top of page

A do të ringjallet “ Normalja e Elbasanit?


Besim Dybeli Çmimi kombëtar të karrierës, "Fatos Baxhaku"

Shkolla shekullore e mësuesisë “diplomon” gjimnazistë!

111 vjet më parë lindi “fidanishtja”, që do të diplomonte mësues të gjuhës kombëtare për të gjitha trojet shqiptare. Por, simboli shekullor i mësuesisë shqiptare ka vite, që është shuar! Nga shkollë , që diplomonte mësues, është shndërruar në një gjimnaz pothuajse të zakonshëm. Por, do të shërbejë, edhe si “laborator” i praktikës studentore të universitetit “ Aleksandër Xhuvani” të qytetit të Elbasanit. Vendimi për shndërrimin e shkollës Pedagogjike “Luigj Gurakuqi “ të Elbasanit , ose siç është thërritur për më tepër se 111 vjet , Normalja , është marrë vite më parë nga ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe ka hyrë në fuqi menjëherë. Normalja e Elbasanit , themelet e së cilës u vendosën në 1 Dhjetor të vitit 1909 ,për vetë kontributin e saj në bazat moderne të arsimit shqiptar, do të quhej me të drejtë “djepi” i arsimit kombëtar. Kjo, për vetë faktin se për mbi një shekull jetë , do të përhapte misionarët e mësimit të shqipes në Shqipëri e në të gjitha trojet shqiptare, ku flitej shqip. Me mijëra e mijëra mësues, të diplomuar nga kjo shkollë, e vetme në llojin e saj, do të shërbenin për tërë jetën e tyre si mësimdhënës të zellshëm e patriotë në mësimin e edukimin e qindra e qindra gjeneratave të rinisë kombëtare shqiptare. Ndërsa në Pedagogjiken e Elbasanit do të kremtohej me madhështi 100 vjetori i çeljes së Normales, askush nuk e kish besuar që pas tetë muajsh, shkolla në fjalë do të “vuloste” mbylljen përfundimtare të misionit të saj historik. Në fakt, debatet për mbylljen ose “rikonstruksionin” e profilit të saj, do të nisnin më herët, gjë që do të përcillte zemërimin e mbarë opinionit qytetar elbasanas e intelektualëve të shquar. Vendimi ministror, tash e tutje e ka emërtuar atë thjesht, një gjimnaz, me statukuonë se aty do të zhvillohen edhe praktikat pedagogjike të studentëve të universitetit qytetës. Tashmë, dyert e saj, nuk kanë regjistruar me nxënës pedagogjikas , por të rinj gjimnazistë. Përkundër zbatimit të këtij vendimi , në Elbasan debati qytetar , intelektual apo edhe ndërinstitucional , edhe sot mbetet i hapur . Ai është ndezur para ca vitesh, pikërisht në ditën e konkurimit për kreun e Drejtorisë Rajonale të Arsimit të qarkut të Elbasanit. Njëri prej konkurentëve , Roland Baxhaku, intelektual në karierë, ka vënë në qendër të programit të tij konkurues , rilindjen e shkollës Normale. – “ Nëse fitoj në këtë konkurim , unë do të rikthej shkollën normale me të gjithë atributet e saj , por me emrin “ Shkolla e mesme me orientim mësuesi”. Për fat të keq , propozimmi i tij i guximshëm mbeti si një pikë uji në oqean, edhe për vetë faktin se “nervi” i atij takimi kishte të bënte për përcaktimin e fituesit për kreun e arsimit në Qark. Nga ana tjetër, si për koinçidencë , me “shuarjen” de-jure të Normales së Elbasanit, dy ditë më pas, do të shuhej edhe jeta e normalistit të fundit, një nga 200 mësuesit normalistë që shërbyen në Kosovë e troje të tjera shqiptare, Ruzhdi Guranjakut, vëllai i të shumënderuarit, Qamil Guranjaku.

Për ish-prefektin e Elbasanit, Shefqet Deliallisi, mbyllja e saj, motivohej me atë që “përsa kohë që nxënësit, që mbaronin Pedagogjiken, nuk kishin të drejtë të punonin mësues, Normalja prej disa vitesh konsiderohej e mbyllur. Në këtë mënyrë kemi një evolucion, pasi ajo qëndron ne themel të universitetit të Elbasanit dhe ky i fundit, pse jo, të mos mbajë emrin “Normalja” ?! Ndërsa , Qazim Sejdini , ish- kryetar i Bashkisë , do të deklaronte, se “ Zhdukja e Normales është një nga atentatet më mizore e më të shëmtuara, me të fshehtë e me të pabesë, që i është bërë ndonjëherë qytetit tonë. Është një dhuratë e hidhur, që na e bëri qeveria Berisha, pas festimit të 100 vjetorit të saj. Është një turp i madh ! Nuk është marrë aspak mendimi qytetar, intelektual dhe i Bashkisë sonë”. Sakaq , Luçiano Boçi , ish- deputet , dhe ish- zëvendësrektor i UE , do të pohonte se “Normalja do mbetet gurë themeli i traditës së përgatitjes së mësuesve dhe historia e saj 100 e ca vjeçare do jetë pjesë integrale e sukseseve të mëdha intelektuale të këtij vendi. Ajo është shkrirë brenda traditës së re, që ka krijuar universiteti dhe do të bëhet pjesë integrale e këtij institucioni të lartë arsimor.” Sidoqoftë, pyetja retorike, që bëhet në opinionin qytetar dhe intelektual të Elbasanit , mbetet , “A do të ringjallet Normalja?! Është një qytet që ka rritur dhe është rritur me Normalen. Është një qytet, që për çdo familje, të paktën dy pjestarë janë mësues…



84 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page