A VËRTET KA THËNË ASHTU ALBIN KURTI?


Gjokë Dabaj

A VËRTET KA THËNË ASHTU ALBIN KURTI?

Kam dy ditë që grindem me njerëzit që më rrethojnë, sepse nuk e besoj që A. Kurti do të mund ta bënte një gabim të tillë. Njerëzit po më thonë: E ka pyetur A. Kurti A.Vuçiqin: “Kur do ta njohë Sërbia Republikën e Kosovës?”

Do të ish vërtet një gabim i rëndë dhe përgjigjja e A. Vuçiqit do të ishte pikërisht ajo që e meritojmë ne shqiptarët: “Kurrë!”

Por unë mendoj që fjalia do të ketë qenë krejt ndryshe: “Kur Sërbia ta njohë Republikën e Kosovës, atëherë të dy shtetet do të mund të bëjnë bisedime në kushte më normalë”. Në këtë rast fjala “Kurrë!” është lidhëz kohore e jo ndajfolje pyetëse. Pra, unë mendoj që A. Kurti nuk ka pyetur, por i ka vënë përfaqësuesit të Sërbisë një kusht kohor.

Mbetet për t’u sqaruar si është e vërteta, sepse edhe përkthyesit mund të bëjnë gabime.

Nuk mund të pyetet “Kur!” një armik i dëshmuar i kombit tonë! Ç’do me thënë “Kur!” për Sërbinë, e cila s’ka lënë krim pa kryer në kombin shqiptar?! Sërbia vazhdon të jetë pushtuese dhe vazhdon të paguajë mercenarë në manastiret tanë si dhe në një pjesë jo të vogël të territorit tonë!

Prandaj unë nuk po mund ta besoj që A. Kurti e ka bërë një gabim të tillë. Dhe prandaj unë do të vazhdoj të grindem me bashkëbiseduesit, deri në çastin kur ky keqkuptim të jetë sqaruar mirë e saktë në mediat tona.

Nuk është e mundur që A. Kurti ta ketë pyetur A. Viçiqin “Kur do ta njohësh Republikën e Kosovës?” Nuk është e mundur ta ketë bërë një gabim të tillë gjuhësor, i cili do të mund t’i çonte bisedimet tanë me Sërbinë në kalendat greke, në të vërtet, deri sa ata ta kenë copëzuar Republikën e Kosovës si t’u dojë qejfi atyre.

Ndërkaq, interlokutorët ndërkombëtarë kurrsesi nuk duhet të bëhen palë me Sërbinë, sepse ashtu bëhen edhe ata pjesëmarrës në krimet kundër njerëzimit. Interlokutorët, ndërmjetësit në bisedime, duhet të kenë parasysh të paktën dy të vërteta.

E para: Sërbia ka kryer agresion dhe genocid në tokat shqiptare dhe në kombin shqiptar e rrjedhimisht ajo nuk mund të jetë kurrsesi e barabartë në bisedime. Sërbia është thirrur atje për të dhënë llogari, jo për të paraqitur kushte e pretendime.

E dyta: Sërbia nuk është një vend i krishterë! Pikërisht këtë të vërtetë më duket se ende nuk e kanë kuptuar përfaqësitë e vendevet ndërmjetës. Sërbët janë kuazi të krishterë, gjoja të krishterë, të krishterë të rremë, dhe kjo dëshmohet, sepse të gjithë shenjtorët e tyre nacionalë kanë qenë kriminelë monstruozë. Krishtërimi i sërbëvet është një krishtërim krejt artificial dhe mirëfilli Anti-Krisht!

Fatkeqësisht bota e krishterë nuk e ka kuptuar dhe nuk e ka trajtuar si duhet këtë lloj herezie të Kishës Pravosllave Sërbe dhe, rrjedhimisht, ka lejuar që pikërisht kjo Sërbi të bëhej pikënisje e dy luftëravet botërore!

Ne shqiptarët vërtet nuk jemi të gjithë të krishterë, por as përçarës e shkaktarë luftërash nuk jemi.

Sërbisë i duhet thënë shkurt, qartë dhe me kusht të panegociueshëm: “Njihe shtetin tonë kështu siç e kanë njohur shumë shtete të tjerë dhe vetëm atëherë mund të bisedojmë për çfarëdo pune me interes të dyanshëm. Jo për ta zhvatur edhe më shumë kombin shqiptar, por për të na dhënë llogari, për të kërkuar ndjesë dhe për të na i zhdëmtuar të gjithë dëmet dhe të gjitha të këqiat që na i ka bërë shovinizmi juaj!”

Ç’u është kërkuar Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste, kur ata kanë kapitulluar?! Italianët dhe gjermanët janë sot dy kombe nga më të nderuarit në kontinentin tonë dhe, një nga arsyet është, sepse ata kombe i dënuan nazizmin e vet dhe fashizmin e vet, dhe u paguan popujvet të dëmtuar reparacionet.

Kombi sërb kurrë nuk do të përparojë, nëse vazhdon të mos kërkojë ndjesë për krimet që ka kryer në Kosovë dhe në vise të tjerë, shqiptarë e joshqiptarë.

Prandaj edhe duhet të kemi kujdes në çdo fjalë që përdorim, në mënyrë që të mos u japim mundësi ligësisë dhe lakmisë sërbe të mbijetojnë. Të mbijetojnë në dëm të kombevet fqinjë, shqiptarë, malazezë, boshnjakë, kroatë, hungarezë, rumunë, bullgarë e maqedonë, por në dëm edhe të mbarë Evropës.

15 qershor 2021

146 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif