top of page

A do të na duhet më Shkopi?

Updated: Jun 12, 2021


Fatmir Terziu

A do të na duhet më Shkopi?



E ku mund të flitej tjetër gjë atë ditë. Shkopi?! Shkopi, po rikthehet. E rikthimi i bënte rixha edhe kohës. I mposhtte rrezet e forta pingule, që zbrisnin aty, sikundër ndodhte mbi shapkën e gjelbër të tij, po ashtu dhe ndanë hijeve të Çinarit.

-Shpresoj të më nuhasni! - Foli shkopdiktuesi i rastit. Të tjerët heshtën, por kurreshtja nuk mund të linte mënjanë sytë që lëvizën sa tek njëri, po aq dhe tek tjetri, sipas mundësive gjeometrike që u krijonte rrethi anës Çinarit.

-Është koha e shamponit tani? – Pyeti dikush dhe përsëri pa u diktuar, duke mbajtur anonimatin, mbajti formatin e rrethit të Çinarit.

-Ë, de, ë, merrni një aluzion të shamponit tim.

-Bre, bre?! – U fry habia rreth e përqark. Edhe ajo shëtiste në rreth.

-Bëjeni këtë me një frymë. Bëjeni e ribëjeni, ndërsa pastroni flokët që ju zgjaten, që u bien e që u shkëputen tutje nga shpatullat.

Përsëri mëdyshje. Përsëri dilemë.

Por ai vazhdoi…, nuk e kuptoni, nuk e shikoni?

… - ose sytë e lodhur janë me të njëjtën ngjyrë si e imja. Një hije e Pranverës do të thoni? Ose, ose…, ju nuk më dukeni më, sikur po e dalloni ngjyrën. Ngjyrat, do të thoja. Atëherë nëse nuk i dalloni ngjyrat, më nuhasni në përzierjen e ilaçeve ndërsa kaloni dyqanin e parfumeve.

-Jemi në trazim kohërash, mitesh, legjendash.

-Jo, e keni gabim. Nuk mund ta vendosësh gishtin në asnjërën prej këtyre. – folën gati njëzëri dhe kjo u ndje dhe shkundja e lehtë e Çinarit në pellgun e vogël e të pastër të shatëvanit anës së tij.

-Ne nuk ..., nuk nuhasim. Ne nuk …

-Atëherë më nuhasni në vajin e lëkurës, një veprim i qëllimeve të tilla të pastra që na kthejnë në ditët tona më të hershme. Shpresoj të më shihni, në mjedise…

-Ku dhe kur mund të ndodh që të bëhet një gjë e tillë? Mos vallë e gjitha është ende folklor?

Dhe … përsëri dilemë…

Përsëri vetëm fjalë nën Çinar.

Unë do rikthehem si atëherë. Unë do të jem përsëri shkopi…, shkopi që i duhet kësaj shtëpie, kësaj familjeje, kësaj… rrëmuje. E ju do të më kujtoni e rikujtoni…e do thoni …

Shkopi? Do të rikthehet Shkopi?!

Shushuritje. Shukamë. Pëshpëritje. Lutje në qiell të hapur.

Dhe ja…, ja ku po shfaqet…

Po shfaqet.

Pjesa e pasme e një koke nga një i huaj, flokët e të cilit kanë të njëjtën ngjyrë dhe unë po e përndjek kujtesën tuaj. Apo më shikoni në fytyrën e venitur në një dritare që pikturon makinën që ju bën të kërcej zemra dhe sytë tuaj të dyfishohen. Apo do të më shikoni si një fantazmë në rrugët që përdornim, jo thjesht për të ecur.

Mbyllini sytë dhe më dëgjoni duke qeshur ndërsa largoheni, të dehur dhe vendosni ku do të hani në ditët e tjera.

Hapat e hapave mbërthejnë kapësen e gojës dhe pengojnë rastësisht fjalët: „Kënga e rinjohjes së burrit me gruan.“

Sa shekuj paskemi ecur mbrapsht?!

Sa shekuj…eh, bre sa shekuj. Edhe unë qenkam tashmë i huaj?!

Më dëgjoni?!

Shpresoj të më dëgjoni, në këngën time të preferuar „Ç'je ti që kërcet në portë?“ ndërsa koha për tu zgjuar vjen herët në radio, ose në telat e violinave që po ua shqyejnë telat e zemrës suaj kur luani solo në orkestër në ditëlindje.

Atëherë më dëgjoni në këngët moderne dhe më imagjinoni me ato legjendare, në mënyrën se si do t'i vendosja duart në ajër dhe do të hapja gjoksin tim, duke tundur flokët në sytë e mi. Dhe atëherë do të isha Ago Ymeri, apo Ymeri Aga. E thua do të më dilnin përpara Ali Pasha, Selim Begu, apo Asllan Begu? E ku, e ku do të ishte Konstandini i vogël?!

Mbi të gjitha uroj të më ndjeni, tani.

Vendos një dorë rreth belit dhe lëviz flokët nga qafa. Vë një puthje në faqe ndërsa unë fle dhe ti thua se po 'fryj flluska'.

Dhe, mbase do të më shijosh.

Kjo ishte koha e munguar, ndoshta tani nuk i duhet më Botës, sepse kur ishte i munguar, me siguri duhet të isha unë një labirinth i tillë gjatë gjithë kohës.

Shkopi… A do të na duhet më Shkopi? – pyesnin njëri-tjetrin nën Çinar, ndërsa një radio i përcillte larg e më larg vargjet e ardhura nga rapsodia e De Radës kombëtar: „Mbi kalin ballë erës së detit/hapeni flamurin tim/e në mes të flamurit/lidh e le shkopin tim“.

26 views4 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page