër
dhimbja që mbiu nga tretja në poezinë e Azem Shkrelit
mbi gjethe të shkelura hithrash patjetër
çlirimi i vetëm nga djegja e hithrës
vada e vetes në pavetëdijen e vjetër
krijohet një pëlhurë e lehtë,
tinzare për tu çliruar tinës
për ti (ri)kthyer ato në skutat e perëndive
si princesha e Andersenit kur u dha fund kotësive.
Duke iu shqepur farës së çastit të domosdosë
mbjellim padashje një qoshe hithre mes nesh
pastaj prapë kthehemi në gjurmët e ujqërve të vjetër,
kërkojmë dritë dielli mes resh,
të qenit është riciklim i të qënit,
me një dallgë tjetër kujtojmë dallgët e mëparshme
duke iu hakërruar fatit, farës së vet
në rrethin e mbyllur nga kjo farë hithre,
absurdin as sot s’e lanë asnjë det.
Sqarim plotësues:
1- Hans Christian Anderson krijoi një princeshë në historinë e tij, e quajti Mjellma e Egër. Ajo endi mantelet e saj me hithra për të liruar vëllezërit, që ishin kthyer në mjellma. Ajo mblodhi hithra dhe përdori këmbët e saj të zhveshur për të shkelë mbi ta duke i kthyer ato pastaj në rroba.
2- Azem Shkreli e trajtoi farën e hithrës tek “Nata e Papagajve’
Comments