top of page

Abdurrahim Ashiku:  IKU NJË VLONJAT, NJË SHKRIMTAR,  NJË GAZETAR, NJË STUDJUES I HISTORISË... DHIONIS QIRXIDHI...

 

IKU NJË VLONJAT,  NJË SHKRIMTAR,  NJË GAZETAR, NJË STUDJUES I HISTORISË... DHIONIS QIRXIDHI...

 

 

 

 

Sot, 29 Janar 2026, në Athinë ndërron jetë Vlonjati ynë i mirë, Profesori, Shkrimtari e poeti, kritiku i artit, muzikanti, e gazetari Dhionis Koço Qirxidhi i pari nga vellazëria Qirxidhi.

Dhionisi lindi e u rrit në lagjen e bukur Vrenez të qytetit, ku u rritën gjithashtu figura e personalitete të artit e kulturës jo vetëm të Vlorës!

Dhionisi ishte nga punonjësit e talentuar të kulturës të rrethit të Vlorës, e njëkohesisht autor i disa librave me poezi, e mjaft shkrime kritike për artin figurativ. Ai ishte një mik i vjetër i piktorit të popullit Nestor Jonuzi, Lame Fandi e të tjerë.

Në Greqi punoi pak kohe me lejet e qendrimit, duke lehtësuar mjaft patriotë për marrjen e tyre.Sëmundja e rëndë e la në shtrat për 17 vjet rresht!

I shprehin ngushellimet tona te sinqerta familjes e vellezerve te tij!

I paharruar artisti ynë Dhionis Qirxidhi!

LAJMI...

Një lajm në Fecebook, përcjellë nga aktorja e mirënjohur nga nërgata shqiptare në Greqi dhe më gjerë Vefi Rredhi, Stefan Basku...Më dhembi tek lexoja rreshtat rrjedhë me lot, me fjalë dashurie e respekti nga qindra komentues.E dija që kisha disa fotografi fiksuar në shtëpinë e tij disa qindra metra larg shtëpisë sime...E dija se kisha fiksuar në diktofon një bisedë tepër të ngrohtë me Të...

I kërkova dhe i gjeta. Në ato pak rreshta pashë një mik, një NJERI me germa kapitale...I ndritëtë shpirti...

BISEDË NË NJË XHTËPI EMIGRANTI ME JETË NË KËRKIM

 

DHIONIS QIRXIDHI
DHIONIS QIRXIDHI

Një apartament i zakonshëm pak më lart sheshit Koliatsu në rrugën Patision. Ajo që të befason, ajo që nuk e gjen në asnjë apartament emigrantësh janë pikturat në mure. Piktura në sallone, piktura në dhomën e gjumit, dhomën e pritjes, kuzhinë...Të gjitha piktura origjinale me firma piktorësh të njohur shqiptarë. Shumë prej tyre me dallgë nga deti i Vlorës, me pamje malesh, fushash, korijesh shqiptare, portrete...I zoti i shtëpisë nuk është piktor. Të bukurën, atë që autorët e penelit e kërkojnë për ta hedhur në kanavacë ai e ka në zemër, në shpirt.

Mbi tavolinën e ngushtë në dhomën e pritjes një grumbull librash, lënë ashtu siç i lënë studjuesit, të gjitha klibra të sapo dalura nga qarkullim, peshë në valixhen e kthimit të dy ditëve më parë nga Shqipëria.

Në rafte libra, libra, libra...

Në një qosh të dhomës një kompjuter...

Një shtëpi emigranti me jetë në kërkim. Në kërkim të së resë...

Greqia për studjuesit është një “thes” i madh, shumë i madh. I pahapur për arsye që dihen. I pahapur jo vetëm në arkivat shtetrore por edhe në biblioteka e qendra të tjera studimore.

Dhionisi, kështu e quajnë të zotin e shtëpisë, Dhionis Qirxidhi, ka provuar të tërheqë paksa konopin e këtij “thesi”. Dhe ka nxjerrë atje një thesar, një ditë nga jeta e Ismail Qemalit në Greqi, ditë me diell e shkëlqim. Por jo vetëm nga jeta e tij...

Me të zhvillova një bisedë, bisedë që fillon sot për të vazhduar në shumë numëra e faqe gazete...

Dhionisi i fton të gjithë në rrugën e tij, fton të gjithë ata që duan t’i shtojnë një faqe të re historisë dhe kulturës shqiptare...

Nëqoftëse thirrja e tij do të bije në vesh të mprehtë atëhere nuk do të kemi të bëjmë më me një bisedë të vetme, me një njeri të pasionuar si ai, por me shumë bisedues, studjues të të gjitha fushave e profesioneve...

 

A. Ashiku: Pasionet tuaja janë të mëdha. Shkruani si gazetar me një përvojë të gjatë, jeni studjues, poet, shkrimtar, veprimtar...ku janë rrënjët e Dhionis Qirxidhit ?

