SHPENDI TOPOLLAJ
A DUHET TË SHQETËSOHEMI NGA SJELLJA DHE MORALI I TË RINJVE
TANË?
I kam dhënë plotësisht të drejtë asaj sentencës romake “O tempora, o mores”, pra “O kohëra, o zakone”, por më duket se te brezi ynë i ri janë kaluar të gjitha kufijtë e saj. Nga ana e tij, enciklopedisti dhe përhapësi më energjik i ideve të shekullit XVIII - të, filozofi Denis Didëro (D. Diderot), thosh: “Morali ekziston në të gjitha vendet ku ka ligje dhe qeveri; nuk ka afrikan, aziatik apo evropian: ka të mirë dhe të liq”. Por më duket se qeveria, e zënë me të tjera probleme, shpesh edhe pa bereqet, as që e shkon ndërmend të ushtrojë ndikimin e saj mbi sjelljen dhe moralin e shoqërisë e sidomos të të rinjve dhe të rejave. Dalja nga diktatura komuniste ka qenë fitorja jonë e madhe, por nuk mund të themi se edukata dhe respekti në marrëdhëniet mes njerëzve mungonin. Ne kishim një trashëgimi me vlera të mëdha nga historia jonë shekullore. Sot janë bërë ndryshime kolosale në Shqipëri, ama është fakt që me keqardhje vërejmë edhe fenomene të papëlqyera, sidomos te të rinjtë. Nowl Cowardi me ironi thosh atë që shihte se: “Nuk e di se për ku shkon Londra. Sa më të larta ndërtesat, aq më i ulët morali”. Shoqëria njerëzore dhe qeveritë përkatëse, përherë e kanë pasur në qendër të vëmendjes punën e moralit. Sokratin, pa asnjë faj e dënuan të pinte kupën e helmit, me akuzën e pa drejtë të çoroditjes, pra shthurjes të të rinjve. Si shkrimtar, modestisht e kam bërë atë që porosiste J. Jevtushenko për rolin e letërsisë si kontroll i moralit ndaj politikës. Por sot desha të jem më i drejtpërdrejtë, duke shfaqur shqetësimin tim si një qytetar i thjeshtë i këtij vendi.
Kur erdha nga Tirana në Durrës, ku isha emëruar pasi dola oficer, plot 55 vjet më parë, nuk mund të harroj respektin që njerëzit kishin për njëri - tjetrin. Më të rinjtë u lëshonin vendin të rriturve si në autobusin urban ashtu edhe në tren, dhe nga ana e tyre edhe këta sa shihnin një grua shtatzënë, menjëherë ngriheshin që të ulej ajo. Asnjëherë nuk dëgjoje rrugës dikë që të fliste me zë të lartë apo të përdorte sharje a fjalë të papërshtatshme nga të cilat të viheshe në pozitë të vështirë. Shëtisje me gruan përkrahu krejt i qetë. Kur shkoja në shkollë për të parë ecurinë e vajzave në mësime, konstatoja respektin që nxënësit kishin për mësuesit dhe mësueset e tyre. Nuk i dëgjova ndonjëherë miqtë e mij arsimtarë të ankohen për mungesën e disiplinës nëpër klasa. Kishe qejf kur i shihje të rinjtë grupe - grupe me çantë e libra ndër duar. Kishin pafund mungesa, jo vetëm ekonomike, por i gjeje kurdoherë të pastër dhe të rregullt në të veshur. Më të rriturve u drejtoheshin me ju. Në familje, fjala e prindit nuk kundërshtohej asnjëherë. E përpinin çdo libër të ri që dilte. Mes tyre, në atë varfëri, kishte një solidaritet të madh. Ata më të mirët, ndihmonin më të dobtit në mësime. Luanin hareshëm me shokët, por sapo errej mbidheshin në shtëpitë e tyre. I kuptonin hallet dhe pamundësitë e nënës dhe babait, ndaj kërkesat i kishin të arsyeshme. Kështu ishte në kohën e diktaturës. Por duam - s`duam, njeriu bën edhe krahasime. Ku jemi sot me edukatën? Në urban e interurban, o i moshuar, mos prit të ta lirojë kush vendin. E dimë që gjunjët s`të mbajnë, por