Dhionisi: Pasioni im vjen nga fëminia. Linda në Vlorë, në perlën e Mesdheut. U rrita me miq e shokë të shumtë të letërsisë dhe të artit si Nestor Jonuzi, Skënder Kamberi, jetova në  vëndlindjen jo vetëm të Ismail Qemalit por edhe të lirikut Ali Asllani. Të gjitha këto më krijuan atë gjëndje shpirtërore që më lidhi psikologjikisht edhe me artin. Kam mbaruar për matematikë, kam qenë punonjës kulture në Llakatund, u lidha me artin dhe me poezinë, dashamirës i pikturës. Si punonjës i kulturës mu dha mundësia të futem më shumë në veprimtari duke qenë ndër më të dalluarit në organizimin e tyre. Një nga veprimtaritë që më ka lënë më shumë mbresë është bashkpunimi me Nestor Jonuzin. E ftova të vinte në Llakatund. Ai bëri ekspozitën e pikturës në Tiranë, një gjë shumë e bukur.

Me Nestor Jonuzin kam ardhur për herë të parë në Greqi. Bëmë një nga mrekullitë që nuk mund ta bëjë asnjë. Si Eduard Hilli shëtitëm mal më mal të Greqisë. Në Janinë dhe u bë një ekspozitë me 120 punë, me peisazhe nga Shqipëria dhe bukuritë e Janinës. Këtë e bëmë në vitin 1992 kur emigrantëtë vërshonin drejt Greqisë për një copë bukë. Ne erdhëm me mesazhin e artit. “Bukuria e artit do të shpëtojë botën” thoshte Dostojevski. Dhe bëmë një ekspozitë që nuk mund ta bëjë njeri sepse punuam gjashtë muaj, Nestori punoi kurse unë e ndihmoja. Pikturat u ekspozuan në Bashkinë e Athinës, në një ndërtesë të ish mbretit, atje ku ekspozohen kryevepra 

Kur u vendosët në Greqi ?

Në vitin 1992 erdha me Nestorin. Ai iku në Shqipëri kurse unë ndejta në Greqi. Me Nestorin vajtëm në Meteora. I themi kryemurgut “sikut  të ndihmojmë pak edhe Vlorën”  që asokohe ishte shkatërruar ndërtesash, ishin thyer xhamet e shkollave. Me murgun çuam karvane të tëra me mallra të urgjencës, ilaçe në spitale. Pas kësaj unë ngela në Meteora. Punova si roje, në shërbim të turistëve, se atje çdo vit kalojnë një milionë turistë. Më pasë punova në një dyqan që shiste ikona. Kështu kaloi viti i parë. Erdhi edhe gruaja atje. Pastaj vij në Athinë ku fillova punën si punëtor magazine tek xhinsi, pastroja shkallët, bëja punë të rëndomta si gjithë të tjerët. Nuk e njihja shoqërinë greke, vështirësitë ishin të jashtzakonshme, paga e vogël. Vitet e para i kalova me mjaft vështirësi.

Pastaj ngela pa punë. Një njeri i fisit më mori si punëtor në një kioskë. Atje më duhej të punoja natë e ditë. Atje mu dha mundësia të lexoj, të çfrytëzoj shtypin e përditshëm dhe atë periodik. Atje një ditë mësova se është formuar Partia Liberale e Stefan Manos. Ai mbante një qëndrim jashtzakonisht dashamirës ndaj Kosovës. E takova Stefanin dhe i kërkova që të jemë pjesë e grupit organizator të partisë. Kjo më dha mundësi të njihja personalitete të larta të shoqërisë vendase. U ftova në kongresin ndërkombëtar për problemet e emigracionit ku kishte shumë anëtarë të parlamentit europian. Takova Pap Koks, nënkryetarin e Parlamentit Europian dhe fola atje. Ishte hera e parë që mbaja kravatë. Dy herë e kisha mbajtur kravatën, kur martova vajzën dhe në këtë takim.

Një ditë një nga këto personalitet më njoftoi se do të hapet një qendër në shërbim të emigrantëve ndaj shko shpejt dhe bëj intervistën. Shkova dhe dhashë intervistën.

Çfarë gjuhësh dini ?Dija disa gjuhë...

Unë di italishten, rusishten, greqishten...

Ku e ke mësuar greqishten?

Unë linda në Vlorë por prejardhja e babait tim është nga Greqia, nga pas malit të Gramozit. Babai erdhi i vogël, 7 vjeç, jetoi dhe vdiq në Shqipëri. Unë jam shqiptar. Linda dhe u rrita në Vlorë ndërsa nënën e kam nga Gjirokastra.

Në konkurs ndër të tjera duhej njohje me ligjet greke. Qendra ishte në Ministrinë e Brendëshme dhe njohja e ligjeve ishte një domozdoshmëri për cilindo që aplikonte. Unë iu futa ligjeve, jo vetëm ato që lidhen me emigracionin por edhe ata që lidhen me IKA-n, me OAEDH-in. I mësova mirë. Bëra edhe një studim për problemin e emigracionit gjë që më dha mundësinë të fitoj vendin e punës. Kështu unë tashmë jam në punë, në shërbim të emigrantëve. E fitova vendin e punës me përpjekje të mëdha, me studim e përvetësim të saj në çdo detaj.

Ju shkruani për emigracionin ?

Unë kam vite të tëra që shkruaj për emigracionin. Kam mbajtur gjallë gazetën e Athinës deri në dy faqe në çdo numër. Më pas u lidha me gazetën Tribuna. Erdhi një moment që unë nuk kisha se çfarë të shkruaja. Ligji i ri ka pesë gjshtë muaj që është bllokuar. Më shteruan problemet. Tani që doli qarkorja do të filloj të shkruaj.

Ndërkohë u largova nga letërsia. Iu ktheva përsëri. Shkrova një libër prej gjashtëqind faqesh, një libër që nis me antikitetin e mbaron me Jorgo Seferin dhe Tito Patrician. Çova Tito Patrician në “Poeteka” në Durrës. Ai flet me një dashuri të jashtzakonshme për Shqipërinë. Ndërkohë zbulova se pse Jorgo Seferin e çuan në Korçë?

Po pse e çuan ?

E çuan se dashuroi një grua me dy fëmijë. Babai i tij, tepër i ashpër shkon e ankohet në Ministrinë e Jashtëme. Seferis kishte tetë vjet që nuk kishte ardhur në Greqi. Gjashtë vjet kishte qenë në Paris, dy vjet këshilltarë në Londër. Vjen kalon pushimet në Egjina dhe dashuron një grua me dy fëmijë që ishte drejt ndarjes. Babai që ishte rektor i universitetit për drejtësinë kërkon që ta syrgjynosin në ndënjë vend të humbur. E çuan në Korçë dhe ai nga Korça shkruan 132 letra dashurie në interval një ditë po dhe një ditë jo. Unë vajta tek e bija që ka marrë tërë trashigiminë e Seferis. E pyes se pse vajti në Korçë ? Dhe ajo më shpjegoi historinë, më tregoi të gjitha reliket e tij. Ajo më tha se këto ditë del libri “Njëqind e tridhjetë e dy letra dashurie”. Atje duket Korça në mënyrë mahnitëse. Atë që nuk e njeh letërsia shqiptare, atë që nuk e njeh lexuesi shqiptar. Në fillim Korça i duket e zezë. Dalngadalë njeh e dashurohet me vendin e me njerëzit. Ka njojtur Lasgush Poradecin... Unë do të mundohem t’i përkthej letrat e dashurisë sepse në to gjen Shqipërinë e asaj kohe, madje edhe Enver Hoxhën kur përshkruan një demonstratë në Korçë. Atje ka poezi që nuk janë botuar në asnjë antologji greke, poezi të mrekullueshme për dashurinë të shkruara nga Korça.

Një tjetër moment është Niko Engonopulos. Ai është një mik i harruar i Shqipërisë. Kristo Zharkalli e ka njojtur nga afër. Ai ka një dashuri të veçantë për Shqipërinë. Ai në Paris ka zbuluar Haxhi Sheretin që shkrojti Alipashadën. Ai thotë “Poeti më i madh për mua është Botleri dhe Haxhi Shereti. E keni lexuar?” pyet poetët e tjerë dhe reciton poezitë e Alipashadës. Ai ishte pjesmarrës në luftën Italo – Greke dhe shkruan poema të tëra. Shkruan një ese të mrekullueshme për Elbasanin dhe thotë “ Empirikua shqiptaro-greke që përshëndeste allashqiptarçe me dorën e djathtë në zemër”. Ai ka njëqind vjetorin e lindjes dhe në veprimtaritë e mëdha që po bëhen flitet shumë për Shqipërinë, për dashurinë e tij. Ai ka bërë dy herë portretin e Skënderbeut.

Kjo më detyroi që vajta në bibliotekë...