bëj si të bësh edhe ca. Jo ty, por as për atë femrën me barkun e fryrë, që mund të ketë edhe një fëmijë të vogël për dore, nuk do t`ia dijë kush. Nxënës e nxënëse me çanta e libra ndër duar nuk të zë më syri. Le që nuk dihet në shkojnë të gjithë në shkollë. Respekt për mësuesit - ç`na bëre të qeshim. Vetë ministria ka dhënë orientimin që ata të japin llogari para nesh. Se zërin nuk u lejohet të na e ngrenë. U bënë ata. Dikush vjen në shkollë me fuoristradë të shtrenjtë, se është bir afaristi të madh (droge). Ai ka para pa hesap dhe me to bën ç`të dojë. Drogë marrim edhe ne, apo nuk i sheh filmat ti se ç`reklamë u bëjnë. Edhe ne si gjithë dynjaja. S`ka më kufizime si në kohën tuaj, se po shkojmë drejt botës së qytetëruar. Juve u ka mbetur ora… Dhe ku dreqin i gjejnë ato fjalë të pista që i nxjerrin nga goja kudo që ndodhen. Dhe jo vetëm djemtë… Kalon trotuarit dhe mos u çudit kur të dëgjosh mes një grupi vajzash ndonjërën që të shajë më keq se djemtë. Ndihesh ngushtë, por ç`të bësh. Tani vishen me recka të shtrenjta, si hipitë. Se ata duhen imituar, pasi bënë revolucion dhe e emancipuan shoqërinë. Vajzat janë vënë në garë, kush e kush të bashkojë më parë këmbët e xhinseve me ato të tangave. Pse bëheni merak ju se dalim në bulevard si me rroba banje. Po në plazh pse nuk u bën përshtypje kjo. Një jetë kemi dhe shyqyr erdhi kjo ditë. Edhe tatuazhe do bëjmë në çdo centimetër të trupit tonë, si ekspozita të arteve figurative dhe juve nuk se ç`u duhet fare. Ju mbyllini sytë dhe mos shini sh… e s… tona. Iku koha e baba Qemos. Jemi në kohë moderne, dhe prindërit të mbajnë vendin e tyre se ne kemi jetën tonë dhe bëjmë me të ç`të duam. Çuditeni pse flasim me fjalor të ndyrë? Po a nuk i shihni deputetët si flasin, si grinden, madje me fjalë shumë më të rënda se tonat. Po ato emisionet humoristike… apo jeni më të zgjuar ju. I keni parë ndonjëherë ata të diskutojnë për këto punë? Ata nuk duan t`ja dinë për ata që janë ngujuar nga hasmëritë, ndërsa ju si duket jeni të ngeshëm. Shkoni, shkoni dëgjoni muzikë popullore, se atje e keni mendjen. Te folklori, te kreshnikët, te atdheu. Merruni me Naim Frashërin ju, se ja keni ngenë. Nuk dini tjetër, veçse, jo të gjata, jo të shkurtra, jo të gjera, jo të ngushta. Bëri me ju partia si deshi, u talli sa mundi dhe s`guxuar as të hapni gojë. Tani doni ta nxirrni inatin e atij sistemi te ne. Na këshilloni bukur; mos rrini tërë natën klubeve, mos pini pije alkoolike, as duhan. Mos ngisni në mes të qytetit makinat si të marrë. Po të ish gabim, vetë qeveria do nxirrte ndonjë polic që të na ndalonte. Po kur do t`a shijojmë jetën ne? Kur të plakemi si ju. Le pastaj kur na jepni këshilla: lëreni tani atë celular, e na mërzitët me atë komjuter, na thoni ndonjë gjë. Hajde, hajde! Po pse ore, me shkuesi si ju do martohemi? Dini njohje, dashuri e bashkëjetesë virtuale ju apo jo? Kjo është bota. E shoh e më sheh nga ekrani, takohemi, bëjmë ca gallatë e pastaj sekush në punën e vet. Jo po do rrimë me një, si ju ne. Sikur u mbaruan vajzat. S`ka më ashtu. Qytetërimi po shkon drejt martesave gej, pra burrë me burrë e grua me grua. Se keni parë sa janë shtuar ata? Dhe pretendoni pastaj të shkojmë dejt Evropës. Po ku të lini ju trumykurit e pandreqshëm.
Comments