 

Çfarë zbulove në bibliotekë ?Duke u interesuar për Niko Engonopulin, rastësisht më ra në sy emri i Ismail Qemalit.  I them punonjëses “Pa futu pak në kompjuter çfarë ka për Ismail Qemalin?“ U fut dhe më nxorri përpara një botë të tërë për Ismail Qemalin. Më thotë se shumë nga këto janë në bibliotekën e Parlamentit. Shko se atje do të gjejsh burime të jashtzakonshme”

Unë nuk kam sekret, unë ua them gjithë shqiptarëve: “Ikni në Bibliotekën Kombëtare, ikni në Bibliotekën e Parlamentit që për mua është e virgjër nga studimet shqiptare, gjurmues e shkencëtarë e historiane dhe do të gjeni mrekullira “Unë atje gjeta jo vetëm Ismail Qemalin e panjohur, Ismail Qemalin që botonte një gazetë shqip dhe greqisht por gjeta edhe letërkëmbimet e Ismail Qemalit me mikun e tij Neukli Kazazi . Gjeta atje mrekullira që ose i njeh pak ose nuk i njeh fare historiografia shqiptare. Gjeta Grigor Gjirokastritin që njihet si emër i cili ka përktrhyer ungjillin në shqip në vitin 1827. I kam këto me vete. Gjeta një studim albanologjik të Kurilos që nuk njihet nga albanologët shqiptarë. Janë dyqind e njëzet faqe ku flitet për lashtësinë e gjuhës shqipe. Atje gjeta një pasuri të jashtzakonshme, gazetat, revistat e Ismail Qemalit, kryearetikujt e tij. Të gjitha këto janë afro 400 faqe. Gjeta edhe studimin e këtij që u botua si broshurë të mikut të Ismail Qemalit Neokli Kazazi, studim prej shtatëdhjetë faqesh që nis nga Pellazgët e deri në vitin 1907. Është një hymn për historinë e Shqipërisë. Atje flet për Gjergj Kastriotin, nuk e thotë grek siç pretendohet, flet për kontribution e arvanitasve në fitimin e lirisë. Unë këto do t’i përkthej. Vështirsitë janë të jashtzakonshme për përkthim sepse janë në katharevusa por kam pranë ndihmën e Kristo Zharkalliut, këshillat e Moikom Zeqos që gjithëmonë më kanë mbështetur moralisht.

Shkove në Shqipëri me këtë pasuri potenciale që gjindet diku  në një “minierë” e cila kërkon “minatorë” të thellësive që ta gjejnë. Si e prezantove dhe çfarë more nga Shqipëria ?

Unë, pas këtyre zbulimeve, punova me pasion natë e ditë, veja në punë dhe shkoja në arkiva, mblodha materialet, i fotokopjova, i lidha në një si libër, merrja fotografë të specializuar duke i hequr të shpenzimet nga buka e ditës. Informova ambasadorin, punonjësin që merret me problemet e kulturës në ambasadë.

Me të gjitha materialet e grumbulluara shkova në Tiranë. Moikom Zeqo që më priste për fatin tim ishte shtruar në spital. Mbeta në mes të katër rrugëve të Tiranës. Shkova të pi kafe në Lidhjen e Shkrimtarëve që i kishin vënë çelsin dhe atje takova Alfred Uçin. I tregoj për të gjitha ata që kisha zbuluar dhe kur më dëgjoi për Ismail Qemalin më mori në shtëpi, i pa të gjitha materialet, u emocionua si fëmijë.

Alfredi sensibilizoi akademikët shqiptarë. Shkova në shtëpinë e mësuesit tim Nestor Nepravishta. Ai pasi i pa tha se këto nuk i njeh historiografia shqiptare. Mori në telefon Kristo Frashërin. Edhe ai tha se nuk i njeh historiografia shqiptare. Pastaj u mor drejtoresha e arkivit të shtetit Nevila Nika. Erdhi ajo kastile. I pa materialet. U emocionua jashtzakonisht dhe tha që të bëjmë çështë e mundur që të botohen me rastin e 95 vjetorit të Pavarsisë.

I thashë se meqënëse materialet janë në greqishten Katharevuse e cila për mua është shumë e vështirë për përkthim sepse ka pak specialistë që e dijnë atë, atëhere u vendos që arkivi t’i pagojë ato por me çmimet e Shqipërisë.

Nisur nga të gjitha këto më del një detyrë e jashtzakonshme, ndaj po punoj ditë e natë që ta përfundoj dhe ti dhuroj Vlorës dhe Shqipërisë këto dokumente që janë fare të panjohura.

Takova Ismail Kadarenë i cili pasi më dëgjoi më inkurajoi për të vazhduar më tej.

Takova rektorin e Universitetit Shezai Rokaj i cili po udhëtonte për në Greqi. Ai pa abetaren dhe si gjuhëtarë që ka studjuar në Paris  u mahnit dhe më tha se këtë abetare gjuhësia jonë nuk e njeh.

Çfarë po bën këto ditë pas kthimit nga Tirana ?

Po sistemoj të gjitha materialet. I kam lidhur në një libër të trashë. Njëkohësisht po shkoj  çdo ditë në bibliotekë dhe po kërkoj materiale të reja.

 

Abdurahim Ashiku

 

Athinë, 29 janar 2026

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page